Albania News
S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet
Albania News Shqip
S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet

Goli Otok, ishulli i të mallkuarve

Me "pushime" në Kroaci...

Gino Luka
Home Reportazh

Në Kroaci gjenden akoma shumë plazhe që të kujtojnë plazhet e Shqipërisë së dikurshme. Plazhe të cilat dora e njeriut “modern” nuk i ka shndërruar akoma në asfalt e beton…

Nisja

Në ishullin Krk, Baška (Bashka), jam duke dëgjuar muzikë i shtrirë në breg të detit, kur një grua më afrohet e më flet kroatisht “Dobar dan!”. I përgjigjem edhe unë me një “Dobar dan!” e pastaj i flas italisht, gjuha e parë që flas natyrshëm jashtë Shqipërisë. Ka në dorë disa guida turistike e menjëherë fillon të flasë pandërprerë:

“A dëshironi të shkoni për të vizituar tre ishuj të bukur të detit Adriatik? Do të nisemi me anije nga Baška, ku do të fillojmë shëtitjen ditore duke shijuar panoramën e ishullit Sveti Grgur, i njohur për ish-burgun e grave. Më pas do të zbarkojmë në ishullin Goli Otok, ku secili nga ne mund të kalojë kohën e lirë sipas dëshirës; të vizitojmë vendet më interesante të ishullit me një udhërrëfyes ekspert. Ishulli njihet si një ish-burg politik. Pas drekës në bordin e anijes “pirate” do të nisemi për në Rab. Aty do të vizitojmë plazhin e bukur të San Marino-s ku do të kuptojmë pse shpeshherë quhet “Plazhi Parajsë” dhe pse ka hyrë në listën e 100 plazheve më të bukura të botës! Do të kemi mundësi të freskohemi në detin blu kristal të Plazhit Parajsë dhe do të kënaqemi nën rrezet e ëmbla të diellit. Eja me ne, le të ndërmarrim këtë udhëtim të mrekullueshëm dhe të zbulojmë bukurinë e ishujve të Adriatikut!”.

 

Mrekulli thashë edhe unë… veçse në të gjithë mesazhin e këtij personi mbajta mend vetëm fjalitë e bukura duke harruar apo duke përjashtuar në mënyrë të pavetëdijshme “Sveti Grgur, i njohur për ish-burgun e grave” dhe “Goli Otok…. Ishulli njihet si një ish-burg politik”…

Të nesërmen 30 minuta përpara nisjes u paraqita me padurim te moli e pasi hipa në anije u ula në njërin nga vendet në bashin e anijes, për mos të humbur asnjë detaj të këtij udhëtimi që parashikohej të ishte ajo “mrekullia” që më kishte premtuar guida turistike. Pas rreth 40 minutash udhëtim arritëm në Goli Otok, këtu guida na sqaron se ky nuk është një vend turistik por një vend historik. Në çast m’u kujtuan ato dy fjalitë që nuk i kisha mbajtur mend në fillim: “Sveti Grgur, i njohur për ish-burgun e grave” dhe “Goli Otok…. Ishulli njihet si një ish-burg politik”…

Zbarkimi në Goli Otok

Vetëm pasi pashë përpara meje ndërtesat e ish-burgut arrita të kuptoj se ku gjendesha. Fillimisht mendova të shkëputem e mos të shoh asgjë: “Unë jam këtu për të pushuar e jo për të parë e dëgjuar tmerret e komunizmit titist”, ndoshta kurioziteti, ndoshta kushedi pse:

Janë disa vende që nuk kanë nevojë për pllaka përkujtimore, vende ku ajo çfarë ka ndodhur përpara disa vitesh, kërkon të dalë nga muret e gurët që duket sikur stërmundohen për të nxjerrë në dritë historitë që kanë parë. Histori që të ngjiten mbi lëkurë e të futen përdhuni në shpirt e të lidhen si një nyjë në fyt. Edhe pse pas kaq vitesh shiu e ka larë gjakun nga gurët, fjalët e pathëna e rënkimet mbeten të gozhduara në mure, duke pritur të tregohen, duke pritur të dëgjohen: i vetmi ngushëllim i atyre qenieve njerëzore faji i të cilave ishte vetëm se kishin “menduar ndryshe”, dhe një pjesë kishte pasur guxim të shprehte mendime në kundërshtim me regjimin e asaj kohe.

«Goli Otok (Ishulli i zhveshur) ndodhet në brigjet e Dalmacisë veriore, në mes të Adriatikut, si një fortesë natyrore me një bukuri të frikshme. Ndërmjet viteve 1949 e 1956 ka qenë një nga gulagët më të tmerrshëm të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Ishulli burg është përdorur në Jugosllavinë komuniste për të izoluar armiqtë e sistemit.

Goli Otok (Ishulli i zhveshur) ishte menduar vetëm për burrat; ndërsa gratë, internoheshin në ishullin e afërt Shën Gregori (Sveti Grgur në kroatisht). Më vonë burgu i grave u transferua në Goli Otok dhe shumë nga këta gra dërgoheshin në ndërtesën e rojeve për të “zbavitur” rojet.

Sot, në lidhje me atë çfarë ka ndodhur në Goli Otok, kanë mbetur dëshmitë e ish të burgosurve që kanë mbijetuar dhe të pasardhësve të tyre», fillon tregimin e saj guida turistike:

«Simone Cristicchi, në artikullin e tij “Goli Otok, il lager dimenticato di Tito” (Goli Otok, lageri i harruar i Titos), ka mbledhur disa dëshmi nga ish të burgosurit e asaj periudhe.»

Guida tregon me dorë një vend përpara nesh: «Këtu dy rreshta të burgosurish përpara një sërë barakash krijonin atë që quhej “stroj” (shtegu): ishte përshëndetja e mirëseardhjes në ishullin e të mallkuarve. Të porsaardhurit duhej të kalonim në mes të dy rreshtave me të burgosur, të cilët goditnin fort me shkelma e grushte, duke i shpërfytyruar të burgosurit e rinj derisa të mos njiheshin më.

Askush nuk mund ta përshkonte “shtegun” deri në fund: pas disa dhjetëra metrash, u rrëzonte përtokë, i rraskapitur nga rrahjet. Gjëja më e habitshme është se nuk ishin rojet që rrihnin por vetë të burgosurit: pra të burgosurit e “vjetër” demonstronin karshi rojeve se “riedukimi” i tyre ishte i plotë.

Të burgosur që ishin shndërruar në xhelatët e të burgosurve të tjerë. Agjentët e UDB-së (Sigurimi sekret jugosllav) kontrollonin me kujdes që të gjithë të rrihnin me dhunën e duhur. Përndryshe do të bashkoheshin me “bandën e re”, dhe do të rriheshin edhe ata nga të burgosurit e tjerë. Sa herë që një grup i ri të burgosurish mbërrinte në ishull, rojet organizonin një “shteg” ku të burgosurit e vjetër rrihnin të burgosurit e sapoardhur për të shpëtuar ata vetë nga masakra.

Goli Otok Kroaci 16
Goli Otok Kroaci 15
Goli Otok Kroaci 13
Goli Otok Kroaci 12
Goli Otok Kroaci 11
Goli Otok Kroaci 10
Goli Otok Kroaci 9
Goli Otok Kroaci 7
Goli Otok Kroaci 6
Goli Otok Kroaci 5
Goli Otok Kroaci 4
Goli Otok Kroaci 3

Historitë e të burgosurve në ishullin e të mallkuarve

Diktatori komunist jugosllav Josip Broz Tito internonte kundërshtarët e tij politikë duke i mbyllur në këtë gurore shterpë në mes të detit, por edhe ata për të cilët kishte dyshimin më të vogël: ndërmjet tyre kishte edhe një numër të madh të bashkëluftëtarëve të tij, oficerë, gjeneralë, ish partizanë e bashkë me ta edhe 90% e inteligjencës së një kombi si studentë, gazetarë, profesorë, shkrimtarë etj.

Në qershor të vitit 1948, kur ndodhi prishja e marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë së Titos dhe Bashkimit Sovjetik të Stalinit, Moska akuzoi qeverinë e Beogradit për “devijacionizëm nacionalist”, në Jugosllavi u krijuan dy palë kundërshtare: nga njëra anë komunistët që u solidarizuan me Titon; e nga ana tjetër, ata që zgjodhën t’i qëndrojnë besnikë vijës politike të Kremlinit. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria dhe Jugosllavia ishin dy shtete mike, me dy popuj vëllezër. Më 9 korrik 1946 u nënshkrua në Tiranë, Traktati i Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Ishte UDB-ja (Policia sekrete jugosllave) që kishte për detyrë të identifikonte dhe të godiste kundërshtarët e regjimit, duke i akuzuar si “armiq të popullit”, edhe nëse ata kishin thënë një fjalë më shumë, i ashtuquajturi “agjitacion e propagandë” kundër sistemit, ose vetëm sepse kishin shprehur pakënaqësisë më të vogël në publik karshi regjimit. Shumë persona nuk e kanë kuptuar kurrë arsyen e dënimit të tyre. Këta persona patën një përfundim të hidhur e të befasishëm, jeta dhe familjet e tyre u shkatërruan me sot me nesër.

Pas denoncimit të një shoku apo miku dhe të një gjyqi të shtirë, për të gjithë “tradhtarët” u hapën dyert e kampeve të riedukimit, siç quheshin atëherë.

Edhe sot në kampin e përqendrimit Goli Otok, ekzistenca e të cilit ka qenë e panjohur deri para disa vitesh, bora (murlani) rreh me pluhur e kripë sipërfaqen e ishullit e pengon rritjen e barit ndërmjet rrënojave të burgjeve dhe barakave që strehuan mbi 30 mijë të burgosur, shumica e të cilëve ishin komunistë që torturoheshin nga komunistët e tjerë. Sipas komisionit të shoqatës kroate të ish të burgosurve “Ante Zemljar”, mbi 16 mijë veta u torturuan në mënyrën më mizore dhe 446 të tjerë vdiqën si rezultat i “riedukimit”. Sipas studiuesit Giacomo Scotti, rreth 300 italianë u burgosën në ishull; ndërsa sipas historianit kroat Martin Previshiq, midis të burgosurve ka pasur edhe rreth 350 shqiptarë.

Fillimisht në ishull kishte njëzet e katër baraka. Në secilin, kishte dyqind të burgosur që flinin në dërrasa në formë skelash trekatëshe, të rrasur brenda si sardele dhe ku mund të shtriheshim vetëm në brinjë. Në ishull të burgosurit ishin të detyruar të bartnim gurë të rëndë nga një vend në tjetrin, pa ndonjë arsye ose dobi: ishte vetëm një teknikë për të dërrmuar fizikisht e shpirtërisht të burgosurit.

8-10 orë në ditë, në diell ose në shi, duke i lagur me ujin e kripur të detit, por tortura më e keqe ishte uria. Një uri e zezë që nuk i linte të qetë, dhe që i bënte të humbnin arsyen, duke i çuar në degradimin më të plotë njerëzor: pa ndërgjegje, pa asnjë frenim, pa respekt për veten.

Në ishull sadizmi ishte normalitet, e sa më shumë katilët ndëshkonin shokët e tyre, aq më të fuqishëm dhe të respektueshëm bëheshin. Ata që kanë qenë përgjegjës për ato tortura nuk u ndëshkuan kurrë për abuzimet dhe krimet e tyre.

Një torturë tjetër ishte: të burgosurit duhej të qëndronim drejt në këmbë nën rrezet djegëse të diellit veror për t’i bërë hije pishave të porsambjella, duke lëvizur rrotull pemës sipas lëvizjes së diellit.

Për shkak të mungesës së vitaminave, këmbët e të burgosurve fryheshin e me kalimin e kohës falangat e gishtërinjve gangrenizoheshin. Shumë vdisnin nga uria ose dizenteria, të tjerë nga tifoja, hepatiti, distrofia ose nga pika e diellit. Shpesh herë kufomat nuk varroseshin por hidheshin drejtpërdrejt në det.

Mario Quarantotto, nga Rovinj, u vra gjatë një rrahje të egër, pasi u kthye për herë të dytë në ishullin-lager. Në kujtimet e të burgosurve që e kanë njohur, Mario kishte refuzuar të vishte këmishën e zezë, damka që i rezervohej “të panënshtrueshëmve”. Familja e tij nuk mori kurrë asnjë lajm për kufomën ose për vendin e varrosjes së tij: vetëm një dokument që vërtetonte se “vdiq nga pika e diellit”.

Ndonjëherë, për shkak se kishin kundërshtuar ndonjë rregull ose thjesht sepse ishin spiunuar nga shokët, të burgosurit dënoheshin me “bojkot” (bojkotim). Kjo ishte gjëja më e keqe që mund të ndodhte, duke pasur parasysh që punët më të rënda i caktoheshin të bojkotuarit. Ishte e domosdoshme të punohej me një të burgosur tjetër, detyra e të cilit ishte të vepronte si xhelat. Puna duhej të bëhej me nxitim, pa asnjë pushim, me këmbët e mbrojtura vetëm nga një copë kopertoni të lidhur me tel.

Çdo mbrëmje të bojkotuarit duhej të kalonin “stroj-in” (shtegun) e formuar nga të burgosurit e barakës së tyre dhe të merrnin dozën ditore të rrahjeve. Para se të flinte, katili i caktuar zhyste kokën e të bojkotuarit të radhës në shurrëtoren e barakës. Dhe ky lloj ferri mund të zgjaste disa muaj. Pak të burgosur arrinin të mbijetonin.

«Në Goli Otok kam kaluar shumë bojkote, madje nuk mbaj mend sa», ka dëshmuar Ratko Radosevic. «Sidomos në fillim nuk e kuptoja arsyen. Me bashkatdhetarët e mi, që kishin mbërritur para meje, shfreja dufin duke i treguar vuajtjen e dëshpërimin tim. Ata më dëgjonin, duke më dhënë këshilla për rregullat e kampit dhe si të sillesha, pas pak, megjithatë, unë dënohesha me bojkot….

Më dukej e pamundur që shokët e tjerë bashkëvuajtës mund të shkonin te rojet për të raportuar gjithçka. Pastaj, me kalimin e kohës kuptova që ishin pikërisht ata që spiunonin. Nëse nuk do të më kishin spiunuar te rojet, ata nga ana e tyre do të kishin pësuar boikotin. Ne ishim të detyruar periodikisht të spiunonim shokët te oficeri i UDB-së, duke raportuar gjithçka çfarë kishim dëgjuar, madje edhe ndonjë shprehje dëshpërimi të shokëve.

Në qoftë se nuk dëgjonim asgjë, atëherë nuk mbetej gjë tjetër veçse të shpiknim diçka dhe të raportonim për dikë në mënyrë të rastësishme, më mirë për të afërmit ose miqtë që ishin akoma të lirë. Rojet na kishin kthyer në një ushtri informatorësh, spiunë kundër njëri-tjetrit, kështu që ne nuk mund t’i besonim më askujt. Ishim plotësisht vetëm, vetëm kundër të gjithëve. Pas pak muajsh dhe bojkoteve të para, kisha arritur të peshoj 43 kilogramë, i shndërruar në skelet. Njësoj si ata hijet që shihen në filma e që kemi parë aq herë në televizion, kur rrëfejnë mizoritë e Auschwitz-it.

Ne ishim lugetër, të paushqyer, me trup e shpirt të shkatërruar. Madje edhe të qëndroje ndenjur ishte një mund i madh sepse eshtrat ishin të mbuluar vetëm me lëkurë. Por gjëja që e bënte të veçantë atë kamp përqendrimi nuk ishte asgjësimi fizik, aq sa asgjësimi moral. Të gjithë, edhe unë, mendonim vetëvrasjen si një mënyrë të mundshme për të dalë nga ai ferr. Një akt ekstrem çlirimi. Por, në Goli Otok, edhe vdekja ishte një ëndërr e parealizueshme, pasi mbikëqyrja ishte e rreptë. Na mbanin gjallë aq sa për të na detyruar të vuanim atë makth, vetëm për hir të kënaqësisë për të na torturuar…».

Biruca

Darko Bavoljak, Presidenti aktual i Shoqatës “Ante Zemljar” dhe autor i një dokumentari mbi Goli Otok tregon: «Gulagët sovjetikë, dhuna fizike dhe psikologjike e kampeve naziste të përqendrimit, kjo metodë e çoroditur së bashku me ashpërsitë natyrore ishin faktorët që e bënin ishullin një fabrikë terrori ku dinjiteti i personit nuk kishte pikë vlere: një skenë krimesh çnjerëzore e fantazmash që akoma sot shfaqen përpara platesë së Historisë ».

Ndër të tjera, Darko tregon se çfarë ka mbetur nga reparti famëzi “R-101”, kampi i tmerrshëm brenda ishullit: një lloj burgu brenda në burg i rezervuar për të burgosurit që ishin më rezistentë ndaj riedukimit, të cilët meritonin një trajtim veçanërisht të dhunshëm. R-101 është një birucë e thellë 8 metra e gjysmë, e 25 e gjerë, dhe brenda mund të qëndronin rreth 20 të burgosur në izolim të plotë, ku ndërmjet torturave dhe punës së detyruar të burgosurit vdisnin, e ndonjë që mund të mbijetonte nuk mund të shmangte çmendurinë.

Një heshtje varri e ka mbuluar me dashje këtë turp. Një heshtje që ka zgjatur disa dekada, e cila mbaroi vetëm rreth viteve 1990 të shekullit të kaluar. Me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe shembjen e Murit të Berlinit, disa dëshmitarë filluan të rrëfejnë tmerrin e përjetuar në ishullin e të mallkuarve.

Në vitin 1980 kënga e Zdravko Čolić – Druže Tito, mi ti se kunemo, pati një sukses të madh: “Druze Tito, mi ti se kunemo / da sa tvoga puta ne skrenemo!” (Shoku Tito, ne të betohemi / nga rruga jote nuk do të shmangemi kurrë!)

Giacomo Scotti, gazetar e shkrimtar që jeton në Fiume që nga viti 1947, ka qenë i pari që ka mbledhur dëshmitë e të mbijetuarve, duke i bërë publike në faqet e “La Voce del Popolo” (Zëri i popullit) dhe pastaj në librin-reportazh “Ritorno all’Isola Calva” (Kthim në ishullin e zhveshur), i publikuar në Itali në vitin 1991, që në atë kohë bëri bujë të madhe dhe ngjalli shumë interes te lexuesit.

Në kujtimet e tij Sergio Borme shkruan: «Ishte viti 1950, kur Evropa i kishte lënë prapa tmerret e Luftës së Dytë Botërore. Ne jetonim akoma në të njëjtat kushte si në një lager nazist. Lirimi erdhi papritmas një ditë, një ditë si ata që kisha kaluar në Goli Otok gjatë tre vjetëve e tre muaj burgim. Lumturia e menjëhershme u zëvendësua nga një trishtim i pafund për humnerën morale në të cilën kisha rënë».

Kthimi në liri

Fëmijët e të internuarve sot ruajnë fotografi të vjetra bardh e zi, fragmente letrash, dorëshkrime dhe disa artikuj gazetash: memorandume që tregojnë gjatë intervistave, ndërsa kërkojnë fjalët e duhura për të treguar dramën e familjeve të tyre të shkatërruara përgjithmonë. Nga Buie në Zagreb, nga Pula në Rijeka, e njëjta shprehje melankolike në sytë e tyre, e njëjta agoni gjatë kujtimeve plot trishtim të baballarëve të tyre.

Irene Mestrovich, e bija e Gino Kmet, rrëfen se edhe kur u kthye në Fiume, drama e babait të saj vazhdoi: familja dhe miqtë e vjetër e shmangën atë si sëmundja, pastaj u dëbua nga shtëpia: në mjerim të plotë kërkonte i dëshpëruar një punë që t’i jepte mundësi të mbante familjen e tij. Por për Goli Otok ai nuk tha asnjë fjalë: para se të liroheshin, të burgosurit ishin të detyruar të nënshkruanin një deklaratë në të cilën zotoheshin që të mos i tregonin askujt se çfarë kishin përjetuar.

Kështu që Gino nuk foli kurrë për këtë me fëmijët e tij: ai tregonte se kishte qenë një mekanik i mirë dhe se kishte vendosur të punonte në një ofiçinë, duke shmangur kështu tmerrin e tregimit të ngjarjes. Vetëm pas vdekjes së Titos, Gino filloi të takonte ish-shokët e burgut, duke u angazhuar që ta bënte të ditur këtë ngjarje, edhe pse gjatë gjithë jetës së tij ai nuk foli për politikë për shkak të frikës së spiunimit.
Kjo frikë nuk ishte pa baza: tregon Jasmina Bavolcav, vajza e një të ish-të burgosuri kroat, sepse kur u hap arkivi i UDB-së në vitin 1995 ajo gjeti dosjen e babait të saj dhe rastësisht gjeti edhe një person tjetër me emrin e saj: «Për mua ka qenë një tronditje e tmerrshme kur zbulova se kisha qenë ndjekur dhe spiunuar deri në vitin 1970».

Ajo që mbetet sot

Dolores Barnaba, nga Buie, dëshmon:

«Babai im, Emilio Tomaz, shpesh tregonte episodin e një slloveni të lidhur në një shtyllë, ndërsa të gjithë të tjerët me radhë duhej të kalonin para tij dhe ta pështynin: përfundimisht nuk mund t’i dallohej më ngjyra e lëkurës. Pasi u kthye në Montona, informatorët e UDB-së vinin shpesh në shtëpi dhe i bënin pyetje: e kontrollonin vazhdimisht, deri në vitet 1960.

Sot, kur ndodh që të udhëtoj përgjatë rrugës bregdetare, sa herë që shikoj atë ishull, aq herë më mblidhet një nyjë në fyt, sepse ne fëmijët kemi përjetuar pasojat e asaj fatkeqësie: mbaj mend kur isha fëmijë, që babai im shihte ëndrra të frikshme natën, ulërinte dhe gërvishte muret me thonj».

Biancastella, vajza e Licio Zanini, ish i burgosur dhe autor i librit të bukur “Martin Muma”, ka punuar në Radio Rai të Triestes për 40 vjet, duke i kushtuar shumë prej transmetimeve të saj përkujtimit të Goli Otok dhe duke intervistuar të mbijetuarit si babai i saj.

«Babai, pas lindjes sime, tha: “Vajzën time do ta pagëzoj Ylli i Bardhë, sepse pas asaj që kam kaluar, nuk besoj më në yllin e kuq”».

«Prindërit tanë për vite me radhë ishin veçuar nga shoqëria dhe braktisur edhe nga miqtë e tyre më të ngushtë. Ndonjëherë pyes veten se cili është testamenti që lënë njerëzit që kanë jetuar një ngjarje të tillë. Përveç zbulimit të asaj që ka ndodhur në ato vite, unë mendoj se mund të shërbejë për të na kujtuar se çfarë do të thotë të jesh i lirë dhe sa dhimbje u ka kushtuar atyre njerëzve ajo aspiratë për liri».

Në verë, sot, Ishulli i zhveshur është destinacioni i mijëra anijeve dhe turistëve të tërhequr nga bukuria e tij e vrazhdë; ndoshta është kjo arsyeja për të cilën dikush ka menduar ta shndërrojë kampin e përqendrimit në një vendpushimi luksoz. Kjo ide nuk u pëlqen aspak të mbijetuarve e që në atë ishull kanë parë një pjesë të jetës së tyre të shkatërruar; të mbijetuarit dhe fëmijët e atyre që kanë vdekur në ishull po kujdesen për të ruajtur memorien e Goli Otok, si Furio Radin, i cili përfaqëson pakicën italiane në Parlamentin Kroat.

Çka mund të shohim sot në Goli Otok?

Vetëm banesa gjysmë të rrënuara, ndërtesa të shkatërruara dhe të pasigurta të brejtura nga kripa. Natyra dhe pakujdesia e njeriut e kanë shndërruar atë që duhej të ishte një vend përkujtimi në një varrezë të braktisur prej hedhurinash hekuri, druri dhe betoni. Dhjetë vjet më parë, Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Parlamentin e Kroacisë filloi të merrej me një Memorial në ishull, që kërkohej me forcë nga shoqata e ish të internuarve. Por deri tani është bërë shumë pak: për fat të keq, politika kroate ende preferon të mos flasë për këtë vend…

Epilog

Magjepsja për krimin, për atë që është “makabër”, ka marrë hov vitet e fundit duke e rritur shumë nivelin e publikut që ndjek me interes të madh lajme katastrofike. (Çfarë na duhen lajmet katastrofike? – Mendimi kritik i një qytetari, G. Bakalli). Si në një shfaqje gati surrealiste, dukuri të tilla si dark tourism (turizmi i errët) e turizmi horror janë rritur në mënyrë eksponenciale.  Organizohen udhëtime të vërteta për të “vizituar” vendet ku kanë ndodhur tragjedi të mëdha. Për shembull, lager (kampe naziste përqendrimi), gulag (kampe ruse përqendrimi), muze të krijuar ad-hoc me temë horror si muze torturash etj.

Pra, nëse jemi të magjepsur nga krimi, nga e tmerrshmja, mediat na shtyjnë që të bëhemi edhe më të pasionuar.

Por nga vjen kjo magjepsje për krimin, për anën e errët të shpirtit njerëzor, për vrasjet brutale e tragjeditë? Disa psikiatër të famshëm mendojnë se e keqja është brenda nesh në një mënyrë shumë të ngjashme: ajo që e dallon një kriminel apo “psikopat” nga njerëzit normal është se psikopati e vë të keqen në jetë, ndërsa njerëzit e thjeshtë normal vetëm e ëndërrojnë ose e imagjinojnë të keqen.

Si mund të rrimë pa folur për vdekjen, protagonistja e errët e shumicës së këtyre ngjarjeve që na tërheqin kaq shumë? Fundi i botës, fundi i gjithçkaje. Nuk ka asgjë më të sigurt në jetë sesa vdekja, por edhe më të panjohur. Përfundimisht, kush është ai që ka shpëtuar nga vdekja? Kush mund të na sigurojë që vdekja nuk na dëmton aq shumë ose të na tregojë nëse ka ndonjë vend të mrekullueshëm ose të tmerrshëm që na pret? Ferr, Parriz apo Rimishërim? Mosqenia-asgjëja-boshllëku: është kjo që e frikëson pjesën më të madhe të njerëzimit.

Ka shumë të ngjarë që kjo frikë nga vdekja mund të shkaktojë edhe magjepsjen tonë ndaj krimit: nga ana tjetër është një mënyrë për t’iu afruar më shumë, për ta parë, për ta vëzhguar e studiuar. Për ta bërë vdekjen pak më shumë të tonën, për ta “njohur” më shumë, sepse thellë brenda nesh e kemi parasysh se herët a vonë ajo gjë do të ndodhë edhe me ne. Jo si ajo tragjedia e mësipërme, shpresojmë. Ose të paktën jo në atë formë e me ato mënyra.

Referime

  • L’Isola Nuda (Ishulli lakuriq)
  • Giacomo Scotti e il Gulag in mezzo al mare (Gjakomo Skoti e Gulagu në mes të detit)
  • Previshiq: Në Goli Otok vuajtën dënimin edhe 350 shqiptarë
  • L’isola Calva: il Gulag dimenticato di Tito (Ishulli Qeros: Gulagu i harruar i Titos)
  • Goli Otok, il lager dimenticato di Tito (Goli Otok, lageri i harruar i Titos)
  • Goli Otok, viaggio nell’isola dei dannati, lager di Tito (Goli Otok, udhëtim në ishullin e të mallkuarve, lageri i Titos)
  • Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948
  • Fjalimi i E. Hoxhës ndaj Jugosllavisë dhe Titos
  • Gita in barca a Goli Otok – Grgur 
  • Leonora Baska, Goli Otok
Ky reportazh është i disponueshëm dhe në italisht me titull L’isola dei maledetti, “vacanza” in Croazia

Për të mos humbur artikujt publikuar nga Albania News na ndiqni në Google News

Shpërnda29CicëroShpërnda
Gino Luka

Gino Luka

Gino LUKA è nato a Scutari dove ha passato una parte della sua vita. Attualmente vive a Firenze. Laureato in “Teoria e pratica di traduzione” all’Università di Firenze, oggi si dedica alla traduzione e a un'altra sua passione: la scrittura.

  • Kush jemi
  • Kontakt
  • Italisht
  • Privacy
  • Cookies
[email protected]

Albania News, zëri i diasporës shqiptare në Itali

Albania News
Ne kujdesemi për privatësinë tuaj
Albania News përdor cookies për të optimizuar faqen e internetit dhe shërbimin e ofruar.
Funksionale Always active
Ruajtja teknike ose aksesi është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin legjitim për të mundësuar përdorimin e një shërbimi specifik të kërkuar në mënyrë eksplicite nga pajtimtari ose përdoruesi, ose për qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistikore
Ruajtja teknike ose aksesi që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Reklamimi
Ruajtja teknike ose qasja kërkohet për të krijuar profile të përdoruesve për të dërguar reklama, ose për të gjurmuar përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
Manage options Manage services Manage {vendor_count} vendors Read more about these purposes
Preferenca
{title} {title} {title}
S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet
  • Kulturë
    • Histori
    • Muzikë
  • Opinion
  • Intervista
  • Aktualitet
    • Emigracion
    • Itali
    • Politikë
    • Ekonomi
  • Projekte
  • Italisht
  • Video
  • Libra

Albania News, zëri i diasporës shqiptare në Itali