Satire & humor

Zbulohet shkaku i humbjes së koalicionit të djathtë

Pergatiti lajmin gazetari yne ne terren, Tym Lazarati

Tap Channel ka arritur sot të zbulojë arsyen e vërtetë të humbjes së zgjedhjeve nga koalicioni i djathtë. Dokumentat origjinale të viteve 1901 e 1980 dhe korrespondenca midis zyrtarëve të lartë të Selisë Mavi që Tap Channel disponon, dëshmojnë të vërtetën e hidhur të fshehur deri tani me këmbënguljen kërcënuese të ish-kreut të magjorancës në detyrë. Siç rezulton edhe nga korrispondenca mavi bëhet fjalë për një patologji që ka prekur ish-kreun e magjorancës në detyrë, për më tepër të diagnostikuar jo nga mjekët por nga specialistë të një fushe krejt tjetër që lidhet më së shumti me terminologjinë mjekësore.

E kontaktuar nga Tap Channel, Zyra e shtypit e Selisë Mavi nuk u prononcua për këtë çështje dhe mohoi kategorikisht qenësinë e pohimeve tona. Për këtë Seli, gazetari i Tap Channel ka pirë nga shishja e premtimeve antiglobaliste prandaj duhet t’i gjejë arsyet e humbjes tek votat e blera nga krimi dhe trafiqet e selisë mavi. Përpos hutimit nga përgjigjja, persona me uniformë mavi shoqëruan gazetarin Aferim Mbajshënim – sipas tyre në gjendje të dehur – në Komisariatin e Policisë në rrugën Pi Podeshe.

Sidoqoftë burime konfidenciale brenda Selisë Mavi vërtetuan vërtetësinë e korrespondencës në disponimin e Tap Channel. Në një email të datës 20 gusht Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Selie i drejtohet Sekretarit për Komunikimin duke pohuar që një prej përkufizimeve të përdorura prej ish-shefit të saj ndaj selisë kundërshtare krijoi konfuzion jo vetëm tek simpatizantët e partisë por edhe tek të pavendosurit. Në këtë mënyrë ata nuk e kanë pasur më të qartë kush nga dy selitë ka shënuar arritjet më madhështore të vendit gjatë tetëvjeçarit të fundit e kush është më shumë e kapur nga krimi e trafiqet. Për të përforcuar tezën e tij ai i tregon kolegut edhe një grafik të sondazheve parazgjedhore ku duket qartë që pas përdorimit të këtij përkufizimi kurba e preferencave ka qenë gjithmonë në rënie.

Gjithashtu burimi konfidencial brenda Selisë Mavi dëshmon për Tap Channel që grupi më i ngushtë i bashkëpunëtorëve është munduar të bindë disa herë ish-shefin e opozitës së zgjedhur për t’iu nënshtruar një vizitë mjekësore tek Spitali Amerikan por ky i fundit u është hakërruar mjaft i inatosur pasi me përcaktimin e Turqisë si partner strategjik të Piktorit, ndihet i prerë në besë nga turqit të cilëve u bëri kurban një pjesë të Spitalit Ushtarak. Ish-shefi i opozitës së zgjedhur u ka kërkuar atyre prova, fakte dhe grupfakte me zë dhe figurë që vërtetonin këtë patologji të stisur sipas tij për të tjetërsuar nëpërmjet përdorimi të ngjyrave jehonën e zhvillimit marramendës të Shqipërisë gjatë qeverisjes së tij. Një prej zyrtarëve më të lartë të kësaj selie ka ngulmuar vendosshmërisht që vizita është e domosdoshme për fatet e kombit dhe integrimin në BE, duke argumentuar ngulimin e tij me paraqitjen e një dokumenti të vitit 1980 të hartuar nga prof. Androkli Kostallari. Por ish-shefi i opozitës së zgjedhur ka anatemuar dokumentin si “pjellë të regjimit të brumosur nga servilizmi i akademikëve grekofonë me shkollë nate”. Për më tepër, ish-shefi i opozitës së zgjedhur si lideri legjendar që ka sjellë çekun e bardhë e piramidat, ka anëtarësuar vendin në Nato dhe ka bashkuar kombin me rrugën e Lulit, s’mund të lejonte më qarkullimin e këtij dokumenti, prandaj ka urdhëruar Ministrin e Brendshëm të mbledhë personalisht e në këmbë kopjet e tjera të këtij dokumenti në të gjithë vendin.

Zyrtari i lartë nuk është tutur, por me guximin e të marrit i ka paraqitur një dokument tjetër, akoma më të hershëm, të vitit 1901, të hartuar nga një farë Şemseddin Sami, ku del qartë nevoja e vizitës së përfolur. Ish-kreu i magjorancës në detyrë i mallëngjyer nga emri i përmendur kujtoi fëmijërinë e tij kur ecte dy orë në ditë nën dëborë për t’u shkolluar e përgatiste rrëzimin e regjimit i frymëzuar nga shkrimet e Samiut, por ay tashmë “është i shitur te Rilindja e Piktorit dhe si i tillë s’mund të jetë i besueshëm”. Gjithashtu, ish-shefi i opozitës së zgjedhur refuzoi të shfletonte dokumentin pasi sipas tij fletët mund të ishin helmatisur nga puçistë mavi si në rastin e stilolapsave bombë apo çakmakëve flakëhedhës. Këto dy dokumenta sot, në sajë të punës së palodhshme të gazetarit Aferim Mbajshënim gjenden në disponimin tonë.

Tap Channel thelloi më tej investigimin e saj për zbulimin e kësaj të vërtete të tmerrshme për fatet e Selisë Mavi. Falë rrëfimit të njërit prej themeluesve mavi sot mund të pohojmë që kjo është një sëmundje e vjetër e ish-shefit të opozitës së zgjedhur. Në ditët e themelimit ndërsa diskutohej për zgjedhjen e simboleve të saj dhe dikush propozoi të zgjidhej mavija si ngjyrë përfaqësuese, ish-shefi nxorri nga xhepi një shami që ngjante më shumë me simbolet e komunizmit duke thënë i mallëngjyer: “sikur e paskeni ditur që unë kisha menduar këtë ngjyrë për Selinë time dhe tonën”.

Por një adash i ish-kreut të magjorancës në detyrë ka mohuar vërtetësinë e dëshmisë së themeluesit mavi. Rrëfimi në fjalë është një qëndrim dashakeq i gjithë atyre që qenkan majmur këtë tetëvjeçar pa dijeninë e Komandantit dhe pas zgjedhjeve në Selinë Mavi sillen kështu pasi i kanë ditët e numëruara. Sipas tij, fillimi i kësaj meseleje ka qenë një shëtitje në këmbë e ish-kreut të magjorancës në detyrë me mikun e tij Erdogjan nga fundi i marsit ose fillimi i prillit të këtij viti në qendrën e kryeqytetit. Tek kalonin në Sheshin Austria dhe shkëmbenin fjalë për t’i mësuar njëri – tjetrit gjuhët e tyre amtare, papritur Erdogjani ka britur: “MAVI” duke treguar me gisht nje flamur blu me yje që valëvitej përpara një ndërtese bashkë me flamurë të tjerë.

Tap Channel sot dëshmoi që ish-kreu i magjorancës në detyrë dhe njëkohësisht ish-shefi i opozitës së zgjedhur vuan nga nja formë e rrallë daltonizmi që personave të prekur u shkakton një tkurrje të njohurive gjuhësore sidomos në aspektin etimologjik. Thënë ndryshe, ish-shefi i opozitës së zgjedhur, sot një anëtar i thjeshtë i saj shumë aktiv në rrjetin social Facebook, është një daltonik që nuk di turqisht.

Vetëm në Tap Channel e vërteta vonon por në fund ecën me këmbët e veta!

Argumenta
Shfaq më shumë

komente për “Zbulohet shkaku i humbjes së koalicionit të djathtë”

Mund t'ju interesojë gjithashtu

Na ndiq në Facebook

Close