IntervistaMozaik Femëror

“Anija” një udhëtim që rikthen kujtesën e eksodit 1991

8 Gusht 1991 - Rrëfimi i Eva Karafilit kur u largua me burrin dhe një diplomë në ekonomi

Anija mbush detin zhurmshëm edhe pse hejshta e saj e brendshme krijonte një paradoks në atë lundrim. Ishim të gjithë drejtë një eksperience jete që sot e shohim si një dilemë për zgjedhjen që bëmë. Më kanë mbetur të fiksuara në kujtesë trupat gjysëm të zhveshur e të djersitur të emigrantëve që turreshin nëpër rrugët e qytetit bregdetarë të Italisë së jugut, Bari.

Qytet që kish parë djersë turistësh ti mbushnin rrugët por kurrë një turmë të asaj mase njerëzish që vraponte e lirë nga zinxhirët si e tërbuar. Ishte një pamje rrënqethëse. Njerëz që kërkonin një strehim e gjetën një stadium me dyer të mbyllura, derisa me kohë ato dyer i hapën vetë. Dëshpërim, gëzim, shpëtim, kuriozitet, dhimbje, shpërthim, mund ti japësh forma të ndryshme ndjesisë që të përcillte ai mankth çlirimi dhe pasigurie.

Në një fraksion të shkurtër kohe, pasi i kishe shpëtuar syrit të policisë që bënte barrikadë tek dyert, të vinte natyrshëm pyetja: ”Ku do shkojmë tani?”

Të gjitha këto emocione morrën formë në kujtesën time, u ringjall dhimbja si një relit në fund të detit pasi u njoha me filmin dokumentar “Anija” të Roland Sejkos, në promovimin e tij nga shoqata Scanderbeg në Parma.

Eva Karafili është një ndër dëshmitë e anijes Vlora, me 20.000 personat që mbijetuan në atë udhëtim, flet me emocion në këtë film dhe shkëmbeu me mua këtë intervistë për të gjithë lexuesit.

Në një kafene në qëndër të Barit, përballë Adriatikut të mrekullueshëm, përqasem me një vajzë si ti, me një nënë si unë e me bisedën tonë përcjellim kujtimin e atyre viteve. Ishte një dëshirë e fshehtë edhe pse e masës në ato vite, largimi i sa më shpejt që ish i mundur, me ç’do mjet, duke rrezikuar edhe jetën. Ndodhi kështu edhe me ty?

Ikja me anije (hesht…) Kisha kohë që e bluaja me vehte e me tim shoq dëshirën për të ikur nga Shqipëria por kurrë s’kisha menduar një ikje të atillë. Vendimi për të ikur me anije u morr në një fraksion të sekondit, pa menduar gjatë, si një mundësi që nuk shfaqet për herë të dytë në jetë.

Sot pas njëzet vitesh emigracion ç’shije të ka lënë ajo ikje?

Ikja ndryshoi rrënjësisht jetën time. S’do e di kurrë nëse qe apo jo zgjedhja e drejtë. Rrjedha e jetës nuk varet thjeshtë nga një zgjedhje e rëndesishme por nga karakteri, aftësitë, nga një morì zgjedhjesh, nga njerëzit që ndesh, nga fati e kështu me radhë.

Zgjedhje e drejtë apo jo ka pak rëndësi, ishte një vendim që e morra vet. Ikja me anije qe një eksperiencë shumë e fortë dhe të gjitha eksperiencat e forta lënë gjurmë të thella.

Të mund të ktheheshe mbrapsht do e përsërisje?

Unë nga ai udhëtim mësova shumë, e kam thënë gjithmonë, e po të kthehesha mbrapsht do ishte nga të paktat gjëra që do bëja njësoj. Deri në atë kohë kisha jetuar mjaft mirë, pa probleme, pa sakrifica e nuk dija sa e zonja mund të isha për të përballuar situata të vështira në jetë. Te ajo anije unë njoha më shumë vehten dhe forcat e mia. Te ajo anije kuptova ç’do të thotë ta jetosh nga brënda një situatë të vështirë, kuptova ç’është heroi, gjeta besimin tek vetja.

Ju influencoi turma në marrjen e vendimeve?

Ky qe një vendim që unë morra jo në mes të turmës por në mes të bulevardit ndërsa po shëtisja. Më kujtohet që ishte një ditë e nxehtë, po kalonim paraditen duke shëtitur nën hijet e pemëve të bulevardit pothuaj bosh. Turma?! Turmën e pash më vonë por për çudi e mbaj mend të shkëputur nga unë edhe pse isha pjesë e ngushtë e saj. Në ç’do moment e kam parë vehten vetëm.

Ishte hera e parë në jetë që u gjenda vetëm me veten. Por këto reflektime njeriu i bën më vonë.

Në ato momente nuk mendon, shpirti i mbijetesës sundon trupin dhe mëndjen. Të gjitha energjitë përqëndrohen te mbijetesa ndaj një situate shumë më të vështirë nga ajo që ti vet percepton.

Dikush apo një moment që nuk të hiqet nga mendja në ato ditë?

Ato ditë ka shumë skena që më vijnë në mend por një skenë s’do e harroj: Ndërkohë që dukej bregu i Barit njerëzit të sistemuar mbi disa panele hekuri të mbeshtetura krahë njëra-tjetrës, filluan të lëviznin e aty vura re që po lëkundeshin dhe panelet që pas pak u rrëzuan. S’do harroj kurrë atë skenë kur pothuajse si me magji ajo mizeri njerëzish u ngrit mbi to dhe në ato pak sekonda u risistemuan si më parë, sikur dikush ti ngrinte në ajër. Nga gjithë ajo mizeri njerëzish vetëm një djalë i vogël rreth 12 vjeç mbeti me krahun nën panel. E sërisht, të gjithë siç ishin u ringritën e me shpejtësi lëvizën panelat e hekurit për ti dhënë ndihmën djalit. Gjithçka në pak sekonda dhe në një vend ku s’kishe ku të hidhje një mollë, në një turmë ku secili duhet të mbijetonte.

Te ajo anije kam parë solidaritet në më shumë se një rast. Është rasti për të thënë: ishim të gjithë në të njëjtën Varkë!

Cili është mendimi që të rreh në kokë kur ecën sot rrugëve të Barit?

Në këto njëzet vite që ndjekin ikjen kam jetuar gjithmonë në Bari. Mendimet që më rrahin në kokë sot e njëzet vjet janë ato të jetës së përditshme pamvarsisht se ku kaloj. Bari është qytet i bukur dhe kam fatin të jetoj në zona të bukura të tij. Një gjë kam menduar gjithmonë duke parë detin, sidomos në fillim, nga ana tjetër është Shqipëria, është familja ime, është një pjesë e bukur e jetës time. Kjo nuk është retorikë, gjendesh papritur në një vend tjetër me njerëz që nuk i njeh e për shumë kohë nuk arrin të mbushesh me ajër por, problemet e nevoja për të zgjidhur çështje jetike të bëjnë të kalosh dhe ankthin për mungesën e njerëzve të dashur.

Si janë lidhjet e tua me këtë qytet dhe me njerëzit që jetojnë këtu, dikur të shtangur e të çuditur nga drama jonë?

Me njerëzit këtu jam ndjerë gjithmonë e barabartë. Në fillim pothuaj kisha turp të tregoja që kisha ardhur me anijen Vlora. Tregoja pa asnjë problem që jam shqiptare por ardhja me anije, në atë mënyrë, më bënte të ndjehesha pak keq. Pastaj, si në ç’do vend ka njerëz që të mbështesin e të kuptojnë më shumë e ka njerëz që të shohin me dyshim e frikë nga e panjohura.

Sa herë tregoja ardhjen me anije shikoja tek njerëzit kuriozitet, habi por edhe admirim.

Eva kur të propozuan të marrësh pjesë në film për të dëshmuar historinë tënde personale ç’provove?

S’kisha menduar kurrë që këtë pjesë të jetës time unë do ta tregoja në mënyrë publike.

Kur ma propozuan isha në medyshje se po vija veten time, jeten time në një projekt që do bëhej publik e për më tepër do flisja për një ngjarje të rëndë të asaj kohe. Por duke qënë se s’kam mohuar kurrë kush jam e nga vij vendosa të marrë pjesë.

E kam përsëritur gjithnjë që po të kthehem mbrapsht do e rimerrja atë anije e për mua këto dokumentarë janë një rikthim i anijes. Ndjejë sikur po e rimarr nga e para, sikur po më jepet një shans tjetër.

Nuk qe e lehtë. Unë kam treguar gjithmonë me qetësi atë ngjarje por s’kam patur kurajon të shoh foto apo filmime të anijes Vlora. Më krijonin gjëndje ankthi, s’më besohej që unë vet isha aty.

Gjatë regjistrimeve morra për herë të parë kurajo të shikoja filmimet e ndryshme mbi ardhjen tonë.

I përjetova sikur të isha aty sërisht por me më shumë emocione. Kur je brënda një situate të vështirë emocionet pothuaj kalojnë në plan të dytë, ndërsa unë po e rijetoja duke e parë nga jashtë situatën. Në këtë rast emocionet janë ende më të forta e të pashpjegueshme.

Tani që shikoj rezulatet e punës së dokumentarëve jam shumë e lumtur që morra pjesë.

Dokumentari i Vicarit tregon e denoncon vetëm episodin e anijes Vlora. Ndërsa Sejko e hap më shumë horizontin e tregon më shumë humanitetet, jo vetëm kush jemi ne por dhe nga vijmë.

Kur ka qënë momenti i parë që i ke treguar vajzës se si keni ardhur? Ka patur rëndësi të shpjegosh apo të tregosh përsetë?

Vajzës i kam treguar qëkur qe shumë e vogël për Shqipërinë e duke u rritur i kam treguar si kemi ardhur, ku kemi jetuar, sakrificat, problemet. Gjithmonë ka thënë jam shqiptare me çiltërsinë e një fëmije e pa asnjë kompleks, perkundrazi. Me dokumentarin ama mësoj më shumë, jetoi më nga afër ngjarjen e u prek shumë e për këtë jam akoma më e lumtur.

Përpara një lindje dielli mbi Adriatik deti të trazon kujtimet, ç’mendon?

Kam fatin e mirë ta shikoj pothuaj ç’do ditë lindjen dhe perëndimin e diellit mbi Adriatik. Ç’mendoj?! Mendoj që është një mrekulli. Ç’do ditë që shoh detin me kohë dielli apo me re, me furtunë apo të qetë, them me zë: che bello il mare oggi – sa i bukur eshte deti sot! E them në italisht se kjo tokë, pas 22 vitesh, më përket edhe mua. Deti ndanë dy vëndet e mija e anija lundron gjithmonë mbi të bashkë me kujtimet!

Mund t’ju interesojë gjithashtu

Argumenta
Shfaq më shumë

komente për ““Anija” një udhëtim që rikthen kujtesën e eksodit 1991”

Na ndiq në Facebook

Close