Them se Tirana zotëron një “traktat” të vetin të mirëfilltë të kafesë!
Një të tillë që, edhe dikush si Balzac-u do t’ia kishte zili e do të konkurronte traktatin e tij origjinal mbi pijen eksituese.
Kur isha në Tiranë muajin që kaloi, siç pata hedhur nja dy rreshta edhe që andej në ‘kohë reale’, e pata fjalën për vëzhgimin ndaj “Istitucionit Bar”.
Bar-et në Tiranë, një institucion më vete!
Për mua sidomos që, kur shkoj në Tiranë, kam dëshirë të lëviz kryesisht në këmbë, natyrisht, duke shëtitur lagjen time dhe qendrën dy hapa larg saj – se Tirana është e madhe e kuptohet që në këmbë, e gjitha nuk mund të xhirohet – atëherë, ndër një etapë a një tjetër të rrugës, normale që do të ndalesh jo në një bar por, në disa bar-e.
I gjen madje në çdo orë, të gjithë plot baret.
Në mëngjes, më dukeshin sikur kishin fjetur në bar ata njerëz, aq sa ti, që uleshe në lokal ndoshta me sytë ende të fryrë tipikë të zgjimit, i gjeje aty të tjerët që ishin në kulmin e bisedave, të zhdërvjellët në diskutime ndër një kafe, një salep, një kapuçino etj. Në shtëpi “të tyre”!
Në mesditë, baret sërish plot. Më bënte përshtypje mua, emigrantes që jam mësuar me kafe të shpejta, në këmbë pranë banakut gjatë javës – me përjashtim të ndonjë rasti në fundjavë, kur zakonisht rri me kohë më të gjatë në bar me miq apo të afërm – që aty, njerëzit rrinin me orë të tëra ulur, madje vetëm me një shishe ujë në tavolinë, edhe pa kafe! Ja edhe ujë me nja dy feta limoni…
Këto i vura re si gjërat më të thjeshta e që më bënë përshtypje, se natyrisht produktet e bareve dhe preferencat e njerëzve janë të shumëllojshme.
Në mesditë zakonisht vinin zyrtarët, për të famshmet “kafe pune”.
Ata, zyrën e tyre “lëvizëse” e merrnin me vete në bar: Pc me vete, dosje e dokumenta, tavolina e barit kthehej në skrivaninë e tyre të punës, një shtrëngim dore e një bashkëbisedim me të interesuarin që u kishte lënë takim, ndër një gllënkë kafeje e një tjetër, një firmë nga bashkëbiseduesi/klienti i çështjes mbi dokumenta, një shtrëngim tjetër dore dhe “kafeja e punës” konkludohej.
Në këtë mënyrë, “zyra lëvizëse” merrte rrugëtimin e kthimit e transferohej në godinën përkatëse të firmës.
Mua, me gjithë kënaqësinë e të ndodhurit në ato momente në vendlindje – si emigrante që jam – me kënaqësinë e natyrshme të konsumimit të një kafeje me miq apo të afërm në Tiranë, në një bar të radhës, më dukej sikur, në momentin që më “skadonte orari” im i zakonshëm i qendrimit në bar siç jam mësuar në të përditshmen time në Italinë e Veriut, sikur poltronat luksoze e elegante të atyre bareve që vështirë se i gjen objektivisht në Itali – t’i japim Cezarit çka i takon, Tirana ka lokale të mrekullueshme për nga aspekti e shërbimi – sikur ato poltrona pra, po nisnin të më thumbonin nga pak e më duhej të çohesha. Nuk mund të rrija më ulur aty për më gjatë! E pakonceptueshme për mua, ndonëse isha aty për pushime, të humbja aq kohë nga e imja në bar!
Megjithë elegancën e barit, shërbimin, me gjithë teprinë më duhet të pohoj, – deri në bezdisje – të shoqërimit deri te dera në ndonjë lokal të përcaktuar, nga baristët.
D.m.th më dukej sikur, lista e kafeve aq të shumëllojshme që janë në Itali, si:
“Un caffè normale. Un caffè macchiato caldo. Un caffè macchiato freddo. Un caffè macchiato freddo con latte scremato. Un caffè macchiato caldo con latte scremato. Un caffè schiumato. Un caffè marocchino. Un caffè decaffeinato. Un caffè corretto. Un caffè d’orzo in tazza piccola. Un caffè d’orzo in tazza grande. Un caffè al ginseng. Un caffè doppio. Un caffè lungo. Un caffè ristretto.Un caffè freddo. Un caffè con panna. Un caffè salentino, o con ghiaccio. e gourmet. Un caffè shakerato. Un cappuccino. Un cappuccino chiaro. Un cappuccino scuro. Un cappuccino al vetro. Un cappuccino decaffeinato. Un cappuccino con il latte scremato. Un cappuccino secco. Un cappuccino con caffè caldo e latte freddo. Un cappuccino con cacao. Latte macchiato. Latte freddo macchiato caldo. Caffè e latte. Caffè e latte con caffè freddo e latte freddo. Caffè latte con caffè caldo e latte freddo.” ,
sikur kjo listë pra, në mënyrë analoge, në Tiranë të përmbante përshkrimet në fjalorin urban të Kafesë, të tipit:
“Kafe pune. Kafe qejfi. Kafe zyrtare. Kafe formale. Kafe informale. Kafe thashethemesh. Kafe komplotesh. Kafe kontratash. Kafe çmalljeje. Kafe urimi. Kafe ngushëllimi. Kafe inkurajimi. Kafe kërcënimi. Kafe aktrimi/fiction. Kafe shkuesie. Kafe fejese/martese. Kafe divorci.”
Etj… Lista vazhdon.
Me pak fjalë, laboratori njerëzor në Tiranë, nëpërmjet llojeve të kafeve që konsumonte e kohës së qendrimit në bare, më dukej sikur pikërisht aty bazonte eksperimentimet e tij sociale, me lëndë të parë, dy elementë:
“Një njeri dhe një kafe!” Nga “përzierja” e këtyre dy elementeve, në dukje një mix pa rëndësi e sipërfaqësor, më dukej sikur indikatori antropologjik i shoqërisë kryeqytetase, numëronte aq fate njerëzore, sa kokrra kafeje mund të përmbajnë thasët plot nga kjo bimë që vijnë nga plantacionet përkatëse.
Secili thes, me karakteristikat e aromat autentike.
E si rrjedhim, me shijet, efektet e pasojat e veta:
të ëmbla apo të hidhura, për dikë eksituese apo për dikë, qetësuese, për dikë zgjidhëse problemesh, pije ëngjëllore, për dikë tjetër, “pije e vërtetë e Djallit”…