Shqipëri: në shkollën e bujqësisë

Shkolla profesionale "Ndre Mjeda" në Bushat, një qytet i vogël në komunën Vau i Dejës, është një institucion i rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë jo vetëm për Vaun e Dejës, por edhe për të gjithë krahinën e veriut të Shqipërisë. Francesco Martino interviston drejtorin, Ruzhdi Kapidanja për OBC Transeuropa

Ruzhdi Kapidanja

Ruzhdi Kapidanja, drejtor i shkollës profesionale "Ndre Mjeda" në Bushat

Intervistë realizuar nga Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa me autor Francesco Martino

Ku jemi?

Jemi në institucionin profesional “Ndre Mjeda”. Shkolla jonë përgatit studentët në tre fusha të ndryshme: veterinari, ushqim dhe teknologji bujqësore.

Sa janë djemtë dhe vajzat që e frekuentojnë?

Këtë vit ne kemi 208 studentë, mes të cilëve 64 vajza. 65 studentë banojnë në konviktin tonë. Kjo pika e fundit është e rëndësishme, sepse shkolla nuk është një pikë riferimi vetëm për komunat afër nesh, si Shkodra dhe Lezha, por për të gjithë veriun e Shqipërisë. Gjithashtu kemi studentë nga qytetet e Shqipërisë së jugut, si Korça dhe Elbasani. Këta të fundit kryesisht ndjekin profilin veterinar, jo vetëm se kjo fushë studimi nuk gjendet në institucione të tjera në Shqipëri, por edhe sepse në këtë fushë shkolla jonë ka zhvilluar një përvojë të fortë gjatë viteve.

Pse kjo shkollë lind pikërisht në komunën e Bushatit?

Kjo është një zonë me profesion të hershëm bujqësor dhe zooteknik: në komunën e Bushatit ekziston një hapësirë e madhe toke që përdoret për bujqësi. Për më tepër, Bushati ka një pozicion qendror në veriun e Shqipërisë dhe për këtë arsye shkolla ndiqet edhe nga nxënënsit që vijnë nga zonat përreth.

Cilat janë mundësitë e punësimit për djemtë dhe vajzat që mbarojnë këtë shkollë?

Në këtë rajon, siç e thashë më sipër, ka shumë ferma që kanë nevojë për profilet që dalin nga instituti ynë. Nxënësit tanë më të mirë punësohen në kompanitë vendore si baxho, kompani përpunimi mishi dhe në një kompani të madhe të përpunimit të peshkut. Dëshiroj gjithashtu të theksoj se ka nxënës të shkëlqyer që kanë dalë nga kjo shkollë dhe më pas kanë vijuar studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Një karakteristikë e kësaj shkolle është edhe ajo e mundësisë për të bërë praktikë pas mësimeve teorike, pra në terren…

Natyrisht. Përveç pjesës teorike, studentët kanë mundësinë të ndjekin shumë aspekte praktike. Një ndihmë e madhe në këtë fushë, pra për tu dhënë studentëve tanë mundësi që të bëjnë praktikë, na është dhënë nga shoqata Cospe, e cila vë në dispozicion një tokë bujqësore edukuese prej 7000 metrash katror ku nxënësit, së bashku me stafin pedagogjik, kryejnë ushtrime praktike, brenda ideve dhe në kuadër të mësimeve tona. Gjithashtu, në shkollë, është ngritur një laborator gjenetik dhe një stacion meteorologjik, i cili ofron informacion të nevojshme për fermerët e zonës, si për shembull temperaturën dhe lagështinë e tokës, apo edhe lagështinë e ajrit. Me kalimin e kohës, këto laboratorë do i mundësojnë institutit tonë të ofrojë shërbime dhe këshilla të mëtejshme, edhe me studentët tanë, për fermerët në Shqipërinë e veriut.

A mendoni se Shqipëria po investon mjaftueshëm në arsimin profesional?

Në vitet e para të tranzicionit të rinjtë shqiptarë u drejtuan drejt shkollave të mesme. Për shkak të këtij fenomeni – por sigurisht edhe për arsye të tjera të ndryshme – papunësia e të rinjve në ato vite arriti një nivel shumë të lartë. Për të reaguar ndaj kësaj situate, qeveria shqiptare vendosi t’i japë përparësi arsimit profesional.

Në të gjithë vendin janë ngritur shumë shkolla profesionale me profile të ndryshme: industriale, bujqësore, të lidhura me sektorin e turizmit, dhe kanë arritur rezultate të rëndësishme në një kohë të shkurtër. Shkolla jonë është një shembull i këtij ndryshimi. Para vitit 2010 numri i nxënësve që ndiqnin shkollat profesionale ishte shumë i ulët. Sot, janë arritur shifra të larta, me një ndikim pozitiv edhe në tregun e punës.

Shkolla

Shkolla e mesme Ndre Mjeda e Bushatit (Vau-Dejës) është një institut teknik me tre kurse studimi: veterinari, agronomi dhe prodhime ushqimore. Me një godinë të re që nga viti 2012, është shkolla e vetme e këtij lloji në veriun e Shqipërisë dhe ka rreth 200 studentë. Në kuadrin e projektit Aleanca për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Shqipërinë e Veriut, instituti i ka zmadhuar strukturat e saj. Në veçanti, është krijuar një njësi edukative e menaxhuar nga vetë studentë, dhe një depozitë e farave në të cilën ruhen bimët e ndryshme lokale. Shkolla gjithashtu është pajisur me një stacion meteorologjik që transmeton informacione për fermerët e zonës.

Kjo intervistë është e disponueshme dhe në italisht

Projekti

Vëmendje për fatin e shumë familjeve, zhvillimit lokal, peizazhit, çështjeve të zhvillimit ekonomik. Këto janë, në përmbledhje, elementët kryesorë të Alencës për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Shqipërinë e Veriut.

Programi ka filluar më 4 korrik 2017 në Pukë dhe në 7 korrik në shkollën profesionale të Bushat-Vau i Dejës.

Projekti trevjeçar, nisur më 4 korrik në Pukë, promovohet nga dy OJQ italiane – Reggio Terzo Mondo (RTM ) dhe Cooperazione per lo sviluppo paesi emergenti (COSPE ) – me mbështetjen e Agjensisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version