“Jo gjithçka që shndrit është flori”

Tirana tërheq si një magnet të gjithë ata që në Shqipëri të gjithë ata që kanë ambicjen të ecin në jetë me hapa që vetëm Tirana mund t’u japë mundësi

“Qytet i bukur: me ngjyra, i madh, me zhurmë e rrëmujë, plot jetë Tirana. Pak a shumë, ashtu si të gjitha qytetet e mëdha ngado e zonat metropolitane..”– më tha një ditë, një mikja ime italiane, e sapo kthyer nga një udhëtim andej nga anët e mia.

Patjetër që është i bukur qyteti im,- i përforcova mendimin, me një farë shkëlqimi në sy,- është i veçantë ai qytet, të paktën për ne që vijmë prej andej..

Ka një pamje që e veçon nga të tjerë, me përzjerjen e tij arkitektonike, në të cilën, ndoshta vetëm pjesërisht janë marrë parasysh përmasat e qytetit apo struktura e tij. Gjithsesi, Tirana i tërheq të gjithë: banorët e vet, ata që e vizitojnë shpesh, por mbi të gjitha, ata që e vizitojnë për herë të parë..
Tranzicioni i gjatë e i vazhdueshëm, i dhimbshëm e i lodhshëm, ka lënë shenja të veçanta në jetën e qytetit e në atë të banorëve të tij.

Por.. tërheq Tirana.

Tërheq si një magnet të gjithë ata që në Shqipëri, deri pak kohë më parë banonin në zonat përreth saj. Të gjithë ata vendas që kanë ambicjen të ecin në jetë me hapa të tillë që vetëm Tirana mund t’u japë mundësinë të praktikojnë, një qytet me përmasa të tilla, me hapësira të tilla ku të mund të aplikohet. Dhe çuditërisht, deri tani në Tiranë, vend ka pasur për të gjithë: edhe për ata që ndoshta kanë tentuar të shtrijnë hapin më gjatë se këmba..

Po tërheq kohët e fundit, gjithnjë e më tepër, edhe sipërmarrës, tregtarë, funksionarë apo studentë të huaj gjithashtu.
Zemërgjërë banorët e saj autoktonë, bujarë, njerëz të butë, paqësorë, mikpritës, pozitivë.

“Pashë ndërtesa të bukura, shumë prej tyre edhe të lëna përgjysëm, në pritje të të përfunduarit, pashë njerëz të bukur, vërtetë: jeni të pajisur me tipare që spikasin nga pamja fizike, ndër të tjera, ashtu si në të gjithë Ballkanin. E bukur rinia juaj,e përparuar..”- vazhdoi bisedën mikja, ndërkohë që më sillte mbresat e saj nga ky udhëtim në Shqipëri..por..” – vazhdoi..

E njoh miken time kur fillon e ndjen të nevojshme që t’i vendosë paraprakisht bisedës një “por”. Këto “por” – zakonisht nuk mungojnë gjithkund – këto “por” janë të shumëllojshëm, për më tepër janë shtuar shumë kohët e fundit në kontekstin e përgjithshëm jetësor të njerëzve, kudo qoftë vendndodhja e tyre.

Pikërisht se e njoh mirë dhe ruajmë me njëra-tjetrën një shoqëri të pastër, komentet e saj i konsiderova në mënyre objektive, në mirëkuptim, të zhveshur nga ironia, polemika, apo ndjesitë negative. Ajo nuk ndalej kësaj rradhe në aspekte të qytetit tim, të lidhur për shembull me ndikime apo zgjedhje politike, në drejtimin e qytetit, në administrimin e tij lokal, në bashkëjetesën ndërmjet tre feve kryesisht, apo rrymave të tjera fetare të pranishme në kryeqytet, apo çfarëdo tjetër.

Ndoshta u ndal në një aspekt – sipërfaqësor në dukje – por që, mua më bëri të mendohem disi, kur e dëgjova të më thoshte:
“Atje, pashë njerëz të veshur mjaft bukur, madje tepër bukur! Pashë në të njëjtën kohë, edhe njerëz të veshur mjaft keq..”
“E pastaj? Me këtë, ç’do të thuash? – ju përgjigja,- ashtu si kudo. Gjendje e ngjashme edhe me Italinë ku aktualisht po jetojmë, apo jo?”
“Patjetër – ma ktheu – patjetër ashtu si edhe këtu. Por nuk e di, përveç dallimeve shumë të theksuar, pata përshtypjen se ndërkohë që, për një pjesë të mirë të rinisë së atjeshme, perëndimi ka hyrë tashmë në mënyrën e saj të konceptimit të jetesës, kjo, falë edhe zhvillimit të tyre nga ana intelektuale, studimit, komunikimeve të ndryshme me jashtë, horizonteve të eksploruar me sukses në drejtim të perëndimit, shkëmbimeve apo përvojave vetjake të secilit, për pjesën që mbetej, më duhet të them që nuk kuptoja një të veçantë:
“Ku shkonin që në mëngjes herët – sidomos femrat – të veshura me veshje elegante mbrëmjeje?”..

Këtu më bllokoi disi mbi një gjë dalluese: atë të administrimit të veshjes nga një pjesë e mirë e banorëve të qytetit tim, aty ku nuk munda ta kundërshtoj për faktin e thjeshtë se, e pata pak të vështirë të isha e njëanshme, të mbaja kësaj rradhe ‘anën’ e qytetit tim..

Jo vetëm kaq: sepse, pas këtij observimi – jo për veshjen në vetvehte – më shfaqej si në një sfilatë, ‘garderoba’ e personalizuar e zakoneve të mentalitetit të përzjerë, shumëformësh apo shumëngjyrësh të qytetit tim.

Ky konstatim ishte i drejtpërdrejtë, por i vërtetë! Pa paragjykime, i qetë bashkëbisedimi ynë, sepse në fund të fundit, ishte i bazuar mbi një argument të thjeshtë edhe të thellë njëkohësisht. Të bëhet fjalë për persona që, në fund të fundit, mund t’ja lejojnë vetes një farë stili, të shoqëruar edhe me një veshje të sofistikuar – në respekt të mundësive apo shijeve të gjithkujt – biseda bëhet koherente dhe e pranueshme akoma më tepër. Por, në rastin kur njeriut i duhet të sforcohet deri në pikën sa të shndërrojë vehten, për të qenë ‘me hapin e kohës e për t’i pëlqyer të tjerëve’, duke vënë vehten në vështirësi, kjo gjë më shkakton një farë mospajtimi.

Ky, është nga ana tjetër, pa dyshim një koncept pa kufizime gjeografike, kombëtare apo mentaliteti nga vendi im tek i yti. Është, në fund të fundit, një çështje personaliteti e karakteri, i ndikueshëm vetëm deri diku nga formimi apo kultura, por që, në vende si ai imi, theksohet edhe më tepër për shkak, fatkeqësisht, të disa faktorëve të hershëm..

Sforcime të mëdha për të përgatitur ceremoni martesash p.sh, ose festime të çfarëdo lloji, festime nëpër lokale që bëjnë garë ndërmjet tyre për luksin dhe mundësitë apo shërbimet që ofrojnë, ndërkohë që – për atë që stërmundohet për këtë arritje – të nesërmen i duhet t’i përvishet punës për të filluar pagesën e borxheve në të cilat është zhytur ( përtej krizës apo gjendjes ekonomike të përgjithshme në të gjithë Evropën ).

Kjo, vetëm për shkak të çmimit që ti vetë je i detyruar t’i paguash ‘ shfaqjes përpara tjetrit’. E mos më thuaj që është ‘rryma’ që të imponon këtë stërmundim, sepse përgjegjës je vetëm ti e shpesh nuk e vëren këtë gjë ose e anashkalon.
Do të më vinte e natyrshme të të thoja: “Ç ’tu desh kjo gjë..?”

Ekziston edhe sot, për një pjesë të vogël të banorëve të qytetit tonë, një ‘çoroditje’ e ngatërresë përsa i përket elegancës dhe aplikimit të saj, në përputhje me kontekstin, vendin, rastin, personat apo mjedisin e përshtatshëm.

Një diçka tjetër, shumë e rëndësishme: veshja e fëmijëve! Nuk duhet vallë të ngulisin një herë e mirë në kokë nënat në rradhë të parë që fëmijët janë të bukur për natyrë e moshë të freskët të tyren e nuk kanë nevojë të vishen me veshje ceremonie, thjesht për të shkuar në kopështe e shkolla, nëpër ditëlindje të shokëve apo për të konsumuar një drekë apo darkë mëse normale me gjyshin e gjyshen!

Që, për të vegjëlit, veshjet e rehatshme janë themeltare në lëvizjet e tyre përgjatë ditës dhe në rast të kundërt – nëse të papërshtatshme – kushtëzojnë lirinë e veprimit të tyre, duke ndikuar edhe në gjendjen e tyre psikologjike apo në humorin, në gëzimin e tyre, i përbërë ky i fundit, nga gjëra të vogla e të thjeshta?

Ne vetë, dëshirojmë të pranojmë, të pëlqejmë e t’i japim gjithnjë e më tepër hapësirë edhe veshjes sportive ( ashtu si, më në fund, pas shumë kohësh indiference në lidhje me këtë lloj veshjeje, një pjesë e mirë e rinisë në Tiranë, tashmë po e parapëlqen?) përveç ushtrimit të palestrave dhe lëvizjes në ajër të pastër?

Më erdhën në mend fjalët e një bashkëqytetares sime, ndërkohë që po përgatisja valixhen me rrobat që më duheshin në udhëtimin tim të fundit në Tiranë para pak kohësh: “Po kjo valixhe? Ku po shkon me këtë valixhe? – duke ju referuar dihet, jo valixhes nga ana e jashtme, por përbërjes së saj, që sapo kisha filluar të përgatisja.. Ku po shkon me këto rroba kaq…të thjeshta..? “

“Si, të thjeshta?” – e pyeta e befasuar, më tepër nga fakti që e kam vetë për zemër paraqitjen e jashtme dhe veshjen në përgjithësi. “Po ç’të të them..me të ‘thjeshta’, nënkuptoj atë që janë veshje që nuk bien aspak në sy!” – m’u përgjigj..

Më lindi një buzëqeshje e natyrshme në atë çast, sepse kuptova se ku deshi të dilte shoqja ime me këtë ‘paralajmërim’ të sinqertë nga ana e saj mbi rëndësinë e seleksionimin që duhej t’i kisha kushtuar veshjes që po përgatitja për në Tiranë, unë që vija nga jashtë..

Por, kujdes: nuk është se duhej të vishesha me rroba edhe aq ekstravagante – kjo jo – por gjithsesi, duhej sipas saj, të kisha zgjedhur nga ato që të kishin ndonjë model, ngjyrë apo copë me përbërje e fantazi të veçantë, me pak fjalë, nga ato që ndikojnë të kalosh duke rënë në sy..

Me këtë ‘të vënit re’, nuk do të dëshiroja t’i lija shteg keqkuptimeve, por është mentaliteti i vendit, i tillë që kërkon ose më mirë, që pretendon mendjemadhësi, mburrje, pavarësisht se dikush e pranon apo jo këtë gjë. Këto, të ushqyer nga një mënyrë sjelljeje sipërfaqësore që nuk më përket, prandaj mbajta në valixhe të zakonshmet: një komplet – xhaketë e fund, pantallona, nja dy funde e fustane të thjeshtë, nja dy këmisha e bluze, këpucë mëse të thjeshta, për të më mundësuar një paraqitje dinjitoze, por edhe të rehatshme njëkohësisht e që nuk më bënin të dilja nga vetvetja, qoftë kjo, e ‘imponuar’ nga konteksti..

Mendoja se për vendin tim, epoka e imponimeve kishte mbaruar. Por, kuptova se imponime të reja këto, mbetëronin akoma realisht e në mënyrë disi të bezdisshme..

Të bezdisshme kur sheh se dikush ja lejon vetes të manipulohet prej tyre, të rrëmbehet nga një vorbull, shpesh e ngatërruar me “modën apo me bashkohoren..”

Edhe për një herë, Pirandello më bëri të reflektoj. Më pëlqen vepra e tij “Humorizmi”, në të cilën ndalem në një fragment:

“Shoh një zonjë të moshuar, me flokë të lyer e të rilyer, krejt të vajisur me kushedi se çfarë vaji të tmerrshëm kozmetik, pastaj krejtësisht e mbuluar në mënyrë qesharake me veshje tepër rinore për moshën e saj. Filloj të qesh. Perceptoj se ajo zonjë e moshuar është krejt e kundërta e asaj që një zonjë e vjetër e respektuar duhet të jetë realisht. I lejoj vetes kështu, në pamje të parë e sipërfaqësore, të ndalem në këtë përshtypje komike.

Komiku është pikërisht, një paralajmërim i së kundërtës. Por nëse tek unë, në këtë çast, ndërhyn reflektimi dhe më sugjeron se ajo zonjë e moshuar nuk provon asnjë kënaqësi të trukohet dhe të paraqitet si një papagall, por që, ndoshta për këtë vuan dhe vepron kështu sepse ndoshta, e katandisur për të qenë e mëshiruar, mashtron veten se, duke u mbuluar në këtë mënyrë, duke fshehur rrudhat e flokët e bardhë, arrin të mbajë pranë vetes dashurinë e të shoqit, më të ri se vetja e saj, ja pra, që unë nuk mundem të qesh më si më parë, sepse reflektimi, duke punuar tek unë, më bëri të shkoj përtej asaj përshtypjes së parë që pata krijuar, apo më thellë: nga paralajmërimi i parë i së kundërtës më bëri të kaloj në këtë ndjenjë të së kundërtës ( humoristi nuk kënaqet duke buzëqeshur me të kundërtën, por mbi të reflekton dhe nxjerr përfundime). “

E këtu qëndron ndryshimi ndërmjet komikut dhe humoristit.
E këtu qëndron edhe ndryshimi ndërmjet të gjykuarit dhe të para-gjykuarit, d.m.th, ky i fundit, gjykim i përshpejtuar, i nxituar. Nëse gjykojmë një dukuri sipas mënyrës sonë, është e vërtetë dhe shpesh, e pashmangshme, që t’i shtojmë sipër një ‘shtresë’ subjektiviteti, por është njëkohësisht e vërtetë që, disa paralajmërime apo sinjale, nëse do të shërbenin për të na përmirësuar, mirë se të vijnë.

Sepse shpesh, kthehen të vlefshme dhe aktuale disa shprehje të vjetra si ajo që: “Jo gjithçka që shndrit është flori.”

Shpesh, kam përshtypjen se, shkëlqimi i tepruar fsheh disa verbime, që nuk janë veçse dhuratë errësirash …

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version