Hapat e parë të banorëve të zonës së Valbonës drejt ndalimit të ndërtimeve hidrike, nën udhëheqjen e OJF-së TOKA (me presidente Catherine Bohne), u bënë duke kërkuar drejtësinë nëpërmjet seancave gjyqësore. Banorët kërkuan fillimin e investigimeve për padrejtësitë që po kryheshin, konkretisht për lejimin e ndërtimeve të përmasave gjigante në një zonë të mbrojtur, duke shkatërruar kështu habitatin natyral të të gjithë zonës. Për më tepër, autoritetet u hodhën në gjyq për mos-zbatim ligjor, duke mos u këshilluar paraprakisht me vendasit dhe duke aprovuar lejen mjedisore në kundërshti me ligjin.
Lexo gjithashtu
Gjatë 14 seancave dëgjimore që vijuan, banorët e Parkut Kombëtar u detyruan të ecnin rrugë sfilitëse për të qënë të pranishëm, nganjëherë edhe dy herë në javë. Rezultati përfundimtar qe mohimi i investigimit ligjor nga gjykata, kurse njerëzit thjesht i kthyen mbrapa. Ligji mbi zonat e mbrojtura në funksion, i cili lejon vetëm punimet më minimale në kësij habitatesh dhe që ndalon rreptësisht punimet indrustriale, u anashkalua plotësisht. Megjithëkëtë, seanca gjyqësore u çua në apel.
Një grup i vogël aktivistësh iu bashkuan banorëve vendas të Valbonës për të protestuar vendimin përfundimtar dhe veprimet e dëmshme të qeverisjes, të cilat mbronin dhënien e një koncesioni të premtuar që në qeverinë pararendëse, në vitin 2009. Lajmet mbi këtë protestë nuk u përhapën shumë, madje dhe një artikull i publikuar u zhduk. Për ironi të fatit, Shqipëria sapo kishte organizuar një event Ballkanik mbi lirinë e medias, ku vetë BE-ja premtoi ta forconte atë nëpër rajon.
“Duket se Shqipëria nuk e ka çmuar mjaftueshëm as betimin për këtë liri.”
“Protesta e parë u ndoq nga një tjetër, në Tiranë, në 18 Nentor të vitit 2017. Protestuesit kerkuan nga qeveria mbrojtjen e vendasve të Alpeve, ndalimin e projektit, dhe respektimin e ligjit. Media mundësoi një transmetim të reduktuar të tij. E gjithë levizja e makinave në një nga bulevardet më të mëdha të Tiranës u bllokua, njerëzit e ngritën zërin përpara ndërtesave qeveritare, ndërkohë që stacionet televizive qëndruan strategjikisht në heshtje. Në rrethan të tilla është shumë më e vështirë, që një komunitet që në fillim i izoluar, të dëgjohet dhe mbrohet nga publiku më i gjerë Shqiptar dhe ndërkombëtar.”
“Për shumë, kjo është mbase thjesht një tjetër çështje mjedisore; thjesht lufta për të mbrojtur një lum. Në të vërtetë, çështja e Valbonës është më shumë e ndërlidhur se aq: politikisht, ekonomikisht, kulturalisht, dhe ligjërisht. Është shembulli i gjallë se si një shtet Ballkanik jo vetëm po dështon për të zhvilluar zonat rurale në nevojë të skajshme për mundësi ekonomike, për të frenuar ritmin alarmant të emigrimit dhe kërkesat për azil nëpër Europë, por po u dikton të tërëve se si kompani private munden të hyjnë në zona të mbrojtura për të zhvatur vlerat më të çmuara të vendasve të mbetur, dhe po i mohon njerëzve mundësinë për të fituar të ardhura nëpërmjet atyre pak mundësive që kanë: turizmit.”
“Si ka mundësi që edhe ata Shqiptarë më patriotikë po largohen nga vendi me të katra? Përgjigjet variojnë, por realiteti mbetet se disa herë gjatë periudhës së tranzicionit të shtetit, qeveri të tëra njëra-pas-tjetrës kanë punuar kundër interesave publike, për interesat private, duke e gllabëruar shtetin dhe burimet e vendit. Kjo na ka sjellë në vetë çështjen e Valbonës: një kompani private do të përfitojë nga burimet hidrike, ndërsa një komunitet i tërë, i cili ka ruajtur burimet natyrore Shqiptare dhe traditat kulturore, mund të lihet me më shumë se pak mënyra mbijetese.”
“Zhvillimi i energjisë hidrike lidhet me sigurinë energjitike në Shqipëri, por gjithsesi nuk është e vetmja zgjidhje për problemin, dhe shumë alternativa të tjera ekzistojnë. Mbase alternativa më e dukshme, si vendi me më shumë diell në të gjithë Europën, është energjia solare. Megjithëatë dhe panvarësisht vendosjes së përsosur gjeografike për tu shfrytëzuar, shteti Shqiptar preferon lejet e stilit të vjetër të ndërtimeve të Hidrocentraleve. Nga ana tjetër e ndërtimit të paneleve diellore, çfarë rëndësie ka lumi i Valbonës për vendasit e saj, dhe cilat janë pasojat e vërteta të ndërtimeve të tilla? Përgjigja është jeta. Lumi nënkupton për ta jetën, jo vetëm për habitatin natyror dhe për vendin më të cilët njerëzit janë të lidhur, por për komunitetin është një mënyrë mbijetese; që të mund të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre; që të munden të jetojnë.” – Adelina Stuparu, shkencëtare politike dhe aktiviste nga Bosnja Hercegovina –
“Ka shumë përçarje midis njerëzve që po luftojnë për çështjen e Valbonës…Figura e liderit në Shqipëri është reklamuar shumë gjatë dy viteve të fundit, dhe njerëzit i humbën shpresat, sepse asnjë ndalim i dukshëm i ndërtimeve të hidrocentraleve s’do të ndodhte… Njerëzit nuk ndjejnë më se çështjet e vendit i përkasin atyre; ata e dinë se u përkasin udhëheqësve.”
“Nëse gjykata e apelit do japë një vendim të drejtë, atëherë ka shpresë.” tha Andi Tepelena, aktivist Shqiptar.
“Teknologjia e sotme e mundëson këtë gjë. ..Valbona është zonë e mbrojtur dhe nuk duhet të hidhet asnjë metër beton. Ka një shkelje flagrante të ligjit! Lugina e Valbonës gëzon statusin e Parkut Kombëtar dhe si e tillë është e pakonceptueshme dhe kriminale të ndërtosh HEC-e… Ne si Shqiptarë po shkatërrojmë natyrën me duart tona. Këtë s’do tw na i falin brezat që do vijnë.”
Dobësitë e një shteti duken nga veprimet e gabuara që ai merr.
Gabimet “janë njerëzore”, siç janë edhe drejtuesit e shtetit njerëz. Por racionaliteti në qeverisje s’duhet ngatërruar me racionalitetin individual. Ato bien në dy anë të ndryshme interesash. Përplasja e tyre (duke mos i njohur si të mëvetësishme) ka çuar në mos-organizimin, nervozizmin dhe moskokçarjen ndaj së tërës, në gjendjen tonë të përgjithshme.
Shqiptarët vërtetë mund të jenë të parët për t’i lënë vendin një të moshuari në këmbë, apo për t’i dhënë dorën dikujt që rrëzohet; por po ashtu do të ishin të parët për t’i vënë flakën pyllit të tyre e për të shitur çdo zotërim drejt një toke të re.
Këto të dyja mendoj, i thonë të gjitha.
Një problem i madh i joni është se ne kemi thënë dhe mendojmë se jemi në kapitalizëm, por nga ana tjetër nuk njohim e të mos ushtrojmë shumë parime bazë të tij. Profesionalizmi, solidariteti, dhe njohja e respektimi i të drejtave humane.
Të qenurit shtet kapitalist nuk është vlerë për tu mburrur, por një tregues. Duke u përqëndruar kaq shumë në atë që dukemi, kemi kohë që lëmë mënjanë punën e vërtetë. Duke synuar vetëm për të qënë, sa më shumë e sa më lartë, nuk ka më kurrë vend për të bërë. Ne thjesht kemi përshtatur një formë të gjymtuar e të shëmtuar të tij, për të justifikuar anën më barbare tonën, e për t’I vënë dhe emrin “qytetari”.
Duke na u dashur të përballojmë dyzimin midis asaj që thuhet se po ndodh dhe faktit të vërtetë, nuk po arrijmë të fitojmë një jetesë të qëndrueshme, e jo më të bëjmë punën më të mirë sipas potencialit tonë të dhënë.
Karakteri i një udhëheqësi të shtetit nuk duhet të diktojë mbi njerëzit, duhet të udhëheqë drejt më të mirës së të gjithëve. Në fund të fundit, a nuk paskemi luftuar deri më sot për panvarësi, liri e demokraci?
Por kjo është e pritshme, dhe për të mos nxitur luftë, është e domosdoshmë të falet. Ne i kemi falur krye-shtetarët tanë, me zemërgjerësi, dhe u kemi hapur vendin. Kjo nuk na është marrë si mirëbërje, përkundrazi: zemërgjerësia dhe humanitarizmi na është vënë kundër. Na është kthyer në dobësi, sepse nuk kemi mësuar të jemi dhe “të këqinj” e “kërkues” në padrejtësi. E vetmja e keqe që kemi bërë deri tani, një e keqe që çdo ditë merr përmasa më të mëdha, ka qënë drejt vetes sonë. E kemi në dorë ta ndryshojmë.
Lufta e heshtur që po përjetojmë nuk është aspak një luftë metafizike. Një luftë e ftohtë, e pamëshirshme dhe mizore ka përfshirë vendin tonë, por ajo nuk vjen të na paraqitet me këtë emër. Ajo erdhi si aletae dhe punoi e fshehur mbrapa krahëve. Stina e pranverës kaloi, vera erdhi, dhe dielli i fortë, sado të fshihet herë-pas-here, çdo ditë e më shumë i jep forma të reja botës. Lufta e fshehur nuk është më e tillë, sepse çdo ditë e më shumë njerëz po ndërmarrin kundërsulme; ata e kanë parë në sy armikun: padrejtësinë.
Data 24 Maj në Sheshin Skënderbej ishte përfundimi i një procesi të gjatë e të dhimbshëm lufte. Dita e derdhjes së Lumit Valbonë për njerëzit e Tiranës; shpresimisht për mediet gjithashtu.
Duke patur parasysh se çdo zë i lirë është luftëtar kundër rrymës së agresorit, mundet të merret me mend sadopak vështirësia për ta arritur realizimin e projektit.
“Si artist reagova me përfshirjen time për të realizuar një protestë të vetë Valbonës, pra të ishte pikërisht Valbona që proteston me gjithë madheshtinë e saj vizuale dhe sonore.” – Klod Dedja, artist dhe kurator Shqiptar – “’Un jam VALBONA, perla e ksaj toke, dhe po du me fol…’”, është pikërisht esenca e projektit instalativ.”
Nëse më shumë njerëz do të guxonin për sado pak kohë të hapnin sytë e veshët, thjeshtë për të dëgjuar thirrjen e saj, do të fillonin të dëgjonin edhe britmat e tjera të Shqipërisë.
Vendi ynë ka kaq shumë mundësi për të qënë ai që duam.
Pas 2 vitesh rropatjesh, presioni të ushtruar dhe luftë për të mbajtur gjallë shpresën në shuarje, banorët e Parkut Kombëtar të Valbonës dhe të gjithë Shqiptarët, po shohin se drita që panë në fund të tynelit nuk qe vizion. Errësira nuk i pengoi, sepse bindja dhe forca i burojnë prej qëllimit më sublim: prej së vërtetës.