Tiranë, vajtje-ardhje

Kam qënë në Tiranë vetëm pak ditë më parë. Është per t’u shprehur me habi një rrëfim kaq i thjeshtë? Po!

Mundohemi t’i kalojmë momentet që i cilësojmë si më të veçantat me njerëzit më të afërt që jo rrallëherë ndodh të jenë fizikisht më të largëtit, e kështu gjendemi në trajektoren e zhvendosjes drejt tyre me mjetet që teknologjia na mundëson.

Mes anullime fluturimesh e shtyerje oraresh, mendoj se një gjë e ngjashme mund të më kishte ndodhur edhe po të kisha zgjedhur një kompani ajrore jo shqiptare, edhe po të kisha zgjedhur si destinacion një vend të ndryshëm nga Tirana.

Në aeroport mësoj se 15 minutëshi free of charge (koha në të cilën makina qëndron në parkim pa pagesë) është ulur në 7; më saktë akoma, në 6 sepse minuta e 7-të të fut fashën e parë të pagesës. Mjafton malli i shuar nga përqafimet e mendimi se udhëtimi ka shkuar mirë, për të mos e menduar shumë gjatë estremin 7-të.

Faqja zyrtare e aeroportit Nënë Tereza, i sistemuar këndshëm (kryesisht me investime te huaja), është tërësisht në anglisht. Natyrisht, kjo është ndihmëse e madhe për themeluesit, drejtuesit e vizitorët e huaj, por ndoshta më pak per popullsinë shqiptare që si gjuhë zyrtare ka ende shqipen. Me shume gjasa, sot një shqiptar, një të afërm apo mik qe flet anglisht e gjen lehtësisht, por me gjithë simpatinë për gjuhën angleze, mendoj se prezantimi i aeroportit shqiptar nuk duhet të jetë vetëm në gjuhë të huaj.

Trafik tek i drejtohem rrethrrotullimit në hyrje të Tiranës. Për fat të mirë, gjërësia e rrugës mundëson qëndrimin në gjashtëshe, përndryshe, mendoj se gjithsesi shoferat shqiptarë do kishin shpikur parakalime ajrore. Këndi optik perpara meje kap shtatë Benza. Në anë të rrugës një grua plakë shet fara të zeza. Shumë trafik që krijon kaos, shumë mushkëri që ngarkohen me ajër të ndotur, shumë bori që bien në vesh të shurdhër! Një tjetër rrethrrotullim që nuk ndihmon!

Nga xhamat e makinës njihem me ato ndryshime që s’kam mundur t’i jetoj nga afër. Kam humbur ndërtesat e reja, por për fat mund të shikoj ato në ndërtim e sipër. Kam humbur sysh për shumë kohë policin që kontrollon trafikun tek pallati me shigjeta (i quajtur kështu për shkak të fantazisë mbi muret e tij) dhe..ja tek e gjej duke qëndruar poshtë një peme.

Qesh me pusetën ende të hapur. E tillë ishte edhe në verë, njëlloj ndoshta do të jetë edhe muaj më vonë. Qesh edhe kur shikoj se të vetmit që marrin frymë lirshëm në Tiranën time të ndotur janë kazanat e plehrave!

***

Qëndrimi në Tiranë është i shkurtër, por koha më mjafton për të ndarë një kafe me miqtë e mi më të dashur. “Dalim tek ish-blloku meqë është e premte pasdite” – më thonë. Refuzoj. Si përfundim, i drejtohemi nje zone me pak të zhurmshme. Prej vitesh, për shumë të rinj, e premtja pasdite merr vlera vec kur bëjnë shëtitjen routine përpara lokaleve të ish-bllokut. Mendja me shkon te shtëpia ku ka jetuar diktatori komunist Enver Hoxha. Këtë herë s’do mundem ta shikoj. Përballë saj s’i kam shpëtuar asnjëherë një perfytyrimi: fytyrës se shqetesuar te diktatorit tek shikon shëtitoren në krah të shtëpisë të sulmuar nga dekoltete e minifundet e vajzave të reja, e mbi te gjtha tek vëzhgon atë energji të shkuar dëm të të rinjve që rrine ulur në vend që të punojnë për të ndërtuar vendin. Marr frymë e lehtësuar, është vetëm një perfytyrim!

***

Dëgjoj në telefon një miken time, aktualisht studente. E gjej me një shqetësim te ri. Studentëve që përfundojnë shkollën e lartë në degët që bëjnë pjesë te profesioneve të rregulluara me ligj, do t’u duhet të kryejnë 1 deri në 4 vite stazh pune pa pagesë. Në këmbim do t’u paguhen sigurimet shoqërore. Të qënurit barrë për familjen nuk lumturon aspak studentët e atjeshëm. S’me lumturon as mua që ndonjëherë me ka ngacmuar ideja e një stazhi në vendin tim.

***

Një vizitë e shkurtër për në Petrelë me lejon të shikoj rrugën ku do të kalojë unaza e madhe. Do t’i çojë qytetarët deri në qëndren më të re tregtare që po hapet. Këto ditë nëntori, në vendet fqinje kriza ekonomike ka sjellë ndryshime për drejtuesit politik të këtyre vendeve. Në vendin tim vazhdojnë të ndërtohen sipërmarrje të kushtueshme e që janë aq të fuqishme sa sjellin rrugët e reja të qytetit fare pranë tyre.

***

Dëgjoj të flitet për panarin e librit të hapur në Pallatin e Kongreseve. Mikrofonat e gazetarëve u drejtohen kryesisht politikan-shkruesve. Autorja e vitit në Panairin e 14-të të librit “Tirana 2011’’ shpallet Helena Kadare me librin autobiografik “Kohë e Pamjaftueshme”. Prej më pak se dy javësh, media ka qene e fokusuar mbi fragmente të vecanta të librit në fjalë, vecanërisht mbi ato të cilat flasin për disa njohje të të shoqit, shkrimtarit Ismail Kadare me gra të tjera. Lidhur me këto flirte, gazetari Kastriot Myftaraj i ka lejuar vetes të aludoje për një lidhje të shkrimtarit me një aktore, aktualisht deputete e PD-së, e cila ka ngritur padi për shpifje ndaj gazetarit në fjalë.
Mes kesaj panorame,ndjej dëshirë për letërsi të një tjetër lloji, me të tjerë autorë, të tjerë lexues, të tjerë vlerësues, të tjerë aludues.

***

Bëhem gati të largohem. Lë pas politikanët shkrimtarë, një libër të përfolur për tradhëtitë e vogla të një shkrimtari të madh, pronarët e ndërtimeve të reja, rininë e ish-bllokut, ligjet që rrisin fiktivitetin e mjerimin… Lë pas pusetat dhe kazanat e hapur, plakën e farave të zeza, trafikun, boritë që vazhdojnë të bien… Kokën e ndjej ende të rëndë nga mendimet…Përqafoj për herë të fundit njerëzit për të cilët renda Tiranën.
Në duar shtrëngoj fort biletën andata-ritorno.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version