Sa herë që shkoj në Tiranë, hapat më shpien tek shkallët e librarive. Aty rigjej oxhakun e vjetër që ndez dëshirën për të zbuluar botimet e reja. Librashitësi i librarisë ” Adrion”, që më njeh tashmë, më rekomandon për të lexuar “Bloc-Notes”, me autor Ylli Demneri.
Lexoje- këshillon.- Është për ju refugjatët nostalgjikë. Aty do gjesh Tiranën e vjetër, rrugicat, librat e ndaluar dhe ëndrrat e shtypyra që flinin të fshehura nën lëvozhgë nga frikërat, duke më lënë të nënkuptoj diktaturen e Hoxhës…
Po kush është Ylli Demneri?
Në kopertinë zbuloj që është një nga aktorët e filmit më modern të viteve 80′, me të cilët nuk mbeti vajzë pa u dashuruar, filmi “Në çdo stinë”. Më poshtë lexoj që ndodhet prej më shumë se 25-vjetësh në Francë, ku është drejtor artistik i revistës “Le Journal des Acteurs Sociaux” në Paris.
Ylli Demneri gjithashtu, është autor i dy librave “Më kujtohet” dhe “E dashur A”.
“Bloc- Notes” ( blloku i shënimeve në shqip), libri i tretë i tij, është një libër ndërtuar në fragmente, format letrar i përvetësuar tashmë me shumë mjeshtëri nga autori, krijuar prej shkrimtarit francez, Sei Shnagon. Autori ndërthur me një stil të këndshëm, me larmi dhe harmoni, pjesëza nga jeta e tij, duke na tërhequr për dore në shtëpizën e fëmijërisë, në rrugicat e lagjes apo të Tiranës, në tren, në biçikletë, në avion, apo në udhët e botës. Takojmë me të gjyshet, të njohur, të afërt e të largët, apo dhe shumë artistë.
Me zgjimin e kujtimeve, stimulon shijimin e një të kaluare të bukur apo të hidhur, të gëzuar apo të pikëlluar. Autori flet me gjuhën e zemrës, me emocione dhe të rrëmben, të grish pë tu bërë pjesë e tij, pa harruar ftesën për reflektimr: Cilët ishim dje dhe cilët jemi sot. Flet për politikën dhe emigrimin; Miqësinë, ndarjen dhe humbjen. Kujtesa letrare, nëpërmjet të cilës ai krijon lidhje duke i dhënë mundësi të sotmes për tu’ rizbuluar si një identitet i ri, i pasuruar në kohë e hapësirë.
Nuk po zgjatem më tej, sepse Ylli Demneri, një shkrimtar i talentuar, mik i dashur i librave, mjeshtër i përkthimeve të haikeve japoneze, por mbi të gjitha shumë njerëzor, na dha mundësinë për ta intervistuar, të cilën po jua sjellim të plotë juve, lexuesve të Albania News.
Kush është sot Ylli Demneri?
Ai që kam qenë. Me po të njëjtat antena ndjeshmërie e kureshtie. Me po atë tërheqje për artet. Fati dhe intuita kanë bërë që të mos përjetoj situata që mund të më tjetërsonin. Jam ai që në moshën e pjekurisë zbuloi se fragmenti është një nga format e letërsisë dhe që ishte forma e pështatshme për të nxjerrë librat që flinin tek unë.
Hija e pemës ështe më e bukur se pema (një proverb japonez i dashur për ju). Sa ngacmuese janë hijet në krijimtarinë tuaj?
Hija si një « interpretim artistik » i pemës. Në këtë kuptim, mund te them se e gjejmë këtë « hije » në librat e mi « Më kujtohet », «E dashur A.» apo « Bloc-notes », edhe pse kanë nota autobiografike.
Libri i fundit i publikuar “Bloc-notes” është një libër-ditar, ndërtuar me shënime dhe fragmente të kujtesës, (shkrepje fotografike) nga e kaluara në të sotmen. Cila është arsyeja që u riktheheni kujtimeve të rinisë me librin e tretë pranë lexuesit: vendosja e një ekiulibri paqësor me të shkuarën? Nostalgjia e mërgimtarit? Apo impenjim qytetar për t’u rrëfyer brezave që do vijnë sa i rëndësishëm ështe koncepti i lirisë jashtë kufinjve ideologjikë të diktaturës komuniste, kthetra nga të cilat Shqipëria nuk ka shpëtuar ende?
Sjellim një fragment të shkëputur nga shkrimi “8 Nëntori” ku tregoni se, ndërsa kërkonit në kujtesë një poezi për vajzën, filloni të mërmërisni një vjershë që recitohej në kopshtet e fëmijëve, 45 vjet më parë dhe trembeni nga vetevetja:
Xhaxhi Enver, xhaxhi Enver
E ke gojën me sheqer
Me sheqer e me hurma
Lum Partia që të ka.
Ç’emër mund t’i vihet kësaj? Ndaj nuk do shërohemi kurrë nga e kaluara. Deri në vdekje?
Do të thoja se ka qenë më tepër arsyeja për të rrëfyer mbi njërën nga periudhat më të zymta të Shqipërisë edhe pse propaganda për gjysmë shekulli s’pushoi ta paraqiste atë si periudhën më të ndritur plot dritë e ngjyra. Por jam munduar të rrëfej pa kaluar në ekstremizëm. Me sinqeritet e dhimbje. Larg çdo toni patetik. Besoj se për këtë mënyrë trajtimi më ka ndihmuar qëndrimi në Francë, kultura që asimilova përgjatë këtyre viteve, si edhe distanca në kohë e në hapësirë. Vërtet, pasi i ke shkruar e ndien që ka filluar të vendoset një ekuilibër paqësor me të kaluarën e cila megjithatë nuk tretet plotësisht. Siç e kam shprehur edhe në një nga shënimet e librit «Bloc-notes», ajo (e kaluara) do të na shoqërojë deri në fund. Sepse është e futur në kujtesën e trupit. Atë që ke jetuar e përjetuar në diktaturë e kupton më mirë kur ke dalë nga ai ferr. Kur e sheh që ekziston edhe një botë ku mund të shprehesh pa patur frikë se mund të të burgosin. Ja, si ne tani.
Tirana e Parisi, dy kryeqytete ushqyese të një identiteti të uritur për dituri. Cilat janë veçoritë negative që nuk i pranoni për seicilin? Dhe, ökur largoheni nga njëri për të shkuar tek tjetri, çfarë ju mungon?
Të dy qytetet më janë të dashur. Të dy kanë pjesën e tyre në formimin tim, në ndjeshmërinë time që lidhet në raportin me të tjerët, me kulturën e banorëve të tyre. Me dritën, format e hapsirat e tyre të veçanta. Sado që të përpiqemi, nuk mund t’i shpëtojmë pushtetit të kulturës. Kulturës në kuptimin më të gjerë të fjalës. Ajo kulturë që përfshin edhe mënyrën si flet, si shprehesh, si ushqehesh, si reagon, etj. Ajo kulturë, në pjesën më të madhe, është një realitet i fshehur që i shpëton kontrollit tonë dhe përbën indin e ekzistencës njerëzore. Sigurisht që pjesa më e qëndrueshme e saj është ajo që ke fituar nga fëmijëria dhe rinia e parë. Nuk mund ta gjykosh njeriun pa marrë parasysh shtëpinë e tij, qytetetet ku ka jetuar, zhvillimin teknologjik të vendit ku ka jetuar, e madje të vetë gjuhës. Pra, dua apo s’dua, këto dy qytete kanë lënë gjurmë tek unë.
Për Tiranën ndiej dhimbje, ndaj dhe më shqetësojnë anët e saj negative. Ai shpërfytyrim i betonuar. Një qytet që përveç dyndjeve që ndodhën pas viteve ’90, u drejtua nga të paditur e të babëzitur. Pa përjashtuar përgjegjësinë e vetë qytetarëve. Të lënë në injorancë të plotë, pa asnjë kulturë demokratike, pas viteve ’90, shqiptarët mendonin e mendojnë akoma se mund të bëjnë ç’të duan me pronat e tyre. Dhe kjo ide shkatërrimtare për një qytet u bë realitet nga politikanët e pafytyrë dhe nënpunësit e korruptuar.
Tani, vitet e kaluara në Francë i kanë kaluar ato që kam jetuar në Shqipëri. Kjo gjë, largimi i shokëve e i miqve, si edhe ndryshimet e vazhdueshme që kanë ndodhur në Tiranë gjatë këtyre njëzet e pesë viteve të fundit, kanë bërë që të ndihem gjithnjë e më shumë i huaj në vendlindjen time. Por i kam kaluar periudhat e përpëlitjeve mes dy qyteteve, e të mallit. Jam kthyer thjesht në turist. Më mban akoma të lidhur gjuha dhe disa imazhe që lidhen me të kaluarën, si silueta e malit të Dajtit që e ndeshja sa herë që dilja nga shtëpia. Por edhe ajo po mbulohet çdo ditë e më shumë nga ndërtesat.
Në të gjithë librin, citohen thënie nga përfaqësues të mëdhenj të letërisë botërore. Perceptohet dashuria dhe vëmendja e jashtezakonshme ndaj librit. Dikur vuanim për ta gjetur “librin e verdhë” dhe kur gjendej, emocionet, shija, ishin të pashpjegueshme në fjalë. Po sot, çfarë shije provohet? Si vjen zgjedhja e librave?
Një rol në përzgjedhjen e librave luajnë artikujt kritikë që lexoj, apo emisionet televizive ku flitet për librat. Por shpeshherë vetë librat që lexoj bëhen shkak për të zbuluar e lexuar të tjerë. Aty ku punoj jam i rrethuar nga librari. Kjo e lehtëson përpjekjen për të gjetur menjëherë librin që dëshiroj pa e lënë të harrohet. Jam i lumtur që mund të lexoj çdo gjë që më intereson. Për fat të mirë etja për të lexuar nuk më ka sosur akoma. Kjo tregon që nuk jam plakur dhe aq shumë. E them këtë, se kam vënë re se vjen një moshë kur edhe ata që kanë qenë lexues të pasionuar shkëputen nga leximi i librave. Çka i ndodhi tim eti në dy-tre vitet e fundit. Dhe nuk është një rast i rrallë. Një fenomen i tillë më shkon herë pas here në mendje. Dhe më trishton.
Librat tuaj i drejtohen lexuesit shqiptar. Po atij francez a keni menduar?
Jo, jo. Nuk i drejtohem publikut francez. Nuk e kam çuar asnjëherë ndërmend diçka të tillë kur i kam shkruar. Por është interesant fakti që librin «Më kujtohet» e kishte lexuar një francez që njihte gjuhën shqipe e ia kishte rekomanduar atë një të njohurës së tij shqiptare.
E kam parë të qartë këtë dallim pasi lexova librin e Kadaresë «Mjegullat e Tiranës». Libri tij i parë. Aty ndihet që nuk e ka shkruar për një publik të huaj, siç ka bërë në librat e tij të mëvonshëm. Sigurisht që kjo nuk i ul asnjë vlerë librave të tij. Përkundrazi.
Ju keni një çerek shekulli që jetoni në Francë dhe jeni drejtor artistik i revistës “Le journal des Acteurs Sociaux” në Paris. A mundet të na tregoni diçka mbi këtë revistë?
Është një revistë e pavarur që flet për problemet sociale siç janë ato të fëmijëve të keqtrajtuar, të moshuarve, të papunëve, personave të izoluar, etj. Por unë merrem me anën grafike të revistës.
I përkisni një brezi që u edukua me artin e realizmit socialist. A ndiheni i çliruar sot nga ai? Si e shihni sot artin në Shqipëri? Në ç’raport janë të vendosura letërsia, arti figurativ dhe ai kinematografik?
Mendoj se sot ndihem i çliruar nga arti i realizmit socialist. Por për këtë çlirim janë dashur vite. Dhe nuk jam akoma i sigurt nëse jam çliruar plotësisht. Janë imazhe të ngulitura që nga lindja, do të thoja. Përveç kësaj, ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste, ne jetuam mbylljen totale me botën. Brezi im jetoi Artin shqiptar të realizmit socialist. Që duhej të udhëhiqej vetëm nga mendimi i Enver Hoxhës, si i vetmi marksist-leninist i vërtetë në botë. Prandaj të gjitha ideologjitë, qofshin politike apo fetare, përparësi i japin indoktrinimit të moshave të reja. Për të kuptuar gjurmët që lë ky indroktinim në moshë të re, le të marrim rastin e Abdurrahim Buzës në pikturë. Përveç talentit, fakti që ishte formuar në shkollat italiane dhe që realizmi socialist e kapi në moshë të rritur, bëri që veprat e tij, para së gjithash, të jenë pikturë.
Artet shqiptare të viteve të fundit nuk i njoh mirë, ndaj e kam të vështirë për t’u shprehur.
Në një intervistë rrëfeni lidhjen tuaj me artin kulinar. Meqenëse bashkëbisedimi ynë zhvillohet për lexuesin në Itali, si mendoni, cila kuzhinë superon tjetrën, ajo franceze apo ajo italiane? Vera juaj e preferuar?
Nuk do të guxoja të merrja një përgjegjësi të tillë duke vënë nota për këtë apo atë kuzhinë. Së pari, nuk jam specialist, por mbi të gjitha nuk e njoh sa duhet kuzhinën italiane. Për aq sa e kam provuar përgjatë atyre pak pushimeve në Itali, mund të them se është : delizioso! Dhe nuk mund të jetë ndryshe. Kuzhina është pasqyrë e njerzëve dhe e natyrës së një vendi.
Përsa u përket verërave franceze, prej të bardhave preferoj Chablis. Ndërsa mes të kuqeve, më pëlqejnë Bordeaux-të në përgjithësi, e Saint-Émilion, në veçanti.
Italianët kanë një shprehje përmbyllëse: Che cosa vorresti fare da grande? Që do të thotë: kur do të kemi përsëri ndër duar librin e ardhshëm apo cilat dëshira kanë mbetur në sirtar për t’u realizuar?
Libri i ardhshëm është pothuajse gati. Është në duart e redaktorit. Pres çastin e volitshëm. Projektet e tjera janë në proces.
Ekziston komuniteti shqiptar ne Paris dhe nese po, si është i organizuar?
Ka një komunitet shqiptar edhe në Francë. Por jo aq i pranishëm sa në Amerikë, Itali, Greqi apo Kanada. Kjo besoj se është e lidhur me numrin e shqiptarëve. Ky komunitet, me sa kam parë, përfaqësohet kryesisht nga Maison de l’Albanie dhe Association Albania. Jo vetëm nga numri më i vogël i emigrantëve, por ndryshe nga disa vende që kanë si kulturë vënien në pah të besimit fetar e simboleve kombëtare, çka ndikon, do-s’do edhe tek emigrantët, francezët nuk janë shumë të dhënë pas këtyre gjërave. Por duhet të kenë ndikuar edhe politikat kulturore të qeverive franceze në lidhje me komunitetet, duke i dhënë përparësi integrimit.
Falenderojmë Ylli Demnerin për kohën që na kushtoi duke i uruar suksese në vazhdim. Librat e tij, gjenden pranë librarisë Adrion (Pallati i Kulturës) dhe në aeroportin e Tiranës. Nëpërmjet internetit: Bukinist.al