Interviste me Natalia Stamuli, fituese e Miss Earth Albania 2013

Sinkronizimi ndërmjet modeleve të reja shqiptare dhe kritereve të rrepta të bukurisë

Bukuria e vajzave shqiptare është shquar ndër vite, me tiparet e tyre karakteristike, qoftë përsa i përket atyre ezmere, me tipare mesdhetare, me lëkurë ngjyrë gruri, me sy e flokë të zinj, qoftë atyre bardhoshe, me tipare nordike, me lëkurë të bardhë qumësht, me sy të kaltër, me flokë bionde.

Si përsa i përket tipareve autentike shqiptare përgjithësisht, apo – ndonëse në numër më të kufizuar – edhe atyre me origjinë shqiptare e të përzjerë me të huaj, si rezultat i martesave të përzjera, të minoriteteve etj… Kjo, më pas edhe lidhur deri diku, me karakteristikat krahinore e klimatike sipas zonave të ndryshme të Shqipërisë – asgjë më pak e as më shumë – si në çdo vend tjetër të botës.

Ne, vajzat e viteve ’80, që – përsa i përket veshjes – deri në fillimin e shkollës së mesme, shkonim akoma në shkollë me çorape të bardha, lidhur kjo, me konceptimin e ndikimin akoma të freskët të ish-regjimit, atij të hedhur vetëm para pak kohësh pas krahëve – të një bukurie e paraqitjeje veçse natyrale, pa tualet, të pa ndihmuara nga veshjet, të cilat – ato të përshtatshme e të duhura – vënë në dukje tiparet e format femërore, përsa i përket bukurisë, mund të themi me plot gojën që ajo e jona, ishte e ashtuquajtur ‘bukuri – ujë e sapun’: natyrale, origjinale …

Gjithsesi, mund t’ju shpreh shkurtimisht mbresat e mia të asaj periudhe – fillimi i viteve ’90 – mbi kapërcimin e konceptit të ‘bukurisë sonë natyrale’: Fillimet e para të raportit me tualetin, me ngjyrimin e flokëve, me kurimin e aspektit fizik e estetikës në përgjithësi, hapat e parë të ndërgjegjësimit ndaj feminilitetit – pak prej moshës, pak prej kontekstit që tashmë po ndryshonte dhe në Shqipëri – atij feminiliteti, i cili pretendonte t’i kushtohej rëndësia e duhur nga ana jonë e që, mjaftonte aq pak, që kjo karakteristikë, tek ne të spikaste në trajtën e saj më të bukur..

Vendosja e bukurisë femërore shqiptare – për brezin tonë – në kompeticion apo garë e, për më tepër, në një podium konkursi bukurie?
Impakti ynë i parë me këtë dukuri, asisitimi ndaj konkursit të parë të bukurisë për brezin tonë, me Miss Albania, në 1991. Në këtë konkurs merrnin pjesë shoqe tonat, shoqe shkolle apo të lagjes! Në ’91 – shin, doli fituese një bashkëmoshatare e jona, Valbona Selimllari, një vajzë e mrekullueshme, e thjeshtë, e një bukurie aq të pastër e autentike!

Një mbresë tjetër e imja në lidhje me ndryshimin e konceptimit të kurimit të imazhit femëror, të atij të të ecurit – përse jo – të delikatesës e të ndihmesës që bukuria, edhe aty ku nuk ishte edhe aq e dallueshme, të theksohej nga eleganca e rafinimi?
Organizimi në Tiranë – edhe kjo dukuri e re për brezin tone atëherë – të kurseve të para për hostess e steward nga shoqëritë e para ajrore funksionuese në linjat me vendin tonë, me ato rumune, hungareze apo arabe..!
Një shoqja ime e dashur e fëmijërisë, në ’91-shin, në fundin e gjimnazit, si një vajzë e re, e bukur, inteligjente dhe e apasionuar pas gjuhës angleze, tentoi regjistrimin në njërin nga këto kurse për hostess, me numër të kufizuar në Tiranë. Ajo kaloi me sukses seleksionimet! Filloi hapat e saj të parë në këtë kurs, ku përveç anës profesionale të përgatitjes si asistente fluturimi – ashtu siç më tregonte ajo vetë – një hostess e vjetër austriake, e dalë në pension, u mësonte këtyre vajzave shqiptare, sesi të administronin bukurinë apo feminilitetin e tyre: si të silleshin, si të kontaktonin me publikun, si të bënin tualet ( kjo, shumë e rëndësishme) duke ruajtur sensualitetin por, pa kaluar në vulgaritet e duke u kujdesur gjithnjë për elegancën, po ashtu, sesi të ecnin, si të kuronin në përgjithësi imazhin e tyre…
Bukuria shqiptare filloi të shquhej me hapa të shpejtë, të rafinohej e perfeksionohej!
Filloi të merrej në konsideratë fakti që, të jesh e bukur, shpesh, nuk mjafton një zemërgjerësi nga ana e nënës natyrë, por që edhe ajo, ka nevojë për përkujdesje. E për ‘përkujdesje’, nënkuptoj në këtë rast – pa qenë e nevojshme përmendja e kirurgjisë plastike e estetike – thjesht dedikimin serioz e koherent ndaj bukurisë.
Ndërsa sot, pikërisht disa nga fëmijët e atyre vajzave shqiptare të atij brezi, janë në gjendje – që jo vetëm të shpalosin bukurinë e tyre, krahas zgjuarsisë – por edhe të japin mësime e këshilla, madje dhe nëpër konkurse, shkolla modelingu apo institute bukurie, të bëhen shembuj ata vetë, mbi bukurinë dhe elegancën e kjo, në Shqipëri sot, ka të gjithë terrenin e mundshëm e të përshtatshëm për t’u aplikuar e përse jo, për të shkëlqyer.

– Shqipëri: përgatitja profesionale për modele.
Intervistë modeles së re me origjinë greko – shqiptare, që jeton në Tiranë, NATALIA STAMULI.

Kush është Natalia Stamuli?

Natalia Stamuli është një vajzë 17 vjeçare, lindur e rritur në Athinë, por që jeton në Shqipëri me familjen, e cila fitoi çmimin Miss Earth Albania 2013, në konkursin e bukurisë, nga më të rëndësishmit e më kompetitivët në botë, Miss Universe Albania 2013, i organizuar më 15 gusht në Tiranë nga agjencia Grace Models, në bashkëpunim me fotografin me famë botërore, Fadil Berisha.


Bukuria e kësaj vajze dhe eleganca e saj, spikasin për një të veçantë: Për natyrshmërinë, freskinë dhe për atë që, në gjuhën e popullit cilësohet pikërisht si ‘bukuri ujë e sapun’.
Nuk mund të ndodhte ndryshe atëherë: juria, këtë karakteristikë të bukurisë natyrale të Natalisë, e vuri re dhe e vlerësoi pikërisht në këtë këndvështrim: duke e zgjedhur si Miss Earth Albania 2013, si përfaqësuese e denjë e Shqipërisë për këtë çmim kaq kuptimplotë e ekologjik, i cili vlerëson përveç bukurisë së një vajze, përkushtimin e saj për çështjen e ruajtjes së mjedisit, për çështje shoqërore sipas udhëzimeve të OKB-së për mbrojtjen e natyrës e mjedisit që na rrethon. Ky konkurs, këtë vit i dedikohet veçanërisht tematikave të lidhura me përdorimin e duhur e mos shpërdorimin e ujit, për sensibilizimin e popullsisë e sidomos rinisë, përkundrejt ‘një kulture të saktë mbi ujin’.
Kjo vajzë, sipas kritereve e kuptimit të çmimit të sapo fituar, nëpërmjet bukurisë dhe kulturës së saj, njohjes së disa gjuhëve të huaja, do të japë shembullin e saj vetjak në komunikimin me rininë, duke synuar edukimin e dashurisë për planetin tonë.
Natalia do të marrë pjesë si përfaqësuese e Shqipërisë në konkursin ndërkombëtar që do të zhvillohet në kontinentin aziatik në periudhën nëntor – dhjetor, ku do të zgjidhet ndërmjet 90 vajzash, Miss Earth International 2013.

Përshëndetje Natalia e mirësevjen në Albania News.

Përshëndetje, ju falënderoj për ftesën.

Ti je një modele e re, lindur e rritur në Athinë, e cila po ushtron këtë profesion në Shqipëri, ku je duke jetuar prej pak kohësh.
A mund të na thuash, si vendose që të fillosh këtë rrugëtim në fushën e modës?

Të them të drejtën nuk ishte vendim aq i papritur. Më pëlqente modelingu që kur isha e vogël, gjithmonë vishesha bukur, vishja këpucët e mamit me taka dhe bëja xhiro nëpër shtëpi. Me kalimin e viteve, dëshira për modeling u kthye në një ëndërr. Pikërisht kur përpiqesha që këtë ëndërr ta ktheja në realitet, ndodhi dhe njohja me drejtuesen e shkollës profesionale ‘Grace models’, Greiss Petrovic. Ishte ajo që zbuloi tek unë pasionin tim, aftësite e mia dhe mbi të gjitha, kriteret që unë përmbush për këtë profesion.

Çdo të thotë për një adoleshente, e cila ëndërrimet e aspiratat saj, të lidhur si në rastin tënd me modën, fillon t’i konkretizojë? Po Shqipëria, sa ofron sot në këtë drejtim?

Unë besoj që çdo adoleshent shqiptar apo i huaj, mundësitë për të konkretizuar ëndrrat dhe aspiratat e tij, si fillim, i gjen më të përshtatshme aty ku jeton. Me pas, pas çdo realizimi fillestar të ëndrrës, rriten dhe kërkesat ndaj vetes dhe aty mendoj se është momenti që të kërkojë dhe të aspirojë për mundësi të reja, në hapësira të reja. Me këtë, dua të them që, pasioni im për modën apo i çdo adoleshenti tjetër për çfarëdo lloj fushe, nuk fillon dhe mbaron patjetër në vendin e pikënisjes. Sa më e madhe të jetë dëshira, aq më të shumta janë mundësitë që ti kërkon, si në Shqipëri, por pse jo, dhe jashtë saj. Dhe menjëherë pas kësaj, dua të dal në atë që, Shqipëria sot, nuk ka akoma një fushë të mirëfilltë mode, pavarësisht përpjekjeve, ndaj dhe ofertat në këtë fushë janë të varfëra në krahasim me vendet e tjera. Ndoshta kjo është edhe arsyeja, që modele shqiptare të njohura bëjnë karrierë sot, jashtë vendit të tyre.

Ti po frekuenton shkollën e parë të modeleve në Shqipëri, ‘Grace Models’, në Tiranë. Si të duket kjo përvojë e sa, ajo ju përgatit për t’u bërë modele apo fotomodele profesioniste? Ç’lëndë të tjera përveç modelingut praktikoni?

Kjo është përvoja më e bukur që çdo adoleshente do të donte të përjetonte. Është vërtetë shkolla e parë për modele në Shqipëri, ku dihet që këtu kushtet nuk janë nga më të favorshmet, por përpjekjet e stafit drejtues të shkollës dhe dëshira për të arritur gjëra të mira dhe për të krijuar modele profesioniste, kanë dhënë rezultate shumë të mira. Këtu kanë ndikuar dhe lëndët e aktrimit dhe fotografisë, të cilat na mësojnë ne modelet e reja, edhe mënyrën artistike të kësaj fushe.

Kjo veprimtari, nga ana jote është normalisht e integruar edhe me atë shkollore të përditshme, në Kolegjin Grek në Tiranë, ‘Arsakeio’. Si janë rezultatet e tua në shkollë? Sa ndikon ideja e një sfilate të ardhshme, gjatë një ore mësimi të zakonshme në shkollë?

Sigurisht, aktiviteti shkollor është i përditshëm, duke përjashtuar ashtu siç ju e thatë, ndonjë ditë të veçantë, apo orë mësimi të veçantë për realizimin e ndonjë seti fotografik, apo të ndonje publiciteti. Përsa i përket sfilatave, provat për to bëhen gjithmonë në orët e pasdites, pasi vetë shkolla ‘Grace Models’, i jep përparësi formimit tonë kulturor.

Nëse nuk do të kishe filluar këtë veprimtari në fushën e modës, për cilin profesion do të të pëlqente t’i dedikoheshe studimit të tij?

Meqë jam një person i qetë dhe e kam mjaft të vështirë të dal nga natyra ime, mendoj se do të studjoja për psikologji.

Për t’i bërë të ditur edhe moshatareve të tjera të tua, cilat janë kriteret për të vlerësuar bukurinë e një modeleje? Eshtë i mjaftueshëm vetëm fakti që të të thonë miq apo të afërm: “Je e bukur si modele, ti duhet të bëhesh modele?”..

Siç dihet, në të gjithë botën, për t’u bërë një modele duhet të plotësosh kriteret e duhura, që janë: gjatësia, pesha trupore, tiparet fizike të përshtatshme. Nëse i ke këto dhe bashkë me to, është dëshira dhe talenti, përse jo, çdo vajzë mund të jetë e denjë për këtë fushë.

Përshtypjet që të la shërbimi fotografik i parë…Emocionet, sa arrije t’i kontrolloje?

Në setin tim fotografik të parë, normalisht që emocionet ishin të pranishme, sepse nuk kisha pozuar kurrë para aparatit profesional. Përpiqesha t’i kontrolloja, nuk e di dhe sot nëse kam arritur t’i kontrolloj plotësisht, sepse kur shoh herë pas here ato foto të parat, unë vetë në fytyrën time, dalloj një ndjenjë “frike” që të sjell çdo herë e parë. Megjithatë, mbaj mend që ditën që bëra fotografitë e mia të para, ndihesha vajza më e lumtur.

Di që në një hark të shkurtër kohor, brenda të cilit frekuenton shkollën për modele, ke qenë e ftuar në emisione televizive të ndryshme në Shqipëri. Mund të na tregosh ndjesitë që provon një vajzë e re, në kontakt me publikun, si atë televiziv apo jo?

Po, është e vërtetë që kam qenë e ftuar në disa emisione televizive. Kur mora vesh për herë të parë që isha e ftuar në një emision të transmetuar drejtpërdrejt, isha e gëzuar edhe e emocionuar njëkohësisht. Me publikun nuk isha ndeshur asnjëherë më parë, megjithatë ai ishte aq i ngrohtë dhe i dashur, saqë më bëri të ndjehesha shumë e rehatshme dhe e mirëpritur. Sigurisht, nëpër keto emisione, rol të veçantë luajnë dhe prezantuesit, të cilet unë gjej rast t’i falënderoj për mbështetjen dhe ngrohtësine me të cilën ata më kanë pritur.

Cilat janë markat e tua të preferuara?

Just Cavalli, Blumarine, DSQUARED.

Karakteri, vendosmëria dhe shpirti i sakrificës. Forca psikologjike për të përballuar situata delikate e pse jo, edhe zhgënjime që ndeshen lehtë në këtë fushë. Sipas teje, sa është e pajisur një adoleshente me të gjitha këto cilësi?

Duke menduar që fusha e modelingut, me gjithë bukurinë e saj, ka zhgënjime plot dhe situata delikate të shumta, duhet një forcë psikologjike mjaft e madhe për t’i përballuar dhe për t’i kapërcyer. Karakterin, vendosmërine dhe shpirtin e sakrificës, besoj se ne adoleshentët e sotëm e disponojmë më së miri. Forcën psikologjike për të përballuar vështirësitë e gjejmë nga mbështetja që na japin njerëzit tanë, familjarët tanë.

Sa të mbështet familja në këtë pasion tëndin?

Familja është mbështetësja ime kryesore në pasionin tim. Fusha e modelingut është sa e bukur, aq edhe e vështirë, përsa i përket situatave të ndryshme dhe emocioneve të forta dhe është pikërisht familja ime, ajo që më inkurajon në çdo hap të ri, ajo që më jep forcë në çdo vështirësi, ajo që gëzon me mua në çdo realizim timin. Nuk e di nëse do ta ndiqja këtë fushë, pa mbështetjen e tyre kaq të madhe.

Fenomeni i anoreksisë dhe shoqëria që propozon imazhe publicitare, të cilat shpesh, deformojnë konceptin e shëndetit dhe elegancës.
Sa është i rëndësishëm sipas teje, një edukim ushqimor i ekuilibruar për të gjithë rininë e sidomos për ju modelet?

Anoreksia, kohët e fundit tek modelet është përhapur shumë. Shumë modele ushqehen vetëm me një kokërr mollë gjatë gjithë ditës, por nuk besoj se kjo është mënyra e duhur për të mbajtur trupin në formë dhe për të vazhduar karrierën e modelingut. Duke ngrënë rregullisht, ushqime të shëndetshme, sa më shumë perime, duke pirë sa më shumë ujë dhe duke frekuentuar palestrën, besoj se çdo vajzë do të mund ta mbante trupin në formë.

Interesa të tjerë përveç modës?

Më pëlqen të udhëtoj vazhdimisht dhe të mësoj historinë e vendeve të ndryshme të botës. Çdo vend ka kulturën e vet sa interesante, po edhe aq të bukur dhe kjo më ngjall kureshtjen të njoh nga afër çdo lloj kulture.

Cilat konsideron ikona bukurie si femërore, po ashtu edhe mashkullore?

Adriana Lima, Johnny Depp..

Mbresat e tua nga konkursi i sapozhvilluar, Miss Universe Albania 2013 e nga kurorëzimi me çmimin Miss Earth Albania 2013..

Mbresat janë shumë të mira, emocionet aq të thella, sa nuk mund t’i përshkruaj dot me fjalë. Momenti i fitores ishte një nga momentet më të bukura që çdo vajzë, në vendin tim, do të ishte e lumtur t’i kalonte. Besoj se jam shumë me fat që juria më dha mua titullin e Miss Earth Albania 2013, sepse vajza të bukura ka shumë, por të fitosh një çmim bukurie është një lumturi më vehte dhe unë këto ditë ndjehem vërtetë e lumtur! Meqë po më jepet mundësia të flas për fitoren time në këtë eveniment, dëshiroj të përmend dhe fotografin e mirënjohur Fadil Berisha, një njeri i mrekullueshëm dhe me këtë rast, t’i drejtoj një falënderim të madh publik për mbështetjen dhe për bashkëpunimin që unë pata me të.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version