Diskutim i Albin Kurtit me studentët e Universitetit Amerikan në Prishtinë

Sot në Universitetin Amerikan në Kosovë, me ftesën e këtij të fundit, Albin Kurti mbajti një ligjëratë hyrëse dhe një diskutim me studentët dhe pedagogët e këtij Universiteti.

Në pjesën e parë diskutimi u përqendrua rreth konceptit politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në të cilën u prezantuan 12 teza themelore për ndryshime rrënjësore (të cilat i gjeni më poshtë), ndërsa në pjesën e dytë studentët dhe pedagogët e UAK i drejtuan pyetje Albin Kurtit për situatën politike në Kosovë, qëndrimet e Lëvizjes përballë zhvillimeve të fundit, përfshirjen në zgjedhjet e përgjithshme, si dhe për tezat e paraqitura gjatë pjesës së parë të diskutimit.

12 teza themelore për ndryshime rrënjësore – Nga fjalimi i Albin Kurtit në Universitetin Amerikan në Kosovë

Populli, shoqëria dhe vullneti i këtyre, janë më të mëdha sesa institucionet e sistemit. Ato nuk duhet të jenë anash sistemit siç është rasti tani, por duhet të jenë rreth e rrotull tij dhe brenda tij. Në vijim janë dhënë 12 teza që përshkruajnë e shpjegojnë arsyet dhe synimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përkitazi me pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

1. Distanca ndërmjet të përfaqësuarit dhe përfaqësuesit të cilën e imponon demokracia përfaqësuese duhet ta frikësojë politikanin përfaqësues e jo qytetarin e përfaqësuar.

2. Politikani që i ka braktisur qytetarët duhet të ndjehet i frikësuar nga qytetarët dhe jo anasjelltas. Pra, ai që ka braktisur dhe jo ai që braktiset duhet të jetë i frikësuar.

3. Problemi në Kosovë nuk është vetëm që shumica dërrmuese e qytetarëve s’janë të përfaqësuar por që shumica dërrmuese e përfaqësuesve nuk ua mbrojnë interesat qytetarëve. Përfaqësimi i politikanit duhet ta nënkuptojë mbrojtjen e interesave të qytetarit të përfaqësuar.

4. Në vend se të kemi shtet të pushtetshëm, në Kosovë kemi pushtet të shtetëzuar. Shteti duhet të çlirohet nga pushteti aktual i cili është i përqendruar te interesat e pushtetarëve në dëm të të drejtave të qytetarëve.

5. Kosova duhet të jetë shtet i së drejtës, pra një shtet i drejtë që është garantuesi i të drejtave të qytetarëve. Interesi i përgjithshëm duhet të jetë mbi çfarëdo interesi grupor a individual.

6. Kosova duhet të jetë një shtet normal demokratik të cilin nuk e krahasojnë me Afganistanin a Bosnjen, por me shtetet e përparuara perëndimore çfarë duam të bëhemi ne. Shteti normal demokratik nënkupton sovranitetin dhe zhvillimin ekonomik.

7. Pushteti në Kosovë është i mundësuar nga qytetarët e i kushtëzuar nga ndërkombëtarët. Në demokraci të vërtetë qytetari është mundësia por edhe kushti i pushtetit.

8. Zhvillimin ekonomik nuk mund t’ia lëmë rastësisë ose anarkisë. Të gjitha shtetet anëtare të BE-së e subvencionojnë ekonominë e tyre dhe japin orientime për investime. Pa prodhim, s’ka punësim. Pa punësim, s’ka para.

9. Zhvillimi ekonomik nuk duhet të matet thjeshtë me përqindjen njëshifrore të rritjes ekonomike, por me cilësinë e mirëqenies sociale. Kur ekonomia është e ndarë nga shoqëria apo kur shoqëria është e ndarë nga ekonomia, rritja është veçse rritje në zbritje.

10. Ndryshimi i pushtetit që ne duam nuk synon thjesht ndryshimin e pushtetarëve por ndryshimin e llojit të shtetit. Institucionet e shtetit janë vendi ku politikani jep punë dhe dije për qytetarin e nuk merr privilegje në kurriz të tij.

11. Të jesh aktiv do të thotë të jesh i përgjegjshëm. Përgjegjës jemi gjithmonë, gjithkund. Si qytetarë të Kosovës, si pjesëtarë të kësaj bashkësie politike, ne mbajmë përgjegjësi edhe atëherë kur jemi pasivë. Qytetaria aktive është themeli i pushtetit të drejtë. Qytetari pasiv pret dhe ka vetëm dëshira. Qytetari aktiv vepron dhe ka edhe vullnet.

12. Durimi dhe pasiviteti i të pakënaqurve është i dobishëm vetëm për ata që janë të kënaqur, vetëm për ata që përfitojnë individualisht nga mjerimi kolektiv. Për ndryshimet e domosdoshme në Kosovë, qytetarët e pakënaqur janë shpresa e këtij vendi ndërsa pushtetarët e kënaqur janë të pashpresë.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version