“DUEL NË THEMEL”: ndeshja në vendlindje e kampionit shqiptar, boksierit Gjetan Keta

Boksieri shqiptar Gjetan Keta, kampion aktual i titullit euroaziatik, do të mbrojë më 18 Tetor 2014 titullin në qytetin e tij të lindjes, Bulqizë.

Boksieri shqiptar Gjetan Keta, me banim në Gjermani, kampion aktual i titullit euroaziatik, përgatitet për ndeshjen e 18 Tetorit në Bulqizë, në qytetin e tij të lindjes, ndaj rusit, Marat Khuzeev, për mbrojtjen e titullit.

Titullin e ri, atë “kampion euroaziatik”, djali nga Bulqiza, Gjetani e fitoi në ndeshjen për kategorinë e mesme, 72 kg, ndaj kundërshtarit të tij nga Gjeorgjia, Mikheil Khutsishvili.

Ky takim do të zhvillohet në Bulqizë, sipas dëshirës së kampionit e të vëllait, Ismailit, trajneri i tij. Janë tifozët shqiptarë e ndjesia e të ndodhurit në vendlindje, faktorët që priten të kthejnë këtë takim në një ngjarje mbresëlënëse, përveç talentit e përgatitjes sportive të kampionit.

Tradita e tyre familjare si boksierë përcillet tashmë prej vëllait të madh Ismailit, tri herë kampion bote në kikboks, i cili tashmë është edhe trajner i Gjetanit, dhe prej Feritit, kampion aktual i Gjermanisë në kikboks.

“DUEL NË THEMEL” : kështu ka vendosur ta titullojë ndeshjen e tij Gjetan (Mike) Keta, djali nga Bulqiza, i cili në moshën 15 vjeçare largohet nga vendlindja për të jetuar në Munich të Gjermanisë. Tashmë ai është Kampion Euroaziatik boksi i peshave të mesme dhe dëshiron që këtë titull ta mbrojë në qytetin e tij të lindjes. Së bashku me të vëllain, i cili është edhe trajner i tij, Ismail Keta, vendosën ta zhvillojnë ndeshjen në qytetin e Bulqizës, duke marrë edhe konfirmimin nga Federata e Boksit WBC.

Ndeshja që do të zhvillohet në qytet ka për qëllim të mbështesë sportin në këtë qytet të vogël, por me burime të shumta, për të cilat ai duhet të paguajë, pasi Bulqiza njihet si ndër qytetet më të varfëra të Shqipërisë.

Dëshira për të ndryshuar pamjen e qytetit të tyre të përbashkët, bëri bashkë sportistët Ismail e Gjetan Keta dhe Deputetin e Qarkut Dibër, z. Përparim Spahiu, për të zhvilluar këtë ndeshje kaq të rëndësishme, pikërisht në Bulqizë. Por, që në këtë çast filluan edhe vështirësitë.

Qyteti është në të vërtetë i zhveshur nga çdo gjë sportive, nuk ka as një fushë futbolli e as një Pallat Sporti. Kështu, në fushën e dikurshme të futbollit, e braktisur në vite nga qeveritë, u vendos që të ngrihet një tendë e improvizuar, në të cilën do të vendoset më pas edhe ringu.

Është bukur kur shikon bashkë njerëzit, të cilët mundohen të japin maksimumin, e sado modest të jetë ai, për të qenë pjesë e kësaj “arene”, e cila do ta bëjë këtë qytet, qendrën e vëmendjes për një ditë të vetme, por tashmë, jo për minierën, jo për varfërinë, jo për shfrytëzimin e fëmijëve, jo për rastet tragjike të humbjes së jetës në minerë, jo për rrugën e Arbrit kaq të dëshiruar për ta, por për të treguar se ata kanë në mesin e tyre, njerëz të mrekullueshëm e të suksesshëm.

Të ardhurat që do të grumbullohen nga kjo veprimtari sportive, do të shkojnë për të rregulluar mjediset sportive dhe fushën e qytetit, me qëllimin e vetëm për të promovuar sportin si “veprimtaria më e mirë për të ndarë të rinjtë nga jeta e veset e rrugës”.

Sfida është vërtetë për t’u përshëndetur, shumë njerëz akoma nuk e besojnë që një veprimtari kaq e madhe sportive, do të mund të realizohet atje. Por, organizatorët nuk po dorëzohen, pavarësisht vështirësive që kane hasur. Edhe pak edhe tenda do të jetë gati për të pritur kampionin dhe sfiduesin e tij, me mbështetjen e shumë aktorëve e në mënyrë të veçantë, të qytetarëve të Bulqizës.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version