Me datë 3 shtator, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, përkujtoi në Vlorë 90- vjetorin e Luftës së Vlorës, por përpara të pranishmëve, Imami dha një këndvështrim tjetër për këtë pushtim të Italisë në territorin shqiptar në vitin 1920.
Imami deklaroi se është koha për të reflektuar në historinë tonë kombëtare, që sipas tij, është e tejmbushur me klishe. Sipas tij, pavarësisht qëllimeve imperialiste të Italisë në vitin 1920, interesi i saj për ndërhyrje në Shqipëri ishte të pengonte fqinjët e Shqipërisë për të hyrë në territorin shqiptar. “Mendoj se duhet të fillojmë të reflektojmë. Unë nuk jam historian, por kam 20 vjet që merrem me politikë. Jam përpjekur në jetën time që të reflektoj edhe mbi historinë tonë politike. Besoj se ka ardhur momenti që të heqim dorë edhe nga disa klishe, të cilat do të përpiqem që t’i pasqyroj nga disa këndvështrime për luftën e Vlorës, dorëzimin dhe protokollin e Vlorës. Si mjedis i një fuqie të madhe gllabëruese dhe një shteti të vogël si ne, padyshim që ka të vërteta në të gjitha këto, ka përqasje, por në cilësinë e tyre edhe qëndrimi kompleks i Italisë ndaj çështjes shqiptare ishte që në një gjendje vakumi, që ishte krijuar në territoret e Shqipërisë, të mos ndodhej përballë në ngushticën e Otrantos, me një fuqi rajonale kompetitive.
Prandaj, pa përjashtuar qëllimet imperialiste, interesi italian në këtë rast ishte i lidhur me pengimin e fuqive rajonale për të hyrë në territorin shqiptar”, tha Imami. Më tej ai u shpreh se “ndarja e Shqipërisë ishte një ruajtje e balancës me një rrugë diplomatike, në kuptimin e diplomacisë si marrëveshje, ndërsa mbrojtja e tërësisë territoriale ishte një zgjidhje politike, e cila në marrëdhëniet ndërkombëtare kuptohet si forcë dhe këtë arritëm ta konkretizojmë në të gjitha territoret, kudo ku kishte shqiptarë, e veçanërisht këtu në Vlorën trime”.
Burimi: Gazeta PanoramaJu ftojme te lexoni artikullin e Manfred Bushit mbi kapitullimin italian te dates 8 shtator 1943 publikuar 2 vjet “Quel maledetto giorno di settembre.. “