Në kujtim të tragjedisë së Gërdecit

Gerdec Shqiperi

Sot kujtojmë me dhimbje të madhe ngjarjen më tragjike qe i ndodhi popullit shqiptar pas krizës së vitit 1997, ku nga shpërthimi i një punishteje kriminale – e cila në kundërshtim me çdo rregull të sigurimit teknik manipulonte municion ushtarak e lëndë plasëse

26  punëtorë e banorë të pafajshëm të Gërdecit midis të cileve gra dhe fëmijë humbën jetën, u plagosën apo u gjymtuan mbi 300 të tjerë dhe u dëmtuan me dhjetra shtëpi e objekte biznesi.

Ndërsa të afërmit e viktimave kujtojnë sot si çdo ditë të jetës së tyre me dhimbje në zemër e lot në faqe të dashurit e tyre të cilët provuan punën si skllever dhe në fund një vdekje apokaliptike, dita e sotme duhet të jetë një ditë reflektimi për mbare shoqërinë tonë që nuk parandaluam një tragjedi të tillë, për sistemin gjyqësor që e mbylli këtë tragjedi si “aksident teknologjik” duke  dhënë dënime minimale dhe vetëm për disa aparatçikë të dorës së fundit, ndërkohë që ideatorët dhe urdhëruesit e ndërtimit të punishtes së vdekjes as që u pyetën edhe si deshmitarë nga organet e drejtësisë, e jo më të dënohen si autorë për tragjedinë.

Sistemi i industrisë ushtarake dispononte me dhjetra uzina ushtarake, e kryesisht uzinën moderne kimike të Elbasanit për të bërë demontimin e municioneve luftarake, por qeveria e asaj kohe autorizoi ndërtimin e një punishte primitive në duart e një privati pikërisht për të vjedhur e ndarë me privatin qindra milionë dollarë të pasurisë së përbashkët ushtarake!

Fatkeqësisht, në këtë histori skandaloze korrupsioni u gjetën të përfshirë edhe qytetarë  amerikanë apo shqiptaro amerikanë si i ndjeri Trebicka që gjeti vdekjen në një “aksident automobilistik”

Por ndërsa amerikanët çuan prapa hekurave personat përgjegjës dhe madje prodhuan edhe nje film , “War Dogs” për të fiksuar e demaskuar këtë aferë të madhe korruptive, në Shqipëri peshqit e mëdhenj të korrupsionit, autorët e vërtetë të tragjedisë dhe të vjedhjes jane akoma të lire, duke gëzuar paratë e vjedhura nga pasuria e përbashkët dhe të pergjakura nga gjaku i 26 burrave, fëmijëve dhe grave qe humbën jetën në këtë tragjedi.

Sot është dita gjithashtu për t’i kujtuar qeverisë aktuale për premtimin e saj të pambajtur për nxjerrjen para drejtësisë autorët e vërtetë. Jo vetëm që autorët e tragjedisë gëzojnë të lirë fitimet kriminale, por në një farë mënyre qeveria ka hapur rrugën e pastrimit të parave kriminale përmes lejeve të ndertimit akorduar kompanisë së Gërdecit.

Albania News, duke përkujtuar të 26 jetët e humbura në tragjedinë e Gërdecit, njëkohësisht shpreson dhe beson se sistemi i ri i drejtësisë në Shqipëri do ta rihapë dosjen e tragjedisë se Gërdecit duke vënë nën  akuzë dhe denuar autorët e vërtetë , që do të ishte një lehtësim sado i vogël edhe për të afërmit e 26 viktimave.

Shih videon

Esplosione a Gërdec, 15 marzo 2008

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version