Politikë

Jonathan Moore u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve shqiptarë

Vizita e Jonathan Moore, para pak ditësh në Tiranë u shoqërua me hamendjet e analisteve të lidhura me qëndrimin amerikan mbi problemin e mprehtë te Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe te ngërçit që shkaktoi dorëheqja e tre prej antarëve të tij.

Pas shkarkimit të anëtarit të KQZ, dhe doreheqjes se tre të tjerëve, opozita shqiptare pretendon riformulimin e këtij Komisioni, ndërsa mazhoranca dhe Kryeministri Berisha u shprehën të vendosur se nuk do të ketë asnjë riformulim dhe ftuan opozitën të plotësojë thjesht tre vendet vakant të anëtareve të dorehequr,pa e prekur faktin e shkarkimit të anëtarit te KQZ propozuar ne zgjedhjet e shkuara nga LSI. Opozita pretendon se shkarkimi i anëtarit të KQZ nga ana e Parlamentit ishte i paligjshem dhe se duhet konsensus për të mos ia lënë çështjet e zgjedhjeve Kolegjit Zgjedhor (i cili ndërhyn  për të marrë vendime qe nuk zgjidhen nga KQZ). Pritej ndërhyrja e funksionarit amerikan, por jo çdo gjë shkoi sipas pritshmërive të opozitës. Interesit të medias, funksionari i lartë amerikan iu përgjigj në nje bashkëbisedim me analistë shtypi dhe gazetarë shqiptarë.

Këtu më poshtë biseda e plotë e tij me gazetarët, Armand Mero, Henri Cili, Mero Baze, Mustafa Nano, Ilva Tare, Sokol Balla, Skënder Minxhozi dhe  Armand Shullaku.

Tryezë e Rrumbullakët me Jonathan Moore, Drejtori për Europën Jugore e Qendrore në Departamentin e Shtetit (29 maj 2013)

Jonathan Moore: Mirëdita. Jam i kënaqur për mundësinë që të kem këtë dikutim me ju. Jemi krenarë për Ambasadorin tonë dhe skuadrën e tij të fortë këtu në Ambasadë. Shumë prej nesh në Uashington po e ndjekim nga afër situatën këtu në Shqipëri. Ka shumë arsye për këtë, sigurisht. Njëra nga këto është se ne jemi shumë krenarë të jemi aleatë me Shqipërinë në NATO. Ne kemi punuar shumë ngushtë me Shqipërinë në vende si Afganistani dhe për çështje si Kosova. Dhe në të njëjtën kohë, arsyeja për vizitën time këtu këto ditë – fatkeqësisht largohem nesër – është fokusuar tek zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit në Shqipëri. E di që ju si gazetarë, jo vetëm që jeni shumë të informuar, por punoni fort që të mbani qytetarët e Shqipërisë të informuar. Ka patur shumë diskutime për zgjedhjet e ardhshme për disa kohë tani, përfshirë në Uashington. Ka patur një numër dëgjesash publike. Unë personalisht fola në një të tillë mbajtur nga National Endowment for Democracy. Pati gjithashtu një dëgjesë përpara Komisionit të Helsinkit për zgjedhjet në Shqipëri. Jam shumë i kënaqur që kam patur mundësinë këto dy ditët e fundit të punoj me kolegët këtu në Ambasadë dhe të takohem me njerëz në Tiranë dhe në Durrës gjithashtu. Jam shumë i interesuar t’u përgjigjem pyetjeve tuaja, por, më lejoni të bëj dy komente të tjera para se të bëjmë këtë.

Ne besojmë se është absolutisht e nevojshme që qytetarët e Shqipërisë të mund të respektojnë institucionet përgjegjëse për zgjedhjet si dhe rezultatin e zgjedhjeve. Ne i mbështesim fuqimisht zgjedhjet, duke punuar me KQZ-në, duke punuar me organizata jo-qeveritare. Përveç kësaj, ne jemi shumë krenarë që po punojmë ngushtë me përpjektjet e OSBE-së për monitorimin. Unë u takova me Conny McCormack e cila është në krye të misionit të vëzhguesve. Në të njëjtën kohë, fokusi është qartazi tek zgjedhjet. Shpresoj që ju e mbani mend fjalimin e Sekretares Clinton nëntorin e kaluar. Ajo foli mjaft hapur për nevojën që Shqipëria të bëjë përparim të mëtejshëm drejt Bashkimit Europian dhe, ndërsa është e qartë se ka disa çështje tek iu afrohemi zgjedhjeve, ato duhet të zgjidhen. Më erdhi mirë që dëgjova nga një numër udhëheqësish partish politike se ata presin që Parlamenti të miratojë nesër tre vendime të nevojshme për të cilat është pritur gjatë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Në politikë dhe në diplomaci, nuk ofrohen urime derisa diçka të ketë ndodhur, kështu që ne do të presim të shohim çfarë do të ndodhë në Parlament nesër, por shpresojmë që kjo të ecë përpara me sukses. Duhet të kishte ndodhur prej kohësh. Faleminderit, sërish, që jeni këtu dhe për durimin. Mirëpres pyetjet tuaja.

Armand Mero: Z. Moore. Faleminderit për këtë mundësi. Në muajin prill ju erdhët këtu fill pasi anëtari i KQZ-së i LSI u shkarkua dhe dy anëtarët e tjerë të KQZ-së dhanë dorëheqjen. Nëse e mbaj mend mirë, ju thatë atë kohë se nëse KQZ-ja do të përfundonte me vetëm katër anëtëarë, zgjedhjet do të ishin në rrezik. Sot në Durrës ju thatë se pavarësisht nga fakti që ka vetëm katër anëtarë, ekziston dhe një Kolegj Elektoral. A ka një ndryshim thelbësor në qëndrimin tuaj? Ju thatë se keni ardhur këtu posaçërisht për çështjen e KQZ-së. E konsideroni misionin tuaj të dështuar, meqenëse Kryeministri tha dje se ai nuk do të ofrojë kompromis për çështjen? Gjithashtu, brenda kuadrit të zgjedhjeve, vlerësimi i tyre bëhet mbi dy parime, të lira dhe të ndershme. Mendoni se duke marrë parasysh situatën e tanishme parimi i ndershmërisë është prekur?

Jonathan Moore: Nuk ka dyshim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve luan një rol shumë të nevojshëm. Nuk ka dyshim që pa shtatë anëtarë, KQZ-ja nuk mund ta luajë plotësisht rolin e saj. Dhe, për të qënë të qartë, nëse e kuptova drejt pyetjen tuaj, unë nuk erdha këtu për të rregulluar KQZ-në; erdha këtu për të parë situatën zgjedhore. Jam në dijeni – jam i sigurt se të gjithë ju jeni – që ka patur shumë bisedime të nivelit teknik midis partive politike të mazhorancës dhe opozitës për KQZ-në. Dera nuk është krejtësisht e mbyllur. Ne ende do të dëshironim që të shihnim një kompromis midis qeverisë dhe opozitës në mënyrë që KQZ-ja të ketë vërtet shtatë anëtarë. Përshtypja ime është që në këtë moment nuk ka shumë gjasa që qeveria dhe opozita të jenë të përgatitura të gjejnë kompromis për këtë. Është e rëndësishmë që, siç e përmendët dhe ju dhe siç thashë sot më herët në Durrës, ka institucione të tjera zgjedhore të cilat kanë një rol për të luajtur. Është gjithashtu shumë e qartë se të gjitha partitë politike kanë ndërmend të ecin përpara me zgjedhjet e 23 qershorit. Shumë parti kanë bindjen se do të fitojnë. Sigurisht, nuk është e mundur që të gjitha ato të fitojnë. Dhe, siç dëgjova kur isha këtu në prill, të gjitha partitë më janë zotuar mua, i janë zotuar Ambasadës dhe Ambasadorit se ato do të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Çështja e mbajtjes dhe atmosferës së zgjedhjeve është e komplikuar. Si një vend pjesëmarrës në OSBE, ne do të ndjekim konkluzionet e misionit vëzhgues të OSBE-së. Ata kanë një skuadër shumë profesionale dhe të madhe në numër dhe ne jemi të kënaqur që po e mbështesim këtë përpjekje. Ne gjithashtu do të kemi përfaqësuesit tanë nga ambasada këtu. Thelbi është që ne do të dëshironim që KQZ-ja të kishte shtatë anëtarë. Por, nëse kjo ndodh apo jo, duket se të gjitha partitë janë të gatshme të vazhdojnë me zgjedhjet.

Mero Baze: Z. Moore, për aq sa e konsideroni problem KQZ-në, a mendoni se për këtë ishte përgjegjëse qeveria apo opozita? Pyetja ime e dytë është: Ju e konsideroni shumë të rëndësishme besimin e publikut tek rezultati zgjedhor dhe institucionet. Ndërsa ne jemi këtu duke folur për institucione që nuk funksionojnë dhe një klimë të dëmtuar besimi, a do të ishte e drejtë t’i kërkonim qytetarëve të kishin besim tek institucionet zgjedhore?

Jonathan Moore: Politika është shumë e vështirë në Shqipëri por edhe në vende të tjera. Ka shembuj ku kompromisi është i mundur dhe ndoshta do ta shohim këtë nesër në Parlament me votimet për të ardhmen europiane në Shqipëri. Ambasada ka qënë shumë e qartë në shqetësimet e saj për ndryshimet në përbërjen e KQZ-së. Ambasadori ynë ka folur për këtë tashmë dhe ne mbështesim qëndrimin e tij 100 për qind. Në të njëjtën kohë, parti të tjera që kanë tërhequr përfaqësuesit e tyre nga KQZ-ja kanë gjithashtu disa përgjegjësi për funksionimin e këtij institucioni, veçanërisht në lidhje me rolin e KQZ-së dhe të qënit e saj në gjendje që të certifikojë rezultatin, për të cilin duhen pesë anëtarë. Natyrisht, ne e dimë se njerëzit kanë më pak besim dhe bindje për shkak të problemeve me KQZ-në. Por, pikësëpari, mendoj se qytetarët e Shqipërisë janë mjaft të sofistikuar. Ata kanë parë shumë politikë aktive në 20 vitet e fundit. Ata kanë parë strategji dhe taktika të ndryshme të ndërmarra nga shumë parti politike, ato në qeveri apo në opozitë. Dhe, me të gjitha këto parti që thonë se duan të ecin përpara, mendoj se mesazhi për qytetarët e Shqipërisë është i qartë. Dje më thanë se ka 64 parti të ndryshme politike në Shqipëri. Ka shumë opsione të ndryshme mes të cilave qytetarët në Shqipëri mund të zgjedhin. Dhe ne i nxisim ta bëjnë këtë. Ne do të donim që, falë jush dhe informacioneve të tjera…Qytetarët e Shqipërisë duhet të jenë të informuar për partitë dhe kandidatët individualë dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Nuk është një mekanizëm i përkryer. Winston Churchill ka thënë që “demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha formave të tjera që janë provuar”. Ne në SHBA kemi gëzuar demokracinë për 250 vite dhe procesi ynë është ende në zhvillim. Ne do të donim që qytetarët e Shqipërisë të votojnë sipas zgjedhjes që bëjnë ata.

Ilva Tare: Z. Moore, ju thatë se shanset për një kompromis mbi KQZ-në janë të pakta. Si do ta ndikojnë Shqipërinë zgjedhje të dështuara? Si do t’i ndikojnë marrëdhëniet e saj me SHBA? Gjithashtu, z. Arvizu tha disa orë para se z. Muho të pushohej se askush nuk do të donte të merrte një kurs përplasjeje me SHBA-në. Z. Muho tani është larguar. A është Shqipëria, mazhoranca qeverisëse, në një kurs përplasjeje me SHBA-në?

Jonathan Moore: Unë nuk i shoh Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë në një kurs përplasjeje. Unë do ta ndjek fushatën nga shumë afër, si mbajtjen e zgjedhjeve ashtu dhe numërimin e votave. Unë nuk jam ekspert por – jam i sigurt që ju mund të më informoni për këtë – shumica e njerëzve mendojnë se do të formohet një koalicion pas zgjedhjeve. Nëse njerëzit janë të pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve në nivel lokal ose kombëtar, ka mekanizma ligjore të cilat ata duhet t’i përdorin për t’i kontestuar. E vetmja përplasje me Shtetet e Bashkuara do të ndodhte nëse dikush do të zgjedhë të përdorë dhunën në vend të mekanizmave ligjore.

Mustafa Nano: Do të doja të filloja me fjalinë tuaj të fundit, z. Moore. Në 21 janar 2011, në bulevardin kryesor të Tiranës, katë njerëz u vranë. Të gjithë e dinë se ata ishin të pafajshëm, që ishin të paarmatosur, të pambrojtur. Asnjë oficer i Gardës së Republikës nuk u ndëshkua që qëlloi mbi ta. Kryeministri ynë, i cili unë personalisht mendoj se ka urdhëruar të qëllohet, pas kësaj ngjarjeje e quajti puç. Gjatë një debati parlamentar, ai iu drejtua personalisht liderit të opozitës se nëse ai e përsëriste këtë, ai do ta ndëshkonte si një horr. Pas këtyrë ngjarjeve, kemi parë që Departamenti i Shtetit e ka mbështetur Berishën vazhdimisht. Pse duhet të besojmë ne që Departamenti i Shtetit, në rast të një tjetër episodi dhune, do të reagonte ndaj Berishës në mënyrën e duhur, duke pasur parasysh që dhuna në rastin që përmenda ishte e tmerrshme?

Jonathan Moore: Ambasada tashmë ka folur zyrtarisht për incidentin dhe hetimin e atij incidenti. Është e ditur që SHBA ka ndihmuar vlerësimin e provave në atë rast dhe këtë e ka diskutuar me Zyrën e Prokurorisë. Ekzistojnë çështje më të gjera lidhur me kontekstin e atij incidenti dhe arsyen pse po protestonin njerëzit. Në fund të fundit, do të donim që të mbizotëronte shteti ligjor dhe që këto raste të hetohen e ndiqen penalisht si duhet. Ishte një tragjedi e madhe dhe kemi u shprehur ngushëllimet tona familjeve të viktimave. Nuk ka diskutim që ka pasur tension dhe periudha dhune pas zgjedhjeve në historinë e shkurtër demokratike të Shqipërisë. Dhe pikërisht për këtë arsye do t’i kushtojmë vëmendje nga shumë afër teksa afrohemi drejt 23 qershorit dhe pas tij.

Mustafa Nano: Një pyetje tjetër ju lutem. U takuat me Kryeministrin Berisha dhe e vërteta është që i gjithë procesi zgjedhor këtu është nën kontrollin e qeverisë. E vetmja gjë që pothuajse i shpëtoi Berishës nga duart ishte kontrolli mbi KQZ-në por edhe aty e rimori kontrollin shumë shpejt. A patë vullnet nga ana e Kryeministrit për ta zhvilluar procesin ashtu si duhet?

Jonathan Moore: Siç dëgjova nga Z. Meta, siç dëgjova nga Z. Rama, edhe Kryeministri tha që do të respektojë rezultatet e zgjedhjeve nëse fiton ose humb. Sigurisht, Sekretarja jonë e Shtetit që ishte këtu në nëntorin e shkuar u takua me të dhe udhëheqës të tjerë politikë, dhe siç e dini, foli edhe në Parlament. Me sa kuptojmë, mjedisi politik këtu është shumë emocional dhe kundërshtarët e partive të ndryshme dhe krahëve të ndryshme kanë pikëpamje shumë të forta. Por, siç e ka bërë shumë të qartë Ambasadori ynë, dhe siç e ka bërë të qartë në mënyrë konseguente ambasada, nuk marrim anë në këtë proces. Dhe, meqë ra fjala, e gjej me rëndësi që edhe anëarët e opozitës janë të përkushtuar për të ecur përpara me zgjedhjet. Pavarësisht nga kundërshtitë për KQZ-në, janë besimplotë në procesin e gjithanshëm dhe po ecin përpara, ndaj po ndaloj këtu.

Mustafa Nano: Nëse mund të sqaronim, Meta dhe Rama kanë thënë që Kryeministri do të pranojë rezultatin nëse humb?

Jonathan Moore: Që të tre thanë që do të njohin rezultatet.

Skënder Minxhozi: Po vazhdoj me pyetjen e ngritur nga kolegia Ilva Tare lidhur me deklaratën e Ambasadorit kur Z. Muho u shkarkua nga KQZ-ja. Në mendimin tim, ishte një deklaratë e fortë, e drejtë, që e lexonte episodin e shkeljes ligjore dhe kushtetuese si duhej. Nga ana tjetër, deklaratat tuaja, për shembull deklarata juaj në Durrës për funksionimin e KQZ-së nëpërmjet Kolegjit Zgjedhor, po na bëjnë të kuptojmë që nuk ka kurs përplasjeje midis SHBA-ve dhe Shqipërisë. Situata e KQZ-së po trajtohet si një ngërç administrativ që mund të rregullohet disi. Duke e vlerësuar këtë në planin diplomatik, jo nga funksionimi i KQZ-së, a mendoni se dallimi midis deklaratës së Ambasadorit në Tiranë dhe deklaratave tuaja do të ushqejnë më shumë tezën se ka një mospërputhje midis pozicioneve të Ambasadës së SHBA në Tiranë dhe Uashingtonit? Pyetja e dytë – nëse më lejoni. Në vitin 2011 u mbajtën zgjedhjet vendore dhe rezultati fillestar për postin e kryebashkiakut të Tiranës u kthye nga Kolegji Zgjedhor. Në atë kohë, mbaj mend Zëvendës Ndihmës Sekretarin Countryman që tha se rregullat e lojës u ndryshuan pasi loja kishte mbaruar. Tani shohim që rregullat po ndryshohen, tani përpara fillimit të ndeshjes, por prapë shkelin rregullat ekzistuese. A nuk mendoni që këto koncesione nga partnerët ndërkombëtarë, sidomos nga SHBA, mund të konsiderohen si carte blanche dhe të nxisin më tej shkeljet në zhvillimin e zgjedhjeve dhe në rezultate?

Jonathan Moore: E dyta ishte një pyetje interesante hipotetike por më lejoni t’i përgjigjem të parës në fillim. Nuk shoh ndonjë dallim mendimi midis ambasadës tonë dhe Uashingtonit. Flasim me të njëjtin zë. Ambasadori ynë ka drejtuar procesin teksa po zhvilloheshin ndryshimet në KQZ, punoi shumë fort për të përfaqësuar interesat e Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në përpjekjet për t’u siguruar që gjërat të qëndronin sipas standardeve në KQZ. Përsëris, të gjithë e dini si u zhvilluan dhe si ndodhën gjërat. Nuk është çështje dallimi mendimesh mes njerëzve në këtë dhomë. Reagimet e mëpasme dhe zhvillimi i perceptimeve tona janë ndikuar shumë nga opinioni i opozitës. E thashë këtë në Uashington në prill dhe po e them përsëri në Tiranë në maj; e dëgjova nga Z. Meta dhe Z. Rama – ata po ecin përpara me entuziazëm të madh drejt zgjedhjeve, me besim të madh. Mbi bazën e kësaj, do të ishte e çuditshme që Shtetet e Bashkuara të bëheshin zëri kryesor që ankohej për çështje lidhur me KQZ-në, nëse njerëzit në Shqipëri ndihen rehat me këtë situatë të pafat. Dhe, siç thashë më parë, ka pasur bisedime në nivel teknik mes Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe të tjerëve në përpjekje për të gjetur një rrugë. Për fat të keq, nuk kanë pasur sukses. Dhe ky është një realitet për të cilin na vjen keq por që duhet ta pranojmë.

Sokol Balla: Nga Top Channel. Doja t’i drejtoja pyetjet në anglisht, ju lutem. Si gazetarë, jemi të kushtëzuar t’i bëjmë pyetjet pas fakteve, kështu që po pohoj disa fakte që thatë sot, më herët sot dhe tani në këtë takim. Më herët sot, thatë se ekziston edhe Kolegji Zgjedhor, i cili është një institucion tjetër. Kjo nuk është gjë e re për ne. Të gjithë e dimë. Thatë po ashtu se e mbështesni plotësisht ekipin tuaj këtu, udhëhequr nga Z. Arvizu dhe edhe kjo është deklaratë e vjetër.

Jonathan Moore: Është edhe e vërtetë.

Sokol Balla: E vërtetë, por asgjë e re. Thatë edhe që pavarësisht nga gjërat që po ndodhin me KQZ-në, të gjitha palët po ecin përpara me entuziazëm drejt 23 qershorit. Këtë e dimë sepse Z. Rama dhe Z. Meta, si dy udhëheqësit kryesorë të opozitës, e kanë thënë publikisht. Ajo që shoh të ndryshme është një pozicion i përditësuar që keni tani lidhur me krizën në KQZ, krahasuar me deklaratat e mëparshme, siç pohoi edhe Z. Mero nga VOA. Tani, pyetja ime është – ky pozicion i përditësuar vjen nga raportimet që keni në ambasadë me personelin, nga punonjësit tuaj në Uashington, D.

C., apo po influencohen nga qarqe jashtë Departamentit të Shtetit, kryesisht nga lobistë, të paguar nga qeveria? Kjo është pyetja e parë. Një pyetje e dytë e lidhur me këtë është që në faktikisht, dhe ky është prapë një fakt, Top Channel zbuloi një e-mail të dërguar nga lobistët kryesisht tek media ndërkombëtare, e cila në fakt kishte censuruar pjesë të deklaratës tuaj. Ky grup lobimi, Grupi Podesta, në fakt e korrigjoi duke thënë, ‘Po, e vërtetë, por dërguam një e-mail tjetër më vonë.’ Tani, kjo dhe fakti i asaj që thatë sot, që është diçka e re, pra që Shqipëria nuk është në kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara, atëhere kush është në kurs përplasjeje me Shqipërinë? Është Aleksandër Arvizu që e tha këtë? Dhe, këto lloj deklaratash të reja, apo të përditësuara nga ju personalisht dhe nga zyrtarë të tjerë të Departamentit të Shtetit, a nuk përbëjnë paksa rrezik që opinioni publik shqiptar, në të majtë dhe në të djathtë, të mos ju marrin seriozisht kur të vijë fjala tek ajo që thoni për politikën shqiptare këtu?

Jonathan Moore: Kjo është pyetje interesante. Kishte shumë pohime si dhe një ose dy pyetje. Ne i formojmë opinionet tona bazuar në informacionin e marrë nga ambasada jonë – ambasada prandaj është këtu – dhe nga diskutimet me po ata udhëheqës politikë që përmenda, që i përmendët edhe ju. Duke folur me individë dhe gazetarë, marrim një gamë opinionesh të ndryshme. Dhe, meqë ra fjala, bazuar në informacione, bazuar në zhvillime, bazuar në fakte në terren, bazuar në një ditë të re në kalendar, teksa i afrohemi 23 qershorit, pikëpamjet evoluojnë ndaj është e kuptueshme që – tashmë kemi folur për parimin, mund të vazhdojmë të flasim nëse doni. KQZ-ja duhet të formohet plotësisht. Fakti që nuk është mund të shihet si faj i qeverisë, mund të shihet edhe si faj i opozitës. Mund të rrimë ulur këtu e të vazhdojmë të ankohemi për të deri në 23 qershor dhe të mos arrijmë asgjë. Është një situatë më pak e përsosur që Shqipëria duhet të mbështetet në institucione të tjera demokratike, nëse KQZ-ja nuk konstituohet plotësisht. Nëse flasim për fakte, mendoj është tashmë shumë e qartë që në Shtetet e Bashkuara ka firma lobimi. Kemi kontakte sporadike me ta. Për situatën që përmendët specifikisht nga vizita ime e fundit këtu, me sa kuptoj kishte një variant fillestar të deklaratës sime, që ishte nxjerrë apo keqpërkthyer, nuk i di hollësitë, por nga ajo që di, e korrigjuan faktin dhe më kanë kërkuar ndjesë personalisht për gabimin.

Henri Çili: Në fillim do të bëja një pohim për situatën si dhe argumentet për të dhe pastaj t’ju pyes diçka. Si shqetësimi i Ambasadorit Arvizu që nga fillimi lidhur me KQZ-në ashtu edhe misioni juaj i dytë, a nuk është disi artificial nëse shkojmë në thelbin e çështjes? Jemi këtu, shtatë apo tetë kolegë që kanë qenë në media për 15 apo 20 vjet duke ndjekur politikën në Shqipëri dhe besoj se biem dakord të gjithë me evoluimin e standardit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, parimin që qeveria, cilado qoftë, ka përgjegjësinë për zgjedhjet, prandaj ka shumicën në organet e administrimit – e kam fjalën për KQZ-në këtu – ndërsa opozita ka pakicën, por edhe të drejtën për të kushtëzuar disa vendime nëpërmjet shumicës së cilësuar. Në fakt, nuk ka ndodhur apo po ndodh asgjë përveç kësaj gjëje që është e vjetër sa debate politik 15 apo 20-vjeçar në Shqipëri. Qeveria ka katër anëtarë ose shumicën dhe opozita ka tre anëtarë ose pakicën. Duket pak si një histori e famshme e rajonit të Ballkanit për Mbretin Pirro të Epirit. Një mik e pyeti Pirron se ç’donte të bënte në jetë. Dhe ai tha, dua të pushtoj, le të themi, Italinë. Po pastaj? Një vend tjetër. Po pastaj? Një vend tjetër. Pastaj, i tha, dua të ulem të pi një gotë verë me ty. Dhe ky tha, ulemi e pimë tani. Më duket se kemi të njëjtën situatë me debatin artificial për KQZ-në në Shqipëri. Kam pasur mundësinë t’ia shpreh këtë edhe Ambasadorit në një bisedë që patëm. Qeveria, e cila ka përgjegjësinë të organizojë zgjedhjet, ka katër anëtarë; opozita, e cila bashkëorganizon dhe kontrollon procesin, ka tri anëtarë. Në njëfarë mënyre, ajo që ka ndodhur nuk ka as thelb real. Përkundrazi, nëse do të ndodhte e kundërta, do të ishte problem i madh dhe do kërkohej ardhja juaj, që opozita të kishte shumicën dhe qeveria pakicën. Prastaj, nuk do kishim zgjedhje, askush nuk do kishte përgjegjësi, dhe një premisë për konflikt. Në këtë kuptim, më duket se problemi nuk ekziston. A mund t’i pretendoni opozitës që të marrë pjesën e saj siç e ka pasur gjithmonë në vitet e fundit dhe për të cilën palët kanë rënë dakord në Kodin Zgjedhor? Kjo ishte pyetja.

Jonathan Moore: Faleminderit për mësimin për Mbretin e Epirit. Sigurisht, instinkti im si diplomat është të shkoj menjëherë te gota e verës, por a mund të më bëni një favor dhe të më jepni një pyetje specifike të cilës mund t’i përgjigjem?

Henri Çili: A mund t’i kërkoni opozitës të zëjë vendet që ka pasur gjithmonë nëpërmjet kompromisit në zgjedhje dhe të cilën nuk e kundërshton askush?

Jonathan Moore: Edhe një herë, gjatë takimeve me udhëheqësit këto dy ditët e fundit, sidomos dje, diskutuam me tam undësinë për konstituimin e plotë të KQZ-së. Nuk dëgjuam nga opozita që të ishte gati për të dërguar të tjerë njerëz në KQZ. Nuk dëgjuam nga qeveria se po përgatiten të ndërmarrin ndryshime të plota. Për sa i përket pozicioneve specifike të Z. Meta dhe Z. Rama, ju këshilloj t’i pyesni drejtpërdrejt. Nuk jam këtu për të folur në emër të tyre. Dhe, jam i sigurt që edhe Kryeministri mund t’ju japë opinionin e tij. Është problem i rëndësishëm siç e kemi diskutuar fakti që KQZ-ja nuk është e konstituar plotësisht. Por ka shumë çështje që ka nevojë të marrin vëmendjen tuaj dhe tonën ndërkohë që 23 qershori afrohet.

Armand Shkullaku: Është e qartë për ne që ka ndodhur një problem politik me KQZ-në. Kishim një ndërhyrje politike nga shumica për të ndërhyrë në përbërjen e KQZ-së, për shkarkimin e një anëtari. Patëm një përgjigje po aq politike nga opozita, e cila, me urdhër, tërhoqi anëtarët e saj. Pra, problemi i krijuar me KQZ-në është një problem politik, jo teknik. Ishte e qartë që shumica kërkonte të motivonte strukturat e saj; po t’ia linte shumicën në KQZ opozitës, do krijonte idenë e një kapitullimi përpara garës. Nga ana tjetër, me këtë tërheqje, opozita krijoi, duam apo nuk duam, dhe pavarësisht premtimit që ju bënë juve, përshtypjen që procesi është i paragjykuar dhe i cënuar nga fillimi, pra, që mund të jetë edhe rezultati. Ju thatë që Kolegji Zgjedhor mund të jetë një zgjidhje, për sa kohë që, dhe sipas ligjit, është institucioni që merr përgjegjësi për çështje zgjedhore. A keni menduar, në rast se opozita e konteston rezultatin dhe nuk e njeh Kolegjin Zgjedhor, refuzon të apelojë aty, e bojkoton, atëherë do të kishim vërtet një problem?

Jonathan Moore: Kjo ka të bëjë me mënyrën se si zhvillohet procesi. Për këtë temë unë di më pak se kushdo tjetër në këtë dhomë. Nuk mund të them që Kolegji Zgjedhor është një zgjidhje. Zgjidhja do të ishte kompromisi dhe diskutimi i mëtejshëm midis qeverisë dhe opozitës për të konstituar plotësisht KQZ-në. Askush nuk po zgjedh ta bëjë këtë. Po përqendrohen te fushata. Roli i Kolegjit Zgjedhor është i ndryshëm por është pjesë e strukturave demokratike që merren me zgjedhjet. Dhe, si pasojë e injorancës sime, e mosdijes së hollësive, si dhe në pamundësi për të parashikuar të ardhshmen, le të shohim si do të shpaloset procesi.

Armand Mero: Z. Moore, jam i kënaqur që Shqipëria nuk është në një kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara, por do doja të dija nga ju se ç’emër t’i vëmë deklaratave të Kryeministrit, si reagim ndaj thirrjes së Z. Arvizu për rikonstituimin e KQZ-së në seancën plenare. Z. Berisha praktikisht tha se askush nuk ka të drejtë të interpretojë ligjet e një vendi tjetër dhe askush nuk mund të bëhet gjykatës kushtetues, i lartë, apo i faktit, dhe meqenëse Z. Arvizu është prakikisht përfaqësues i Uashingtonit, a jua tha Z. Berisha edhe juve këto gjëra?

Jonathan Moore: Keni shumë të drejtë. Ambasadori është përfaqësuesi personal i Presidentit tonë. Ajo që thotë ai është në emër të Shteteve të Bashkuara dhe mbështetet nga të gjithë ne në Uashington. Ne si diplomatë, në vende të ndryshme të botës, dëgjojmë shumë gjëra të ndryshme nga politikanët në qeveri dhe në opozitë. Kemi përgjegjësinë të mbajmë marrëdhënie të mira mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. Ambasadori ynë po bën një punë të shkëlqyer në këtë drejtim. Ai dhe unë u takuam me Kryeministrin dhe të tjerë dje dhe Kryeministri e kupton qartë që Ambasadori ka mbështetjen tonë të plotë. Patëm një diskutim shumë gjithëpërfshirës mbi politikën e brendshme si edhe për çështje ndërkombëtare.

Henri Çili: A i keni kërkuar Kryeministrit shprehimisht të zëvendësojë katër anëtarët ekzistues të KQZ-së dhe ndoshta të kemi shtatë anëtarë të rinj, ndoshta më profesionalë dhe me më shumë autoritet sepse, në gjykimin tim, ata aktualë janë shumë anonimë dhe aksidentalë?

Jonathan Moore: Jo, nuk ia kemi bërë këtë kërkesë Kryeministrit. Siç e përmenda më parë, folëm me të dhe udhëheqësit e tjerë të partive lidhur me gjetjen e një rruge si zgjidhje. Nuk kemi një propozim specifik. Sigurisht që nuk kam sjellë një të tillë nga Uashingtoni.

Ilva Tare: Po i kthehem pyetjes së kolegut tim Z. Mero nga VOA lidhur me atë që tha Kryeministri se askush nuk mund të luajë rolin e gjykatësit, duke shtuar që jemi një vend demokratik, me një qeveri legjitime, një vend Sovran. Nëse zgjedhjet nuk janë të lira dhe të ndershme, a do kishte ndonjë pasojë për anëtarësinë e Shqipërisë në NATO?

Jonathan Moore: Çdo shqetësim se zgjedhjet mund të vidhen është shumë serioz. Prandaj, përsëris, ka një përpjekje kaq të gjithanshme vëzhgimi. Nuk kam dëgjuar nga udhëheqësit politikë në Shqipëri se zgjedhjet do të vidhen. Siç e përmenda më parë, kam dëgjuar shumë besim në fitoren në zgjedhje. Çfarëdo që të ndodhë, ne do të punojmë bashkë me Shqipërinë si partnere, nëpërmjet Ambasadorit tonë, nëpërmjet Ambasadës sonë. Por, më lejoni të jem i qartë, statusi i Shqipërisë në NATO nuk është askund në tryezë, nuk është pjesë e këtij procesi. Gjatë viteve të aleancës së themeluar në vitin 1949, një numër anëtarësh kanë pasur çështje të vogla ose më serioze. Kjo nuk ka ndikuar anëtarësinë e tyre. Por, më keni dhënë mundësinë të flas për rëndësinë e anëtarësimit në BE dhe rrugën drejt anëtarësimit në BE. Edhe BE, ashtu si ne, prêt zhvillim të mirë të zgjedhjeve këtu si dhe për marrjen e vendimeve të shumëvonuara nga parlamenti nesër. Është një kënaqësi të shoh të gjithë flamujt amerikanë nëpër Shqipëri kur udhëtoj, por teoria e shndërrimit të Shqipërisë në shtetin tonë të 51të për fat të keq nuk ka shumë gjasa. Ndaj, duhet të lëvizni drejt Europës për mundësi ekonomike, sociale e politike. Ky të paktën është një proces për të cilin duket se qeveria dhe opozita mund të arrijnë kompromis. Ndaj sigurisht shpresojmë që gjërat do të shkojnë ashtu siç më kanë thënë se do të shkojnë nesër në parlament.

Sokol Balla: Nëse mundem, një pyetje të fundit. Opinioni dëgjoi me interes një premtim të madh të Kryeministrit në këtë fushatë, nëse mund ta përkthej saktë në anglishte amerikane, që Shqipëria së shpejti do të jetë pjesë e Programit të Udhëtimit pa Viza në SHBA, çka do të thotë që shqiptarët së shpejti të udhëtojnë pa viza për në SHBA. Në fakt, e kemi tashmë një përgjigje nga Ambasadori, por dua të di nëse e konfirmoni atë që ka thënë ambasadori dhe se ky është – për ta perifrazuar – një proces i llojit ‘vazhdo ëndërro?”

Jonathan Moore: Ky do ishte perifrazim dhe jo citim i Ambasadës. Është një synim i mrekullueshëm, por kriteret janë larg përmbushjes. Nuk është çështje negociatash; është çështje e ligjit të miratuar nga Kongresi. Jemi shumë të kënaqur të mirëpresim shqiptarë çdo ditë në SHBA, por ajo që keni dëgjuar nga Ambasada për mundësinë që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt është 100% e saktë. Ju faleminderit shumë. Jam i sigurt që nuk ju dhashë të gjitha përgjigjet që kërkonit. Ka shumë njerëz që duan të bëjmë deklarata të forta e të marrim anë, dhe sigurisht, nuk e kemi këtë luks, por ju lutem të vazhdoni të qëndroni në kontakt me ambasadën dhe Ambasadorin, i cili flet në emrin tonë dhe faleminderit për mikpritjen që kam marrë në Shqipëri gjatë këtyre ditëve. Shpresoj të mos ndiheni se keni goditur ‘murin’ me kokë.

Sokol Balla: Mendoj se është radhë e gjatë.

Jonathan Moore: Ndoshta jam unë i vetmi që po përplas kokën në mur.

Sokol Balla: Kujdes se mund të citoheni.

Jonathan Moore: Ishte për citim. Faleminderit shumë.

Argumenta
Shfaq më shumë

komente për “Jonathan Moore u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve shqiptarë”

Na ndiq në Facebook

Close