TOMKA – restaurimi në Library of Congress, SHBA

Më 15 Janar 2014, TOMKA nisej drejt Culpeper, VA, në selinë e LoC – Biblioteka e Kongresit, për t’iu nënshtruar procesit të restaurimit.

Projekti i restaurimit të “Tomkës” u propozua nga Regina Longo, drejtore e Projektit të Kinemasë Shqiptare (ACP) dhe iu paraqit nga Kenneth Weissman, supervizor në laboratorin e LOC dhe njëherësh anëtar i bordit të ACP, supervizorëve të tjerë të laboratorit të LOC Gregory Lukow, Patrick Loughney dhe Mike Mashon të cilët pranuan me kënaqësi të bashkëpunojnë me ACP-në dhe AQSHF-në për këtë projekt.

Stafi i specializuar teknik i laboratorit të LOC vuri në dispozicion kohën, profesionalizmin dhe fondet për këtë projekt si pjesë e programit të tyre të diplomacisë ndërkombëtare për të ndihmuar arkivat në rrezik në të gjithë botën. Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, e nënshkruar nga Elvira Diamanti, drejtore e AQSHF dhe Roberta Shaffer, bibliotekare për shërbimet e Bibliotekes se Kongresit, u prodhua një master pozitiv 35mm dhe 2 kopje e reja 35 mm, pozitiv, si edhe një DCP (Digital Camera Package) me titra anglisht dhe frëngjisht. Në këtë mënyrë filmi do të ketë mundësinë të shfaqet në të gjitha mënyrat e projeksionit qofshin këto arkivale apo dixhitale si dhe të arrijë një audiencë të gjerë ndërkombëtare.

Specialistja e AQSHF-së, Eriona Vyshka, thekson se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për AQSHF-në dhe ACP-në, njëkohësisht edhe një rast jo i zakontë duke qenë se laboratori i Qendrës Audiovizuale në LOC është më i spikaturi në botë për restaurimin dhe konservimin e filmave bardhë e zi. Megjithatë, sfida e Arkivit mbetet nisja e restaurimit të titujve të tillë si: Ballë për Ballë, Në shtëpinë tonë, Vajzat me kordele të kuqe, etj. që janë në rrezik të dekompozimit të ngjyrave për shkak të problemeve teknike qysh nga koha e prodhimit të e tyre.

Përzgjedhja e “Tomkës”. Tomka restaurohet plot 36 vjet pas prodhimit të tij, por nuk është ndër filmat e rrezikuar nga degradimi. Përzgjedhja e këtij titulli erdhi pas impaktit që parashikohet të ketë ky film tek publiku ndërkombëtar. ACP-ja është ende në vitet e para të punës, kështu që, fillimisht, ende i nevojitet të rrisë ndërgjegjësimin dhe të tërheqë vëmendjen e publikut dhe faktorëve ndërkombëtarë tek kinemaja shqiptare për të pasur, më vonë, më shumë mundësi financiare dhe për të vazhduar me restaurime të titujve të tjerë sipas premtimit 5 tituj në 5 vjet.

Skena përpara procesit të përpunimit
Skena pas procesit të përpunimit

Niveli i lartë artistik dhe cinematik i Tomkës dhe të qenit vepër e një regjisoreje femër janë elementë të rëndësishëm dhe jo të zakontë për kinemanë e një vendi të vogël ballkanik si Shqipëria. Këto fakte tërhoqën edhe dokumentaristin irlandez Mark Cousins i cili përfshiu pjesë nga Tomka dhe filmi tjetër i Kekos Qyteti më i ri në botë në dokumentarin e tij mbi pjesëmarrjen dhe lojën aktoriale të fëmijëve në film The Story of Children and Film, ku u përfshinë gjerësisht filma nga kinematografia botërore. Dokumentari u shfaq në Cannes Classics 2013 dhe vazhdon të shfaqet në Festivale të tjera ndërkombëtare.

Kështu, Tomka i restauruar siguroi një distribucion në Mbretërinë e Bashkuar dhe u shfaq gjatë vitit 2014 rreth 19 herë si pjesë e edicionit Kinemaja e fëmijërisë (Cinema of Childhood) duke u bërë filmi shqiptar i periudhës së Kinostudios më i shfaqur në Europë.

Skena përpara procesit të përpunimit
Skena pas procesit të përpunimit

“Tomka dhe shokët e tij”, prodhuar në vitin 1977 nga Kinostudioja “Shqipëria e re”, xhiruar në qytetin muze të Beratit, nën regjinë e Xhanfize Kekos, mjeshtres së shquar në artin e regjisë në Shqipëri e njëkohësisht, kineastja e parë femër në Shqipëri, me skenar të Nasho Jorgaqit, është një film për fëmijë – i ndjekur nga fëmijë e të rritur – që ka shoqëruar brezin përkatës kohor shqiptar me përmbajtjen e tij.

Pas këtij restaurimi, mundësohet prodhimi i një kopje në formatin 35mm për konservim, dmth, ruajtja e filmit në një hark kohor akoma më të gjatë, për brezat e ardhshëm, fillimi i një jete të re biologjike për filmin.

Skena përpara procesit të përpunimit
Skena pas procesit të përpunimit

Tomka, që nuk dëshiron, veçse të luajë me top së bashku me shokët e tij, në fushën e tyre, indinjohet sepse nazistët gjermanë e zaptojnë fushën për ndërtimin e kampit të tyre ushtarak, gjatë Luftës. Tomka, nën kujdesin e të rriturve, fillon të bashkëpunoj në organizimin e aksioneve kundër kampit ushtarak që është dislokuar në fushën e tyre të dikurshme të lojës. Pavarësisht nga rreziku, për grupin e djemve, këto aksione duket se janë një tjetër lojë zbavitëse.

Premiera e filmit të restauruar Tomka dhe shokët e tij mbahet të hënën, më datë 3 Nëntor 2014, ora 19.00 në Kinemanë Millennium, në çelje të TIRANA INTERNATIONAL FILM FESTIVAL.

Falënderimet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Shqiptar, shkojnë për mbështetjen nga ana e Rexhina Longo ACP, Ken Weissman dhe gjithë stafi i specialistëve të LoC, për punën e specializuar të restaurimit të Tomkës si dhe për organizatorët e TIFF dhe Ambasadën e SHBA në Tiranë për mundësimin e premierës.

Skena përpara procesit të përpunimit
Skena pas procesit të përpunimit

Filmi i parë i restauruar ishte “Nëntori i Dytë”, në 2012 me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, e ndërkohë, në pritje për restaurim janë edhe filma të tjerë, si: “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Ballë për Ballë”, “Kapedani”.

Burimi i fotove:
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version