“Në Shqipëri kemi nevojë tamam për këtë: hapjen një perspektive të re të drejtimit edhe kur nuk kemi në dispozicion shuma të mëdha për investime.” Takim me Paola Gjonin, një veterinere e re shqiptare. Intervistë realizuar nga Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa me autor Nicola Pedrazzi, Davide Sighele
Paola Gjoni është njëzet e shtatë vjeçe. Ka lindur në Fushë Arrëz, ku edhe banon. Është diplomuar për veterinere në kryeqytetin e Tiranës. Aktualisht punon në bashki si inspektore veterinarie. Prej disa muajsh merret me asistencën teknike në një program për zhvillimin e bujqësisë e të blegtorisë, program i nisur nga RTM dhe COSPE, dy shoqata jo fitimprurëse italiane. E takojmë në Itali ndërsa shoqëron një grup fermerësh shqiptarë që vitizojnë disa stalla në Apeninin në Reggio Emilia.
Pse ke zgjedhur që të bëhesh veterinere?
Që në fëmijëri kam pasur një lidhje shumë të veçantë me kafshët. Unë dhe im atë ëndërronim që të rrisnim kuaj. Edhe prej këtij pasioni, bëra provimin për t’u pranuar në Veterinari. Nuk isha shumë e sigurt që mund të pranohesha, por ia dola mbarë. Për fat të keq rritja e kuajve ka ngelur thjeshtë një projekt për të ardhmen.
Çfarë do të thotë të jesh veteriner në Shqipëri? A ka shumë vajza që e kanë bërë këtë zgjedhje?
Femrat që vendosin të ndjekin këtë karrierë janë ende shumë pak. Në kursin tim në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës ishim gjithsej 70 nxënës, nga të cilët vetëm 15 vajza.
Akoma më pak janë ato që pasi mbarojnë studimet punojnë si veterinere, sidomos në zonat e largëta dhe të vështira të tilla siç janë zonat malore të veriut të Shqipërisë. Natyrisht, të jesh femër ta bën këtë punë edhe më të vështirë, por respekti që kam fituar me profesionalizëm ndër fermerë është një pikënisje e mirë për të evituar paragjykime e stereotipe fillestare.
Duke parë edhe përvojën e punës, si e vlerëson shkollimin tënd? Cilat janë cilësitë dhe cilat janë mangësitë?
Unë kam mendim të mirë për Universitetin Bujqësor të Tiranës, qendra universitare që përfshin fakultetin e mjekësisë veterinare, bujqësinë, agronominë, agrobiznesin e shkencat pyjore.
Në vitin 2017 u festua 65 vjeçari i themelimit, ka një reputacion të mirë në Ballkan e ka një grup profesorësh të cilësisë së mirë.
Janë kryesisht mësuesit ata që kanë bërë të mundur kapërcimin e disa vështirësive që fakulteti, si shumë institucione të tjera shqiptare, vazhdon të ketë si pasojë e tranzicionit të rënies së regjimit dhe vitet e turbullta që kanë pasuar: në veçanti mungesa e pajisjeve dhe mungesa e përvojës praktika për studentët.
Megjithatë sinjalet janë pozitive: për shembull universiteti ka krijuar një rrjet të mirë bashkëpunimi me institucione të tjerë, edhe jashtë Ballkanit, dhe ka hyrë në programin Erasmus.
Edhe brenda projektit “Alenca për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Shqipërinë e Veriut” po bëhen përpjekje për të krijuar bashkëpunim me Universitetin, brenda dy nismave në të cilat jam e përfshirë edhe unë: krijimin e një manuali praktik në sektorin blegtorisë për fermerët, dhe një stazh i shkurtër në të cilin dhjetë studentë do të punojnë për një javë në zonat e projektit, së bashku me veterinerët.
Ky është thjesht fillimi, por është e rëndësishme për studentët e viteve të fundit të mjekësisë veterinare që të kuptojnë cila mund të jetë puna e tyre në të ardhmen dhe të maten me ata që kanë zgjedhur këtë karrierë para tyre.
Si e përjeton këtë angazhim të dyfishtë profesional, duke qenë nga njëra anë në bashkinë e Fushë-Arrëz-it, dhe nga ana tjetër në programin “Alenca për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Shqipërinë e Veriut”?
Puna në bashki është pjesë e jetës time të përditshme profesionale. Në projekt, pastaj, gjej shumë kënaqësi si veterinare. Shikoj përditë stalla të reja, njerëz të kënaqur që po ndërtojnë diçka për të ardhmen e tyre, dhe njëkohësisht shoh se si kjo gjë ndihmon shumë të gjithë sektorin bujqësor shqiptar.
Cilat janë aktivitetet e tua specifike në kuadër të projektit të zhvillimit bujqësor në Veriun e Shqipërisë?
Figura ime është ajo e veterinerit specialist. Në thelb unë merrem me profilaksinë, me ndërhyrjen urgjente gjatë një epidemie dhe ndihmoj fermerët që duan të fusin metoda të reja puna në kopenë e tyre. Mesatarisht dy herë në muaj vizitoj dhe ndihmoj fermat që kanë nevojë.
Cilat janë përshtypjet e tua pas vizitës së fundit pranë fermerëve italianë?
Mendoj se të gjitha kafshët në botë janë njësoj e kanë nevojë për kujdes. Natyrisht që metodat dhe teknologjitë për të bërë këtë ndryshojnë dhe varen shumë edhe nga kapaciteti konkret i fermës. Këtu në Apeninet Reggiane më pëlqyen shumë disa stalla që kanë një prodhim të lartë megjithëse kanë nisur me investime fillestare të ulëta. Në Shqipëri kemi nevojë pikërisht për këtë: hapjen e një perspektive të re drejtimi edhe kur nuk ka shumë hapësirë për investime.
Cilët mendon se janë sektorët e bujqësisë shqiptare që kanë më shumë potencial?
Shqipëria është shumë e larmishme në këtë drejtim dhe çdo fushë ka potenciale të ndryshëm. Sigurisht në zonën malore në të cilën veprojmë zhvillimi i potencialit të blegtorisë, sidomos deleve dhe të dhenve, është një element shumë i rëndësishëm, qoftë sepse mban me mijëra familje, qoftë sepse ka një potencial të madh që ka akoma hapësirë për zhvillim.
Një fushë tjetër është ajo e frutave të pyllit, të bimëve mjekësore e aromatike, e zhvillimi duhet të përkojë edhe me zhvillimin e turizmit malor. Megjithatë pengesat, për shkak të mungesës së infrastrukturës, të largësisë e të varfërisë së përhapur, janë të shumta.
Mbi të gjitha, ne duhet të fillojmë të punojmë në ngritjen e cilësës të prodhimeve vendase dhe të ndihmojmë prodhuesit vendas për t’u afruar me standartet e Bashkimit Evropian.
A ka të rinj në Shqipëri që zgjedhin sektorin bujqësor?
Mendoj se në vitet e fundit ka më shumë lëvizje. Të rinjtë që kanë punuar në ferma në Greqi apo Itali e kanë kuptuar se është më mirë të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre. Kjo është arsyeja që më bën të them se është rritur përfshirje të të rinjve në bujqësi në krahasim me të kaluarën. Dhjetë vjet më parë, për shembull, nuk ishte kështu, e njerëzit që zgjidhnin emigrimin ishin më të shumtë.
A e shikon të ardhmen tënde në Shqipëri?
Nuk kam një plan të saktë. Për momentin jam në Shqipëri dhe jam e lumtur që jam këtu.
Programin i Alencës për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Shqipërinë e Veriut , është një program që synon të vërë në lëvizje zhvillimin lokal duke u nisur nga njohuritë tradicionale, prodhimet tipike, dhe nga roli i grave.
Programi ka filluar më 4 korrik në Pukë dhe në 7 korrik në shkollën profesionale të Bushat-Vau i Dejës.
Projekti trevjeçar, nisur më 4 korrik në Pukë, promovohet nga dy OJQ italiane – Reggio Terzo Mondo (RTM ) dhe Cooperazione per lo sviluppo paesi emergenti (COSPE ) – me mbështetjen e Agjensisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).