Kombi, pasaporta, shtetësia

Në lidhje me propozimin e kryeministrit për dhënien e shtetësisë shqiptare të gjithë atyre që kanë kombësi ose orgjinë shqiptare

Shtetësi shqiptare për të tërë.

Këto ditë, edhe pse nuk mund ta quajmë një nga prioritetet e shoqërisë shqiptare, po flitet shumë në arenën publike për propozimin e kryeministrit në lidhje me dhënien e shtetësisë shqiptare, të gjithë atyre që kanë kombësi ose orgjinë shqiptare. Në këtë përkufizim futen të gjithë shqipfolësit që banojnë në shtetet fqinje ballkanike (Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, etj).

Kjo lëvizje ka si qëllim shprehjen e patriotizmit dhe një ide gjithëpërfshirëse të bashkimit pashaportizues së shqiptarëve. Sa e realizueshme mund të jetë dhe çfarë pasojash mund të ketë një aplikim i mundshëm, është e gjitha për tu treguar.

Aktualisht ligji për dhënien e shtetësisë shqiptare parshikon që i huaji (i nënkuptuar si dikush që ka një pasaportë të një shteti tjetër) duhet të tregojë një farë qëndrueshmërie efektive banimi në Shqipëri (për këtë arsye i kërkohet të dëshmojë punën, të ardhurat, dhe vendbanimin më një kontratë qeraje ose blerje të regjistruar).

Mund të themi se legjislacioni aktual është mjaftueshëm i lirë që një jo shtetas brenda një kohe relativisht të shkurtër të ketë mundësi aksesi në shtetësinë shqiptare. Vetë Republika e Kosovës ka një ligj për shtetësinë shumë të ngjashëm me atë shqiptar.

Si Shqipëria dhe Kosova (dy shtetet kryesore në mendici e këtij propozimi kryeministror) kanë një pjesë të madhe të popullsisë së tyre që jeton në emigracion dhe tashmë jemi në pikën që shumë prej tyre kanë një pasaportë të dyfishtë. Betejat kryesore për të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Europë kryesisht janë fokusuar gjithnjë në lehtësimin e marjes së shtetësisë së vendit ku këta emigrantë jetojnë e punojnë.
Në mënyrë të vazhdueshme dhe kostante është ndjekur parimi se pas një periudhe kohore të gjatë (shumë shtete Europiane e kanë 10 vjet, dyfishin e Shqipërisë) është e drejtë që të mund të jesh shtetas me të drejta të plota të vendit ku paguan taksa. Kjo ndodh, sepse shtetësia nënkupton pjesëmarje aktive (duke u kandiduar) dhe pasive (duke votuar) në jetën politike të vendit ku jeton dhe në vendosjen e atyre që do administrojnë ato taksa që ti paguan atje ku jeton.

Në Itali për shembull parashikohet që të marin shtetësinë në mënyrë shumë të lehtë, ata që tregojnë se kanë një prejardhje italiane (deri te stërgjyshi edhe me tutje) edhe pse jetojnë në vende të tjera e jo në Itali. Ndërkohë u tejzagjatet koha për shtetësi italiane të huajve me banim të rregullt në Itali (ku shqiptarët përfaqësohen me më shumë se 500 mijë individë) dhe që paguajnë taksat atje dhe kontribuojnë në rritjen e pasurisë së vetë Italisë.

Debati që komuniteti shqiptar i gjithi, por edhe pjesa dërmuese e opinionit publik italian mbështet, është se nuk ka më kuptim tashmë që të bëhën shtetas njerëz që nuk kanë lidhje aktuale me Italinë, por vetëm lidhje “gjaku”, por duhet të kalojmë te e drejta për të pasur shtetësi e personave që banojnë prej kohësh në Itali edhe pse jo italian. Pra po përpiqemi të kalojmë nga ius sanguini në ius soli.

Shtetësia, përveç patriotizmit, pajis atë që e mbart edhe më një sërë të drejtash e detyrimesh. Në radhë të parë, duke presupozuar që mund t’ua japim edhe atyre që janë me kombësi shqiptare në territorin e gadishullit ballkanik, u jep të drejtën e pjesëmarjes në jetën politike shqiptare, përveç se në atë të vendit të tyre aktual. Që të ndodhi kjo, duke qenë se nuk është e mundur që të gjithë të banojnë në Shqipëri, do na duhet që të modifikojmë ligjin zgjedhor, duke mundësuar votën e shqiptarëve jashtë shtetit (pasi me gjithë qëllimet e mira, edhe Kosova quhet jashtë shtetit), dhe do na duhet të vendosim se sa përfaqësim do u japim në parlamentin shqiptar.

Lind natyrshëm pyetja: Nëse nuk kemi qenë në gjendje të administrojmë proçeset zgjedhore në Shqipëri (me 2 milion e kusur popullsi), dhe nuk kemi bërë asnjëherë të mundur votën e emigrantëve shqiptarë në vendet ku jetojnë e punojnë nëpër botë, dhe nga na nisin qindra miliona euro çdo vit, si do arrijmë të organizojmë këtë kontigjent të ri me vota potenciale?

Pse ndodh që individët kërkojnë të marin një shtetësi tjetër? Në pjesën dërmues të rasteve, individët kërkojnë të jenë shtetas të një vendi, shtetësia e të cilit të ndihmon në një drejtim të caktuar (ka shumë që pajisen me një shtetësi tjetër për arsye fiskale, për arsye lehtësi udhëtimi, etj etj). Përveç patriotizmit (që deri tani nuk ka orientuar ndonjë boom kërkesash për shtetësi shqiptare), çfarë avantazhesh të jep të qenit shqiptar?

Aktualisht, mund të lëvizim pa viza drejt BE-së, dhe në mënyrë shumë të pafajshme dhe të sinqertë, shumica e atyre që intervistohen në Kosovë gjatë këtyre ditëve, të thonë “E duam pasaportën shqiptare sepse në këtë mënyre mund të lëvizim pa viza në BE”. Në vetvete kjo nuk përbën një faj, sepse është në natyrën e njeriut që të kërkojë gjithnjë një përmirësim të kushteve të jetës së tij. Nëse një shtet që sapo ka përfituar, pas 20 vjet poshtërimesh radhëve të ambasadave, mundësinë e lëvizjes së lirë në BE, fillon dhe pajis qindra mijëra shtetas të një shteti tjetër me pasaporta, si do të lexohet nga Bashkimi Europian, ku ne me shumë zell duam të bëjmë pjesë? Do të lexohej pak a shumë si një adoleshent që në momentin që ti e përpiqesh ta përgjegjësosh duke i lënë çelsat e një shtëpie, ky çdo natë organizon brenda një party, deri sa i rrituri i radhës i mer çelsat e shtëpisë sërish, dhe e vë prapë nën kontroll.

Një shembull negativ në këtë fushë është Bullgaria. Në 2010 plasi një skandal, me arrestime në nivele funksionarësh të Ministrisë së Brendshme, pasi për 15 mijë euro (duke shpikur çertifikate rreth orgjinës bullgare) arrinin të pajiseshin me pasaporta “lehtësisht” lloj lloj individësh të dyshimtë nga gjithë Europa jo pjesë e BE-së.

Rritmi i këtij fenomeni arrit në 30 mijë pasaporta të reja çdo vit. Kjo i kushtoi Bullgarisë një “tërheqje veshi” nga ana e Istitucioneve të BE-së, dhe po i kushton akoma sot e kësaj dite mos hyrjen në zonën Shengen, pra në një farë mënyre është anëtare e BE-së, por më pak anëtare se të tjerët.

Ndoshta edhe për ne, është momenti që të fillojmë e të marim shembujt pozitiv nga BE, dhe mos të afrohemi më shumë nga ç’na takon me ato vende të cilat edhe pse në BE, shihen si dele të zeza. Vizitat e fundit në nivel të lartë i kemi pasur nga Hungaria, kryeministrin e të cilit, përpiqen ta evitojnë shumë nga liderët europianë, pikërisht për pozicion demagogjike, populiste dhe nacionaliste.

Patriotizmi i vërtetë ndoshta do ishte përshpejtimi i reformave, garantimi i shtetit të së drejtës, rritja e barazisë sociale, vëmendja kostatnte ndaj borxhit publik, garancia e zgjedhjeve të ardhshme e kështu me radhë, për tu treguar në radhë të parë qytetarëve e taksapaguesve shqiptare,dhe njëkohësisht edhe partnerëve ndërkombëtar, se kemi ndër mend të bëjmë shtet. Nëse pastaj duhet të vazhdojmë në garën se kush prodhon diversivin më të lezetshëm për heqjen e vëmendjes nga problemet reale dhe serioze, jemi në rrugën e duhur.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version