Sot, Shën Valentini. Po ti, ç’buqetë more?

Tirana u zgjua e dashuruar! Gëzuar Shën Valentinin

Me gjithë respektin për dashurinë e vërtetë, për frytet dhe ndjesitë e saj autentike, Shën Valentini sot – për një pjesë të mirë të shoqërisë – duhet të më bindë dikush që të më thotë pse nuk është ashtu siç e mendoj unë,d.m.th:

“Një festë tregtare  dhe një sfidë e hapur ndërmjet materiales dhe shpirtërores”

E kjo, kudo nëpër botë.

Ne natyrisht, fokusohemi për një çast në panoramën shqiptare.

Sot në mëngjes, çfarë më ndodhi-  do të pyesnit ju?

Më shkruan një mike nga Tirana – unë jetoj në Itali –  dhe pas përshëndetjeve cliché, më thotë:

“Sot nuk rrihet në zyrë!”

“Pse moj vajzë?”– e pyes.

“Po prej Shën Valentini-t”, – vazhdon ajo.

“Nuk të rrihet në punë në këtë ditë, do të doje të ishe pranë të dashurit tënd në këto momente?” – e ngacmoj.

“Po jo, – vijoi ajo – me të do të shihem natyrisht pas pune. Nuk është aty çështja. Por, nuk rrihet në punë, sepse nëpër mjediset e godinës ku punoj, korrierët e dyqaneve të luleve që po u sjellin lule që në mëngjes të gjitha femrave të zyrave të ndryshme, nga partnerët, bashkëshortët, të dashurit, kanë filluar lëvizjen dhe skrivanitë e femrave janë mbushur plot lule!”

Aty kuptova ndjesinë e saj.  E bashkëndava atë ndjesi pak si vilani.

E pra ajo vajzë që po më konfidonte këtë detaj, nuk është aspak e frustruar, siç mund të keqkuptojë dikush. Dashuria nuk i mungon. Ajo është e kompletuar dhe e realizuar në çdo drejtim. Ndaj reagimi i saj nuk i atribuohej ndonjë smire, mangësie apo inati.

Ajo, – si edhe unë – nuk arrinte të kuptonte “pse” kjo shtirje e ky sforcim kaq i kotë për aparencë, për t’u dukur me çdo kusht edhe në një ditë të tillë, kur ndjenja duhet të jetë super partes e ajo duhet të pretendojë që privatësia e saj të mbizotërojë.

Pse, lulet mbërritur pikërisht në zyrë?

Pse, ky “kompeticion” ndër kolege

Se cila ka marrë si dhuratë, buqetën më të bukur, më të kushtueshme apo më të rafinuar sot?

Nuk kanë shtëpi apo mjedise, kontekste më intime këto persona ku të shkëmbejnë lule, dhurata e çdo gjë që dëshirojnë ndërmjet tyre? Si sot, ashtu çdo ditë të jetës së tyre?

Jemi të sigurt se demonstrimi i buqetës së luleve apo dhuratave publikisht përforcon një ndjenjë, e ngre në piedistal atë?

Po ato persona që nëpërmjet rrjeteve sociale, si çift, shkëmbejnë urimet me njëri-tjetrin publikisht, nga profilet e tyre personale: “Gëzuar zemër!” , mendojnë vërtetë se në këtë mënyrë lartësojnë dashurinë e tyre?

Një mike tjetër m’u ankua në konfidencë – duke bërë shaka natyrisht – se bashkëshorti i saj ishte me  vonesë me lulet sot për të e ajo po vononte fotografinë e saj me lulet në instagram, aty ku buqetave që në mëngjes po u “bëhej apeli”.

Janë vëzhgime këto, shtysa për reflektime dhe nuk përbëjnë aspak paragjykime.

Kjo të jetë e qartë.

E ditur dhe e mirëqenë që çdo njeri bën ç’të dojë në jetën e tij por, ja që kur nuk preket sfera private e askujt në mënyrë direkte, pasi ti reagon dhe shpreh perceptimet e tua mbi demonstracione publike që ke vërejtur, apo ku ke asistuar, atëherë, të diskutohet mbi këto lloj sjelljesh, kjo kthehet shpesh në një detyrë sociale.

Unë i gëzohem nga një anë faktit që Shqipëria po feston shumë festa të reja pas demokracisë, festa që më parë nuk njiheshin në vend. Gëzohem që po përhapet edhe kultura e dhurimit të luleve në një vend, nga i cili në lidhje me këtë argument, mbajmë mend një batutë filmi: “Në Shqipëri, lulet i hanë gomerët!”, por, njëkohësisht mendoj se edhe kultura e dhurimit të luleve, për një shtresë të mirë të popullsisë në Shqipëri, është ende si një “gonxhe” e njomë trëndafili, e freskët, e brishtë e duhet kultivuar me kujdes që të çelë e shëndetshme dhe me aromën e këndshme që meriton apo pa të shkaktuar ndonjë “alergji” ose vilani.

Bashkë me kulturën e dhurimit të luleve, më e rëndësishmja është të kuptuarit e asaj që koncepti  i ndjenjës të jetë mbizotëruesi në të tilla raste, si ndaj një date në kalendar – e kryesisht femra të duhet e respektohet çdo ditë – e si ndaj çdo prirjeje për dhurata materiale.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version