Ligji që flet për pajisjen e nënshtetasve shqiptarë me pasaporta është ligji nr. 8668,i datës 23.10.2000, që mban firmën e ish presidentit Mejdani. Ky ligj është modifikuar me vendim të qeverisë shqiptare të qeshorit të këtij viti.
Këto modifikime kanë të bëjnë kryesiht me terminologjinë. Këtej e tutje pasaporta quhet gjithnjë biometrike, dhe autoriteti që e lëshon quhet Ministria e Brendshme dhe jo më e rendit publik. Pjesa më e rëndësishme e këtij vendimi të qeverisë është modifikimi i bërë në nenin 9, aty ku flitet për Dizpozita kalimtare. “Pasaportat e vlefshme, të zakonshme, do të jenë në qarkullim deri në përcaktimin e një afati përfundimtar.
Tarifat për pajisjen dhe ripajisjen me pasaportë biometrike janë të përcaktuara në kontratën koncesionare, ratifikuar me ligjin nr.9972, datë 28.7.2008. Me përfundimin e kësaj kontrate, këto tarifa do të përcaktohen me akte ligjore dhe nënligjore”. Ky nen i lë qeverisë shqiptare dy mundësi kryesisht. E para mund të jetë ajo e nxjerrjes jashtë ligji të pasaportave ekzistuese brenda një afati të caktuar. E dyta mund të jetë ajo e mundësisë së përdorimit të këtyre pasaportave deri në afatin e tyre normal të skadimit. Ky është akti i fundit ligjor për një temë si kjo e pajisjeve më dokumente identifikimi, që në Shqipëri ka qenë gjithnjë problematike, duke lënë hapsira shumë shpesh për abuzime me listat zgjedhore. Për të bërë të mundur pajisjen e nënshtetasve të vet me pasaporta biometrike, të teknologjisë së fundit por edhe shumë të shtrenjta, ka lidhur një kontratë konçesionare me “SAGEM Securite & Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve”. Shqiptarëve një kartë identiteti dhe një pasaportë biometrike u kushton përafërsisht 70 mijë lekë të vjetra. Duke llogaritur që më shumë se 1 milion e kusur shqiptarë jetojnë jashtë kufijëve, kryesisht në Itali e Greqi, qeveria vendosi në parim që pasaportat të bëhen edhe në konsullatat shqiptare në Greqi e Itali. Ky veprim do të ketë një kosto pothuajsë 100 € për pasaportë, të cilave shqiptari me banim në Itali duhet ti shtojë edhe 75 € për person që i duhen për të përditësuar dokumentin e ri në lejeqëndrimin italian. Mesatarisht, si e kanë nënvizuar edhe shumë kolegë të tjerë që shkruajnë në shtypin shqiptar jashtë kufijëve, një familje me 4 individë për tu pajisur me pasporta dhe për të përditësuar lejeqëndrimin italian, do harxhojë të paktën 1000 e kusur euro. Ky shpenzim me siguri jo që nuk i ndihmon familjet shqiptare që banojnë jashtë Shqipërisë, por tregon edhe një shenjë mos respekti të asaj pjese popullsie shqiptare që kontribuon rëndshëm në GDP-në tonë. Pozicioni zyrtar i qeverisë shqiptare e justifikon këtë përshpejtim të detyruar të proçesit pajisës me pasaporta biometrike, si një kusht të rëndësishëm të Bashkimit Evropian për të liberalizuar vizat me Shqipërinë. Për hirë të së vërtetës BE-ja nuk po na mban larg vetëm për këtë arsye, por kryesisht për gjëra të tjera më të rëndësishme, si lufta kundër korrupsionit, reformat e sistemit gjyqësor, krimi, etj etj. Le të marim të mirëqenë se kjo e biometrizimit të shoqërisë sonë, qenka një sine qua non për liberalizimin e vizave. Në këtë pikë të arsyetimit emigrantët e rregullt shqiptarë me banim jashtë Shqipërisë, nuk kanë lidhje fare me liberalizimin e vizave, pasi këta të fundit duke pasur lejeqëndrim të një shteti evropian mund të lëvizin në gjithë hapsirën Shengen pa asnjë lloj vize, edhe pse çdo vit vazhdojnë ti bëjnë pushimet e tyre në atdhe. Pra teorikisht emigrantët e rregullt shqiptarë mund të përdorin pa merak pasaportat e vjetra deri në afatin e tyre natyror të skadimit, dhe shumë prej tyre skadojnë pas viteve 2014. Kjo do i evitonte atyre shpenzime të kota dhe probleme burokratike të panevojshme për momentin e krizës ekonomike që po kalojmë. ***Lexuesi ndoshta do pyesi veten, pse po zbresim në detaje kaq teknike në një ambient informacioni si Albanianews. Unë mendoj se në raste të tilla është e udhës që të bëhen edhe propozime dhe jo vetëm kritika. Do të mjaftonte që qeveria të shtonte një paragraf në ligjin aktual dhe ti jepte të gjithë emigrantëve shqiptarë jashtë Shqipërisë, pak oksigjen, duke u lënë atyre kohën e nevojshme për t’ju përshtatur këtij ndryshimi. Do mjaftonte një paragraf ku thuhet:“Pasaportat e vjetra jo biometrike janë të vlefshme deri në afatin e skadimit natyror të tyre. Në përfundim të këtij afati shtetasi shqiptarë do të mund të aplikojë vetëm për pasaportë biometrike. Shtetasit shqiptarë që duan të lëvizin pa viza drejt vendeve të BE-së, janë të detyruar të pajisen me pasaporta biometrike”. Kjo do lejonte emigrantët shqiptarë që të përdornin akoma pasaportat e tyre aktuale, të paktën deri në afatin e skadimit natyror të tyre.
Ligji_nr8668___per_pajisjen_e_shtetasve_shqiptare_me_pasaporta_per_jashte_shtetit.doc