Më së fundi u bë i gjallë, pas një viti që punoja për të si gazetare e lirë, në periudhën kur mora tifon dhe një plumb tek gjuri. Do ketë qenë momenti kur redaktori im do ketë parë lajmet e fundit dhe do ketë menduar që do kem qenë tek grupi i 4 gazetarëve që patën qenë rrëmbyer për një kohë të shkurtër në fillim te prillit. Më dërgoi një email ku më pyeste: “ Arrin të vihesh në kontakt? Mund të më dergosh disa cicërima në twitter mbi situatën?”
Në mbrëmje u ktheva në bazën e rebelëve që me kishin ftuar, u gjenda në mesin e atij ferri sic ishte Alepo, ku mbizotëronte pluhuri, uria dhe frika, me shpresën se do te gjeja një mik, një fjalë të mirë apo një përqafim. Përkundrazi, atje më priste veçse i sati email nga Clara, e cila po kalon pushimet tek shtëpia ime në Itali. Më kishte dërguar tetë mesazhe me këte titull: “Urgjente!” Sot nuk arrinte të gjente dot kartën e saunës, për të hyrë falas. Emailet e tjera ishin të këtij tipi “ artikull i shkëlqyer sot”; tamam si libri yt mbi Irakun”.
Sa keq që libri im nuk fliste për Irakun, por për Kosovën .
Njerëzit kultivojnë një imazh romantik të një reporteri të huaj, i cili këmben sigurinë e një rroge fikse për të prezantuar lirshëm ato histori që tërheqin më tepër. Përkundrazi, ne nuk jemi të lirë. Në të vërtetë, e vetmja detyrë që kam tani është qëndrimi im në Siri, ku askush nuk do donte të shkelte. Nuk bëhet fjalë për Alepon, saktësisht; bëhet fjalë për frontin e luftës. Përse redaktorët në Itali nuk kërkojnë gjë tjetër pervec gjakut, përleshjet me zjarr. Unë përmend Islamikët dhe rrjetin e shërbimeve të tyre sociale, rrënjët e fuqizimit të tyre – një artikull më i komplikuar për t’u rindërtuar nga një tregim në vendin e parë. Vuaj për të shpjeguar sa më mirë, jo vetëm për të emocionuar, për të goditur lexuesin, kur dëgjoj këtë përgjigje: “ Çfarë ëshë ky informacion? Gjashtë mijë fjalë dhe nuk ka asnjë të vdekur?”
Në të vërtetë duhet të kuptoja si po shkonin ngjarjet atëherë kur redaktori më kerkoi një artikull për Gazën, si përherë vendi ku binin bombat pa pushim. Ja se çfarë më shkruajti: “ E njeh Gazën symbyllur. Ç’rëndësi ka nëse tani je ne Alepo?” Shumë e drejtë. Në fakt përfundova në Siri pasi i hodha një sy imazheve të Alessio Romenzit tek Time , i cili kishte arritur Homs duke ndjekur tubacionet e ujit në një moment kur asnjë nuk kishte idenë më të vogël ku ndodhej Homs. Ndërsa shikoja imazhet e marra nën ritmin e Radiohead, ata sy që më depërtonin, ata sy të atyre personave të masakruar njëri pas tjetrit nga ushtria e Asadit, asnjëri nuk kishte dëgjuar për këte vend të quajtur Homs. Një ndjenjë më shtrëngoi fort ndërgjegjen: duhej të shkoja menjëherë në Siri.
Për redaktorin nuk ka asnjë ndryshim nëqoftëse shkruan për Alepon, Gazën apo Romën. Të paguajnë po njëlloj: 70 dollar për artikull. Edhe pse në Siri cmimet trefishohen për shkak të spekullimeve të përhapura. Duhen 50 dollarë për të fjetur nën zjarrin e mortajave, në një dyshek mbi dysheme dhe ujin e infektuar ku mora edhe tifon. Kushton 250 dollarë në ditë për një makinë. Në vend që të ulin rrezikun e shtojnë më shumë. Nuk mund t’i lejosh vetes asnjë lloj sigurie – rreth një mijë dollarë në muaj – apo një ndihmës apo përkthyes. Gjendesh vetëm fare në një vend të panjohur. Redaktorët e dinë mirë se me 70 dollarë per artikull je e detyruar të kursesh për gjithcka. Nuk mund të lejosh as të plagosesh pasi të vjen ajo ndjenja e çuditshme nëse do arrish të mbijetosh. Gjithsesi artikulli është i vlefshem dhe blihet, edhe pse s’kane imagjinuar ndonjëherë të blinin një top futbolli “Nike” të punuar me dorë nga një fëmijë pakistanez.
Teknologjitë e reja të komunikimit na bëjnë të besojmë se shpejtesia është e barazvlefshme me informacionin. Kjo teori bazohet në një llogjike autoshkatërruese: përbërësit standartizohen, gazeta apo revista jone nuk ofron më asnjë vecori dhe nuk na mbetet asnjë motiv për të patur reporter me rrogë. E dimë mirë që për të ndjekur lajmet mjafton interneti gratis.
Kriza e ditëve të sotme pasqyron titujt e informacionit dhe jo lexuesit. Ekzistojnë ata lexues që kanë dëshirë të lexojnë, ndryshe nga ç’mendojne shumë prej redaktorëve. Bëhet fjalë për lexues inteligjent që kerkojnë thjeshtësi pa patur nevojë për ta lehtësuar përmbajtjen.
Lexuesit duan të kuptojnë çfarë po ndodh, jo vetëm të njohin ngjarjet. Sa herë që publikohet një artikull i imi duke dëshmuar për luftën, më mbërrijnë dhjetra emaile nga njerëz të cilët vlerësojnë artikullin: “ Po, artikull i mirë, panoramë e arrirë, por ajo që kërkoj unë është të kuptoj se çfarë po ndodh në Siri”. Do më pëlqente shumë t’iu përgjigjesha që nuk mund të propozoja një artikull analize sepse nuk do bënin gjë tjetër vecse ta hidhnin në kosh dhe të thonin: “ Kush mendon se je, moj cupkë?” edhe pse kam tre diploma, kam shkruar dy libra e kam jetuar dhjetë vjet në konflikte lufte, përpara si funksionare për te drejtat e njeriut dhe tani si gazetare. Për atë që vlen, rinia ime mbaroi në çastin kur përjetova spërkatjen nga copat e trurit të viktimave në luftën në Bosnje Atëherë isha vetëm 23 vjeçe.
Gazetarët e lirë konsiderohen gazetarë të dorës së dytë – edhe pse janë të tillë këtu në Siri ku përballen me një luftë të ngatërruar, një luftë prej një shekulli; rebelët dhe forcat qeveritare konfrontohen në llogore aq afër njera tjetrës saqe mund t’i ulërasin njëri tjetrit në vesh ndërsa luftojnë. Herën e parë në rreshtin e parë: ishte e pabesueshme kur pashe bajonetat që përmenden vetëm nëpër tekstet historike shkollore. Në konfliktet e sotme përdoren mjete të telekomanduara, ndërsa këtu luftohet metër per metër, në cdo rrugë dhe është vërtetë e tmerrshme.
Redaktorët italianë të trajtojnë si një fëmijeë, fotografia jote dominon faqen e parë të gazetës dhe mundohen ta mbushin mendjen që ke patur fat që je gjendur në vendin e duhur, në momentin e duhur. Arrin të përgatitesh një artikull ekskluziv, si ai që kam përgatitur shtatorin e kaluar për zjarrin që ra në qytetin e vjetër të Alepos, i cili është shpallur pasuri kulturore e njerëzimit të Unescos ndërsa rebelët dhe ushtria siriane e kishin marrë nën kontroll. Kam qenë reporterja e parë e huaj në vend dhe redaktorët më thonë: “ Si shpjegohet fakti që korrispondenti ynë nuk arriti të mbërrijë dhe ti ia dole?” Ja se çfarë ka shkruajtur një redaktor për pjesën time: “ Ta blej, por duhet ta publikojme me firmën e korrispondentit”.
Madje ekziston edhe fakti që jam grua. Një mbrëmje bombardimi nuk kishte fund dhe une qëndroja ulur në një qoshe me të vetmen shprehi të mundshme kur mendon që vdekja mund t’ia behë nga momenti ne moment. Më afrohet një gazetar, e pasi më vëzhgoi kokë e këmbë më tha: “ Ky nuk është vend për gra”. Si mund t’i përgjigjesha vallë nje personi te tille? Idiot, ky nuk është vend për asnjë! Dridhem nga frika sepse e kam akoma mendjen në vend. Në Alepo gjen vetëm armë dhe testosteron dhe janë të gjithë të traumatizuar. Henri, flet vetëm për luftën; Ryan, i mbushur me anfitamina. Sa herë që shohin një fëmijë të shkatërruar, vijnë të gjithë tek mua si grua e ndjeshme që jam dhe më pyesin si ndihem. Më vjen përgjigja në mënyrë spontane: ndihem tamam si ty. Ato netë kur dukem si e svenitur, janë ato mbrëmje kur mbroj veten time, duke larguar cdo emocion apo ndjenjë, janë ato mbrëmje kur arrij të shpëtoj.
Përse Siria nuk është më e tillë? Është një cmenduri. Një italian i papunë që vendos të bëhet anëtar i Al Kaedës, ndërsa mamaja e kërkon në Alepo për t’i dhënë një dënim të mirë. Më pas vjen turisti Japonez në vend të parë sepse thotë që ka nevojë për dy javë emocionesh të forta; suedezi i diplomuar në juridik i cili ka ardhur të mbledhë provat e krimeve të luftës, muzikantët amerikanë me mjekër si ata të Bin Ladenit të bindur që mund të kalojnë pa u dalluar edhe pse janë bjonda e 2 metra të gjatë. Kanë sjellë me vete ilace kundra malaries edhe pse ktu malaria nuk ekziston, duan t’i shpërndajnë ndërsa luajnë me violinë. Këtu nuk mungojnë as funksionarët e agjensive të ndryshme të ONU-s, të cilët kur i informon për një fëmijë të infektuar nga leishmanozi(sëmundje infektuese e shkaktuar nga një parazit, i cili transmetohet nepermjet pickimit te ashtuquajteres miza e reres), prindërit e të cilës kanë nevojë për ndihmë për ta dërguar në Turqi për t’u vizituar.
Përgjigja që u jepet është që nuk mund të bëjnë asgjë sepse bëhet fjalë për një fëmijë të vetëm, ndërsa ata kujdesen për “ të miturit” që bëjnë pjesë në një komunitet.
Në fund të fundit, jemi reporter lufte, apo jo? Një bandë (vellezërish dhe motrash). Rrezikojmë jetën për t’i dhënë zë atyre që nuk kanë. Kemi parë gjera që pjesa më e madhe e njerëzve nuk do kenë rastin të përjetojnë në jetë. Kemi një mori historish për të treguar në darkë, mysafirët e zotë marrin ftesa nga të gjithë. Segreti më i shëmtuar është ai që në vend që të jemi të bashkuar bëhemi armiq. Arsyeja e 70 dollarëve për një artikull nuk qëndron te fakti se nuk ka para, sepse paratë gjenden gjithnjë për një artikull që flet për shoqërueset e Berluskonit.
Arsyeja e vërtetë qëndron tek fakti se nëse ti kerkon 100 dollarë, nuk do pranojnë pasi gjejnë gjithnjë dikë që përgatit artikullin për 70 dollarë. Ekziston një konkurrencë e egër. Marrim shembullin e Beatriz, e cila sot më dha disa udhëzime të gabuara për një manifestim, udhëzime falë të cilave u gjenda përpara vendndodhjes së snajperistave. E gjithë kjo për të shkruar një artikull për një manifestim si qindra te tjerë.
Duhet të ishim ketu për t’i treguar botës atë që po ndodh në Siri. Në të vërtetë jemi këtu vetëm për të rrëmbyer ndonjë çmim gazetaresk, për t’u bërë të njohur. Grindemi me njëri tjetrin sikur të garonim për çmimin “Pulitzer”, kur në të vërtetë nuk ka asnjë çmim. Gjendemi të shtypur nga regjimi në fuqi që të jep vizën nëse je kundra rebelëve dhe këta të fundit të tregojnë atë çfarë duan nëse je nga ana e tyre. E vërteta është se kemi dështuar. Pas dy vitesh lexuesit do kujtojnë me vështirësi ku gjendet Damasku dhe bota do e përshkruajë me pak fjalë si “ një kaos të madh” atë që po ndodh në Siri sepse asnjeri nuk arrin të kuptojë asgjë nga ky vend, ku rrjedh vetëm gjak, gjak dhe gjak. Ja arsyeja pse Sirianët nuk na honepsin më. Jemi ne që po i tregojmë botës foto si ato të atij djaloshi shtatë vjeçar me cigare dhe kallashnikov në dorë. Një fotomontazh e cila u shfaq në mars në gazeta dhe faqe interneti pothuajse në të gjithë botën. Njerëzit që vinin duart në kokë duke thënë: “Këta sirianët, këta arabët çfarë barbarësh paskëshin qenë!” Kur erdha këtu, banorët më ndalonin për të më thënë: “Faleminderit që i tregoni botës krimet e regjimit” Sot një burrë më ndaloi e më tha: “Të keni turp”.
Nëqoftëse do kisha arritur të kuptoja dicka nga lufta do kisha shmangur përpjekjet për të folur për rebelët dhe forcat qeveritare, Sunitet e Shiitet. E vetmja histori për t’u treguar në kohë lufte është ajo e të jetuarit pa frikë. Mjafton një moment, dhe gjithcka mbaron. Nëqoftëse do e kisha kuptuar me perpara, tani nuk do kisha frikë të dashuroja, të rrezikoja jetën time, në vend që të gjendesha këtu, tani në këtë qoshe të errët, të qelbur duke u penduar trishtueshëm për ato që nuk arrita të bëj deri tani. Ti që je ende i gjallë, përse ke frikë? Çfarë pret? Përse nuk dashuron pak më tepër? Ty që nuk të mungon asgjë, nga se trembesh?
Përveç emrit të Alessio Romenzi, gjithë emrat e përmendur në këtë artikull janë ndryshuar për arsye privacy. Artikulli origjinal është publikuar më datë 1 korrik 2013 në faqen e Columbia Journalism Review me titull Woman’s Work. The twisted reality of an Italian freelancer in Syria . Fotografitë në artikull janë të Alessio Romenzi.
Përkthyer në shqip nga Jona Borova
Francesca Borri është aktive dhe në Twitter: @francescaborri