Fake News ose bota e rrenave në internet

Lajme të rreme ose rrena, lajme të falsifikuara ose gënjeshtra. Sfida për të vërtetën, që nga kali i Trojës e deri te Facebook

Fake News, bota e rrenave

Fake news (lajme të rreme) është një term në anglisht që përcakton artikujt që paraqesin një njoftim të shpikur, mashtrues e të krijuar për të dezinformuar.

Qëllimi i dytë është që këto mashtrime të bëhen virusale nëpërmjet internetit, kryesisht me anën e mediave sociale. Motorët e kërkimit të internetit përpiqen për t’i luftuar këto faqe interneti, ndërsa mediat sociale më pak: pikërisht këtu lajmet e rreme shpërthejnë pafre. Fillimisht kjo shpërndarje bëhej nga televizioni dhe gazetat kryesore. Nëpërmjet internetit, rrezja e veprimit rritet edhe për botimet më të vogla, të cilat në një kohë të shkurtër dhe për shkak të mungesës së informacionit nga lexuesit, arrijnë të korrin sukses masiv dhe të përhapen me shpejtësi në mediat sociale.

Lajmi e rremë paraqet falsifikimin e lajmit, duke filluar nga shtrembërimi i fakteve deri në dezinformim total. Një lajm i rremë krijohet duke injoruar plotësisht rregullat editoriale, normat, proceset e miratuara në media për të siguruar besnikërinë dhe vërtetësinë. Mjafton edhe një kontroll i vogël, madje sipërfaqësor, për t’i hedhur poshtë këto lajme të pavërteta por megjithatë ato vazhdojnë të kenë një efekt të fuqishëm në ndërgjegjen e një numri të madh njerëzish. Pra bëhet fjalë për rrena trashanike që krijohen ad hoc (për këtë qëllim pra) për të diskredituar një figurë publike ose për të manipuluar faktet në lidhje me një ngjarje.

Clickbait (karrem për klikime)

Klikokarremi ose Kapakliku (nga anglishtja “Clickbait”, ose nga italishtja “Acchiappaclick”), përcakton një përmbajtje në internet, funksioni kryesor i të cilës është tërheqja e një numri sa më të madh përdoruesish, për të gjeneruar të ardhura nga reklamat në internet, nëpërmjet një informacioni të pasaktë ose të rremë.

Për një Klikokarrem (ose Kapaklik) efikas përdoren tituj tërheqës dhe sensacional që inkurajojnë përdoruesin të klikojë, duke ngacmuar emocionet e tij: përdoruesi ngacmohet dhe klikon në link-un e propozuar për të lexuar pjesën e lajmit interesant që mungon, por që ka pak lidhje me titullin ose edhe më keq: përshkruan diçka tjetër. Qëllimi është që të tërhiqen sa më shumë persona që të hapin këto lidhje duke inkurajuar shikuesit/lexuesit që të ndajnë sa më shumë (Shpërndajeni ju lutem!) këto përmbajtje të rreme në rrjetet sociale, duke rritur kështu në mënyrë eksponenciale të ardhurat nga reklamat, në mënyrë të pandershme.

Klikokarremi mbështetet në pseudo-informacion e në transmetimin e fakteve duke shtrembëruar realitetin. Për të shtuar vizualizimet, përdoret si praktikë pune edhe në platformat e ndarjes së videove (p.sh. YouTube) duke paraqitur në mënyrë mashtruese një fotogram (imazh) të ndryshëm nga përmbajtja e vërtetë. Bile kjo teknikë ka përparuar deri në shitblerjen e klikimeve, për të krijuar te lexuesi idenë e një lajmi “të pëlqyeshëm” e “të sukseshshëm”. Kuptohet, në vorbullën e informacionit të rremë shpeshherë ka rrezik të përfundojë edhe lajmi i vërtetë, prandaj duhet të kontrollojmë gjithmonë vërtetësinë e një lajmi, pikërisht për të mos ngatërruar lajmin e vërtetë me lajmin e rremë.

Rrena të krijuara me art apo gafa gazetareske? 

Lajmet e rreme, përhapen në internet në mënyrë eksponenciale. Këto postime, artikuj dhe tweets e përçajnë opinionin publik mbi çështje delikate të cilat formojnë mendjen njerëzore sipas asaj që shkruhet, duke u bazuar te natyra e njerëzve të prirë për të besuar atë që lexojnë pa asnjë mendim kritik. Mediat sociale dhe shpërndarja kompulsive që u bëhet këtyre lajmeve (Shqiptarët, raca më inteligjente në botë! Shpërndajeni ju lutem! – Historia e Greqisë është krejt e sajuar! Shpërndajeni ju lutem! – Gjuha shqipe gjuha e faraonëve! Shpërndajeni ju lutem! Gjuha shqipe nëna e të gjitha gjuhëve evropiane! Shpërndajeni ju lutem! – etj. ), veprojnë si katalizatorë dhe sasia e lajmeve në qarkullim nuk lë hapësirë për analiza më të thella. 

Lajmi i rremë nuk është diçka e re, por është më pak zbavitës se sa legjendat metropolitane (ose urbane) të cilat nga ana e tyre janë “gabim pa dashje” ose lajme të pasakta… Legjendat urbane nganjëherë mund të jenë argëtuese dhe përhapen thjesht si lajme të habitshme, ndërsa lajmet e rreme janë lajme realisht të rreme që krijohen apostafat dhe përdoren si mjete strategjike për të rritur prestigjin e dikujt ose për të tërhequr vëmendjen duke ndikuar në formë negative ndaj të tjerëve.

Si mund t’i gjurmojmë burimet e besueshme në këtë xhungël digjitale të mbushur me përmbajtje mashtruese dhe realitete të shtrembëruara? 

“Duhet të zhvillojmë aftësinë për të dëgjuar veten, e të kemi një mendim kritik!” 

Lajmet e rreme në lidhje me ushqimet.

Sidomos në lidhje me ushqimet e me mënyrën e të ushqyerit lajmet e rreme korrin suksesin më të madh. Mishi bën keq apo bën mirë, i zier apo i pjekur? Kripa bën mirë por jo më shumë se 5 gr. në ditë (problemi është se si ta peshojmë, p.sh. kur konsumojmë perime turshi etj.). Peshku i freskët është shumë i mirë, sidomos me përhapjen e modës së sushi-t e të sashimi-t, por përpara se ta konsumojmë duhet ta ngrijmë në -20 gradë C për shkak të parazitëve që mund të ketë (Anisakis etj.). Me këtë rast së bashku me peshkun blejmë edhe akull me të njëjtin çmim, pa llogaritur vetitë ushqimore të humbura, e problemet në lidhje me rritjen e peshkut në disa vaska ku peshku majmet në mënyrë të shpejtë e jo natyrale…   E kështu mund të vazhdojmë pafundësisht: margarina është më e mirë se gjalpi – margarina është e dëmshme, ushuj apo vaj luledielli, vaj palme apo vaj kikiriku. Bukë të bardhë apo integrale (të zezë), sheqer apo ëmbëlsues sakarinë, etj. Shkencëtarët betohen se sipas studimeve del se kafeja është shumë e dëmshme por, disa vite më vonë, gjithmonë sipas studimeve të kryera rezulton se kafeja nuk është aq e dëmshme, bile ka disa veti të mira. Kjo është normale thonë ata sepse shkenca është në zhvillim, zbulime të reja hedhin dritë mbi diçka që më përpara nuk dihej… Megjithatë, për ne injorantët, mekanizmi i ndryshimit të kësaj “drite” mbetet mjaft i errët… 

Në rast dyshimi ose problemesh shëndetësore, nuk duhet të hezitojmë të kontaktojmë dietologët, dhe ekspertët nutricionistë. Ekspertët e ndershëm sugjerojnë: “Duke besuar dhe duke dëgjuar veten, secili prej nesh duhet të kërkojë mirëqenien e vet. Nëse një ushqim është i vështirë për ne të tretet, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë gjë dhe duhet të përshtatemi në përputhje me rrethanat. Për sa i përket rrenave, ne duhet të përpiqemi t’i japim vendin që u takon dhe t’i harrojmë, është mënyra më e mirë për të reaguar. Disa lajme të rreme – shkruan Giorgio Donegani, ekspert nutricionist – kushtëzojnë tregun: diçka që na bën përshtypje, qoftë e vërtetë ose e rreme, shfrytëzohet ekonomikisht. Të qenit i vetëdijshëm në lidhje me këtë fenomen është thelbësore”.

Legjendat metropolitane

Sa për ilustrim po përshkruajmë këtu më poshtë dy legjenda metropolitane (urbane) shumë të përhapura: 

Sipas një gazete angleze, kjo histori doli për herë të parë në shtyp në vitin 1930, kur u shfaq lajmi në New York Times për një djalë të ri që kishte parë një aligator në gropat e kullimit të ujërave të Nju Jorkut. Me kalimin e viteve, sinjalizimet për shfaqjen e krokodilëve në kanalizimet e Nju Jorkut u shumëzuan aq shumë sa ende sot ka shumë qytetarë që besojnë se në kanalet nën asfalt jetojnë grupe krokodilësh të uritur…

Romët (ose magjypë, arixhi, gabel: nuk janë e njëjta etni por nuk ka rëndësi, gjithsesi janë “raca të këqija”) kanë qenë gjithmonë në shënjestrën e legjendave urbane. Të gjithë në Shqipëri e dinë se romët janë specialistë të vjedhjes së fëmijëve, dhe në veçanti janë gratë që e kryejnë krimin, duke i fshehur fëmijët nën fustanin e tyre të gjerë. Pastaj kemi historinë e çmendur, që tregon se si romët lënë shenja (simbole të pakuptueshme nga ne) në dyert e shtëpive që kanë vënë në shënjestër.

Megjithëse natyra e këtyre historive mund të zbulohet nga një kontroll i thjeshtë i sipërfaqshëm, këto histori udhëtojnë si ajo loja e telefonit të prishur; por po të jemi pak të kujdesshëm kuptojmë se ngjarjet e përshkruara nuk i kanë të gjitha të dhënat: ato që kanë emra, nuk kanë vende e data, ato që kanë vende e data nuk kanë emra, etj. Sipas Jan Harold Brunvand, profesor e studiues i tyre, legjendat metropolitane janë “histori që nuk ekzistojnë por që tregohen si të vërteta”. 

Tregime të tilla kanë ekzistuar gjithmonë, por ndërsa në shekujt e kaluar ata qarkullonin në një zonë të kufizuar, nëpërmjet traditës gojore, sot udhëtojnë dhe ushqehen nga kanalet ndërkombëtare të mediave. Madje “transmetuesit” e këtyre tregimeve përmendin gazetën ose TV-në si burime të sakta të episodeve e si prova në mbështetje të realitetit , të padiskutueshme sipas tyre.

Debunking

Ky term në anglisht (përbëhet nga parashtesa de-, “heq”, dhe fjala bunk “gjepur”.përkon pak a shumë me foljen përgënjeshtroj në shqip. Ndërsa Debunker-i, është një person që vë në dyshim ose demaskon rrenat, lajmet e rreme e antishkencore, të dyshimta, mashtrimet e sharlatanizmat. Debunking funksionon si një lloj site interneti që filtron lajmet e rreme ose si një vaksinë kundra lajmit të rremë. 

Ndoshta mund të jetë një faktor kulturor, për arsye se fjala përgënjeshtroj në shqip krijon dyshim ndërmjet rrenës dhe të vërtetës. E përgënjeshtroi lajmin: po lajmi, a ishte i vërtetë apo i rremë?…   

Nuk duhet të ngutemi: është e nevojshme të lexojmë me qetësi dhe të kuptojmë, të kontrollojmë dhe të verifikojmë përmbajtjen e lajmeve përpara se t’i konsiderojmë si të vërteta të pakundërshtueshme. Duhet të bashkëbisedojmë me të tjerët, sepse biseda përveçse është terapeutike e na ndihmon të kemi marrëdhënie reale, gjithashtu na ndihmon të pasurojmë dijet tona e, madje, shton forcën tonë vetëmbrojtëse kundër mashtrimeve; aftësinë për të kultivuar dyshimin dhe mendimin kritik. Përulësia që kemi duke njohur hapësirën e shkencës, nuk na lejon të guxojmë me arrogancën e injorantit e të diletantit e të hidhemi pafrikë në sulm, duke derdhur lumenj me marrëzi ndoshta vetëm për faktin se fshihemi prapa një pseudonimi në Fb, në daç si autorë në daç si lexues. Mund të vazhdohet më këshilla e me ilaçe të tjera, por kryesorja është se ne vetë duhet të jemi të kujdesshëm që të mos biem në grackën e rrenave në internet. Mendimi kritik është një ndër mënyrat më të mira për ta fituar luftën kundër rrenave, në internet e kudo që të jenë. 

Italia ka menduar të investojë në edukimin e të rinjve me anën e programeve shkollore e duke botuar materiale për të shpjeguar e informuar popullsinë për rreziqet e internetit e një dekalog të rregullave bazë për t’u mbrojtur nga rrenat. Ndërsa në Shqipëri miratohet e ashtuquajtura “paketë anti-shpifje” pra mendohet një ligj për të mbyllur mediat online, demek për të frenuar ose ndalur lajmet e rreme e për të mbrojtur privatësinë e qytetarëve. Censura mendohet të ushtrohet me anën e një organi që do të zgjidhet sipas kriterit politik. Pra një organ/vegël në dorën e partisë në fuqi… Kjo kurë ngjan me kurën e doktor Adhamudhit: “Në qoftë se të dhemb syri, hiqe! Në qoftë se të dhemb krahu, hiqe!”, kështu që nuk ke për të pasur asnjë problem më as me syrin e as me krahun…

Metoda 5W

Përfundimisht për të luftuar lajmet e rreme (fake news, legjenda metropolitane/urbane, e rrena të tjera në përgjithësi) metoda 5W mund të jetë shumë efikase. Në gazetari është principi në të cilin bazohen gazetarët për të shkruar një artikull: Teknika 5W (dikush shton edhe – 1How-Si?, 5W1H) përfshin pyetje, përgjigjet e të cilave konsiderohen baza e grumbullimit të informacionit ose e zgjidhjes së problemeve. Përmenden shpesh në gazetari por edhe në hetimet policore etj. 

Ato janë: Who-Kush? – What?-Çfarë? – When?-Kur? – Where?-Ku? – Why?-Pse? Disa autorë shtojnë edhe pyetjen e gjashtë How?-Si?

Një temë e tillë është trajtuar qysh në kohët antike me Ermagora di Temno, Ciceronin, John of Salisbury etj. Ndërsa San Tommaso d’Acquino ka përdorur shprehjen latine:

Quis, quid, ubi, quibus auxiliis, cur, quomodo, quando?. Shprehja fjalë për fjalë ka këtë kuptim: «Kush, çfarë, ku, me çfarë mjetesh, pse, në çfarë mënyre, kur?».

Nga kjo shprehje është krijuar një skemë, që përdoret nga vetë gazetaria e që i përshtatet shumë mirë kërkesave të kohës së sotme për të pasur një informacion korrekt. Dobia e saj verifikohet kollaj me anën e një shembulli konkret: Supozojmë se duam të përshkruajmë kronikën e një vjedhjeje, pra duhet të përshkruajmë ngjarjen:  Kush e ka kryer vjedhjen? (quis), Çfarë ka vjedhur? (quid) – Kur ka ndodhur vjedhja (quando) – Ku është bërë vjedhja? (ubi) – Pse ka vjedhur? (cur).

Për sa i përket rregullës 5W, as këtu nuk kemi thënë asgjë të re. Por duke shtuar edhe tri pyetje të tjera të rëndësishme: “Sa ka vjedhur?” (pra vlerën e mallit të vjedhur, quantum), “Në çfarë mënyre ka vepruar për të vjedhur?” (quomodo) dhe “Me çfarë mjetesh e ka kryer vjedhjen?” (quibus auxiliis), kemi tre elemente shtesë të lajmit që janë shumë të rëndësishëm edhe pse nuk bëjnë pjesë drejtpërdrejt në bërthamën e domosdoshme të 5W, sepse na japin mundësi të kuptojmë vërtetësinë e lajmit. Rrena i ka këmbët të shkurtra, por nuk kuptohet kollaj sepse i ka vënë taka të larta këpucëve.

Me sa duket, një rrenë e bukur vlen më shumë se një realitet i shëmtuar…

Por duke pasur gjithmonë në mend skemën 5W do të jetë e vështirë të besojmë a priori çdo lajm (pa njohur ose pa verifikuar faktet)… 

Referime:

Listë gazetash e faqesh interneti me Fake News

https://www.bufale.net/the-black-list-la-lista-nera-del-web/

Legjenda metropolitane italiane: 

https://www.milanocittastato.it/evergreen/per-l-italia/10-leggende-metropolitane-italiane/

Legjenda metropolitane: 

http://www.leggendemetropolitane.net/

Shkolla dhe dekalogu anti-rrenë në Itali

https://www.miur.gov.it/-/scuola-boldrini-e-fedeli-presentano-decalogo-anti-bufale-il-progetto-riguardera-4-2-milioni-di-ragazzi

30 Legjenda urbane krejtësisht të vërteta

(Çdo rrenë ka brenda pak të vërtetë).

https://bestlifeonline.com/true-urban-legends/

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version