Përshtypjet e poetit dhe shkrimtarit Visar Zhiti nga takimet e veprimtarive të organizuara nga “Albania News” në Modena, të shtunën e kaluar 12 qershor 2010.
Të shkosh në Modena me tren, për herë të parë dhe duke qenë shqiptar, krahas ngazëllimit të brendshëm që mendon se do të shkaktojë e panjohura ngaqë po udhëton dhe do të shohësh rrugë, katedrale, njerëz, që nuk i kishe njohur, ke dhe ndjesinë se po shkon në qytetin e këngëtarit të madh lirik, ndër më të mëdhenjtë në botë, Luciano Pavarotti. Dhe të ndjek një arie e tij, që e praron peizazhin përreth, duke i dhënë gjerësira shpirti.
Befas kujtohesh se në kryeqytetin tënd, në Tiranë, është një bar me emrin e tij, ku ti ke shkuar, ke lënë takim me miqtë, ke pirë një kafe apo birrë dhe kjo sikur ta bën më të afërt Modena-n.
Por gjithçka bëhet më e kollajtë dhe më e bukur, kur takon në stacionin e trenit ata që të kanë ftuar dhe po të presin, edhe pse shiheni për herë të parë, bashkatdhetarët e tu, Darieni, Manfredi, Olti, kryetari i shoqatës, Albani, Ismaili, të gjithë të rinj, me shoqet e tyre. Këtu jetojnë, studiojnë e punojnë, shkruajnë dhe nxjerrin një gazetë elektronike, “Albania News”, tashmë e bërë e njohur. Është e kuptueshme që kanë shqetësimin e veprimtarisë që do të fillojë pas pak e do të diskutohet për gazetën e tyre e perspektivat, por janë të kujdesshëm, gjithë mirësjellje dhe të natyrshëm. Të ftuar janë dhe gazetarë të njohur italianë, këshilltarë bashkish, kryetarë shoqatash dhe salla është plot me qytetarë, italianë dhe shqiptarë.
Paradite
Do të më duhej të përshëndesja në emër të Ambasadës së Shqipërisë në Romë, për mbështetjen që i jepnim kësaj veprimtarie, por në fakt ishin ata që po mbështesnin ambasadën, madje dhe prania ime si ministër këshilltar, hoteli, udhëtimi, mbulohej me shpenzimet e tyre, madje dhe aria e dhimbshme e Pavarotit, që më shoqëronte ende.
Gazeta duhet të dalë shqip, tha njëri nga diskutantët. Edhe shqip, shtoi një tjetër. Italisht, kjo jonë, këmbënguli dikush, se ne duam t’u tregojmë italianëve, jo vetes, kulturën tonë, punën, lajmin, integrimin… Gazetat italiane duhet t’i pasqyrojnë veprimtaritë tona, tha një zonjë nga salla. Nëse ka, u përgjigj gazetarja italiane. Po, ka, po ju atë ditë keni pasqyruar një krim dhe në faqe të parë. A ndodhi krimi? Po s’ikur të mos ishte shqiptar? Po edhe ju mes nesh jeni, tanët. Duhet të ketë më pak racizëm, s’duhet të ketë fare. Duam lajme më shumë, s’duam lajme fare, informacion, kulturë… Ç’kupton ti me gazetë, ç’do?
Në pushim, teksa pija kafe me grupin tim, me Iskrën dhe Llambin, Albanën, Arijonin, etj., po thosha se Konfuci ka thënë se po ta bënin mbret, gjëja e parë që do të bënte, do të rregullonte gjuhën, se njerëzit me të njëjtën fjalë nuk kuptojnë të njëjtën gjë. Mendo më pastaj gjuhën tjetër, përkthimin. Na bashkon puna, mirëkuptimi…
Po Lenini që thoshte, më jepni një gazetë e të shikoni po nuk përmbysa një pushtet. Unë kam shkruar, kur isha gazetar në gazetën e parë opozitare, që më jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk ndërtova një pushtet, qoftë dhe atë të kulturës.
Më pas profesor Giovanni Armillotta dha gjithë pasion një leksion me temë “Media dhe Shqipëria”, duke sjellë shembuj tërheqës.
Pasdite
Në panel ishim ne, gazetari italian Antonio Caiazza, autor i një libri interesant për Shqipërinë, “Alto mare”, Serena Luciani, romani i së cilës, “Terremoto a Tirana”, ishte përkthyer dhe në shqip me titullin “Një grua në Tiranë”, promovuar 4-5 herë dhe nga ambasada, monitorues do të ishte hulumtuesi Paolo Muner, me botimin dy gjuhësh “Una storia scutarina – Një histori shkodrane” me të dhëna për flamujt tregtarë shqiptarë në vitin e parë të pavarsisë. Krahas tyre dhe unë, që më prezantuan si autor librash të pérkthyer dhe në italisht.
KU ISHE TI –na pyeti të treve Paolo Muner – atë ditë kur u sulmuan me kamion dyert e ambasadës italiane në Tiranë dhe pastaj u dyndën mijëra njerëz për të ikur, u futën ambasadave? Kjo paralajmëroi fillimin e protestave, ndërsa Muri i Berlinit kishte rënë dhe perandoria komuniste po binte…
Gazetari i RAI-it Antonio Caiazza shpjegoi librin e tij për Shqipërinë, po ndiqja ndryshimet, rënien e diktaturës dhe fillimet e demokracisë. Shkrimtarja Serena Luciani tregoi nga përvoja e saj kur punonte në ambasadën italiane në Tiranë, kur u arratis familja Popa, vështirësitë, ndjekjet që u bënte Sigurimi i shtetit shqiptar, izolimin e ambasadës, por dhe me gjerë, të Shqipérisë.
Kurse Visar Zhiti tha se e trondiste kjo pyetje: ku ishe ti, Adam… ka rëndësi, por nuk para bëhet në vendin e tij. Unë, vazhdoi ai, isha ja 100 km larg kryeqytetit, por nuk mjaftonte as jeta për të arritur atje. Isha në baltën time, në qytetin e internimeve, Lushnjë, i porsadalë nga burgu, pa të drejtë profesioni, edhe pse isha mësues, pa të drejtë botimi, isha dënuar për poezi, pa të drejtë elektorale. Ikën shumë shokë e miq, u urova udhë të mbarë. Unë nuk ika, se desha të bëj njëherë vetveten. Ku të shkoja pa të.
Po tani a ke bërë vetveten, do ta pyeste gazetarja Anila Kadija. Brenda vetes tonë janë dhe të tjerët, te të tjerët jemi dhe ne. Unë kisha të përcaktuar veten time, kundërshtar dhe armik i diktaturës, ndenja për të bërë vendin tim, edhe ai vetja jonë më shumë se gjithçka.
Në bashkëbisedim me sallën u rrahën dhe dy çështje kardiane, doktrina komuniste dhe kanuni i shqiptarëve. Shkrimtarja italiane tha pak a shumë se komunizmi ishte një ëndërr dhe aspiratë, por Shqipëria ishte shumë e prapambetur, komunizmi i saj real ishte më i keqi e Marksi nuk është moralist, por filozof.
Visar Zhiti nga ana e tij shpjegoi se doktrina e Marksit është e papërfunduar, si e tillë dishepujt e saj sollën kataklizmën. Në themelet e saj është lufta e klasave si motor zhvillimi i historisë, gjë që s’mund të jetë kurrsesi e vërtetë si dhe marrja e pushtetit me dhunë, pra krimi i madh kolektiv. Ta nisësh me krim, nuk ka vazhdim tjetër. Komunizmi, thotë filozofi Georg Santana është “antibiologjik”’, është një utopi, vazhdoi Zhiti dhe fjala utopi vjen nga greqishtja e vjetër që do të thotë “pa vend”, pa asnjë vend dhe vërtet në doktrinë thuhet se komunistë nuk kanë atdhe, por njeriu ka atdhe, ai lind në një qytet, në një rrugë, në një ngrehinë, patjetër, pavarsisht se atdheu zmadhohet gjithnjë e më shumë, bëhet “europë”, planet, botë…
Gazetari Antonio Caiazza tregoi për një shtëpi të vetmuar buzë Lanës në Tiranë, vetëm ajo nuk u shemb nga Bashkia, se ishin fëmijë, një familje nga Veriu, nuk dilnin, i ruhej gjakmarrjes. Kanuni është mizor, vrastar, definoi ai.
Ashtu duket sot, tha Zhiti, por të gjykosh Kanunin tani është njëlloj sikur ti kërkosh mendim Jul Qesarit për llojet e makinave, ç’mendon ai për “Ferrari”-n apo t’i thuash Skënderbeut pse nuk përdor facebook-un. Kanuni është një institucion që qeverisi një popull pa institucione, pa qeveri, pa polici e gjykata, që donte të ndalte kaosin dhe vrasjet. Në nenet e tij themeltar është se po vrave duhet të vritesh. Zakonet e tij, ceremonialet, i gjen dhe në “Iliadë”. Është monumental dhe i lashtë. I bën nder popullit të vet.
Mbrëmje
Të gjithë në rrugë, në sheshin para bibliotekës së qytetit a aty pranë. Muzikë moderne arbëreshe, nga një grup rock. Gjëmonin kitarat elektrike, veglat frymore dhe fjalët e hershme shqip. Edhe hëna midis degëve dukej si një def fërgëllues.Po më dukej sikur kisha udhëtuar 500 vjet për të arritur te kjo mbrëmje.
* * *
Isha përsëri me shqiptarët e mi, me Manfredin, Oltin, Darienin, Albanin, Ismailin, me shoqet e tyre, tani të lehtësuar, gjithçka kishte kaluar bukur. Përgëzime, vërtet realizuat një veprimtari gjithë qytetari e sens, u thanë gjëra me vlerë, shpalosët veten, treguat kulturë, pa kompleks, të barabartë. Me dinjitet, duke ditur çfarë kërkonit e çfarë dhatë. Erdhën dhe shqiptaré të tjerë. Mes tyre dhe miqtë tanë italianë, Armillotta, Caiazza, Serena, Muner, përkthyesja Olimpia, së bashku, pa u ndjerë askush i tepërt, as i huaj e duke folur për veprimtari të tjera të ardhshme. Se ju ishit të rinj të shkëlqyer, të mësojmë nga energjia e tyre…
Ja dhe gazeta ka shkruar për veprimtarinë tuaj, i ka kushtuar një gjysmë faqeje. Manfredi më përcolli deri te stacioni. Më preu biletën. Sirena e trenit na ndëpreu bisedën për poezinë. Por unë kisha një libër me poezi me vete, sapo ma kishte dhuruar një student nga Shkodra, kisha dhe romanin e Darien Levanit, kurse aria e Pavarotit endej qiejve me flatra të rënda.