Nga këto duar gjyshërish dhe nga këto balle fëmijësh buron dashuria njerëzore. Ushqehen qeliza për ndërtimin e një vendi. Kështu dëshiroj ta filloj këtë shkrim dedikuar vitit të dytë të shkollës së gjuhës shqipe në Parma, Itali.
Më emocionon shumë fotoja e bërë nga Presidenti i Shoqatës shqiptare « Scanderbeg », avokati Gentian Alimadhi, gjatë përurimit të vitit të dytë. Shpesh e mendojmë si një fokusim të një momenti ndoshta të parëndësishëm, të rastësishëm, të rrethanës. Në të vërtetë, është sa i thjeshtë aq edhe domethënës. Moment i pashlyer që lidhet edhe me ninullën. Atë që na këndojnë kur jemi të vegjël në krahët e dashurisë prindërore. Atë që të mbyll sytë me ëmbëlsinë e gjuhës si mjalti.
Në një ambient të thjeshtë por të ngrohtë ora e parë e mësimit trokiti në zemrat e vogëlushëve. I shikon që vijnë njëri pas tjetrit, dikush është i sigurtë sepse ulet për vitin e dytë në këto banka, dikush me sy të bukur kureshtarë po i bën vetes pyetjen e përhershme: “Ç’do të mësoj këtu?”. Ngren kokën dhe shikon një hartë gjeografike të Shqipërisë, në krah të saj një tjetër të Kosovës. Nuk ka përgjigje më të bukur se kjo. Dallon ndoshta të shkruar aty mes maleve një qytet apo fshat që e ka dëgjuar në bisedat në familje, apo një vend bregdetar që ka mundur të kalojë pushimet verore si mijëra emigrantë të tjerë që rikthehen për çdo korrik apo gusht në Shqipëri.
Prindërit janë entuziastë. Mësuesit Brunilda Hoxha, Elvira Lika, Rasim Djala me eksperiencë e tij 20 vjeçare në arsim, Durimi dhe Nafe, s’mund të fshehin emocionet e tyre. Është si rreze dielli kjo ditë se shëmbëllen edhe tek të pranishmit në çdo pore të fytyrës. Një punë që ka nisur në tetorin e vitit të kaluar dhe është vazhdimi i një synimi fisnik që mundi të kurorëzohet vetëm falë dëshirës vullnetare për të qënë vatër e kultivimit të gjuhës dhe kulturës së lashtë shqiptare.
“Ndjehem e emocionuar që bashkë me ju arritëm të mbyllnim një vit shkollor dhe të nisim një tjetër po aq të ngarkuar me përgjegjësi, – thotë mësuese Brunilda gjatë fjalës së hapjes – pa lënë mënjanë sakrificat e prindërve, që të zhytur në problemet e jetës së përditshme, të papunësisë e të përpjekjeve për të mbijetuar, gjetën mundësinë dhe patën vullnetin e mirë për t’ì sjellur fëmijët e tyre këtu, duke vlerësuar atë që mbetet vërtet në ndërgjegje e kujtesë mbi prejardhjen e tyre, që këta fëmijë të mos vuajnë nga ndjenja e të qenurit as në tokë e as në qiell, pa vatër e kulm mbi kokë. Prindër, konsideroni gjuhën shqipe gjuhë të zemrës tuaj. Kujtoni që emocionet më të mëdha në jetë i keni shprehur në gjuhën shqipe, se në të kundërt do të ndiheshit bosh, të varfër në mesin e të pasurve”.
Projekti i shkollës shqipe, pjesë e programit afatgjatë të Shoqatës shqiptare Scanderbeg edhe kësaj rradhe hapi dyert e diturisë amtare. Një buzëqeshje mirësije shikoje kudo edhe tek femijët më të vegjel të cilët një ditë do të munden të ndjekin shkollën në të ardhmen. Këtë vit është bërë një punë e konsiderueshme edhe në ambientet shkollore të Parmës. Me një letër në italisht dhe shqip drejtuar të gjitha drejtorive të shkollave të qytetit është bërë e mundur edhe paraqitja e kësaj iniciative të mrekullueshme në ambientet pedagogjike italiane.
“Ishte një ide tani është një projekt i vertetë”. Kështu përmblidhet në letër kjo iniciativë e kështu e përkufizojmë fillimin e vitit të dytë të shkollës së gjuhës shqipe, që shënon besimin në një projekt afatgjatë të Shoqatës shqiptare “Scanderbeg” në Parma. Eshtë e qartë për të gjithë sa e rëndësishme është mësimi i gjuhës mëmë! Mbështetet në dy shtylla të vlerave njerëzore: kulturën dhe komunikimit personal, ku frutet mblidhen me kalimin e kohës.
Nuk është thjesht një shkollë e mësimit të të folurit shqip, por është një mësim i gjithëanshëm i gjuhës dhe kulturës me një program të plotë me njohuri mbi gramatikën, leksikun, letërsinë, historinë dhe gjeografinë shqipe. Shkolla ka për qëllim të krijojë familjaritet me gjuhën dhe me njohjen e kulturës në përmasën e botëkuptimit të fëmijës pa e mbingarkuar atë. Sepse është e nevojshme të kuptojmë dhe pranojmë angazhimin e tyre gjatë gjithë javës në aktivitete të ndryshme shkollore italiane.
Kjo shkollë i drejtohet të gjitha familjeve emigrantë shqiptarë si një rrugë me motivim dhe me vlerë për fëmijët e tyre. Një gjuhë që u përket, por po nuk u studiua do të varroset nga koha që kalon.