Hueyda El Saied. Një interpretuese e vetme për një duet artistik: balet-pikturë

Intervistë me balerinën, show – girl  dhe prezantuesen  shqiptare, Hueyda El Saied. 

Në skenarin e filmografisë ‘Art’, ajo, përveç roleve të pandarë të balerinës, show –girl apo prezantueses, kohët e fundit, gjithnjë e më tepër po i përkushtohet edhe një roli tjetër: atij të lidhur me pikturën.
Eshtë gjithashtu e vërtetë që një artist e shpreh artin dhe aftësinë e tij krijuese nën forma nga më të ndryshmet e jo gjithnjë, thjesht në një të vetme.     Epra, e kemi ndjekur Hueydën zakonisht në imazhin që ajo i ka ofruar publikut si balerinë, show-girl, prezantuese televizive, aktore në skenë teatri apo kinematografi, si protagoniste nëpër spot publicitarë etj…

E kemi ndjekur si të pranishme nëpër evente kulturore apo artistike, por është një pasion, i cili prej disa kohësh – madje, në mënyrë më të theksuar së fundmi – po rrëmben çaste të shumtë nga koha e saj, ato çaste që, në shoqëri të këtij pasioni, ashtu siç ajo vetë i cilëson, i shërbejnë veçse për shplodhje.
Bëhet fjalë për pikturën!
Gjithnjë e më e pranishme tek Hueyda, piktura është një mike me të cilën ajo konfidohet e shkëmben ‘mendime’ njëkohësisht edhe mbi të    gjithë botën që asaj i përket: artit në tërësi.

– Si lindi pasioni yt për pikturën,  Hueyda? Në ç’moshë fillove të perceptosh që piktura ka diçka  që  të  tërheq në veçanti?

Gjithnjë më ka pëlqyer piktura. Në shkollë, profesori i vizatimit më nxiste shpesh tek shihte vizatimet e mia, por në atë kohë unë kisha ëndërra të tjera.
Guximin për të krijuar pikturën e parë me bojëra vaji, e mora disa vite më pas shpërnguljes sime në Paris.

– Baleti dhe piktura: u gjen dot një  emërues  të  përbashkët?

Sigurisht që ka disa pika të përbashkëta. Njëra prej tyre është se, si baleti, edhe piktura,  të  dhurojnë një liri dhe forcë pa kufi. Për më tepër, përpara një pikture apo një koreografie,  një italian apo një japonez, p.sh,  nuk kanë nevojë  të flasin të njëjtën gjuhë.

– Cila është teknika, stili dhe materjalet që përdor në pikturat e tua?

Hand shake Acrylic – 100 cm x 80 cm

Pikturoj me bojëra vaji dhe akriliku. Boja e vajit është një lëndë, të cilën e përdor kur dua të kaloj nga një ngjyrë, në tjetrën, pra kur synoj të aplikoj degradimin e nuancave. Por, më pëlqen gjithashtu të pikturoj me bojë akrilik. Artistikisht fjala “pikturë” do të thotë kombinim i disa elementeve si ideja, teknika, kompozimi, ngjyrat dhe ndjesitë. Në fakt, më pëlqen të pikturoj, pasi të pikturosh, për mua do të thotë të kërkosh kënaqësinë dhe njëkohësisht, ta dhurosh atë. Piktura është si dashuria, jo më kot themi që, dashuria i jep jetës ngjyra.

– Piktura e parë që ke realizuar?

Ka qenë një pikturë me bojëra vaji, ku çuditërisht kisha pikturuar një seri këmbësh që mbathnin pointes (puante ) baleti. (Qesh)

– Autoportret, ke arritur të realizosh?

Ende jo, ndoshta më vonë. (Qesh)
Për momentin më pëlqen të eksploroj portretet apo objektet që më bëjnë të ëndërroj.

– Ke pasur mundësi t’i ekspozosh ato në ndonjë event apo ekspozitë në Tiranë apo në ndonjë vend tjetër?

Sapo kam firmosur një kontratë për të realizuar ekspozitën time të parë në Luksemburg.

-Piktorët e tu të preferuar, shqiptarë apo të huaj..

Oh, kam një listë të gjatë me piktorë që më frymëzojnë me veprat e tyre.

Nga shqiptarët: Kel Kodheli, Kolë Idromeno, Arben Theodhosi, Artan Shabani, Edi Rama, Gazmend Leka,…
Ndërsa nga të huajt: Claude Monet, Gustav Klimt, Rafal Olbinski, Pablo Picasso, Salvador Dali, René Magritte, Vincent Van Gogh,…

– Shoh në sitin tënd pikturat që ke ekspozuar e më bën përshtypje njëra në veçanti: ajo e titulluar “ Kaçurrelat”. Kjo është  paraqitja e flokëve të tu, të natyrës tënde origjinale?

Curly Acrylic – 50 cm x 50 cm

Kjo është një pikturë, e cila me sa shoh, intrigon. Sepse të gjithë më flasin për të, duke e lidhur me flokët e mia.
Atëherë, le ta konsiderojmë si një dhuratë që i kam kushtuar të tëra vajzave me flokë kaçurrela. (Qesh)

– Nga e more shkasin të realizosh një pikturë,  atë “ Ditë  e natë ”,  nën  formën e dy maskave?

Gjithnjë më kanë pëlqyer maskat, ato janë misterioze.
Siç e thashë më lart, piktura është një mënyrë për artistin, të publikojë një ndjesi personale. Gjithnjë më ka tërhequr ai çast, kur dielli dhe hëna përshëndesin njëri – tjetrin.

Night and dayAcrylic – 60 cm x 100 cm

– Në fund, piktura  jote  “ Shtëpia e lumturisë “, cilës shtëpi i referohet: shtëpisë aktuale të Hueydës,  asaj të  fëmijërisë së saj, apo një shtëpie të mundshme të ëndrrave të  tua? 

The house of HappinessAcrylic – 100 cm x 80 cm

 

Eshtë një përzierje e të treja shtëpive që ti përshkruan.
Kudo ku kam jetuar, shtëpia ime ka qenë një vend paqeje, harmonie dhe gëzimi, pavarësisht asaj ç’ka ndodhte pas dritareve, jashtë shtëpisë.
Ndjej nostalgji për shtëpinë e fëmijërisë, ndaj shtëpinë e ëndërrave të mia e dua si ajo: të mbushur me miq të vërtetë dhe lule, me pak fjalë, si piktura ime. (Qesh)

Si e prite lajmin për emërimin e drejtorit të ri të Galerisë Kombëtare të Arteve, Shqipëri, z. Artan Shabani?  E njeh si artist apo personalisht?

I njoh krijimet e tij dhe më pëlqen shumë ideja që, Galeria e Arteve do të drejtohet tashmë nga një artist i vërtetë, si Artan Shabani.
E kam takuar para disa vitesh dhe ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që, ai është i thjeshtë, po aq sa i talentuar dhe i madh si artist.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version