Tiranë: nostalgjia e sheshit që u bë kodër

Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë dhe askush nuk ka të drejtë të me heqë të drejtën e nostalgjisë, memories dhe emocioneve të mia

Sheshi Skënderbe, Tiranë

Sipas fjalorit, termi “nostalgjik” vjen nga Greqia jonë fqinje dhe nënkupton mallin për dikë apo diçka.

Është pikëllim, keqardhje, melankoli, vuajtje që në raste të veçanta, të çon deri në patologji apo humbje të jetës.

Pra, të kesh nostalgji për diçka apo dikë është pjesë e psikës sonë e cila ka nevojë ta risjellë atë kohë, periudhë, moment. Pra, je i shëndetshëm. Si njerëzorë që jemi dhe sidomos kur pjekuria jonë është në atë fazë kulmorë kur kemi luksin edhe të bëjmë krahasimet emocionalo-kohore, mundemi të seleksionojmë periudhën tonë më të arta. Pra, në bazë të kësaj cka vetë fjalori ynë na e shpjegon, nostalgjikët janë ata që kanë lidhje të mirë me të shkuarën.

Cili është ai që nuk e ka këtë kujtesë personale dhe lidhje me të shkuarën e tij? Cili është ai që nuk i kthehet fotografive, filmimeve apo të vizitojë qoshet e tij magjike personale?

Ajo, na mbush me pozivitet, ajo na bën të jemi më të mirë, ajo na kujton ku dhe si gabuam duke na bërë më të mençur dhe këshillues të çmuar për të dashurit tanë.

Pse atëherë kur përdoret termi “nostalgjik” duket sikur shahemi?

Ne përpiqemi t’i largohemi të shkuarës dhe mendojmë se bëjmë mirë, por në fakt bëjmë keq sepse në  fund mbetemi të njëjtët, pavarësisht se koha ndryshon. Ne, duam të përshtasim nevojat tona dhe jo dëshirat tona. Dëshirat nuk mbarojnë kurrë dhe në fund përpiqemi vetëm të përmbushin nevojat. Fakti se më parë gjerat kanë qënë ashtu, është se kanë qenë më të thjeshta, ndërsa tani duke i komplikuar ato, thjesht i largohen nevojave duke iu afruar vetëm dëshirave që nuk na mbarojnë kurrë .

Kur jeta jote është e ndërtuar midis vendlindjes dhe atij të dytë pritës (Kanada, Itali, Amerikë, Gjermani etj etj), je shumë herë më vigjëlent dhe prek më shpejt ndryshimet e vendit të nd. “Ku jemi kë tu, po këtu?” Po, këtu jemi në qendër. Qendra pra, ajo që mori çmim .

Erion Veliaj së fundi ushqeu të gjitha mediat se Barcelona nderoi punë n e tij me çmimin e madh për Sheshin “Skënderbej” pasi u përzgjodh nga një juri profesionistesh ndërkombëtarë si hapësira më e mirë publike e urbane në Europë për vitin 2018, duke triumfuar mes 279 projekteve nga 32 vende në konkurrim.

Sulejman Pasha, KAPLLAN PASHE Toptani, Et’hem beu, nuk janë askund në projektin e këtij sheshi. Juria vlerësoi, shumë fare, kurajon e kryebashkiakut tonë që me kaq lehtësi mundi të transformojë gjithçka, (kalin nuk e hoqi se u duhet për vete dhe shefin) për t’u sjellë qytetarëve Tiranas dhe jo vetëm, gjithë këtë mrekulli arkitektoniko- urbaneske. Si mos të vlerësohet kjo çudi nga të huajt! Çfarë i lidh ata me këtë qytet? Rëndësi ka që mrekullia e të resë të eksperimentohet tek ne si vendi më eksperimentues i Europës.

Teksa je në shesh (që në fakt është kodër) dhe përpiqesh të orientohesh me pikën në të cilën ndodhesh, i krijon vetes më shumë kaos dhe pasiguri, (ndoshta dikujt edhe kënaqësi) përpiqesh të kuptosh ata të komisionit vendosës se shijet tona duhet të qasen ndryshe.

Jetojmë kohë ku arkitetura bën çudira dhe ne kërkokemi orientim në shtëpinë tonë. Ai të vlerëson me “çelësat e rinj” të shtëpisë, ndërsa ti bën nostalgjikun.

Ja, Barcelona, Roma, Parisi, Bukureshti,Varshava, Prishtina, Athina, Beogradi, asnjëra nuk pati mundësinë dhe kurajon e kryebashkiakut tonë djaloshar, që të realizonte ëndrrën e tij dhe kryeministrit artist, “Tiranën si Europa”. Madje Europa edhe pasi u bombardua gjatë luftës së dytë botërore, bëri rikonstruksionet e qyteteve të tyre, identike siç ishin para luftës.

Ndërsa ne, do rikonstruktokemi shtëpitë, puset, urat,rrugicat apo baret e dikurshme të Tironës. Asnjë rrugicë nuk do shefi i ri të jetë si ishte. Pse me vjetërsirat tona do mburremi ne? Ata, Europianët, s’kanë këllqe t’i bëjnë vetë dhe vlerësojnë mrekullinë kurajoze të kryebashkiakut tonë.

I bie qendrës që të shoh disa pika lidhjeje me Tiranën e sotme dhe më duket vetja si ai i verbëri që i duhet shkopi dhe krahu udhëzues.

Shoh mbetje të cilat po vdesin të asfiksuara nga gjigandët e frikshëm teksa i kanë gllabëruar ato pak copëza kujtimi.

Varrin e Kapllan Pashës e shoh të tjetërsuar mbi atë kuçedrën sipër, tashmë konvertuar në qendrën më të lakmuar vip-iste shqiptare dhe të huaj. Pak më tutje shtëpinë e Toptanëve, që në kohën e diktaturës mblidhte dashamirësit e arkeologjisë, sot pret ekzekutimin në terrin e asgjësë.

Vollga ka kohë e futur në kllapat e Torre Drinit, ndërsa hotel Dajti, aq i dëshiruar dhe enigmatik për grupmoshat e 80- vjeçarëve të sotëm, ka nisur rikonstruksionin “lifting”, të na vijë shumë herë më i bukur, ndoshta pasi të ribëhet do të mundet t’u rrëmbejë ndonjë tjetër çmim inkurajues komisionerëve të huaj, që Tiranës mos t’i mbesë asnjë copëz Tirane, e kokërr Tiransi bashkë me të. Por, ndërtesa në krah të teatrit (Kontrolli i Lartë i Shtetit), mu duk një mrekulli i rikonstuktuar, dikur klubi i ministrisë së brendëshme.

Pa e shijuar këtë pamje, ndeshem me një këpurdhë të re në sheshin e teatrit, quhet “bunker- muze”. Një bunker në muzeun e qendrës tiranase si memorje e periudhës me të zymtë të saj. Sa çudi!

Ishte rikonstruktuar edhe Shtëpia me Gjethe (e fuksave), ndërsa teatri lufton ende për mbijetesë.

Kot e ka, është luftë e humbur teksa shoh gjithë këto ndryshim-shkatërrimesh.

Pazari i Ri , mund të quhet shumçka, por vetëm pazar, jo. Pazari i ri, tashmë është transferuar tek rrugica e kishës katolike, informacion ky për të gjithë ata që mungojnë dhe kanë kuriozitet për zhvillimet galopante të Tiranës.

Tek zona e Lidhjes së shkrimtarëve, qëndrojnë ende edhe godina e Radio Tiranës së vjetër si dhe Hotel Internacional, tashmë të lëna në mëshirën e fatit, apo të bizneseve private.

Edhe këtu kaosi urbanistik të çorienton. Për të dalë tek Flora gabon në hyrje -dajlet e dikurshme pasi sot janë tjetërsuar.

Por ama, zhvillimi është i tillë. Quhet zhvi – dhim. Me u .. ashtuuu dmth.

Por meqënëse pa dashje jemi edhe te kjo temë delikate e vjetër e Tironës, nuk paskemi patur zhvi – dhime.

Banjot publike, vazhdojnë të jetë një problem i pashpresë për banorët që zgjedhin lokalet për të shpëtuar nga halli, megjithë se ato ishin nga ndërtimet e para në qytetin e sapo krijuar të Tironës së re.

Dikur, si qytet 300 mije banorësh, njerëzia orientohej me emrat e objekteve të rëndësishme. Te farmacia 10, 5, te ministria e Kulturës, Kinostudio, Lidhja e Shkrimtarëve, te Gjykata, ekspozita .. Sot, orientimet janë momentale, pasi Tirana është qytet në zhvi – dhimë. Por ka edhe ndërtesa që nuk kanë  pësuar lëvizje, Kryeministria për shembull, nuk ka ndërruar destinacion. Ndërsa pjesa më e madhe e institucioneve apo ndërtesave historike, kanë lëvizuar në çdo 4-5 vjeçar.

Çfarë çmimi do kishte marrë kryebashkiaku ynë nëse do rikonstruktonte qendrën e Tiranës ashtu siç ajo ishte në vitet më të bukura të saj?

Çfarë çmimi do ishte nëse Tiranës do i liheshin copëza rrugicash, dyqanesh, oaze të njëllojta me vitet x. Mençuria e tij do komentohej njësoj siç ne sot flasim për themeluesit e qytetit tonë jo shumë vjeçar, por shumë paqësorë, mikëpritës, pastërtorë, artistë.

Si ka mundësi që asnjë nga emrat themelues të Tiranës nuk rrëmbeu metrat katrorë të qendrës për t’u kthyer tashmë jo në pedonale që vetëm hahet qofte e pihet birrë. Emri i tij që e dashka kaq shumë, do të rikomentohej kaq gjatë, saqë ato xhepat e mbushur sot, nuk afrohen me atë çka do t’i vinte nesër kur do të organizonte turizmin. Edhe turistët, nuk do jenë kaq të çorjentuar teksa shohin vetëm xhaminë dhe rrotull saj, lugetër të ftohtë. Ata nuk vijnë në Shqipëri për këto, por për atë, autentiken shqiptaren.

Pse nuk u risoll një nga baret e vjetra legjendë të kohës ku ende emrat e tyre i shohim në të gjitha foto-kujtimet e qytetit. Kursali, Imperiali, Bristoni, Crimea.

Pse nuk e risollën Pazarin ashtu sic ishte, në  stilin e vjetër, ku fshatarët të shisnin qetësisht me çmime të përballueshme për ta, e jo sic është sot, e mbushur me kafene, restorante peshku apo tenda hekuri pa asnjë lidhje me stilin fillestar?

Pse qiraja është kaq e lartë për tregtarët fshatarë sa i detyron largim e braktisje të produktit aq të kërkuar për tiranasit?

Pse nuk i ndërton lugetët e lartë të biznesit në pjesët e reja të qytetit duke mundësuar zhvillim edhe aty. Dikur dhe sot është “Tirana e re”, sa lagje të reja presin të krijohen me studime dhe eksperimente urbanistike pse jo?

Unë nuk jam as arkitekte, as këshilltare, as juriste, as historiane. Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë dhe ti nuk ke të drejtë të me heqësh të drejtën e nostalgjisë, memories dhe emocioneve të mia që ma fal vetëm kontakti me të shkuarën time. Nëse nostalgjike konsiderohet sharje, po, e tillë jam!

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version