Për Krishtlindje do kërkoj azil politik

Ka diçka hipokrite e të gabuar tek kushtet që i kërkohen Shqipërisë. Është një nga ato hipokrizitë e kulluara evropiane që vazhdojnë të fyejnë shqiptarët.

Dy janë mundësitë. Ose Shqipëria ka bërë të gjithë progreset e duhura e meriton të hyjë në Listën e Bardhë, e atëherë askush nuk duhet të shqetësohet se mos ne kërkojmë azil. Ose kalimi në Listën e Bardhë bëhet për mëshirë, e për të nënvizuar faktin që është thjesht mëshirë, na kujtojnë që s’mund të kërkojmë azil. Për më tepër, një kalim i tillë është edhe më i rëndë duke konsideruar se justifikon edhe mënyrën se si është qeverisur atdheu këto 20 vjet. Më kujton rregullat e vjetra të ca familjeve shqiptare. Fëmijët nuk mund të ulen në tavoline me të rriturit, do hanë përtokë. Fëmijët do ulen në tavoline me të rriturit, por s’mund të hanë e as të flasin sepse na nxjerrin bojën.

Për Krishtlindje besoj se do kërkoj azil. Do u them që vij nga një vend i cili nuk ka parlament, një vend në të cilin shumicavendos për gjithçka. Do them që banoj në një vend ku s’e di në votat janë vjedhur apo jo, por di që kuvendi nuk funksionon. Që është katandisur si ajo gota e ujit, është gjysëm bosh, a gjysëm plot nëse preferoni. E meqë më kanë shpjeguar që parlamenti është baza e një shteti, i bie që ky i yni të çalojë. Do kërkoj azil duke u thënë që vij nga një shtet i cili nuk është sovran. Vij nga një shtet në të cilin vendosin fqinjët dhe evropianët. Një shtet i cili po gërryhet nga brenda. Me rastin e 100 vjetorit të copëtimit të Shqipërisë, duket se duan ta rikujtojmë duke i dhënë toka ca fqinjëve e duke marrë plehrat e ca të tjerëve.

Do kërkoj azil e do ma japin sepse vij nga një vend në të cilin mund të vdesin 26 veta, e askujt nuk i hyn ferr në këmbë. Jetoj në një shtet i cili nuk garanton jetën e qytetarëve të tij. Do kërkoj azil duke u thënë që andej nga vij unë, ditë për ditë shkelen të drejtat e minoriteteve, të femrave, të homoseksualëve e të kufomave. Do doja që të jetoja diku ku askush nuk ka të drejtë të hedhë beton mbi eshtrat e mia të gjora, të mos nxirren jashtë për ujqër a për lavdinë e Vorio – Epirit.

Do kërkoj azil sepse jetoj në një shtet ku prona ime nuk vlen asgjë, ku i forti i radhës vlen më shumë se çdo tapi e çdo dokument, ndërsa Shteti im bën sehir.Sepse jetoj në një vend ku tesera e ndonjë partie vlen më shumë se sa universitete e diploma, sepse jetoj në një vend ku qeveria sistematikisht mbyt Shtetin. Sepse nuk jetoj në një vend demokratik e nuk jetoj as në një vend komunist, por lufta e klasave vazhdon.

Për Krishtlindje e vendosa: do kërkoj azil. Ju ftoj ta bëni edhe ju tashmë që jeni të lirë për të lëvizur e të lirë për të vendosur.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version