“Si udhërrëfyese në rrugën e jetës sime, zgjodha bukurinë e fjalës” . Intervistë me shkrimtaren nga Kruja, Elma Rustami.

Elma  Rustami lindi në qytetin e Krujës në nëntor 1978. Janë befasues, forca e saj e vullnetit, dashuria për jetën dhe përkushtimi ndaj letërsisë, kjo e fundit, e  kthyer në artin e saj jetësor. Për vijimin e jetës së saj, ja sesi na u shpreh vetë autorja:

“Thonë se jeta është art. Ndoshta arti i të jetuarit qëndron pikërisht në kapërcimin e vështirësive që të dalin përpara.

Kjo mjeshtëri, për mua nisi që kur isha e vogël. Dhimbja ka vlerat e saj, sepse është pikërisht ajo që të mëson sesi ta mposhtësh atë. Shkollën e ndoqa sipas kushteve që kisha dhe sipas kohës që ishte.
Shumë shpejt, libri u bë miku im më i dashur. Në moshë të vogël, mbaj mend që mora titullin “Miku i librit” nga biblioteka e qytetit. Duke lexuar krijova një botë të re, botën e ndjenjave, botën e personazheve, botën e fjalës së bukur.

Shkrimtarja Elma Rustami


Në moshën  12 – 13 vjeçare shkruajta poezinë e parë, e cila i kushtohej pikërisht fjalës, që më ka bërë gjithnjë për vehte kur ka shqiptimin dhe kuptimin e bukur.

Pas këtij çasti, letërsia dhe poezia do të ktheheshin në bashkëudhëtarët e mi. Në moshën 17 vjeçare – atëherë maturante  – botova librin  e parë “Udha e lotëve”. Nuk e mendoja që ky libër do të sillte me vehte edhe tetë libra të tjerë. Pasi mbarova maturën, të gjitha energjitë e mia iu kushtuan librit  dhe krijimtarisë.
Në pamundësi për të vazhduar më tej studimet, zgjodha të ndjek rrugën time.
Duke ecur në këtë rrugë, vendosa që ajo të udhëhiqej nga bukuria e fjalës. Në këtë mënyrë, librat ndoqën njëri-tjetrin. Ata përmbajnë poezi, ese, aforizma, përjetime dhe  filozofi. Pak kohë më parë botova librin e nëntë me poezi ,“ Xixëllonja”.

– Përshëndetje Elma, mirë se vini  mes nesh në Albania News. Ç’të reja na sillni nga qyteti juaj i bukur e historik, Kruja?

Përshëndetje juve e faleminderit.
Kruja është një qytet që rilind çdo ditë nga lashtësia e tij. Është me të vërtetë krenari të jesh pjesë e këtij vendi, i cili ka mundësi të sjellë në kohë ide, dëshira, ëndrra dhe realizime të reja.
Për të arritur këtë gjë, ky qytet i vogël pret mobilizime dhe përkushtim të ri nga të gjithë.

– Të komunikosh me botën nëpërmjet artit  – krijimtarisë letrare – si të bën të ndjehesh?

– Kam komunikuar gjithmonë me librat. Fan Noli thotë: “Çdo libër që lexon është një dritare për të parë botën”.
Fillimisht, këtë dritare unë e hapa duke lexuar e më pas, duke krijuar.

Libri i pare i Elma Rustami.

Është e pamundur të krijosh, pa komunikuar me realitetin e përditshëm, sepse e gjithë krijimtaria i kushtohet këtij realiteti.
Duke komunikuar me botën nëpërmjet artit, lind dëshira për t’i dhuruar jetës më të bukurën. Kjo të jep një kënaqësi të veçantë, e cila të bën të ndjehesh krenare dhe e aftë për të bërë diçka të dobishme në shërbim të shoqërisë njerëzore.

– Një person lind i pajisur me vullnet, apo në rrugën e jetës, vështirësi nga më të ndryshmet e stimulojnë atë vullnet të fshehur tek gjithkush, që të vihet më tepër në dukje?

Të gjithë njerëzit lindin njëlloj, si krijesa të pastra, të brishta e delikate. Pikërisht kjo krijesë do të përballet me stuhi të ndryshme, sepse aty gjendet ylberi. Gjatë kapërcimit të këtyre stuhive forcohen gjykimi, ndjenjat, arsyeja dhe të gjitha së bashku, përbëjnë vullnetin.  Natyrisht që vullneti i njeriut i përshtatet jetës së tij, ndaj jo të gjithë kanë të njëjtin vullnet. Vullneti apo këmbëngulja lindin në ato çaste kur nevojitet të mbrojnë të drejtën tonë.
Mua më ka lindur nevoja për të mbrojtur dashurinë time që kam për të bukurën. Kjo dashuri më ka pajisur me një vullnet të fortë.

– Si është e organizuar një ditë e zakonshme e juaja: vështirësitë, puna dhe njëkohësisht, kënaqësitë që ju fal krijimtaria?..

Një ditë e zakonshme – mendoj se jo vetëm për mua por, për të gjithë – fillon me pyetjen:” Çfarë do të bëj sot?”
Gjëja e parë që bëj është pikërisht organizimi i ditës, nga mëngjesi deri në darkë. Mëngjesi është çasti kur çdo njeri përballet me dëshira të reja të ditës së re. Këto dëshira nuk mungojnë. Pas këtij çasti, vjen puna.

“Trendafili zemres” liber me poezi.

Edhe ajo kërkon organizimin e saj, sidomos në krijimtari. Nuk mund të ecësh në këtë udhë pa bërë pyetjen: ”Ku ndodhem sot e në çfarë pike dua të arrij?” Kjo ka kënaqësinë e vet. Si gjithmonë, kur bën diçka, shijon frutin e punës tënde. Ky frut, në art është thjesht i ëmbël, si ndjenja e pastër dhe si mendimi i kthjellët. Ndërkohë, ora kalon. Pushimi është i këndshëm, kur ndjen se je lodhur pak, sepse kjo do të thotë se ke  dhënë diçka nga vetvetja. Pasdite i kushtohem zbavitjes, që mund të arrihet në mënyra të ndryshme si shëtitje, vizita tek miqtë, bashkëbisedime familjare etj..

Në darkë, komunikimi me shokët nëpërmjet internetit, zë vendin e tij. Televizori nuk është shumë i pranishëm tek mua. Të gjithë filmat më duken njëlloj, nuk më tërheqin sa duhet.
Kjo pra, është një ditë e zakonshme e imja.

– Keni pasur mundësi punësimi në Krujë? Sa e përkrah Shqipëria veprimtarinë e artistëve të çdo fushe, me aftësi të kufizuar? A ka shoqata, struktura apo njësi të specializuara në këtë drejtim?

Problemi i personave me aftësi të kufizuar, mendoj se aktualisht në Shqipëri është i lënë pas dore. Nuk merret parasysh nga shteti apo shoqëria, fakti që këto persona mund të kenë aftësi të çmuara brenda vehtes së tyre.
Një person i tillë mund të zotërojë një ose disa gjuhë të huaja, mund të punojë si përkthyes në një vend të caktuar. Një person i tillë mund të ketë aftësi të bëhet psikolog dhe të ndihmojë njerëzit që kanë probleme sociale. Një person i tillë mund të përvehtësojë një instrument muzikor, ose një art më vehte siç është poezia në rastin konkret.
Është për të ardhur keq që në Shqipëri kjo e vërtetë nuk merret parasysh. Mund të them se këto persona janë ndër viktimat e pafajshme të këtij realiteti. Nuk kam pasur deri tani asnjë mundësi punësimi, edhe pse mendoj se jam e aftë të bëj diçka. Uroj që persona të tillë të gjejnë vendin e tyre në botën reale. Një person me aftësi të kufizuar mund të ketë një mjeshtëri me aftësi të pakufizuar. Kjo, nuk duhet harruar!

– Atëherë, poezia juaj e parë i kushtohet “fjalës”. Sa e rëndësishme është ‘fjala’ për Elmën? Sipas jush, si e administrojmë përdorimin e fjalës në jetën tonë të përditshme?Duhet doemos të jesh artist, që fjalës t’i gjesh formën dhe përmbajtjen e duhur?

Fjala”, për mua është një ndër gjërat më të rëndësishme të jetës sonë të përditshme. Pse? Po e argumentoj me disa vargje poetike:

Kujdes me fjalën, o njeri
ajo d
ëshmon se kush je ti
kujdes me fjal
ën, zotëri me besë
nj
ë fjalë e ëmbël, lind një shpresë
kujdes me fjal
ën, mos e përqesh
kur s’ke ç’t
ë thuash, më mirë hesht.
Kujdes me fjal
ën, zonjë e madhe
nj
ë fjalë e hidhur lind një mijë halle.
Kujdes me fjal
ën, mos e bëj të vuajë
p
ër fjalën tënde, mos ji i huaj.

Mendoj se jo të gjithë tregohen të kujdesshëm ndaj fjalës. Kjo ndodh ngaqë shpeshherë, goja punon me shpejt se mendja. E themi diçka, pa gjetur kohë të arsyetojmë se çfarë themi, kujt ja themi, sa mund ta kuptojë tjetri atë që themi dhe, a është e bukur ajo që themi. Normalisht, fjala duhet të lindë në çastin që lind edhe gjykimi. Nuk është e domosdoshme të jesh artist, për të administruar siç duhet fjalën. Mjafton të jesh i sinqertë dhe të depërtosh në thellësi të njeriut, me të cilin po flet.

– Keni botuar një sërë veprash me përmbajtje poezi, ese, aforizma, përjetime e filozofi. Si janë pritur nga lexuesi shqiptar? Po nga institucione kulturore shqiptare?

Gjatë krijimtarisë sime 20 vjeçare  kam botuar 9 libra pa asnjë mbështetje materjale nga ana e shtetit. Të gjithë i kushtohen realitetit, të bukurës, virtytit dhe njeriut. Problemi i leximit sot është bërë çështje delikate, sidomos për brezin e ri. Interesi ndaj librit ka rënë, kjo ndjehet kudo. Megjithatë, librat e mi janë mirëpritur brenda qytetit tim, Krujës, pasi aty kanë qarkulluar.
Sikur institucionet shtetërore të jepnin ndihmesën e tyre, ndoshta kjo krijimtari do të njihej me gjërë nga lexuesit. Besoj se kjo, nuk është vetëm përshtypja  ime, por edhe e shumë të tjerëve që i përkushtohen artit.


– Ç’ vend zë familja në jetën e Elmës?

Çdo njeri mund ta krahasojë familjen e vet, me një pemë të bleruar, sepse secili është frut i saj. Kjo pemë e bukur mua më ushqen çdo ditë me dashuri. Duke qenë pjesë e kësaj peme, të gjithë së bashku kalojmë katër stinët e vitit. Kështu, pema bashkë me mua jeton çdo ditë.

– Keni ndonjë ëndërr në sirtar që prisni ta realizoni?

Realizimi i një  ëndrre varet nga kushtet shoqërore, meqë jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe meqë këto ëndrra nuk mund të ndahen nga bota që i rrethon.
Janë dy projekte të përfunduara, të cilat sot për sot nuk mund t’i publikoj, si pasojë e shkaqeve që përmenda më lart.
Shpresa vdes e fundit.

– Ndonjë pasion tjetër përveç letërsisë?

Aristoteli njihet si filozof, por është edhe shkrimtar. Victor Hugo njihet si shkrimtar, por është edhe filozof.
Pasioni im, që vjen menjëherë pas letërsisë, është filozofia. Ndoshta kjo është arsyeja që shumë nga krijimet e mia kanë përmbajtje filozofike. Të bashkosh njërin me tjetrin këto dy pasione, është diçka sa e suksesshme, po aq edhe e vështirë, sa e bukur, po aq edhe jo konkrete. Mund të them se këtu lind dëshira ime për të depërtuar në thellësi të gjërave edhe me anë të jo konkretes. Nëse nuk depërton në thellësi të asaj që dëshiron, asnjëherë nuk ke për të njohur dashurinë tënde.


– Cilët janë  projektet më të afërt – ato në realizim e sipër – që presin të përfundohen nga Elma?

Janë tre projekte të planifikuara për një të ardhme të shpejtë. Bëhet fjalë për dy novela njëra pas tjetrës.  Që të dyja kanë të përfshira brenda tyre tema të gërshetuara nga jeta reale. Projekti tjetër është me fabula në gjuhën shqipe dhe të përkthyera në gjuhën italiane. Është bukur kur ke një qëllim për të arritur dhe një rrugë të nisur, të cilën duhet ta ndjekësh.
Besoj se kjo është lumturia..


– Duke ju falënderuar për praninë tuaj Elma, ju drejtojmë përgëzimet tona më të sinqerta për krijimtarinë, për forcën tuaj të vullnetit e urojmë sa më shumë vepra të reja e të bukura për lexuesit!

Faleminderit e punë të mbarë edhe juve!

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version