Kur lajmet negative nga dy brigjet e Adriatikut na shqetësojnë

Si influencojnë lajmet negative në media mbi shëndetin mendor të publikut

Lajme Negative Shqip

E keni parasysh një rubinet uji që nuk funksionon e nuk mbyllet mirë? Uji pikon prej tij në vazhdim, pa u ndalur e me një “pikë-pikë”, një tingëllimë onomatopeike të bezdishme e acaruese kur ai bie mbi lavaman, saqë kthehet në një zhurmë të rëndomtë e stresuese.

Po ashtu rrjedhin lajmet negative nga rubineti i mass media-s.

Disa janë lajme autentike e objektive, disa janë thjesht të hartuara në tryezë, “bombastike” e sensacionale, disa të kuruara në detaje, serioze, disa pa filtra e pa profesionalizëm, disa fake news që jo gjithkush i kupton, madje statistika tregojnë që një përqindje e lartë popullsie nuk di të dallojë një lajm real e serioz nga një fake news. Disa janë gossip, disa, abuzime me trajtimin e personave të përfshirë në kronikë e shkelje flagrante privatësie.

Disa, lidhur me komentimin amatorial e pasional të politikës.

Politikanët, ata vetë duke ofruar shpeshherë “show negativ gratis” apo violencë verbale absurde.

“Teatër Hijesh”: Lajme, shpesh të inskenuara

Ku, objekti që krijon figurën, e cila do të shërbejë më pas për projektimin në sfond, është diçka shumë e reduktuar, minimale.

Ama, projektimi i hijes së tij shfaqet si gjigant, në mënyrë të hiperbolizuar e eksponenciale.

Ka kohë që publiku i mass media-s bombardohet nga lajme negative por, thjesht kohët e fundit ato janë shumëfishuar në mënyrë globale dhe, në një rreth më të ngushtë, marrim në konsideratë dy shtetet, nga një breg i Adriatikut, në tjetrin, Shqipërinë dhe Italinë.

Me “marrje në konsideratë” të situatës së kohëve të fundit nën aspektin politik, social, ekonomik, financiar, kulturor e në çdo fushë të jetës për të dyja shtetet, është e kuptueshme që kjo hapësirë nuk do të mjaftonte, do të ishte e tepruar madje, që kjo hapësirë elektronike të rezultonte si “e mjaftueshme” pasi, këto argumente të gjera trajtohen në instanca të tjera të përshtatshme.

Gjithsesi mundohemi që në mënyrë koncize të shprehim thelbin e çështjes.

Janë shtuar lajmet negative në mënyrë eksponenciale, jo vetëm prej proporcjonit të drejtë të rritjes së burimeve të komunikimit nëpërmjet platformave e mediave online, por shtuar thjesht numerikisht në mënyrë efektive, sepse fatkeqësisht ato ngjarje kronike kanë ndodhur në realitet.

Në të dyja shtetet përkatëse, Itali- Shqipëri, ndonëse kemi përpjesëtime të ndryshme në raportin sipërfaqe vendi – sasi popullsie – sasi krimesh, përmendim:

Fatkeqësi natyrore nga një anë, nga ana tjetër kronikë e zezë: krime në familje, krime në shoqëri, hakmarrje apo larje llogarish në krimin e organizuar, dhunë ndaj femrave, grabitje, bulizëm ndaj adoleshentësh apo bulizëm ndaj të rriturish, racizëm, abuzime ndaj pozicionit social dhe detyrës, pakënaqësi për papunësinë masive, pakënaqësi dhe mosbesim ndaj pushtetarëve, meritokraci e brishtë, antivlera mbi vlerat, braktisje foshnjesh, pedofili, skandale seksuale edhe në një institucion si Kisha – abuzime ndaj murgeshave nga priftërinjtë apo ndaj të miturish – violencë shumë dimensionale fatkeqësisht …

Mosbesim në sisteme vlerësimi me nota apo me vota, qoftë në auditorë apo edhe nëpër kompeticione artistike, si “Festivali i vrerit“, Sanremo 2019 në Itali, ku u ndërthurën shumë elemente e u instrumentalizua fituesi me origjinë egjiptiane, duke prodhuar inate, racizëm e polemika, duke mbytur protagonisten e vërtetë, muzikën.

Nga një anë, është e vërtetë që duhet të jemi objektivë e të përcjellim lajmet me objektivitet, pa imponuar mendimin vetjak si media dhe pa influencuar publikun.

Të paktën ky është një ndër parimet bazë të gazetarisë.

Nga ana tjetër, nuk është as nevoja për “Panem et circenses”.
Por, njëkohësisht dëgjohen shumë ankesa nga një publik i lodhur nga ana emocionale e nervore:

“Nuk guxojmë të ndezim Tv e të shohim lajmet, se bombardohemi nga lajme negative…!”

E problemi sot është që në mënyrë paralele, “televizioni struket brenda edhe në mediat online“, si në kukullat Matrioska që çmontohen një e nga një, lajmet televizive komentohen në kohë reale në rrjetet sociale, duke shumëfishuar në mënyrë marramendëse përhapjen dhe interpretimin subjektiv të një lajmi, i cili plazmohet sipas shumë faktorëve që përbëjnë brumosjen e ndjekësit të lajmit.

Giorgio Maria Bressa, psikiatër në Romë dhe docent Psikobiologjie të Sjelljes pranë Universitetit Pontificio Ateneo Salesiano di Viterbo, cilëson (në gazetën “La Stampa”):

Ekspozimi mediatik mbërrin në tru dhe e shtyn personin për të mbajtur kryesisht dy lloj qendrimesh: Njëri, qendrim indiferent, shoqëruar me humbje të empatisë dhe dhimbshmërisë, një metodë kjo, tipike vetëmbrojtjeje, për të ruajtur ekuilibrin e përcillet nëpërmjet një mekanizmi distancimi, dhe një tjetër, i cili i thith negativitetet, duke zhvilluar ankth, pasiguri, depresion e deri në sulme paniku.

Shpresojmë në një ekuilibër sa më të shpejtë dhe efektiv të kësaj situate.

Përcjellja e një lajmi negativ në media, natyrisht si hap të parë, në mënyrë paraprake, uron që në terren ato të vijnë duke u dimensionuar, të pakësohen gjithnjë.

E së dyti, shpresojmë që të arrijmë të paktën, të meritojmë edhe media serioze. Besoj se ky nuk është fundja, një pretendim i pabazë.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version