Sonte në Tiranë, koncerti i Saimir Pirgut në mbështetje të DSA.

Saimir Pirgu

Mbrëmjen e sotme, 25 tetor, në orën 20.00, në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë, tenori shqiptar me famë ndërkombëtare Saimir Pirgu, shoqëruar nga kolegët e tij Marjana Leka, Vikena Kamenica e Armando Lika, me kontributin e orkestrës së këtij institucioni, nën drejtimin e mjeshtrit Zhani Ciko, po shfaqin një koncert madhështor lirik në mbështetje të fondacionit Down Syndrome Albania.

Realizimi i këtij eventi u mundësua gjithashtu edhe nga këmbëngulja e puna e palodhur e themelueses së fondacionit DSA, Emanuela Zaimi dhe sponsorave të ndryshëm që ofruan përkrahjen e tyre.

Siç e pati informuar edhe më parë opinionin publik, tenori Saimir Pirgu për këtë koncert ofroi praninë e tij, në mbështje të fondacionit Down Syndrome Albania si ambasador i fondacionit dhe çështjes, të cilën ky fondacion përqafon: atë të kërkimit të dhënies së një mundësie, fëmijëve dhe personave me sindromën Down, për një integrim sa më të shpejtë e të mundshëm në shoqërinë shqiptare dhe rritjen e cilësisë së jetesës për ta.

Interesimi nga ana e publikut për koncertin qe maksimal, gjë që bëri të mundur shitjen e plotë të biletave në një kohë rekord pranë biletarisë së TOB, Tiranë.

Njëkohësisht, soprano shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, e cila aktualisht nuk ndodhet në Shqipëri, në çastin që u vu në dijeni për këtë koncert, i bëri të ditur nëpërmjet një mesazhi fondacionit DSA, se mosndodhja fizikisht nga ana e saj në këtë koncert, nuk do ta pengonte në të qenit e pranishme këtë mbrëmje pranë kolegëve e të gjithë pjesëmarrësve, si nga ana njerëzore, ashtu edhe nga ajo artistike e që, në një të ardhme, edhe ajo do të dëshironte të jepte kontributin e saj në një koncert, event apo bashkëpunim të ngjashëm, në mbështetje të çështjeve të tilla fisnike, mundësisht krahas tenorit e kolegut të saj, Saimir Pirgu.

Shembulli njerëzor dhe artistik i tenorit Saimir Pirgu, shpresojmë të bëhet frymëzues për qëndrime të ngjashëm solidariteti nga ana e personazheve të tjerë shqiptare të fushave të artit, sportit, kulturës apo institucioneve të ndryshme publike ose private, përkundrejt zërit të gjithkujt që i thërret ata në ndihmë e që kërkon mbështetjen e tyre në shoqërinë shqiptare.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version