“Childfree” sot në Shqipëri. Zgjedhje, nevojë apo kushtëzim?

Të jesh apo të mos jesh nënë në Shqipëri. Thjesht kjo mëdyshje/dilemë, a konceptohet si "zgjedhje" në Shqipëri?

“Të jesh apo të mos jesh nënë në Shqipëri. Thjesht kjo mëdyshje/dilemë, a konceptohet si “zgjedhje” në Shqipëri?”

Apo si “zgjedhje”, është e pamendueshme që të konsiderohet dhe mendohet se ky është një faktor i kondicionuar vetëm nga probleme biologjike trupore të çiftit…?

D.m.th, nëse nuk bën fëmijë, ti “nuk mundesh, ke probleme biologjike por, jo se e ke zgjedhur vetë të mos bëhesh nënë (apo tjetri, si baba)…”

Qëllova krejt rastësisht e pranishme në një debat me tone fort të ndezura madje, ndërmjet dy femrash shqiptare.

Ato janë nënë e bijë, kishin ardhur si turiste këtu në Itali por, jetojnë në Shqipëri.

Nëna rreth të 60-ave, e bija rreth të 40-ave si moshë.

Vajza është e realizuar nga ana sentimentale dhe profesionale.

Ajo bashkëjeton me një moshatar e koleg të vetin, ka një post të mirë në karrierë por, çështja që ndërmjet tyre ndezi shkëndijën e debatit nënë/bijë, është zgjedhja e vajzës pikërisht për të mos pasur fëmijë, për të mos u bërë nënë, ata janë një çift, i ashtuquajtur “childfree”.

Për mamanë e vajzës, kjo gjë është diçka që, vura re, ajo nuk e kapërdin dot!

Vërejta një përplasje të fortë brezash.

Nuk arrinin të kuptoheshin dot nënë e bijë mbi këtë zgjedhje të vajzës.

“Më dhuro një nip apo mbesë! E rris unë…!-  insistonte e ëma e saj.

“Nuk bëhet fjalë, kot e ke!”- i thoshte e bija.

“Kam arsyet e mia, një fëmijë më kushtëzon jetën, edhe karrierën! Një fëmijë sot kushton, madje fëmija më tej, nuk i dihet a i përmbush pritshmëritë e mia!

Në moshë të rritur, nuk është e thënë as që fëmija të më japë veç sodisfaksione, ai mund t’i hapë edhe probleme familjes!”

E vajza vazhdonte me një listë të tërë argumentimesh mbi zgjedhjen e saj, gjë që e ëma ia konsideronte vetëm pasiguri dhe egoizëm.

“Në kohën tonë, këtu në Shqipëri- vijonte e ëma – nëse vajza nuk martohej e re dhe deri brenda moshës 25 vjeç maksimumi, nuk bëhej nënë, fillonin pëshpëritjet…!”- thoshte gruaja 60 vjeçare.

Një konflikt gjeneracional ai i tyre mbi këtë temë, që për tonet që mori, më bëri përshtypje shumë.
E ëma e vajzës, e bënte këtë të fundit sikur të ndihej në faj për këtë zgjedhje.

“Edhe probleme biologjike të kishit si çift, do t’ju  thosha ta adoptonit një fëmijë!”- insistonte gruaja…

“Shumë shoqe të tuat madje, ndonëse bashkëjetojnë e nuk janë martuar, fëmijët i kanë bërë!” – e i përmendte shembuj me emra…

Përtej invadencës – deri diku, të kuptueshme – që ajo grua aplikonte ndaj vajzës së vet, e cila, kjo e fundit, as e re fare në moshë nuk ishte, sepse 40 vjeçare fundja, gjëja që më shqetësoi veçanërisht, qe hendeku i konceptimit të një teme kaq të rëndësishme nga vetë brezi femëror shqiptar “nënë – bijë”, sot përkatësisht femra të pjekura 60 dhe 40 vjeçare.

Shoqëria shqiptare, qoftë edhe për këtë argument, si edhe për shumë të tjerë, gjendet aktualisht në një fazë të brishtë, vulnerabël.

Argumenti në fjalë, sot në Shqipëri përbën ende një “thembër Akili”?

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version