Sqarime mbi çmimin “Ambasador i Kombit”

Çmimi "Ambasador i Kombit" dhënë nga Qeveria shqiptare është një titull nderi. Nëse dikush thotë apo premton që ai si Ambasador i Kombit mund të ndërhyjë këtu apo atje për çfarëdolloj problemi, po ju gënjen e duhet që ta senjaloni menjëherë!

Ambasador I Kombit

Para disa ditësh prita në zyrë një shqiptar që më kishte kërkuar takim urgjent. Një hallexhi me një problem penal që, siç ndodh rëndom, shkon tek avokati vetëm kur gjyqi është mbyllur e avokati nuk mund të bëjë më asgjë.

I shpjegova ato pak mundësi që i kishin ngelur, e i shpjegova që “Jo, nuk mund të korruptosh gjykatësin!” (gjëja e dytë që të pyesin klientët shqiptarë është sa para do gjykatësi që ta shpallë të pafajëshëm megjithëse ka njëzet dëshmitarë e pesë telekamera e ai vetë e ka firmosur që e ka kryer atë vepër. Gjëja e parë është “Ça ka bë mirë mirë si të shkojnë punët mirë mirë, mirë rrofsh, shiko…”)

Ajo që më bëri përshtypje ishte një frazë e tipit “Po tani me rolin që ke ti e me ambasadën e me këto si nuk mund të bësh diçka?” I kërkova që të më shpjegonte më mirë rolin tim e kush janë “këto” dhe arrita të kuptoja këtë: zotëria ishte i bindur që po fliste me ambasadorin shqiptar në Itali. Do ishte për të qeshur, sikur të mos ishte tragjike.

Zotëria kishte dëgjuar për dhënien e çmimeve që ka bërë para disa muajve Ministria e Diasporës dhe, në një farë mënyre, nuk e kishte kuptuar që bëhet fjalë për një çmim nderi, dhe jo për ndonjë funksion. Para se ta përçmoni, dua të them dy gjëra. E para: jo të gjithë bashkëkombësit tanë kanë njohuritë e duhura për të bërë dallimin. E dyta: emri i çmimit (Ambasador i Kombit) është i atillë që lë shumë vend për keqkuptime (vendimi )

Aq shumë keqkuptime saqë, edhe pasi i shpjegova të vërtetën, nuk besoj se ia mbusha mendjen. U largua duke tundur kokën e me një zhgënjim+trishtim+indinjim, e mendoj se me vete thoshte “Me rolin që ke, e bën ti e bën, por nuk do!”

Arsyeja pse po shkruaj këtë histori nuk është as për të tallur as për të mburrur as për të ku-e-di-unë. Jam i shqetësuar se ka shumë persona si ky zotëria, e ndonjëri nga ta edhe mund të gjejë një “Ambasador kombi” i cili nuk i bën të njëjtin sqarim që i bëra unë, dhe e merr në qafë.

Dua të sqaroj mirë për këdo: çmimi “Ambasador i Kombit” dhënë nga Qeveria shqiptare është një titull nderi, e nuk është detyrë as rol e as funksion. Personi që është nderuar me këtë njohje nuk ka asnjë lidhje me organet e qeverisë apo me organet diplomatike apo me këdo qoftë. Nëse ndokush që mban këtë çmim thotë apo premton që ai si Ambasador i Kombit mund të ndërhyjë këtu apo atje për çfarëdolloj problemi, po ju gënjen e duhet që ta sinjalizoni menjëherë!

Ju ftoj, kush ka mundësi, ta përhapë sa më shumë këtë mesazh.

E po i lejoj vetes, si përfundim, që të ftoj Ministrinë e Diasporës, Ministrinë e Punëve të Jashtime, Ambasadën shqiptare në Itali e Konsullatat shqiptare që, brenda mundësive, të sqarojnë me një komunikim zyrtar natyrën e këtij çmimi e, mbi të gjitha, të mos e nënvlerësojnë këtë problem.
Kaq pata, kaq thashë.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version