Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të publicistit dhe pedagogut Gilman Bakalli, në një ceremoni përkujtimore të organizuar në Aula Magna të UET më datë 10 tetor 2017, u promovua libri i tij, botim post mortem “Alfabeti i Tranzicionit”.
Kemi në redaksinë e Albania News, z.Gino Luka, realizuesin teknik të veprës.
Nëse haset rastësisht një njoftim i tipit: “Doli nga shtypi apo promovohet X libër…”, natyrisht në impakt të parë kureshtia e publikut, të paktën e atij të pasionuar pas leximit, fokusohet në tri pika kryesore:
Cili është titulli dhe autori? – Cili është zhanri i veprës, po shtëpia botuese?
Pyetet rreth autorit, kjo është më se normale, pasi sot bota e shkrimeve të zhanreve të ndryshme mbart edhe shumë shkrimtarë emergjentë, përtej atyre të afirmuar apo të atyre që ne parapëlqejmë dhe natyrisht, jo të gjithë njohim gjithkënd që shkruan apo që sapo përmendet për një promovim të përcaktuar botimi të ri.
Në rastin e identitetit të autorit Gilman Bakalli, përgjigjja merret si ajo që përkon me përkufizimin e një personi të lidhur me botën e shkrimeve nëpërmjet profilit profesional, formimit, përgatitjes dhe kualifikimit të tij si publicist, pedagog…
Në rastin e titullit “Alfabeti i Tranzicionit”, ky natyrisht rezulton krejtësisht i ri e i panjohur më parë për lexuesin.
Në rastin e zhanrit, ofrohen informacione të tilla si: sociologji, publicistikë, përmbledhje esesh …
Në rastin e citimit të shtëpisë botuese, ajo paraqitet si UET PRESS dhe, për kë e ka njohur nga afër prof. Gilman Bakallin, kjo kthehet në një lidhje të vetëdijshme fundja – d.m.th ndërveprimi “vepër” / “shtëpi botuese” – duke qenë Universiteti Europian i Tiranës, pikërisht institucioni ku Prof. Bakalli punoi si lektor e pedagog deri në momentet e fundit të jetës.
Zakonisht, të gjithë janë në dijeni dhe, të pasionuarit pas leximit aq më tepër, të faktit se për botimin e një libri, prapa kuintave gjendet një entourage i tërë personash, një punë skuadre, e cila mundëson përfundimin dhe perfeksionimin e veprës të gatshme për shtyp.
Kjo vlen në çdo rast, d.m.th kur kemi të bëjmë me një vepër, me autorin përkatës në jetë por, kthehet në një mekanizëm akoma më delikat e kompleks, nëse vepra që do të botohet, është një vepër post mortem. Pra, si rasti i vëllimit “Alfabeti i Tranzicionit”
Fatkeqësisht, autori Gilman Bakalli nuk arriti ta publikojë librin sa ishte në jetë.
Për botimin post mortem mendoi Irena (bashkëshortja e tij), e cila mundësoi që promovimi i librit të përkonte pikërisht në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të bashkëshortit, në një ceremoni përkujtimore të organizuar në Aula Magna të UET më datë 10 tetor 2017.
Por, natyrisht, një vepër e një mjeshtri të fjalës, sociologjisë, gjuhësisë dhe filozofisë siç ishte Gilmani bashkëshorti i saj, meritonte për t’u realizuar si botim post mortem, që të vihej nën përkujdesjen e një profesionisti.
Ndaj, në të tilla raste, përtej realizuesit përkatës moral të një libri, është e nevojshme edhe prania e një realizuesi teknik e profesional.
E kush më mirë se shkrimtari dhe përkthyesi që aktualisht jeton në Itali, Gino Luka, me një vlerë të shtuar, atë të miqësisë së ngushtë me Gilmanin, mund ta realizonte këtë mision fisnik? Gino Luka është pra, personi që, me ftesë të bashkëshortes së autorit Bakalli, u përkujdes për hartimin dhe renditjen e “faqeve e të gërmave të Alfabetit të Tranzicionit”, lënë në trashëgimi pranë familjes së vet nga eruditi.
“Alfabeti i Tranzicionit” nuk kishte si të mos përmbante në këtë mënyrë, edhe parathënien e shkruar nga Gino Luka.
Sot, Gino Luka është i pranishëm në redaksinë tonë.
Z. Gino, ju jeni përveçse shkrues i parathënies së “Alfabeti i Tranzicionit”, edhe realizuesi teknik i këtij libri post mortem.
Parathënia është pjesa hyrëse e librit e cila shërben kryesisht për të shpjeguar dobishmërinë ose rëndësinë e vetë librit por edhe besueshmërinë e autorit. Normalisht, autori i librit nuk e shkruan parathënien; ai që shkruan parathënien mund të jetë një person kompetent dhe autoritar për sa i përket lëndës së librit; një person që ka lidhje biografike me subjektin e librit ose një personalitet që lexuesit e mundshëm të librit admirojnë dhe në të cilin kanë besim. Së fundi, mund të jetë një person që thjesht e njeh punën e autorit e që ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me të.
Pra për sa i përket parathënies, unë i përkas rastit të fundit pasi kam njohur punën e autorit dhe personalisht autorin.
Ndërsa për realizimin teknik, meqenëse drejtoj një zyrë përkthimesh në Firence e duke pasur përvojë në këtë fushë kam marrë përsipër realizimin teknik të librit, deri në momentin para shtypit. Pasi më është kërkuar nga Irena (gruaja e Gilmanit) e pasi kam pranuar këtë barrë mjaft me përgjegjësi është dashur të vendos, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, për formatin e librit, revizionimet, korrigjimet e ndryshme dhe kopertinën, ndërsa zgjedhja e letrës, tipi i lidhjes së librit, layout-i i librit (faqosja), paraqitja grafike (me ose pa ilustrime, bardh e zi apo me ngjyra) etj., kuptohet, është vendosur në kompromis me Shtëpinë botuese UET Press. Nuk ka arsye të zgjatem në këtë pikë sepse nuk na intereson, për momentin, pjesa komerciale e librit, si kostoja e letrës, kostot e shpërndarjes së librit, të promovimeve, etj.
Njohja juaj me Gilmanin, cilës kohë apo kontekst i referohet?
Miqësia nuk ka as kohë e as kontekst… Megjithatë “rinjohja” është zhvilluar gjatë këtyre 6 viteve të fundit. Miq të mi e kanë pasur mik Gilmanin por unë nuk kam pasur ndonjë lidhje miqësore. Më vonë kam “zbuluar” gjithashtu se nëna ime kishte njohur dhe kishte pasur miqësi me nënën e tij shumë kohë më përpara…
Miqtë nuk përcaktohen sipas një rregulli që mund të vendosim ne. Ata nuk janë as në vendin e parë e as të fundit në listën tonë të prioriteteve; zënë një vend të privilegjuar dhe unik, një hapësirë të krijuar posaçërisht për të shijuar shkëmbimin emocional mes dy njerëzve që e duan njëri-tjetrin.
Funksioni i një miku është se nuk mund t’i caktohet një funksion. (Detlef Cordes)
Dy tipare shquese të tij që reflektoheshin në marrëdhënien tuaj shoqërore: Njëri, në të cilin pajtoheshit apo ishit në sintoni si miq e profesionistë dhe tjetri, ku hasnit kundërshti.
Më pëlqen ta përkufizoj këtë mik me fjalët e Eustache Deschamps:
“Miku është ai pjesëtar i familjes që ke zgjedhur vetë”.
Takimi me një mik të vërtetë është diçka e madhe që na dhurohet nga kjo jetë e cila shpesh përshkohet nga ankthi e pasiguria. Është një ngushëllim që na bën të ndihemi të sigurt me një person të cilit i hapim zemrën, pa pasur nevojë që të matim fjalët, e të shkojmë përtej sipërfaqes së ngjarjeve të jetës së përditshme.
Gjatë këtyre viteve kemi konsoliduar këtë raport miqësor në të cilin ka pasur çaste, që vetë Gilmani i ka përkufizuar si çaste të një “orgazme intelektuale”…
(Orgazma intelektuale ndodh kur biseda me një person tjetër bëhet aq intensive saqë e vetmja gjë që ka rëndësi është dialogu ndërmjet dy personave. Ndodh kur jemi aq të sintonizuar e aq të lidhur intelektualisht me bashkëfolësin, saqë kemi pothuajse ndjenjën e të rënit në dashuri. Duket si një shkrirje e dy personave në disa çaste kënaqësie të një kuptimi të ndërsjellë. Kuptohemi aq mirë e në mënyrë aq të përsosur saqë ndihemi një gjë e vetme.)
Ndërsa për kundërshtime nuk mund të flas në kuptimin e mirëfilltë sepse diskutimet tona në pjesën dërrmuese kanë qenë të tipit filozofik. Komunikimi ka qenë tërheqës dhe konstruktiv meqenëse Gilmani kishte një kulturë të gjerë dhe i njihte mirë rregullat e komunikimit.
A ka rregulla për të diskutuar mirë? Në një mënyrë të kodifikuar dhe të padiskutueshme nuk është se ka, megjithatë, paraqiten disa kushte në mungesë të të cilave nuk mund të flitet për diskutim racional. Diskutimet tona normalisht nuk mbylleshin me një fitimtar, sepse fillimisht ishte sqarimi i kuptimeve të termave që do të përdornim, sqarimi i pozicioneve, i supozimeve në lidhje me argumentin dhe ajo që kishte rëndësi të dalë në pah. Ka pasur rëndësi të kuptojmë arsyet e tezës “kundërshtare”, apo të asaj që është ndryshe nga teza ime. Përfundimisht qëllimi ka qenë që të integrojmë atë pjesë pozitive që dilte nga teza kundërshtare duke zgjeruar fushën e mendimit e duke i pasuruar mendimet tona me argumente të rinj më bindës. Ishte një “lojë” shumë zbavitëse: fillonim me paraqitjen paraprake të argumentit, hapjen e diskutimit, diskutimin dhe mbylljen e diskutimit. Kur njëri nga ne nuk e mbronte përfundimisht pikëpamjen e tij, atëherë ai që e kishte propozuar atë duhej ta tërhiqte. Nëse një pikëpamje ishte mbrojtur përfundimisht, atëherë ai që e kundërshtonte nuk duhej ta vinte më në dyshim… (sigurisht, kjo nuk donte të thoshte se diskutimi nuk kishte mundësi të hapej prapë nga e para, për të njëjtën temë, por me premisa të reja…).
Ç’përbëri për ju humbja e Gilmanit?
Gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës është mjaft e lehtë të krijojmë miqësi të ndryshme duke gjetur miq të rinj, por me kalimin e viteve çdo person evoluon në mënyra të ndryshme. Kur arrijmë njëfarë moshe bëhemi gjithnjë e më të rezervuar dhe kemi më pak kohë për të ndarë me njerëzit e tjerë. Megjithatë, pavarësisht nga mosha, të gjithë njerëzit kanë nevojë dhe dëshirojnë të kenë miq.
Të gjithë e dimë se miqësia nuk shtohet me praninë e mikut, është diçka magjike sepse, megjithëse nuk e shohim atë person, e mbajmë me vete gjithmonë në zemrën tonë. Ndodh që të mos e shohim për vite të tëra por kur takohemi, duket se koha nuk ka kaluar kurrë.
E vërteta është se nuk ka nevojë të kemi shumë miq, gjëja e rëndësishme është që të kemi miq të mirë. Një miqësi e vërtetë është diçka e rrallë dhe është një pasuri e madhe shpirtërore. Gilmani ka qenë një mik i mirë me të cilin kam pasur një nivel të lartë ndërveprimi dhe komunikimi, me të cilin kemi ndarë haptazi miqësinë dhe mendimet tona mbi shumë tema që na interesonin. Ai kishte aftësinë që të dëgjonte dhe të pranonte një diskutim në pozita të barabarta, pa paragjykime e, mbi të gjitha, të komunikonte një ndjenjë ndershmërie dhe besimi që ai i demonstronte me sjelljen e tij.
Ai ishte shumë kurajoz dhe në sajë të tij e kam ndier veten më të gjallë dhe aktiv.
Miqtë zhvillojnë në ne virtytet tona potenciale. Çdo mik krijon në ne një zonë kontakti, një fushë të favorshme për zhvillimin e një lloji të caktuar miqësie. Kjo është arsyeja pse ne mund të kemi dy miq intim të cilët kurrë nuk do ta kuptojnë njëri-tjetrin. Humbja e një miku përbën shpesh herë neutralizimin e një pjese të personalitetit tonë. (Julio Ramón Ribeyro)
Gilmani ka qenë një mik që, kur jam rrëzuar, më ka shtrirë dorën për të më ndihmuar, kur të tjerët as që e dinin se isha rrëzuar ndopak.
Rreth vdekjes së mikut të tij më të dashur, Sh. Agustini shkruan një nga faqet më prekëse të Confessiones (Rrëfimeve), një vepër që nuk ka të krahasuar për sinqeritetin me të cilin autori zbulon shpirtin e tij. Në këtë pjesë kam gjetur diçka që më ka prekur thellësisht, prandaj e kam përkthyer më poshtë, (në variantin gegë, gjuha me të cilën flisja me mikun tim):
Tashma ai njieri ishte me mue në shpirtin tem e shpirti jem nuk mujte me ndejë pa të. Qe pra, ti qi kërcënon mbas shpinës ata qi arratisen prej tejet, “Zoti i hakmarrjeve” e në të njëjtën kohë burim i çdo mëshire, ti qi na konverton në ty me mënyra të mahnitshme, qe pra se e hoqe atë njieri prej kësaj jete, mbasi kishte kalue veç nji vjetë në miqësinë teme, për mue e ambël mbi të tana ambëlsitë e jetës seme. Prej kësaj dhimbe zemra jeme u mbulue me errësinë, e gjithçka qi shifshe ishte veç deka. Edhe vendlindja ishte për mue nji ndëshkim, edhe shtëpia e etënve ishte nji trishtim i pabesueshëm e gjithçka çka kijshe nda me të, pa të, ishin kthye në nji vuejtje sfilitëse. Sytë e mi e kërkojshin kudo, e nuk e gjejshin; e urrejshe gjithçka, se ai nuk ishte ndër ta, e kerkush nuk mujte me më thanë ma: “Qe, ai ka me ardhë”, njashtu si edhe kur gjallë mungonte, por ishte. Unë vetë ishe ba per vedi nji pikëpyetëse e madhe, e e pyetshe shpirtin tem se pse ishte i trishtuem, e pse më torturonte kaq shumë, e nuk dinte me m’u përgjigjë kurgja. E kur i thojshe: “Shpreso te Zoti”, sigurisht nuk m’u bindëte, sepse ishte ma i vërtetë e ma i mirë ai njieri shumë i dashtun qi kishte hupë, sesa ajo fantazëm e cila u urdhnonte prej meje me shpresue. Vetëm vaji ishte i ambël për mue. E unë vazhdojshe me kenë per vedi nji vend i trishtuem, ku nuk mujshe me ndejë, e prej ku nuk mujshe me ikë.
(Agostino, Confessiones 4. 4. 7 – 7.12 passim)
Një shprehje të tij që përmendte shpesh?
Shprehja që më ka lënë më shumë mbresa është: “Nuk duhet të kemi pritshmëri”.
Pritshmëria është një parashikim që unë mendoj se do të vërtetohet duke u bazuar në përvojat e të së kaluarës dhe në bazë të bindjeve që kam në lidhje me një fushë të caktuar të jetës sime. Këto mendime janë mjaft reale prandaj edhe kam pritshmëri të ndryshme.
Unë kam pritshmëri dhe kjo është e natyrshme: pres që kjo gjë të ndodhë sepse e meritoj, sepse kam disa vlera dhe për shumë arsye të tjera. Po pse kur kam shumë pritshmëri, marrëdhëniet me njerëzit e tjerë bëhen të vështira për t’u trajtuar. Pra, pse shpesh herë mbes i zhgënjyer? Unë tentoj të projektoj pritshmëritë e mia te të tjerët. Mbes i zhgënjyer nga dikush që sillet ndryshe nga ajo që kam menduar. Për të përmirësuar këtë situatë e vetmja gjë që mund të bëj është të bazohem më shumë në aftësitë e mia, sepse unë jam përgjegjës për veprimet e mia e për atë që më ndodh mua. Unë kam mundësi të ndryshoj veten por jo të tjerët…
Mund të mbaj kujtimet e mia, por duke krijuar një hapësirë mendore edhe për mendimet e reja e duke qenë i vetëdijshëm se ajo që po ndodh me mua, e parë ndryshe, këtu dhe tani, është shumë më e bukur dhe më reale sesa ajo që pres të ndodhë prapë, vetëm për arsye se dikur ka qenë diçka e bukur.
Nëse unë jam në pritje të diçkaje që do të ndodhë ose që të më thuhet në një mënyrë të caktuar, ka mundësi që të mbetem shumë i zhgënjyer, sepse kur pres që diçka e rëndësishme do të vijë në jetën time, nuk është e thënë se do të vijë ashtu siç e dëshiroj unë. Duke pritur që gjërat të ndodhin në mënyrën time do të thotë të vendos një kufi të madh në mundësitë e pafundme që janë caktuar për mua. Unë rrezikoj që të mos ta dëgjoj fatin tim që po më troket te dera me grushte, thjesht sepse isha duke pritur që t’i binte ziles.
Si e pritët propozimin e gruas së Gilmanit për t’ju besuar juve realizimin teknik të librit?
Problemet shpirtërore janë një gjë, tjetër gjë është problemi i realizimit teknik të librit. Këtë kërkesë e konsiderova si detyrë (megjithëse kohën e lirë e kaloj duke u marrë me librat e mi e jo me librat e të “tjerëve”)… Sigurisht, në këtë rast, nuk flitej vetëm për punën time. Irena m’u drejtua mua, por unë e dija mirë se si funksionon botimi i një libri, sidomos kur ke përgjegjësinë e një libri, autori i të cilit nuk është më…
Pjesa artistike e librit, për fat ishte e përfunduar. Pra mbetej pjesa teknike… Nga njëra anë kishim garancinë se libri do të botohej, sepse Shtëpia botuese UET Press kishte marrë përsipër financimin e botimit (normalisht, një shtëpi botuese financon dhe promovon një libër në cilësinë e të cilit beson fuqimisht), nga ana tjetër kjo gjë nuk është se e lehtësonte punën tonë meqë përgjegjësia bëhej më e madhe. Them punën tonë sepse natyrisht në botimin e një libri marrin pjesë disa specialistë.
Për ndjesitë e mia mundem të flas shumë, ndërsa për krijimin e librit mund të trajtoj vetëm atë pjesë që më takon mua.
Për prodhimin e një libri ndiqen disa faza ku përfshihen të gjitha format e mundshme të prodhimit: faza e parë është ajo “artistike”, e shkrimit pra, pastaj vazhdon ajo artizanale, e redaktimit, e kopertinës dhe e faqosjes, e revizionimit dhe korrigjimit të tekstit, dhe përfundimisht faza industriale e shtypit, e ambalazhimit dhe pastaj e shpërndarjes. Nga momenti që kur një libër pranohet për shtyp e kur hyn në planin e botimit, fillon një aktivitet që futet në kategorinë e shërbimeve.
Pasi ka përfunduar procesi i shkrimit, prodhimi i një libri zgjat katër deri në gjashtë muaj e madje deri në një vit.
Ka libra që shkruhen brenda një jave, dhe të tjerë të cilët zgjasin dhjetë vjet e më shumë; ka libra që gjatë kohës që shkruhen bëhet edhe redaktimi i tyre dhe të tjerë ku redaktimi bëhet vetëm kur shkrimtari e konsideron të përfunduar punën e tij. Nuk e di me saktësi kohën që i është dashur Gilmanit për shkruar këtë libër. Normalisht shkruante një ese në javë, jo gjithmonë. Në rastin e “Alfabetit” kemi 36 ese pra të paktën 36 javë. Mendoj se duhet të jetë marrë, duke pasur parasysh edhe kohën që kishte në dispozicion, meqë punonte si profesor në Universitet, rreth 2-3 vjet me këtë libër.
Faza e dytë, redaktimi strukturor, zhvillohet në dy faza. Faza e parë është ajo në të cilën kryeredaktori punon me shkrimtarin në lidhje me tekstin, veçanërisht për strukturën dhe ritmin, por edhe për gjuhën, duke u përpjekur që ta përmirësojnë sa më shumë që të jetë e mundur. Kryeredaktori supozohet të jetë si një lloj trajneri: motivon, korrigjon, mbështet, mbron. Ai e këshillon shkrimtarin të shkurtojë, duke hequr pjesët e panevojshme ose që ngadalësojnë, ose për të ndryshuar fjalët që përsëriten shpesh sepse shkrimtarit i pëlqejnë… Shpesh kjo nuk është një detyrë e lehtë. Në rastin kur shkrimtari mungon kjo punë bëhet edhe më e vështirë për arsye që kuptohen vetiu…
Grupi i punës për “prodhimin” e këtij libri ka qenë: Shtëpia botuese UET Press me Administrator Z. Henri Çili, që ka shkruar edhe pasthënien e librit. Imazhi në kopertinë është vepër e artistit Z. Agim Sulaj. Unë kam shkruar parathënien dhe faqen prapa kopertinës dhe jam marrë me organizimin e punës si redaktor përgjegjës (ose editor) për redaktimin e librit. Si redaktor letrar, Znj. Keti Geluzzi, është marrë me korrigjimin e bocave (kontrollin e bibliografisë, shënimeve, etj.). Një pjesë e eseve që përmbahen në libër janë botuar on-line te gazeta MAPO nën përkujdesjen e drejtorit të mediave MAPO, Alfred Lela, deri në vitin 2016 besoj (me Botues i Mediave MAPO, Henri Çili). Për botimin e librit është marrë mendimi profesional i Z. Tonin Gjuraj, Dekan i UET – Universiteti Evropian i Tiranës dhe pëlqimi i disa ekspertëve e gazetarëve. Me artin grafik ka punuar Z. Besnik Frashni, ndërsa Znj. Alda Bardhyli është Drejtore e botimeve UET Press. Kuptohet, sipas përshkrimit të fazave për botimin e librit, shumë profesionistë të tjerë kanë marrë pjesë në realizimin e veprës. Edhe pse emrat e tyre për momentin nuk i njoh, me këtë rast i falënderoj për punën e tyre. Ashtu si për ndërtimin e një katedraleje, ku shkrimtari është si një lloj arkitekti, edhe për këtë libër nuk mund të mohohet puna e secilit: çdo “punëtor” ka rëndësinë e tij, nga shkrimtari deri te librashitësi.
“Çdo libër, çdo vëllim ka një shpirt, ka shpirtin e atij që e ka shkruar dhe shpirtin e atyre që e kanë lexuar, të atyre që kanë jetuar dhe të atyre që kanë ëndërruar në sajë të librit. Sa herë që një libër ndryshon pronar, sa herë që një vështrim i ri ia prek faqet, shpirti i tij fiton forcë.” (Carlos Ruiz Zafón)
Tani varet nga lexuesi që t’i japë shpirt këtij libri…
A kishit pasur dijeni paraprakisht kohë më parë nga vetë autori, mik i juaji, për projektin e këtij libri? Apo edhe për ju qe diçka e papritur kjo?
Gilmani ka përkthyer disa libra dhe ka shkruar e botuar me dhjetëra artikuj. Më ka folur për disa projekte librash, sepse priste të çlirohej pak nga puna dhe të merrej me shkrimet e veta. Besoj se duhet të ketë folur edhe me persona të tjerë për disa projekte të tjera. Shumë miq të Gilmanit i kam njohur pas ikjes së tij në mënyrë të papritur.
Krejt e papritur ka qenë për mua ikja e tij por edhe më shumë e papritur ideja që të merrem me punët e tij, pa i marrë leje, pa u konsultuar me të… shpresoj që të kem bërë, me aq sa kam pasur mundësi, diçka që sikur ai ta shihte tani të mos mbetej i pakënaqur.
Ndjesitë tuaja ndërkohë që merreshit me krijimin e këtij libri post mortem?
Ndjesitë e para, pas momentit fillestar të ngrirjes emocionale, kur ky person i dashur ndërroi jetë, ishin impotenca dhe një lloj sigurie në lidhje me dëmin e pariparueshëm. Asgjë nuk më dukej se kishte kuptim, u hap një humnerë e zezë dhe pa fund dhe si një vorbull më mori me vete brenda, pa qenë e mundur të bëja asgjë. Një pjesë e imja vdiq së bashku me atë njeri që nuk ishte më dhe më përfshiu një ndjenjë e përzier zemërimi, konfuzioni dhe nënshtrimi, sepse ajo që kishte ndodhur ishte e pakthyeshme. Menjëherë mendja ime shkoi tek momentet e fundit të kaluara së bashku, te çastet e përbashkëta.
Vetëm me humbjen përfundimtare, unë kuptova shumë gjëra të asaj lidhjeje të veçantë, shumë prej të cilave tani u përforcuan. Jo vetëm që miku im nuk ishte më, por kishte humbur edhe ajo marrëdhënia e veçantë që kishim ndërthurur në jetë, kishte vdekur ajo pjesë e jetës së jetuar pra një pjesë e jetës që më kishte mbetur. Ka qenë momenti i shpërthimit të dhunshëm të emocioneve: i një stuhie emocionale që me gjeti lakuriq dhe pa mbrojtje përballë humbjes. Nuk e pranoja se ai person nuk ishte më, refuzoja mendimin se kurrë nuk do ta shihja përsëri dhe se nuk mund të bëja asgjë për ta kthyer më në jetë.
Ky proces i zisë, vazhdoi me kërkimin dhe gjetjen e tij në kujtesë: e kërkoja brenda vetes. Është pak si një fazë trajtimi psikologjik: mund ta krahasoj me reflektimet që ndodhin në analizën e rolit dhe vlerës së të tjerëve, që kanë qenë dhe janë të rëndësishëm, në historinë tonë individuale.
Mendoja: “Jeta ka pësuar një humbje, librin mund ta kishte publikuar ai vetë, por kështu po vazhdon të paktën një pjesë e aktivitetit të tij, realizimi i asaj që ai po bënte u ndërpre, por dikush po ndjek rrugën e tij: është sikur të isha duke i dhënë atij një shans të dytë; ndërsa jeta vazhdon tek unë për të vazhduar dhe përfunduar punën e tij.
Pas kaosit të emocioneve, zemërimit, nënshtrimit, fajit e boshllëkut; unë desha ta pyes atë se çfarë mendon për diçka që kam shkruar unë e tashti jo vetëm që nuk kam ndihmën e tij por më duhet të merrem edhe me shkrimet e tij e për më tepër nuk mund ta pyes se si e mendon ai, a i pëlqen kjo gjë, si do ta kishte bërë ndryshe…”.
Gjatë kohës që po merresha me librin shpesh kam menduar se duhet të shpejtoj se mund ta lë edhe unë përgjysmë punën, “tashmë nuk i dihet” mendoja… më dukej sikur jam duke ecur në mes të një rruge të ngushtë, që është jeta, e në të dy krahët përbri rrugës është vdekja…
Tani kam mësuar ta lë të shkojë në heshtje, nuk dua ta mbaj me dhembjen time dhe vuajtjet e mia. Lutem për të, i dërgoj atij dashurinë time, unë mendoj se shpirti i tij është çliruar…
Edhe filozofët e antikitetit e interpretonin trupin shpesh si kafaz, në të cilin është kyçur shpirti, “psyche”. Edhe mesjeta e krishterë e përbuz trupin dhe e mallkon atë. Vetë Francesco d’Assisi, që adhuronte çdo krijesë tokësore thoshte: “Nuk njoh armik më të madh se trupin tim”, “Zhdukja e trupit” G. Bakalli.
Një ditë edhe unë do të jem atje… Mendoj se e vetmja mënyrë e pagabueshme është të përpiqem për të kultivuar ato cilësi të cilat bënin që ai të ishte i vlerësuar kur ishte gjallë. Nuk ka zgjidhje tjetër përveçse duke e kërkuar nëpërmjet virtyteve të tij, sepse një takim i tillë mund të ndodhë vetëm në sajë të ligjit të afinitetit. Duke zhvilluar cilësitë e tij, unë do të gjej shpirtin e tij, i cili është me të vërtetë qenia e tij.
“Alfabeti i tranziconit” është një kujtim të cilin na e ka lënë miku ynë që mungon; që duke na e përtërirë kujtesën na mbush me mall, sjell me vete gjurmë të vërteta, shenja të vërteta, edhe pse me një ngushëllim të rremë e të përkohshëm ky libër na e lehtëson sadopak dhembjen e nostalgjinë për mikun e humbur.
Si paraqitet regjistri gjuhësor i veprës?
Një nga gabimet që shumëkush bën kur përgatit një fjalim, që duhet të mbajë në publik, ndodh kur nuk i kushton vëmendjen e duhur publikut (target) të cilit i drejtohet, prandaj nuk duhet nënvlerësuar rëndësia e përshtatjes së regjistrit linguistik që do të përdoret për marrësit e mesazhit.
Autori i librit është ekspert i komunikimit. Ai prandaj nuk mund të mos ketë menduar edhe për lexuesin e librit, bile vetëm e kryesisht për këtë lexues. Temat e cekura në libër nuk janë aq të thjeshta, megjithatë, në sajë të aftësisë së tij autori na i bën të lexueshme e të kuptueshme sepse edhe aty ku gjejmë disa terma që kuptohen me vështirësi, duke lexuar më tej, përdorimi i metatekstit bën atë që vetë teksti sqaron veten.
Teksti i shmanget formave dhe konstrukteve tipike të gjuhës së folur, përveç rasteve kur autori i përdor qëllimisht ata për të krijuar efektin e dëshiruar. Rregullat gramatikore janë respektuar në mënyrë rigoroze. Leksiku i përdorur është i ngritur dhe i pasur me terma në varësi të temave që trajtohen dhe gjithashtu është i pasur me figura retorike. Vende-vende regjistri ulet në një nivel pak më poshtë se standardi e diku tjetër niveli i tij rritet, por asnjëherë kjo gjë nuk e prish kënaqësinë e leximit.
Cilin regjistër përdorim për të komunikuar në media? Ndërmjet regjistrave, ai që është më i përshtatshmi për mediat masive, qofshin artikuj në gazeta, televizion ose radio, është një regjistër i mesëm. Është një regjistër që vendoset në një nivel standard dhe përgjithësisht i përshtatshëm për të gjithë. Kjo është zgjidhja më e mirë për të kapur vëmendjen e sa më shumë bashkëfolësve dhe për të mos përjashtuar personat për të cilët një regjistër i nivelit të lartë do të ishte i pakuptueshëm ose për ata që do ta vlerësonin si të pavend përdorimin e një regjistri shumë popullor.
Cili është target-i i lexuesve të këtij libri?
Kjo pyetje ka lidhje me pyetjen e mësipërme.
Do të kisha dëshirë të them se kushdo që di shkrim e këndim mund ta lexojë këtë libër. Kompetenca e leximit nuk i referohet vetëm aftësisë për të deshifruar me shpejtësinë e duhur një tekst të shkruar, por aftësisë për të lexuar duke nxjerrë kuptimin e asaj që është shkruar. Kjo do të thotë që lexuesi duhet të jetë në gjendje të asimilojë llojet e ndryshme të teksteve dhe të kapë informacionet duke pasur një synim e duke i kombinuar ata me njëra-tjetrën. Për të kuptuar plotësisht tekstin gjithashtu duhet të jetë në gjendje të vlerësojë dhe të vërë në diskutim atë çfarë ka lexuar, për të krijuar një opinion dhe një pozicion të tijin në lidhje me atë çka ka lexuar.
Cilët janë lexuesit e mundshëm që duhet të interesohen ndaj kësaj vepre krijuese?
Studentët, politikanët, gazetarët… Kjo Shqipëri është sot ajo që është në sajë të baballarëve të kombit. U takon brezave të rinj të dekonstruktojnë “trashëgiminë” e etërve për të rindërtuar një Shqipëri sigurisht më të mirë…
Ky libër mund të lexohet thjesht për zbavitje, pasi nuk mungon humori. Mund të lexohet duke u munduar të zbulojmë kryesisht kuptimet metaforike në tekst. Shumë pjesë të librit janë të pasura me metafora, alegori, ironi, metonimi e figura të tjera letrare, së fundi, për ata që kanë dëshirë, teksti mund të përdoret si lëndë studimi, pasi teoritë në të cilat mbështetet autori për të shtjelluar këto ese nuk janë aq të thjeshta.
Këtu po citoj dy paragrafë nga parathënia e librit:
Tek alfabeti i tranzicionit gjejmë shumë tema, akoma aktuale, nëpërmjet të cilave vëmendja jonë fokusohet në lidhje me problemet e periudhës së tranzicionit 1990-2016. Në Alfabetin e tij, të përbërë nga 36 germa, që përkojnë me 36 fjalë kyçe, secila germë shoqërohet me fjalën e titullin përkatës të esesë…
…Çdo fushë e jetës në Shqipëri është përshkuar nga fryma e ndryshimit radikal: «Ajo që i takon së “vjetrës” duhet eliminuar. Çdo gjë e re duhet përqafuar dhe duhet të vihet në jetë sa më parë…».
Por a është çdo gjë e vjetër e keqe, dhe a është çdo gjë e re, e mirë? E ajo që është më e rëndësishmja: «A është me të vërtetë e re, çdo gjë që paraqitet si e re?».
Pa dyshim, diçka që bie në sy menjëherë nga ky libër: kopertina!
Cili është artisti i figurës në kopertinë? E kujt është zgjedhja e kopertinës dhe përse pikërisht ajo figurë?
Titulli i ilustrimit në kopertinën e librit është “Gladiatori modern”, një vepër e artistit Agim Sulaj, e krijuar me teknikën e akrilikut mbi letër, 30 cm. x 21 cm. Agim Sulaj është një artist me famë internacionale. Ka fituar çmime të panumërta në ekspozita dhe konkurse të ndryshme në Evropë e në të gjithë Globin. Kur kam parë veprat e artistit të ekspozuara on-line kam pasur ndjesinë sikur këto vinjeta, në faqen personale të autorit në internet, të ishin ndërtuar për të ilustruar “Alfabetin e tranzicionit”. Duke parë këtë ngjashmëri idesh, së bashku me Irenën, i kërkuam Agimit të na ndihmojë për të ilustruar kopertinën e librit. Ai, me shumë zemërgjerësi na ftoi të zgjidhnim cilëndo nga vinjetat ose pikturat e ekspozuara, sipas dëshirës njërën nga ato që do të na pëlqente. Unë kam insistuar për “Gladiatorin” sepse ishte një vizatim i thjeshtë e i kapshëm në mënyrë të menjëhershme nga syri i lexuesit por shumë domethënës. Pasi i komunikuam Agimit zgjedhjen që kishim bërë, ai me zemërgjerësinë më të madhe na e dhuroi në kujtim të Gilmanit (bile na propozoi edhe një vinjetë tjetër të cilën edhe atë na e dhuroi). Ai e kishte njohur Gilmanin virtualisht, i kishte ardhur shumë keq për ikjen e tij në mënyrë të parakohshme dhe kështu kishte vendosur, në shenjë respekti, të nderonte kujtimin e Gilmanit me njërën nga punët e tij të ekspozuara…
“Gladiatori modern” paraqitet lakuriq e zbathur: armatura e tij janë mbathjet, një helmetë-kullore e një “heshtë” karabinë-lugë.
Luga është simbol i fatit dhe bollëkut (shumë kohë më parë vetëm familjet e njëfarë rangu kishin lugë pasi të varfrit hanin me duar). Pushka është simbol i forcës, sipas Freud-it paraqet simbolikisht një falus. Në këtë rast kullorja e makaronave që mban në kokë gladiatori dhe pushkë-luga nuk lënë vend për interpretime të tjera: gladiatori ynë po lufton për ekzistencën e tij (sipas Darwin-it). Lakuriq është njeriu në gjendjen e tij origjinare, kur asnjë kod moral nuk i impononte atij përdorimin e rrobave. Simbolikisht, lakuriq është edhe njeriu që zhvishet nga paragjykimet për t’u përballur me detyrën e vështirë të jetesës në një botë armiqësore, e cila i paraqitet si e vetmja përgjigje ndaj pyetjeve të tij themelore. (Claude Lévi-Strauss)
Vepra, paraqitet brenda një kornize, që përmban një skenë të vetme në një faqe. Megjithëse kemi të bëjmë me një figurë fikse (në fakt është pjesë e një cikli satirik të autorit), paraqet një narracion të lëvizshëm dhe dinamik. “Gladiatori” vjen nga e kaluara e shkon drejt së ardhmes. Është si një skenë e një montazhi kinematografik. Pika nga e cila e shohim, ka lidhje me dramaticitetin e skenës e, meqë perspektiva është nga poshtë, efekti që na krijon është se “Gladiatori” qëndron mbi ne, kërcënues (sikur ta shihnim nga lart do të krijohej efekti i kundërt, mbizotërimi i atij që shikon ndaj subjektit të vizatuar).
Shpërndarja e dritave, që lidhet me teorinë e hijeve, përdoret për të krijuar efekte dritë-hije dhe për të krijuar një atmosferë të veçantë: nuk kuptohet mirë burimi i dritës, nëse pika e ndriçimit është natyrale apo artificiale. Mungesa e ngjyrave krijon një ambient dramatik e përveç kësaj Gladiatorit i mungon hija.
Hija është figura e errët e një trupi jo të tejdukshëm, që pasqyrohet në një sipërfaqe pas këtij trupi, i cili ndriçohet në anën e kundërt të hijes (Hija e njeriut është figura e projektuar e trupit të njeriut). Në psikologjinë analitike të C.G. Jung termi Hije merr një kuptim të veçantë, duke treguar kryesisht anën e errët të personalitetit, në kundërshtim me Unin (Egon) e vetëdijshëm.
Hija përfaqëson në një farë mënyre kundërshtinë plotësuese të ndërgjegjes, atë që ne refuzojmë ta njohim si pjesë të vetes. “Hija është një problem moral që vë në provë të gjithë personalitetin e Unit, sepse në fakt askush nuk mund të jetë i vetëdijshëm për ekzistencën e hijes pa pasur vendosmërinë e forcën e një morali të lartë. Kjo do të thotë se ne duhet t’i njohim si të pranishme aspektet e errëta të personalitetit: është një akt që përbën bazën e domosdoshme të çdo forme të vetëdijes në lidhje me veten dhe prandaj kjo gjë zakonisht ndesh në një rezistencë të konsiderueshme brenda nesh.”
Është “integrimi”, i cili sjell si rrjedhim, që subjekti të pësojë një transformim të thellë të personalitetit, jo vetëm në pranimin racional, por edhe në pranimin shpirtëror autentik të pjesës “së zezë” dhe kjo gjë paraqet një kusht të domosdoshëm për çdo rritje të mëtejshme psikologjike.
Pa Hije “Gladiatori” ynë nuk ka shpresë rritjeje…
Kjo vinjetë e satirës politike na paraqitet si e mbyllur në vetvete dhe e përfunduar, por brenda nesh, duke perceptuar historinë tonë njerëzore, ne vazhdojnë të torturojmë veten me pyetjet antike/moderne: Nga ku vijmë? Kush jemi? Ku po shkojmë?
Sipas dijenisë suaj, a do të vijojnë botime të tjera post mortem të Gilman Bakallit?
Në fakt do të ishte më mirë që kjo pyetje t’i drejtohej Irenës (gruas së Gilmanit). Unë kam pasur fatin dhe detyrën e vështirë të hap vetëm një dosje të hard diskut në Pc-në e Gilmanit. Një nëndosje shoqëronte “Alfabetin e tranzicionit” me libra në format digjital. Duke kontrolluar shënimet e librit kam “shfletuar” shumë artikuj e boca artikujsh…
Në të vërtetë, nuk e di se sa libra kishte ndërmend të shkruante por di me saktësi se po priste kohën që të fillonte të shkruante. Ëndrra e tij ishte të shkruante dhe kishte shumë projekte: siç e përmenda edhe më sipër, po priste që të çlirohej pak nga ritmi i punës për të filluar realizimin e ëndrrës së tij…