Intervista

Zgjedhja e Presidentit në një vend pa udhëheqje

Moçali politik shqiptar, i paaftë të dëshmojë pendim

Momenti i përzgjedhjes së Presidentit të Republikës po afron dhe parada e emrave dhe e supozimeve është deri më tani trishtuese. Moçali politik shqiptar duket i paaftë të dëshmojë edhe këte herë pendimin më të vogël për atë shfaqje të shëmtuar tashmë 20 vjeçare që i ofrohet jo vetëm opinionit ndërkombëtar, por mbi të gjitha vetë shqiptarëve.

Nga diaspora po shtohen ndërkohë zërat e kualifikuar të intelektualëve, të cilët ofrojnë kontributin e tyre në zgjidhjen e problemeve të rënda socio-politike në shtetin amë. Duket se largësia nga ambienti politik shqiptar i ndihmon në kthjelltësine e mendimit e të vështrimit mbi gjendjen e tanishme dhe mbi atë çfare duhet bërë.

Njëri prej tyre është edhe Gëzim Alpion, pedagog në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare, në Universitetin e Birmingamit, Angli dhe njëkohesisht autor i disa studimeve të rëndësishme në anglisht.

Tepër kritik mbi klasën e sotme politike shqiptare, pedagog i Universitetit të Birmingamit, duket se ka mprehur vështrimin në gjetjen e kontakteve akoma të shëndetshme në radhët e atyre që janë angazhuar në zhvillimet politike shqiptare.”Topi është tashmë në fushën e politikanëve shqiptarë” – thotë ai ndërsa jep këndvështrimin e tij në zgjidhjen e problemit. Më poshtë ndiqni te plotë intervistën eskluzive dhënë Redaksisë sonë.

Pas pak muajsh do të zgjidhet Presidenti i Republikës. Ky eveniment vjen në një kohë kur politika shqiptare ndodhet në një fazë shumë të tensionuar. Mendoni se ka ndonjë mënyrë që ky tension të mos ndikojë në këtë zgjedhje?

Fatkeqësisht, jo. Politika shqiptare tani për tani nuk është në gjendje dhe, me sa duket, disa elementë nuk janë të interesuar të çpolitizojnë zgjedhjet presidenciale.

Tashmë forcat politike kanë nisur llotarinë e emrave. Pa i hequr parlamentit të drejtën që i jep kushtetuta për zgjedhjen e presidentit, çfarë kontributi mund të japë shoqëria civile në këtë rast?

Në Shqipëri nuk ka shoqëri civile të efektshme që të ketë ndikim të ndjeshëm në procesin e zgjedhjeve presidenciale. Në demokracinë shqiptare populli (demos-i) është i skajshëm deri i papërfillshëm dhe fuqia (kratos-i) është monopolizuar nga një kleptokraci arrogante që përdor një ligjërim hipokrit demokratik vetëm kur klanet në klubin e ‘përzgjedhur’ të politikës cënojnë interesat e ngushta të njëri tjetrit.

Parlamenti i Shqipërisë ka kohë që nuk funksionon normalisht dhe për pasojë nuk ‘përfaqëson’ vullnetin e popullit por pasqyron gjëndjen mjerane të demokracisë shqiptare. Reputacioni i ulët i Parlamentit është tregues i shkallës së lartë të erozionit të legjitimitetit të këtij institucioni kryesisht si pasojë e zgjedhjeve anormale. Në dy dekadat e fundit, ashtu siç ndodhte në monizëm, rezultati i zgjedhjeve në të shumtën e rasteve duket se është përcaktuar para se të hidhen apo numërohen votat. Më së fundi kjo situatë anormale është bërë ‘normë’.

Në këto kushte, çdo kandidat presidencial si nga ana e qeverisë apo e opozitës do të shikohet me të drejtë nga populli dhe komuniteti ndërkombëtar si zëdhënës partiak dhe për pasojë jo i aftë apo i denjë për postin e presidentit.

Në artikullin tuaj “Monarkizimi i politikës në shtetin njëshekullor” , publikuar për herë të parë në AlbaniaNews me 6 Janar 2012, nënkuptohet një ngjashmëri mes politikanëve tanë dhe atyre drejtuesve që, sipas Max Weber, u mungon ‘ndjenja e përgjegjësisë dhe integriteti intelektual’. Gjithashtu ju pohoni se ‘do të ishte në të mirën e shtetit që për këtë post të lartë të mos kandidojnë asnjë nga figurat që në çerekshekullin e fundit kanë dominuar dhe asfiksuar politikën shqiptare, pothuajse sipas rutinës së Putini dhe Medvedevit’. Ku t’i gjejmë të tjerët? Ndërgjegja se do të ndeshen me të njejtën politikë mund të bëhet penguese për ata që u propozohet posti.

Në një situatë politike normale nuk përjashtohet mundësia që presidenti të zgjidhet nga rradhët e politikanëve. Por aktualisht ‘normaliteti’ nuk është tipar dallues i politikës shqiptare.

Kjo nuk do të thotë që në Shqipëi nuk ka politikanë të ndershëm.

Siç e theksova në intervistën që i dhashë vjet në Janar rrjetit televiziv Al Jazeera, është absurde të thuash se në Shqipëri dhe Ballkan të gjithë politikanët janë të korruptuar. Megjithatë, tani për tani këta politikanë të ndershëm nuk kanë mundur të dëshmojnë me prova se janë në gjendje të ushtrojnë ndonjë influencë pozitive të ndjeshme tek bosët e tyre partiak.

Për më tepër, fakti që pas ngjarjeve të 1997-tës, Gërdecit, dhe me së fundi vrasjes së katër personave më 21 Janar vitin që kaloi asnjë drejtues shtetëror apo partiak nuk ka dhënë dorëheqje dhe nuk është përballur me ligjin, e bën zgjedhjen e presidentit nga rradhët e klasës politike një shaka të hidhur, një akt sadist, që do të rezultoj në thellimin e mëtejshme të hendekut të madh që aktualisht ekziston midis popullit dhe shtetit.

Sikur të zbresim tek përgjegjësitë personale, u vini dot emra përgjegjësve të kësaj gjendjeje politike?

Për mua përgjegjësit janë drejtuesit kryesorë të shtetit dhe të partive politike. Kryeministri dhe Kryetari i Opozitës ka kohë që sillen me njëri tjetrin më shumë si dy kunata inatçesha sesa si drejtues serioz preokupimi i vetëm i të cilëve duhet të jetë jo se kush bën më shumë deklarata më të mençura në kurriz të njëri tjetrit (politika shqiptare ka kohë që i ngjan një parade mode ku mungon fantazia dhe origjinaliteti) por si të drejtojnë vendin më së miri dhe si të ofrojnë opozitë konstruktive dhe besnike.

Ndonjëherë harrojmë se Partia Socialiste ka patur më shumë dinamizëm në politikë, gjë që është parë në ndyshimin e shpeshtë të kryeministrave dhe më në fund edhe të kryetarit të partisë. A mendoni se është e drejtë që Rama të paguajë edhe për të kaluarën?

Dinamizmi i Partisë Socialiste ishte i paevitueshëm pas dështimit të monizmit në Shqipëri. Megjthatë, është një gjë pozitive që duhet të kihet parasysh veçanërisht nga partitë e krijuara gjatë dy dekadave të fundit në mënyre që të mos përsëritet praktika e Partisë së Punës ku fjalën e fundit për gjithçka e kishte Enver Hoxha që ushronte diktatin e tij nëpërmjet një tufë plebejsh të zgjedhur qëllimisht nga hiçi pasi i garantonin besnikëri të verbër.

Duket se çdo drejtues partie në Shqiperi tani ka krijuar rreth tij një grup sejmenësh të aftë vetëm të vegjetojnë. Si Z. Berisha ashtu edhe Z. Rama, dhe për pasojë të gjithë drejtuesit kryesor të qeverisë dhe politikës shqiptare që kanë përreth duhet ta kuptojnë se askush nuk është i pazëvëndesueshëm.

Politikanët shqiptarë duhet të mësojnë të japin dorëheqje kur ka dështime në funksionimin e shtetit apo kur partitë nuk kanë sukses në zgjedhje. Po ashtu, kur një drejtues partie emërohet si kryeministër apo president ai duhet të heqë dorë menjëherë nga posti i kryetarit të partisë.

Në një realitet të tillë politik me të cilin ballafaqohet Shqipëria, cili është mendimi juaj për procesin e zgjedhjes së presidentit?

Meqë përballemi me një realitet të tillë të zymtë politik, unë do të sugjeroja që dy-tre partitë me numrin më të madh të deputetëve në Parlament të propozojnë për postin e presidentit personalitete të shquara nga fusha të ndryshme të artit, shkencës dhe kulturës si në Shqipëri dhe në diaspora (që zotërojnë gjuhën shqipe, dhe mundësisht letraren) të cilët kanë dëshmuar se janë parimor, kanë qëndruar vazhdimisht jashtë influencës së partive politike, dhe gëzojnë reputacion ndërkombëtar në profesionin e tyre.

Përse mendoni se zgjedhja e presidentit është e një rëndësie kaq të madhe?

Shqipëria ka një imazh tepër negativ në botë që vjen kryesisht nga sjellja dhe veprimet e papërgjegjshme të klasës politike shqiptare. Me këtë imazh përballet dhe skuqet çdo ditë çdo bashkëatdhetar jashtë Shqipërisë por veçanërisht elita intelektuale shqiptare që po jep kontributin e saj për t’i treguar botës me fakte se jemi një komb me kulturë, kontribut që vazhdon të injorohet nga establishmenti në Shqipëri.

Zgjedhja në postin e presidentit të një figure publike të pastër është fillimi i një ndërmarrje serioze për të filluar përmirësimin e këtij imazhi. Ky do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë dhe nuk do të zgjidhet thjesht duke bërë foto me ndonjë person të spërkatur disi nga pluhuri magjik i hollivudit.

Asnjë politikan shqiptar nuk duhet t’a gënjejë veten se gëzon reputacion ndërkombëtar.

Edhe drejtuesit më të ‘dëgjuar’ që kanë ‘mbijetuar’ në politikën shqiptare në dy dekadat e fundit shëndrohen në njerëz anonime sapo ngjiten në avion në Rinas.

Në një konventë akademike para disa vitesh në Washington u shpreha se perëndimi nuk duhet t’a ketë të vështirë që të ekspozojë drejtuesit e korruptuar të politikës shqiptare. Në lidhje më këtë çështje, një studiues i huaj u shpreh se në arkiva sekrete disponohen dokumenta për drejtues të korruptuar.

A mendoni se britanikët (dhe të huajt e tjerë) në dy dekadat e fundit kanë mbështetur në Shqipëri gjithonë ‘më të mirin’? A përkon kjo mbështetje me interesat e Shqipërisë apo interesat e tyre, apo kemi të bëjmë me koinçidim interesash të përbashkëta?

Kohët e fundit në një pritje diplomatike në Londër në bisedë me figura politike dhe punonjës të administratës britanike pyeta se si spjegohet që, në disa momente, përceptimi mund të ketë qenë, ndonëse i gabuar, se Britania e Madhe, ka përkrahur në ndonjë rast figura apo ente politike shqiptare rekordi demokratik i të cilëve është i dyshimtë.

Përgjigja që mora ishte: Britania nuk vendos se kush e drejton Shqipërinë dhe se ajo gjithmonë ka përkrahur me të mirin ndër të këqinjtë që ka ofruar politika shqiptare.

Falë pozitës gjeografike, Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë aleatët, veçanërisht kohët e fundit si pasojë e disa faktorëve favorizues për ne. Se sa të aftë janë treguar politikanët shqiptarë për t‘i përdorur këto konjuktura interesash në shërbim të vendit është çështje tjetër, dhe jo objekti i kësaj interviste.

Në politikë nuk ka miq por partner interesash që janë të një natyre strategjike (afatgjata) dhe taktike (afatshkurtëra). Ndodh që disa drejtues të politikës shqiptare ose nga naiviteti ose nga egoja e sëmurë e interpretojnë përkrahjen që marrin nga jashtë si mbështetje që u jepet vetëm atyre si individë ose partive të tyre dhe qeverive që drejtojnë.

Kjo nuk është për tu çuditur në një vend si Shqipëria ku qeveria dhe opozita nuk e konsiderojnë njëri tjerit si kundërshtarë politikë, ashtu siç ndosh në botën demokratike, por si armiq të betuar.

Mbështetja e jashtme nuk është kurrë e pakushtëzuar. Kjo është aryseja që kur ndonjë udhëheqës apo qeveri shqiptare gjatë dy dekadave të fudit janë sjellur në kundërshtim me normat demokratike, aleatët e huaj, megjithëse jo gjithmonë, dhe jo kur dhe sa duhet, e kanë bërë të qartë, dhe me të drejtë, se kjo nuk është e pranueshme.

Deputetët shqiptarë duhet ta shikojnë në një seancë të veçantë të Kuvedit intervistën qe ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Z. John L. Withers II, i dha me 18 Janar të këtij viti Zërit të Amerikës. Parlamentarët shqiptarë duhet të nxjerrin konkluzionet e duhura nga pengu i Z. Withers për mosrealizmin e premtimit që i kishte dhënë nënës së një viktime të Gërdecit.

Ka pasur raste kur mungesa e etikës profesionale, që është bërë normë mes deputetëve shqiptare, është reflektuar edhe në reagimet e turpshme të disa drejtuesve të shtetit kur marrin kritika të principta nga aleatët. Klasa politike shqiptare po qe se vërtet ka vullnetin e mirë për të përmirësuar situatën e rëndë politike në vend dhe imazhin e vendit në botë, duhet t’i konsiderojë zgjedhjet presidenciale si një rast shumë të mirë për t’i treguar opinionit ndërkombëtar me fakte se edhe ne jemi në gjendje të bëjmë zgjedhje të ndershme dhe të pakontestueshme.

Në një klimë të tillë politike, si mund të përfshihen masat më shumë në zgjedhjen e presidentit dhe në të njëjtën kohë të mos ndryshojmë formën e republikës?

Pjesëmarrja më e gjërë e masave në zgjedhjen e presidentit është e mundshme dhe, për mendimin tim, e domosdoshme, edhe pse Shqipëria nuk është dhe s’ka përse të jetë republikë presidenciale. Siç përmenda më parë, kandidatët për president duhet të propozohen nga partitë politike. Serioziteti i kandidatëve do të dëshmojë seriozitetin e enteve përkatëse politike.

Edhe pse rekomandohen nga partitë politike, kandidatët janë në thelb të pavaruar. Këtyre kandidatëve duhet t’u akordohet një fond i njëjtë për fushatën e zgjedhjeve, dhe detajet e këtij fondi, që duhet të vijë vetëm nga shteti, duhet të bëhen publike.

Është e rëndësishme që në kushtet që po kalon Shqipëria ku, si gjithçka tjetër, edhe bizensi është i politizuar, tani për tani në zgjedhjet presidenciale nuk duhet të ketë kandidatë të vetë-financuar apo që mund të sigurojnë sponsorizim privat.

Kandidatët presidencialë duhet ta organzojnë fushatën e tyre në bazë të rregullave që janë të njëjta për të gjithë. Kjo fushatë do të kurorëzohet me tre debate televizive, të organizuara në tre qytete të vendit – në jug, veri, dhe Tiranë – të cilët do t’u japin kandidatëve mundësinë të paraqesin programin e tyre para popullit para se ky të votojë direkt për ta.

Kjo intervistë nuk ështe vendi për të diskutuar me imtësi se si mund te realizohet ky skenar zgjedhjesh.

Po qe se drejtuesit e politikës shqiptare si në qeveri ashtu dhe në opozitë janë të interesuar, unë do t’a diskutoja këtë propozim me ta në detaje. Sigurisht, që ky proces kërkon angazhimin e kolegëve nga shkencat politike dhe sociale në Shqiperi dhe disaporë të cilët nuk i kanë mbajtur ison asnjë politikani në Shqipëri. Në këtë proces nuk ka vend, po të huazojmë një shprehje të Edward Said, për ‘lakej intelektual’, të cilët me qëndrimet e tyre të paprincipta kanë përbaltur integritetin akademik. Intelektuali i vërtetë është gjithmonë në ‘opozitë’.

Distanca kohore e mbetur deri në zgjedhje është e vogël (e limituar) Mendoni se mund të arrihet një ndryshim i tillë në kaq pak kohë?

Po. Nuk po flasim për një proces të ndërlikuar apo për zgjedhje maratone të tipit amerikan, por për një fushatë të shkurtër dhe transparente në mënyre që populli ta shikojë me fakte së është i përfshirë në zgjedhjen e figurës më përfaqësuese të shtetit. Koha e presidentëve anonime, emrat e të cilëve i mësojmë vetëm kur ‘emërohen’, ka ikur. Propozimi që bëj unë mundëson angazhimin e partive politike në një proces demokratik, transparent, dhe nuk krijon premisa për krijimin e partive të reja politike të cilat janë me shumicë.

Numri i këtyre enteve politike është mirë që të reduktohet duke krijuar aleanca me parti me të cilat kanë anë të përbashkëta. Po qe se klasa politike në Tiranë është vërtet e interesuar që të përfitojë nga eksperienca pozitive e intelektualëve shqiptarë dhe është serioze kur flet për ‘brain gain’, propozimi im është një hap konkret për bashkëpunim. Topi është në fushën e politikanëve shqiptarë.

Pas zgjedhjes së presidentit vijnë zgjedhjet politike. Që nga zgjedhjet e vitit 1996 të konsideruara nga OHDIR si hap prapa, jemi të përndjekur nga vesi i vjedhjes së votës. Çfarë mund të bëj presidenti në këtë pikë? Sepse siç e dimë veprimtaria e presidentit është e kufizuar.

Tani për tani, jo shumë. Efekti nuk do të jetë i menjëhershëm. Por të paktën shqiptarët do të jenë të vetëdijshëm që në postin e presidentit është një njeri i ndershëm që do të pezulloj karrierën personale për t’i shërbyer vendit me dinjitet, përkushtim dhe transparencë, nocione që me sa duket akoma nuk aplikohen si dhe sa duhet në politikën shqiptare.

Si mund të zgjidhet problemi i grupimeve të fuqishme mafioze që tashmë kanë fuqi të konsiderueshme financiare dhe politike për të ndikuar e për të kompromentuar çdo zhvillim të ardhshëm?

Siç thashë më lart, bota, dhe populli deri diku, e di se kush janë drejtuesit politik të korruptuar në Shqipëri. Po qe se ju thoni se grupe mafioze drejtojnë apo kanë ndikim të drejtëpërdrejt në politikën shqiptare, atëherë ne jemi në nje gjendje akoma me të vajtueshme se çmendojmë.

Përgjegjësi kryesor i atyre zgjedhjeve gjendet akoma në pushtet. Nganjëherë ndodh si me hajdutin i cili është kapur njëherë dhe i ngelet gjithmonë damka. A mund t’i shpëtojmë ndonjëherë këtij paragjykimi?

Si vend ne ka kohë që vuajmë një ndëshkim kolektiv jo të drejtë për sjelljen dhe aktivitetin e paprinciptë të disa drejtuesve kryesore të politikës shqiptare. Po qe se nuk e vemë shtëpinë tonë në rregull ne do te jemi gjithmonë të stigmatizuar. Dhe problemet tona nuk duhet të presim të na i zgjedhin të tjerët. Po ashtu, vetëm ne shqitarët mund të përmirësojmë imazhin negativ që kemi.

A mendoni se ndryshimet nga lart janë të mjaftueshme për të hyrë në rrugën e normalitetit? Nëse jo, kush është përgjegjës për ndërgjegjësimin e masave?

Jo. Por ndryshimet nga lart janë shumë të rëndësishme sepse drejtuesit e shtetit të cilët e konsiderojnë veten dhe veprojnë si shërbëtorë të popullit paraprijnë me shembullin personal dhe frymëzojnë popullin, dhe veçanërisht brezin e ri që është shpresa kryesore për ndërtimin e një shoqërie civile aktive kaq të domosdoshme për konsolidimin e demokracisë. Sistemi arsimor i të gjitha hallkave si dhe mediat e pavarura luajnë nje rol parësor në ndërgjegjësimin e masave për t’u kërkuar llogari politikanëve dhe për t’a vënë atë para përgjegjësisë.

Duke u rikthyer tek zgjedhjet e presidentit, keni në mendje ndonjë emër, apo emra të veçantë?

Jo, por njerëz cilësore dhe të përkushtuar për çështjen kombëtare që mund t’i shërbejnë vendit në mënyrë shembullore ka si në Shqipëri dhe diasporë. Ata që janë në krye të politikës shqiptare, nga të cilët, me sa duket, disa ka kohë që e konsiderojnë vendin si çifligun e tyre, le t’i gjejnë këta persona në mënyrë që duke bashkëpunuar me ta të mësojnë nga integriteti i tyre dhe të fitojnë me prova kredibilitetin që e kanë humbur prej kohësh.

A mund të jenë Fatos Nano dhe Jozefina Topalli presidentë të mirë?

Po qe se Z. Nano dhe Znj. Topalli propozohen krahas kandidatëve të tjerë në mënyrë transparente nga partitë politike për të konkuruar në mënyre të principtë dhe të barabartë për postin e presidentit dhe nuk serviren si konkuruesit e vetëm, si çdo shtetas, edhe ata kanë të drejtën të marrin pjesë në zgjedhje. Kandidatët le t’i mbushin mendjen popullit gjatë zgjedhjeve presidenciale se përse ata e meritojnë ta përfaqësojnë vendin në një post kaq të lartë.

A ka kuptim t’i ofrohet ky post nje personazhi si Ismail Kadare?

Për Z. Kadare kam konsideratë të veçantë por posti i presidentit nuk ka kuptim t’i ‘ofrohet’ askujt. Për këtë post duhet të bëhen propozime nga entet politike dhe po qe se Z. Kadare është njëri prej kandidatëve të përzgjedhur në mënyre transparente, bashkë me kandidatët e tjerët duhet të ballafaqohen me popullin në bazë të skenarit që përmenda më parë, skenar që trajton të gjithë pjesëmarrësit në mënyrë të barabartë.

Mundet një figurë deri tani anonime dhe e panjohur për publikun dhe i paangazhuar në jetën shoqërore dhe politike shqiptare të jetë një zgjidhje për presidentin?

Kush nuk ka kurajo të përballet me popullin për t’i fituar besimin nuk është kurrë në gjendje të realizoj ndryshime pozitive.

Nëse e djathta dhe e majta janë njësoj të paafta për të ndryshuar gjëndjen në Shqipëri, cilët janë forcat e reja politike/shoqërore që mund të ndryshojne atë?

Ka ardhur koha që drejtimin e partive politike të majta dhe të djathta t’a marrin në dorë një brez i ri politikanësh që nuk janë përlyer në korrupsion. Shqipërisë nuk i duhen parti të reja por një mendësi e re politike. Politikanët shqiptarë nuk duhet të themelojnë parti politike sa herë që zihen me drejtuesit partiak ose thjesht sepse duan të jenë vetë ali vetë kadi.

Në Shqipëri pluralizmi partiak është kuptuar dhe aplikuar si amulli partiake ku çdo kush dëshiron me çdo kusht të bëhet dhe të ngelet i pari deri në fund. Në këtë drejtim nuk e marr vesh se si dallojnë drejtuesit e politikës shqiptare të dy dekadave të fundit nga Zogu dhe Hoxha të cilët i akorduan vetes për jetë tapinë e pushtetit. Se çndodh kur qeverisesh nga njerëz me nje mendësi të tillë dihet.

Ky artikull eshte i disponueshem dhe ne italisht

Argumenta
Shfaq më shumë

komente për “Zgjedhja e Presidentit në një vend pa udhëheqje”

Mund t'ju interesojë gjithashtu

Na ndiq në Facebook

Close