“Në një autobiografi, mund të prekësh ndjenja që i përkasin të gjithëve.”

Intervistë me violinistin Tedi Papavrami, mbi librin e tij autobiografik “Fugë për violinë”

Përshëndetje Tedi, mirë se vini në Albania News.
Libri juaj autobiografik, “Fugë për violinë” sapo doli nga shtypi edhe në versionin shqip, pas atij frengjisht.
Në rradhë të parë, si u prit nga lexuesi francez?

Nga lexuesit kam patur eko të bukura, por ma merr mendja që atyre të cilëve nuk i ka pëlqyer, nuk do të vijnë të ma thonë.

Kritikët e kanë pritur mirë, mund të them që ngjalli interes dhe duket sikur secili ka gjetur shtresën që i përket në përmbajtjen e tij.

Ç’ndjesi solli tek ju përfundimi i përkthimit të librit në gjuhën mëmë, në atë gjuhë që ashtu siç ju vetë pohoni, së cilës i përket përmbajtja e librit?

Duke qenë vetë përkthyes, e di se sa vështirë është që një përkthim të përcjellë ndjenjat e tekstit origjinal.
Qe një lehtësim kur m’u duk se shprehte atë që kisha dashur, edhe pse e mira nuk ka fund. Por rëndësi ka ajo që ngjall tek lexuesi se, ai që shkruan, gjithmonë ka figura në kokë që nuk janë tërësisht ato që ngjallen tek lexuesi.

Si ju lindi ideja për të shkruar këtë libër, e ndjetë si nevojë të brendshme të sillnit për publikun të shkuarën tuaj?

Fillimisht qe thjesht kërkesa e shtëpisë botuese franceze Robert Laffont.
Duke u thelluar, mendova që mund t’i jepja një formë, e cila pak nga pak nisi të më interesojë. Mund të thuhet që në veprat fiktive, autori vë gjithmonë diçka nga vetja dhe në mënyrë reciproke, në një autobiografi mund të prekësh ndjenja që i përkasin të gjithëve.

Gërshetimi: vepër letrare dhe muzikore njëkohësisht, ishte kjo ideja fillestare, apo në punë e sipër me librin, arritët në këtë përzgjedhje?

Përsa i përket pjesëve muzikore të integruara në libër, ideja lindi më pas. Sigurisht një nga temat e librit ishte patjetër muzika, në shumë aspekte të saj.

Tedi, përkthyes i Kadaresë dhe Tedi autor. Vështirësia më e madhe, në cilën prej këtyre ndërmarrjeve?

Duke qenë se, si përkthyes kam tashmë 13 vite eksperiencë, sigurisht që e ndjej veten më të zhdërvjellët në këtë fushë.

Ndikimi i letërsisë tek ju?

Letërsia ka qenë ndihmë dhe ngushëllim në jetën time, si për shumë të tjerë. Fellini thotë diku që: “Arti është sidomos ngushëllues” dhe jam dakort me këtë.

A mendoni të shkruani sërish ndonjë vepër të re, ndoshta jo më autobiografike?

Do të mundohem nëse jam i aftë. Sidoqoftë, edhe e dështuar dhe e pambaruar, tentativa e një vepre letërsie të mëson diçka.

Unë personalisht lexova sapo doli nga shtypi, versionin në gjuhën frënge. Dallova që në faqet e para një autenticitet, jo vetëm për çka i përket jetës suaj, por edhe për realitetin shqiptar të kohës së diktaturës, që ju e sillni në libër në mënyrë shumë origjinale, në detaje, ndonëse juve ju larguat Shqipërisë në moshë të mitur. Prej këtu, ju kërkoja një koment të shkurtër.

Një formë humori, me dekalazhin midis perceptimit fëminor dhe realitetit, m’u duk mënyra më e mirë për të rrëfyer absurditetin e asaj kohe.

Tedi Papavrami. Foto nga Blerta Kambo

Ju, familja juaj dhe raporti me eksponentët e diktaturës.
“Pro” – të dhe “kundër” – t, e kësaj lidhjeje delikate, që ndikuan jetën tuaj?

Familja nga ana e babait, ku u rrita, ishte krejt antikomuniste, gjë që unë si fëmijë e perceptoja shumë turbullt, sepse në ato kohëra i ruheshin me të drejtë mendjelehtësisë së fëmijës që isha dhe nuk thonin gjëra kundër regjimit, para meje.

Diktatorit, përgjegjës për keqtrajtimin e mëpasshëm të familjarëve tuaj, sa rënkim i rezervoni brenda jush dhe sa, nga ana tjetër, mirënjohja për mundësinë që juve ju ofrua për jetën e re jashtë kufijve shqiptarë, bashkë me prindërit?

Nuk mund të kem simpati për një diktator që nuk respekton të drejtat e njeriut, edhe nëse merr një vendim të favorshëm për mua në një moment të caktuar.
Nëse Shqipëria do të kishte qenë një vend i lirë në atë kohë, unë nuk do të kisha patur nevojë për një favor special për të m’u lejuar të studjoja jashtë. Dhe kjo pa pasojat e mëvonshme të qëndrimit në Francë mbi familjet e mbetura në Shqipëri.
Mund të thuhet që diktatori, edhe kur të jep një ndihmë, nuk e justifikon dot ekzistencën e tij, përderisa autoriteti i tij është i ndërtuar mbi krimin, i cili të kap, herët a vonë, ashtu siç del në libër.

Në libër, hapat njëri pas tjetrit, të përvojës në Francë të Tedit -fëmijë: përveç talentit, sa i rëndësishëm është përkushtimi ndaj punës dhe vullneti, disiplina?

Është thjesht i domosdoshëm. Pa të nuk shkon larg, në violinë, edhe më pak se në shumë fusha të tjera.

Sa është për ju i lidhur, koncepti i disiplinës me atë të figurës së babait tuaj?

Është shumë i lidhur, po ashtu si me të gjyshit.
Por, është vetëm në liri, që njeriu sheh sesa mund t’i imponojë vetes.
Gjatë kohës kur babai më kërkonte llogari për studimin, unë nuk ndjeja në vete asnjë përgjegjësi.

Sa ndikoi në pjekjen e parakohshme të Tedit, gjendja nën strehim politik të familjes?

I dha një realitet edhe më të dhimbshëm, ndjenjës së përgjegjësisë dhe detyrimit për të arritur diçka, që ishin ushqyer që në fëmijëri nga edukata që më ishte dhënë.

Lexoj në libër një përshkrim të detajuar nga ana juaj, të mjediseve të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Ç’vend zë tek ju ajo shkollë dhe mësimdhënia e profesorëve shqiptarë?

Mësimdhënia e profesorëve shqiptarë në fakt tek unë, përmblidhet tek babai im se, nuk kam patur profesorë të tjerë.

Liceu, me programin e tij të marrë nga shkollat sovjetike, lejonte një kuadër të mirë oraresh për të bërë punën e duhur. Por, pa kuptimin e thellë të pedagogjisë me fëmijët, që kishte zhvilluar babai dhe të cilin ja transmetoi dhe disa profesorëve të tjerë, që patën edhe ata rezultate të mirë, nuk do të kishte prodhuar kaq elementë të vlefshëm në violinë, ashtu si nuk kishte ndodhur para ardhjes së tij në lice, ku u krijua atëherë një stimulim i përgjithshëm.

Ju aktualisht jetoni dhe punoni në Zvicër si profesor violine.
Të shihni vehten tuaj sot, në pozitën e profesorit të jetës suaj, babait tuaj, ç’ndjesi ju përcjell?

Nuk është e njëjta gjë, personalitetet ndryshojnë, edhe pse shumë principe konkrete mbeten të njëjtë.

Edhe ju jeni i rreptë me nxënësit tuaj, aq sa babai juaj me ju në vogëlinë tuaj, në lidhje me studimin e violinës?

Kërkues, më tepër sesa i rreptë.
Unë u jap mësim të rriturve dhe konsideroj që, në një farë moshe, është përgjegjësia e secilit të investojë punën e nevojshme në studim. Unë i shpjegoj çfarë duhet bërë, nëse ai nuk ka forcën ta bëjë, kjo nuk më përket më mua.

Pasione të tjerë, përveç instrumentit?

Letërsia, sporti dhe qentë.

Aktualisht, jeni duke dhënë koncerte?

Duke i përgatitur, si shumicën e kohës.

Cilët janë projektet tuaj për të ardhmen profesionale?

Këtë verë do të regjistroj koncertin 2 të Bela Bartokut dhe përveç koncerteve, është projekti mbi të cilin përqendrohem.

Faleminderit Tedi, për praninë tuaj në Albania News.
Suksese të mëtejshme në karrierën tuaj profesionale e në atë të krijimtarisë në përgjithësi.

Ju falënderoj.

Foto nga Blerta Kambo

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version