“Në dyert e TEDx Tirana 2014, ide të reja po trokasin!..”

Me dëshirën dhe synimin për të pritur e, si rrjedhim, për të shpërndarë e shumëfishuar  ide të reja, mendime pozitive e përparimtare për shoqërinë e çdo vendi, në qindra vende të botës prej vitesh organizohet eventi TED. 

TED  është një organizatë  jo fitimprurëse që ka pikërisht si objektiv shpërndarjen e ideve që vlejnë“x” – korrespondon me eventin TED të organizuar në mënyrë  të pavarur, përkatësisht në çdo vend. Kjo nismë prej pak kohësh, ka përfshirë pashmangshmërisht edhe  kryeqytetin tonë, Tiranën.

Eventi në fjalë, herë me pjesëmarrje veçanërisht  femërore, herë me pjesëmarrje të përzjerë të të dyja gjinive si folës në këtë konferencë, si përcjellës të shembujve vetjakë që  vlejnë vërtetë të dëgjohen e të mbështeten si ide nga mbarë opinioni publik, kësaj rradhe po planifikon manifestimin e tij të ri në Tiranë.

Për të pasur një vizion më të qartë mbi eventin e ri të TEDx Tirana 2014, mbi zërat e rinj që priten të dëgjohen, mbi tematikën e re që do të trajtohet, mbi mendimet që priten të përqafohen e krahasohen me njëri –tjetrin, projektuar drejt një funksioni të vetëm, përparimit, sot ndodhet pranë nesh në Albania News , Iris Xholi,  në rolin e saj si përgjegjëse e TEDxTirana.

– Përshëndetje të gjithë stafit organizues  të TEDx Tirana e në veçanti, juve  Iris.
Ju uroj mir
ëseardhjen në Albania News.

Përshëndetje juve Adela dhe të gjithë lexuesve të Albania News.

Nëse nuk gaboj, ky që po planifikohet, është eventi i tretë për TEDx Tirana, pas eventit TED të prillit e atij të dhjetorit 2013 me pjesëmarrje veçse femërore.  Nuk është kështu? Kur pritet eventi i rradhës?

E vërtetë, përsa i përket faktit që ky do të jetë eventi i tretë i organizuar nga TEDxTirana, që kur jemi krijuar në janar 2013.
Eventi i parë ka qenë TEDxTirana 2013 dhe ai që u mbajt në dhjetor,  ishte TEDxTiranaWomen.

Sikundër mund të kuptohet dhe nga titujt, eventi i dhjetorit ishte një event i përqendruar tek gruaja dhe diskutimi mbi të, mbajtur në të njëjtën ditë si TEDWomen në SHBA dhe 150 vende të tjera të botës. Ndërsa, TEDxTirana, është një event që nuk i referohet një grupi të caktuar të shoqërisë, por ka një natyrë gjithëpërfshirëse.

Eventi i 2014-ës, që do të zhvillohet në javët e para të muajit maj.

– Cila do të jetë tematika e re që do të trajtohet në të?

Tema për këtë vit do të jetë “Blissful Uncertainty?!” ose në shqip “E Bekuar Pasiguri?!”.

Me këtë temë duam të ngacmojmë mendjet e dëgjuesve me fjalime të atyre që e kanë përdorur të pasigurtën, në ndihmesë të tyre duke krijuar, punuar dhe prodhuar disa nga sukseset më të mëdha në karrierë. Duke qenë se jetojmë në një kohë pasigurish të mëdha për Shqipërinë, si rrjedhojë e nje tranzicioni të gjatë dhe tashmë, krizës globale financiare, prirja e njerëzve është të stepen dhe kyçen brenda asaj çka për ata është e sigurtë. Në TEDxTirana, ne do ti tregojmë atyre një anë më pak të errët të të pasigurtës, ku krijimtaria, arritjet dhe suksesi janë të mundshëm. Pra, me pak fjalë, kjo temë i nxit dëgjuesit të heqin pilotin automatik nga jetët e tyre dhe të guxojnë të veprojnë në përballjen me të pasigurtën.


– Kjo tematik
ë, është e lidhur paralelisht dhe korrespondon me eventet përkatës TEDx  në vende të ndryshme të botës, apo është e pavarur si ide për Shqipërinë?

Ndryshe nga TEDWomen, eventet e tjera TED janë të pavarur dhe  plotësisht të administruar nga secili vend apo rajon ku zhvillohen. Tema për këtë vit është zgjedhur nga grupi organizator i TEDxTirana dhe i gjithë eventi do të strukturohet dhe administrohet po nga i njëjti grup. Gjithsesi, vlen të theksohet se TEDxTirana vepron nën lejen e TED dhe, si rrjedhojë, duhet të respektojë elementet kontraktualë.

– Një e tillë tematikë në Shqipëri, sipas jush, ka hapësirë të konsiderueshme trajtimi? Si e parashikoni interesimin mbi trajtimin e saj, pjesëmarrjen nga folësit e mundshëm?

Ne përpiqemi gjithnjë të përzgjedhim folës mjaft provokues  dhe këtë po bëjmë edhe për këtë event. Folësit janë zemra e eventeve TED dhe për ne organizatorët, përzgjedhja e tyre është pjesa më e vështirë e procesit.

Për 2014 po përzgjedhim folës, puna dhe idetë e të cilëve do të mund të nxisin dëgjuesin të mendojë dhe veprojë, pasi të ketë përthithur informacionin. Çështja nuk është që dëgjuesi në Shqipëri është më shumë ose më pak i prirur të tregojë interes për tema të tilla, në krahasim me dëgjuesit nëpër botë. Ajo që ndodh në Shqipëri është që, hapësira të tilla debati  konstruktiv, pushtohen nga një retorikë e mbingarkuar politike, duke i lënë shumë pak vend gjithçkaje tjetër jashtë kësaj strehe. TED, me formatin e tij, krijon atë hapësirë të nevojshme ‘frymëmarrjeje intelektuale’ për dëgjuesin shqiptar, që për kaq gjatë ka munguar dhe për të cilën ka mjaft interes.

– Cilët do të jenë parametrat apo kriteret, sipas të cilëve do të seleksionohen folësit në konferencë?

Kriteret janë të njëjta për çdo konferencë TED. Personi i cili zgjidhet të jetë folës në TEDxTirana, duhet të ketë arritur suksese në fushën e tij të ekspertizës, të ketë marrë çmime, nderime shoqërore dhe profesionale për punën e kryer si dhe të zotërojë aftësi të mira komunikuese. Në TEDx Tirana, përmbajtja e një fjale, është po aq e rëndësishme sa edhe mënyra sesi kjo tejçohet drejt publikut. Vetëm një orator dhe folës i mirë mundet që një ide, kërkim mbi të cilin mund të ketë punuar pjesën më të madhe të jetës së tij, ta përcjellë thjesht dhe kuptueshëm tek një dëgjues gjithëpërfshirës brenda 18 minutash.

Për të përzgjedhur folës, ne mirëpresim dhe emërime nga dashamirësit e TED (publiku), dhe si rrjedhojë 3 ditë më parë kemi hedhur thirrjen për emërime në faqet tona në facebook dhe web. Kjo, jo vetëm ndihmon në demokratizimin e procesit të përzgjedhjes, por edhe na ndihmon së tepërmi në identifikimin e atyre personave, të arrirë dhe me kontribute në shoqëri, të cilët janë pak ose aspak mediatikë, por që idetë e të cilëve vlen të përhapen. Thënë këtë, më duhet të falënderoj të gjithë ata 130 ndjekës të TED që na kanë kontaktuar në këto pak ditë që kemi hedhur lajmërimin, për të emëruar vehten ose njerëz të tjerë të komunitetit. Marr shkas të nxis dhe lexuesit e Albania News, të ndajnë me ne emrat e personave  – jo domosdoshmërisht që jetojnë në Shqipëri – të cilët mendojnë se kanë punuar dhe dhënë ndihmesë të rëndësishme në një fushë përkatëse dhe që meritojnë të ngjiten në skenën e TEDxTirana.


– P
ërsa i përket eventeve të shkuar, si e konsideroni bilancin e tyre, efektin e shpërndarjes së ideve të reja dhe mesazheve që ata përcollën në shoqërinë shqiptare?
Cili, impakti mbi shoq
ërinë shqiptare, i punës së TEDx  – it të deritanishëm në Shqipëri?

TEDxTirana është pritur mjaft mirë për këtë pak kohë që është paraqitur në Shqipëri. TED, si konferencë është krijuar më 1984, dhe prej atëherë ka kryer një rrugëtim mjaft të konsiderueshëm. Grupi ynë organizues ka një vit që e ka sjellë formatin në Shqipëri dhe shohim me kënaqësi që publiku ka filluar të reagojë mjaft pozitivisht. Ka nga ata që e njohin TED prej vitesh, ndërsa të tjerë e kanë njohur falë nesh dhe tashmë e duan. TED është një revolucion idesh dhe Shqipëria është në një nevojë akute për një revolucion të tillë.


– Sipas jush – p
ërtej tematikave të TEDx trajtuar në nivel botëror përgjithësisht –  cilat janë çështje të tjera emergjente  për t’u trajtuar për shoqërinë shqiptare, ose më mirë, cilët janë personat apo shoqatat shqiptare, mbartës të këtyre ideve të reja e pozitive, që meritojnë të sillen si shembuj për t’u ndjekur në Shqipëri?

Sikundër cilësova më lart, TED dhe TEDx janë me karakter multidisiplinor dhe gjithëpërfshirës. Thënë këtë, për ne gjithçka e cila ka vlerë (pra nuk është pseudo shkencë, art etj..) është aktuale dhe vlen të trajtohet. Në një konferencë TED mund të kesh dikë që ligjëron sesi edukimi sot është duke vrarë krijimtarinë tek të rinjtë, dikush tjetër që ligjëron mbi printimet 3D dhe efektin në shoqëri, apo dikë si Al Gore që ngre shtyllat e debatit mbi ngrohjen globale. Edhe në kontekstin e Shqipërise ndiqet i njëjti parim, veçse në ndryshim nga TED në SHBA,  në Shqipëri zgjedhja është disi më e kufizuar, duke patur parasysh burimet tona njerëzore. Gjithsesi, në vitet e shkuara ne kemi patur mundësinë të veçonim disa zëra me të vërtetë origjinalë, çka do ta bëjmë edhe këtë vit, por që,  një risi për këtë vit, do të jetë fakti që do të kemi edhe folës të huaj ose shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve. TEDxTirana është një nismë, e cila mundësohet vetëm në mënyrë vullnetare, ndaj dhe një bashkëpunim më i madh me biznesin, institucione qeveritare apo joqeveritare, është mjaft i rëndësishëm për të thirrur folës të mirënjohur ndërkombëtarisht dhe për ta paraqitur Tiranën dhe Shqipërinë denjësisht në hartën e eventeve TED në mbarë botën.


– Vullnetar
ët, kanë filluar të interesohen për pjesëmarrjen?

Po, faktikisht kemi marrë disa e -mail ku kërkohet informacion dhe shprehet interesi për të qenë pjesë e grupit të punës për TEDx e ardhshëm. Gjithsesi, ne do ta hedhim disi më vonë thirrjen për vullnetarë dhe atëherë presim që të marrim dhe kërkesat më të mëdha. Në eventet e shkuara, numri i të interesuarve ka qenë me qindra, por ne padyshim mund të bëjmë pjesë vetëm një përqindje të vogël të tyre, bazuar në informacionin që kanë për formatin si dhe mundësitë reale të ndihmesës së tyre në event. Kur i bashkohen TEDxTirana, vullnetarët bëhen pjesë të grupit dhe japin ndihmesë reale (nuk janë aty për të blerë / pirë kafe e të marrin një çertifikatë në përmbyllje), sikundërse vendosin kontakte dhe ekspozohen në një mjedis të mirëfillte profesionistësh, çka e bën dhe përzgjedhjen e tyre mjaft të rreptë.

– Do të jetë gjithnjë “Chateau Linza”, struktura që do të presë TEDx – in  e rradhës, apo parashikohet ndonjë  mjedis tjetër?

Jo, Chateau Linza u zgjodh veçanërisht për TEDxTiranaWomen, pasi ne kishim në mendje një event të vogël, të cilit i nevojitej një atmosferë intime për një ‘mbledhje’ ‐ larg ftohtësisë që ndonjëherë sjellin sallat e konferencave. Duke qenë se TEDxTirana 2014 do të hapë dyert për një publik pjesëmarrës prej 400 personash, për më shumë se 8 orë dhe me mëse 20 folës që pritet të ligjërojnë, mjedisi që do të përzgjidhet do të jetë shumë herë më i madh dhe gjithashtu me vendndodhje më qendrore se Chateau Linza. Duke qenë se ende nuk kemi përfunduar  – nënshkruar kontratë – me vendin ku mendojmë të zhvillohet konferenca, nuk po detajohemi më shumë se ku do te zhvillohet, por ajo që mund të themi, është që do të zhvillohet në zemër të Tiranës.

– Duke ju uruar punë të mbarë, mbetemi në pritje të çdo të reje pozitive që do të përcillni për shoqërinë  shqiptare e për këdo në botë që na ndjek. Punë të mbarë stafit të TEDx Tirana dhe të gjithë pjesëmarrësve, për eventin e rradhës! 

 Faleminderit për interesin e vazhdueshëm dhe profesionalizmin e treguar në mbulimin e formatit, Adela. Do të dëshironim të të  jepnim një ftesë për të qenë e pranishme në TEDxTirana 2014, si mike tashmë e TED në Shqipëri. Të mirëpresim në muajin maj në Tiranë!

Jam unë që ju falënderoj në emrin  tim e të redaksisë sonë, juve  Iris e TEDx Tirana. E kjo, me shumë kënaqësi.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version