Proçesi zgjedhor edhe këtë radhë mezi e kaloi provimin dhe asnjë prej nesh nuk arrin të kuptojë se si mund të duhen 4 ditë për të mësuar rezultatet e një gare elektorale në një vend me 3 milionë e pak banorë. Me këtë lloj sistemi, në Australi, SHBA, Gjermani, Itali etj, do të duheshin muaj që të dihej se kush ka fituar.
Në të vërtetë në këto vende kaq të populluara rezultati merret vesh ditën e nesërme dhe politikanët kanë mësuar të metabolizojnë edhe humbjen. Ne jemi akoma në pritje që kjo kulturë politike të bëhet pjesë e ADN-së së politikanëve tanë.
Pas kësaj parathënie tashmë të njohur nga të gjithë shqiptarët, le të kalojmë në një lexim shumë sipërfaqësor të asaj që ka ndodhur, që po ndodh dhe që ndoshta do të ndodhi nesër ose pasnesër. Partia demokratike dhe koalicioni që ajo udhëheq ka humbur disa nga bastionet historike në Shqipëri. Është e pamundur mos të nënvizohet humbja e Kavajës, Shijakut dhe Laçit, jo për rëndësinë që këto bashki mund të kenë, por për ngarkesën simbolike që kanë në imagjinarin poltik shqiptar. Kavaja e kuqe ngjan me një paradoks, ndërkohë që dje u çertifikua në realitet.
Partia socialise rikonfirmoi fuqishëm praninë e saj në disa bashki klasike si Vlora dhe të tjera, ku fitorja ishte pothuajse e sigurtë falë edhe përzgjedhjes disi mediokre të PD-së për kandidatët rivalë. PS-ja fitoi edhe Durrësin, duke u rikonfirmuar në këtë bashki dhe duke mundur një ministër të kabinetit Berisha, të cilit ju desh të lëshonte postin për të marë pjesë në garë.
Beteja kryesore, jo vetëm bashkiake, luhet e gjitha në Tiranë. Atje PD-ja synon të qeverisi bashkinë që peshon sa gjysma e republikës, dhe njëkohësisht të fundosi liderin e PS-së Rama. Për momentin besueshmëria e PD-së është shumë e lartë, duke humbur në bastionet historike, kush do mund të akuzonte Berishën sot që po manipulon zgjedhjet?
Nëse Rama humbet bashkinë e Tiranës ka shumë gjasa që, edhe pse me fitore të tjera në bashkitë e rretheve, të lërë udhëheqjen e PS-së. Brenda PS-së ka pasur një si lloj amnistie ndërmjet grupeve të ndryshme, për të parë se ku do shpjerë strategjia e Ramës. Një humbje e bashkisë së Tiranës, automatikisht do të autorizonte grupimet e tjera të PS-së, të kërkonin dorëheqjen e tij nga partia. Ndoshta prania a Fatos Nanos në Tiranë këto ditë nuk është krejt rastësore.
Duke parë se si po vete vota, në këtë pikë edhe kandidati Hysni Milloshi, me të cilin shumë prej nesh kanë bërë ironi fillimisht, do kishte qenë shumë i rëndësishëm më votat e tij, për të ndihmuar një kandidat, duke qenë se loja po përqëndrohet në diferenca prej disa dhjetëra votash.
Një pikë tjetër që nuk po meret shumë në konsideratë nga analistët, është ajo e rezultateve të votës në nivel partish. Në shumë raste ka fituar, falë sistemit elektoral, një kandidat kryetar bashkie i një ngjyre ndërkohë që shumica e këshillit bashkiak është i një ngjyre tjetër. Për momentin, në euforinë e përgjithshme, kjo nuk po nënvizohet. Si do vejë puna kur kryetarit ti duhet vota e këshillit bashkiak, duke nisur nga aprovimi i buxhetiti, investimeve etj etj?
PD-ja që pranon pa shumë probleme humbjen e bastioneve historike të saj, Hysni Milloshi që bëhet detrminant me votat e tij, Fatos Nano që i rikthehet skenës, mund të jenë të gjitha sinjale që ndoshta PD-ja do që të fitojë Tiranën, duke ju përgjigjur kështu edhe grupimeve anti Rama në PS-së, të cilëve kjo do u hapte rrugën për të rimarë partinë? Në Shqipëri çdo gjë është e mundur, dhe mbi të gjitha asnjëherë gjatë këtyre viteve nuk i kemi shpëtuar binomit Sali Berisha – Fatos Nano.
Le të presim rezulatet.