Po, quhem Albano, pikërisht në nderim të tokës suaj

Intervistë këngëtarit italian Albano Carrisi.
– Albano, kam kënaqësinë t’ju ofroj mirëseardhjen në gazetën tonë. Faleminderit që pranuat ftesën tonë.

Faleminderit juve, mirë se ju gjej.

– Emri juaj, një histori më vehte, ose më mirë: pashmangshmërisht emri juaj të bën të mendosh për tokën tonë, Shqipërinë, nuk është kështu?

Po, quhem Albano pikërisht në nderim të tokës suaj, ku im atë, don Karmelo, ka luftuar një luftë ( si të gjitha luftërat), të cilën ai vetë e cilësonte si të padrejtë. Por, kujtimi i Shqipërisë qe i fortë dhe për këtë, në kthimin e tij, vendosi të më japë këtë emër, të cilin unë e mbaj me krenari.

– Është e qartë se vetëm origjina apo përzgjedhja e emrit të vet, nuk i mjaftojnë një personi që të provojë një ndjenjë dashurie për një vend të përcaktuar.
Si e shpjegoni ju vetë, lidhjen tuaj miqësore me popullin shqiptar?

Pak për afërsinë gjeografike, pak sepse kam ndjekur gjithnjë ngjarjet e popullit tuaj, personalisht e ndjej vehten shumë pranë Shqipërisë, ku kam dhënë disa koncerte, të cilët janë ndjekur shumë. Dija edhe që shqiptarët ndiqnin Festivalin e Sanremos dhe në të, ishin ndjekës të mi.

Në vitin 1989 ju erdhët në Shqipëri dhe mbajtët një koncert madhështor. Unë personalisht kujtoj atë të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë. Nga stadiumi, në shtëpitë tona mbërrinte zëri juaj. Neve nuk na u nevojit shumë kohë për të mësuar këngët tuaja përmendësh, por kushedi sepse, veçohej njëra prej tyre, ajo “Liri”.
Çfarë përgjegjësie përbënte për ju vetë ky hap në Shqipëri?

Për mua përbëri një emocion shumë të madh të këndoja në 1989- ën, në atë stadium, përballë mijëra personash, të cilët iu bashkuan këngës sime me mua, asaj kënge që do t’u kthente në një fare himni për ta: “Libertà” – “Liri”. Ai qe ndoshta hapi i parë drejt ndryshimit, i cili sot është ende në vazhdim, por që tashmë ka ndërmarrë rrugën e duhur drejt lirisë.

– Ju keni marrë një nderim nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Nderit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për herë të parë e lëshuar për një artist. Mbresat tuaja?

Është një nderim që përbën për mua arsye të një krenarie të madhe. Fakti që, për të parën herë, ky nderim i është lëshuar një artisti, shton kënaqësinë dhe stimën time të madhe për popullin shqiptar.

– Përveç të kënduarit, interesa të tjerë?

Merrem me verërat në tokat nën pronësinë time në Cellino San Marco, ku prej vitesh kemi krijuar një fshat turistik, i cili tashmë është kthyer në një pikë referimi të sektorit turistik të krahinës së Puglia-s.

– Shakespeare citonte: “Oh ti, shpirt i padukshëm i verës, nëse nuk ka një emër me të cilin mund të të thërras, lërmë të të quaj me emrin e djallit”.
Për Albanon, lidhja me tokën e frutet e saj?

Lidhjen me tokën e “kultivoj” që kur isha djalë i ri. Tashmë atë e vazhdoj nga një pozicion i ri, ai i sipërmarrësit të verës: kjo, për të dëshmuar dashurinë time të madhe për tokën dhe për frutet e saj.

Karriera juaj e shkëlqyer si po vazhdon? Projekte të ardhshme? Ndonjë koncert në Shqipëri e keni planifikuar?

Veprimtaria ime si këngëtar vazhdon, qoftë me koncertet, si edhe me albume të rinj. Projektet e mia për të ardhmen nuk mungojnë kurrë dhe në Shqipëri kthehem gjithnjë me dëshirë.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version