Një intervistë miqësore me poetin Visar Zhitin

Shpirti i një poeti mbetet i thjeshtë edhe kur trupi i tij hap dyert e Shtetit. Ky është Visar Zhiti në një intervistë dhënë gazetares Anila Kadija

Visar Zhiti

Visar Zhiti

Në shenjë falenderimi për punën e përsosur kryer në Ambasadën Shqipëtare në Romë e me urimin e një rrjedhshmërie të mëtejshme në qeverinë shqipëtare, publikojmë intervistën drejtuar poetit Visar Zhiti nga Anila Kadija.

Poeti lë gjurmën me hapat e tij, ne me hapat tanë dhe e shkelim.

E kisha tejkaluar imagjinimin ndaj një poeti, kur mendonja që kufijtë midis nesh, njerëzve të thjeshtë me botën e vargjeve kanë hapësira, kanë ngjyra të veçanta, që nuk të lenë të tejkalosh thjeshtë. Gabohesha! Sapo i shtrëngova dorën më përçoi një energji pozitive që vetëm një njeri me botë të mrekullueshme dhe çuditërisht aq të afërt me të thjeshtën e ka pasuri dhe mund të t’a falë. Thjeshtësi poeti?

Lindur në një hapësire ku shpirtërorja tejkalon emocionin në grimcat e të të përditshmes, në një shtrëngim dore si miq të përhershëm, thjeshtësi që i hap krahët një bashkëbisedimi në një sfond kulture i cili me çliroj nga tundimi i mëdyshjes nëse mund t’a realizoja një bisedë të lirë me një personalitet kaq të bukur të artit tonë. Zhduken dipllomacitë dhe fjalët e rastit.

Nis intervista jonë natyrshëm, te ulur në një sallë te zbrazur kuvendi gazetarie gjatë një pushim në tjetrin.

I flas për një poezi, që më kish bërë shumë përshtypje, të cilën e kisha lexuar rastësisht në një site interneti. Ajo e këpucëve të burgut, më kish mahnitur me forcën e vargut dhe unë kurreshtarja e pandrequr kërkoj të njoh pa durim me pyetje forcën e shpiritit të tij dhe vazhdojë…

Këpucët tuaja sot ju pyes përsëri. Gjurmët që lë poeti me penën e tij, janë si ato gjurmët në dëborë, vetëm të një stine që duke kaluar koha shkrihen në kujtesë apo skalisin në shpirtin e një lexuesi motive jete?

Besoj gjurmët janë të gjithëfarllojshme dhe nga ato që shkrihen bashkë me borë dhe nga ato që skaliten në kujtesë si në mermer. Ndodh të mos kesh lenë gjurmë fare, por dhe mund të ndikosh aq shumë sa mund të krijosh, siç thoni ju, motiv jete. Tek mua p.sh., në rininë e parë kanë ndikuar fort Esenini, pastaj Uitmani. Kam dashur gjithë jetën edhe Lorkën, Pol Elyarin dhe kë njihja e doja më pas, nuk m’i rrëzonin ata që kisha dashur.

Nuk po zgjatem me të përjetëshmit e tjerë të të gjithë njerëzimit si Homeri dhe Dante dhe Shekspiri. Të gjuhës time dua shumë Lasgushin, Fishtën, Naimin, De Radën e nga të gjallët Podrimjen, kurse nga poetët e realizmit socialist jam i zgjënjyer për jetë. Ata mund të shkruajnë poezi vetëm nën diktaturë, duke patur për perëndi diktatorin.

Poeti lë gjurmë me hapat e tij, ne me hapat tanë dhe e shkelim… Visari dhe fëmijeria e tij? Çfarë merrni me vehte nga kujtimet? Keni ndonjë moment të bukur në qoshen e asaj fantazie të fëmijërisë që nuk e harroni asnjëherë, lojen e tij të preferuar?

Eh, vetë fëmijëritë janë të bukura, zbulohet bota para teje, kanë këtë magjepsje. Atëherë nuk e dija, por e shoh tani, kam patur një fëmijëri tejet të varfër, me mungesa të mëdha, vetëm dashuria familjare nuk mungonte. Ju më pyesni se ç’kujtoj? Kur pashë detin për herë të parë, shtanga. Ajo hapësirë e pafundme, e kaltër, e ëndërrt. Dhe amfiteatrin e porsazbuluar i Durrësit. Kur na erdhi në shtëpi një i porsaliruar nga burgu politik, mbaroi fëmijëria…

Kërkoj të njoh lexuesin me jetën tuaj jashtë kornizës poetike… ne fillimet e një dinamike profili, janë së pari themelet…aty nis rruga e gjatë e jetës! Në themelet e ëndrrës tuaj, për ta jetuar? Adoleshenca…ndonjë, episod i bukur i rinisë?

Jam i detyruar të përsërisë që edhe vetë jeta në vehtvete si fëmijëria është e bukur, e shtrenjtë. Por mua shumë shpejt më bënë të qartë se nuk isha në kohën time e nuk më takonin shumë e shumë gjëra. Liri më pak nga të gjithë. Gëzimet, dashuria, poezia, etj., varen shumë nga liria. Ata që thonë të kundërtën, mashtrojnë ose duan të mbulojnë mëkatet e jetës së tyre.

Teksa do të më gëzonte botimi i parë i një vjershe, do të më dëshpëronte thellë dënimi me burg për to. Edhe ëndrrat dënohen, por ato arratisen më lehtë se ne. Madje janë dhe pas nesh. E ku nuk kanë shkuar ëndrrat e mia? Tashmë ne banonim në Lushnjë familjarisht, kryeqyteti i dhimbjes, e quaj unë sipas një poeti, se aty ishin dhe të internuarit, aty përreth ishin artistë, piktorë, muzikantë, shkrimtarë, të ndaluar ishin të tillë. Njohja me të tillë ishte episod i bukur dhe i rrezikshëm. Të tilla i kam patur bukuritë unë, të dënueshme. –

Ju u emocionuat shumë kur Paolo Muner ju drejtoi pyetjen, në Modena, me rastin e veprimtarisë Porti Cittadini ” Porte Qutetare”: Ku ishit ju, zoti Zhiti? Fjala ishte për lëvizjet e para demokratike, në fillimet e ’90? Dhe ju u përgjigjet: isha pranë baltës time, në një qytet aq afër Tiranës me km po aq larg me mendim. U uroja mbarësi atyre që po iknin, që po gjenin nje rrugë në jetën e tyre. Por unë nuk kisha gjetur akoma vetvehten…si mund ta gjeja në vende të tjera Vizarin?! Unë ju pyes në një formë tjetër. Pas kaq vitesh e gjeti vetvehten Visari? Në harkun e kujt ylberi keni filluar të shikoni dritën e diellit? Se liria është diell, jo kangjella!

Faleminderit për vëmendjen. Ne vazhdimisht kërkojmë dhe bëjmë vetvehten dhe vetvehtja nuk jemi vetëm ne, por dhe gjithçka përreth, shoqëria, vendi, ajri. Pyetja “Ku ishe ti… Adam?” është e domosdoshme të bëhet ndër ne. Ku ishe ti atëhere, me ata që dënoheshin apo me ata që dënonin? Të huajt kanë kurajon dhe na e bëjnë këtë pyetje-çelës, që ju e mbakeni mend mirë. Edhe ne duhet t’ja kishim bërë me kohë njëri-tjetrit, por vonë s’është kurrë.

Të dalim te pyetja juaj, a e kam gjetur vetvehten? Unë e kisha vetvehten të thjeshtëzuar frikshëm: skllav, armik i regjimit diktatorial dhe po kërkoja vetvehten tjetër, atë të të tjerëve. Pasi secili nga ne është dhe të tjerët dhe të tjerët janë secili nga ne. Kur flas në kuvende për kërkime e gjetje, ato shpesh nuk janë të miat, por të vendit tim, se, në një farë mënyre jemi e njëjta gjë e duhet të jemi kaq të përgjegjshëm.

Koha jonë, kam bindjen, se po ecin në kahun e duhur, drejtë lirisë dhe Europës së kulturuar. Ju po e thoni aq bukur se liria është dhe diell. Ndaj të njëjtin mendim. Në akt-ekspertizën time kam dhe një akuzë të tillë se kam kërkuar dhe një diell tjetër, të dytë, është ky, i lirisë dhe u dënova duke humbur shumë dhe nga dielli i parë.-

Ketu në kuvend folët qartë dhe saktë italisht, edhe pse thatë që keni një italishte “burgu” ironi e fatit dhe rrethanave. Dikush jua mesoi atje? A mund të më thoni me pak fjalë, ndonjë mbresë të atyre ditëve, kur uleshit me atë priftin duke përsëritur foljet në italisht dhe duke ndryshuar bisedën mësimdhënëse sa herë që afrohej ndonjë polic i burgut duke i bërë të kuptonte se ishte thjeshtë një bisedë për sportin? Kulturë që po trasmentohej në metra të kufizuar jetese.

Është siç thoni ju, në metra të kufizuar jetese, gati sa varri. Si shumë tjerë, edhe unë kam botuar disa romane me ndodhi të rënda burgu. Lexuesi po e pret me të vërtetë mirë këtë lloj letërsie, që erdhi nga ferri dhe solli të vërtetën dhe moralin, që edhe pse kategori etike, të nevojshme gjithsesi për letërsinë. Në fund të fundit më të nevojshme se mashtrimet dhe iluzionet e realizmit socialist, qoftë dhe të shitur si mbartësit e tij.

Demokracia dhe komunizmi. “Marks,- tha me vërtetësi Serena Luciani, autore e librit “Terremoto a Tirana” gjatë kuvendit “Porti Cittadini” kur fliste për komunizmin, – e konsideronte një hap më përpara se kapitalizmi”. Ajo në eksperiencën e saj, në vitet ’80 – ’90 në Tiranë, në Ambasadën Shqipëtare, kishte parë një Shqipëri shumë më të prapambetur se një shtet kapitalist, doktrina idealiste nuk ekzistonte! “Një shtet që nuk mund të quhej komunist Shqiperia e atyre viteve” – shton ajo. Si mund ta quani ju Shqipërinë e atyre viteve?

Diktaturë dhe mjerim, burg. Unë e thashë dhe atje, në kuvend, doktrina e Marksit është e papërfunduar. Si e tillë e mangët. Dishepujt e saj, shumë më të paditur se Marksi, sollën apokalipsin. Një filozof tjetër, Georg Santana, thoshte se komunizmi është atibiologjik. Kudo thuhet se komunizmi është utopi e “utopi” vjen nga greqishtja e vjetër që do të thotë “pa vend”.

Komunizmi është pa vend ashtu si komunistët pa atdhe. Pa atdhe nuk ka njeri. Dhe atdheu bëhet gjithnjë e më i madh, Europa, planeti, ëndrra. Por njeriu diku lind, në një qytet, në një rrugë, në njé shtëpi dhe ajo nuk i ndahet përjetë. Dhe me rënien e komunizmit, historia nuk ka mbaruar, siç e kanë dhënë alarmin disa mendimtarë. Bota do të dijë të ëndërrojë gjithmonë dhe do të dijë të jetë bashkë, madje gëzueshëm, më mirë se në çdo doktrinë. –

Në ditët tuaja më të vështira ç’mendime ju kanë ardhur mbi ekzistencën…një mesazh vlere për të kapërcyer atë hendek që e ndan shpesh jetën e njeriun në momente të tilla?

Zonjë, jam unë ai që duhet të pres mesazhe të tilla. Që të besoj te njeriu. Jam unë i tradhëtuari dhe i godituri. Apo t’ju them ç’thoshte Nënë Tereza, jemi në vitin e saj: “Më mirë ndiz një qiri, se sa të mallkosh errësirën. Kështu do të kishim më shumë dritë së bashku”.

Në jetë shpesh ka ëngjëj që na vënë krahë mirësie. E keni një ëngjëll…në mënyrë figurative është pyetja…dikush që i ka dhënë ngjyrë jetës apo personit tuaj në një moment të veçantë?

Kam nënë, kam grua, kam djalë, vëllezër, motër, miq e të tjerë që dua dhe më duan.

Keni marrë dy çmime shumë të rëndësishme në Itali. Në një event të këtyre madhësive ç’mendonte Visari?

Kam më shumë se aq. Çmimet janë si veshja e bukur. Të gëzojnë, kur del. Çmimi nuk është vepër e jotja, mendoj gjithmonë se ç’mund të bëj vetë.

Në një rrugë të drejtë ku ka një kthesë dhe një ndalesë, kë do të preferonit? A është shpirti poet një labirinth emocionesh?

Të dyja, të ndal pak, të pushoj dhe të vazhdoj të shoh ç’ka pas kthesës. Shpirti poet është dhe ashtu siç thoni ju.

Ju keni kontakte edhe me personazhe të nderuar të penës italiane, ç’ju percjellin ato dhe çfarë percillni ju si penë e ndritur shqipëtare?Antonio Caiazza, gazetar i rrjetit më te madh televiziv italian dhe autor i librit “ In Alto Mare”, gjatë kuvendit të “Porti Cittadini” tha se ne jemi popull ku akoma tregohen përralla mitologjie zanash, Odiseiale, ju si e mendoni?

Duhej të kisha më shumë kontakte, se ambasada nuk duhet të mbyllet brënda mureve, por duhet të veprojë jashtë tyre, në rrugë, në jetë, ku janë njerëzit, t’u japësh nga vendi yt dhe të marrësh. Artistët dhe shkrimtarët italianë që njoh unë, përcjellin mirësi dhe mirëkuptim, tregojnë interes për kulturën tonë dhe vendin dhe kanë kënaqësinë të vijnë në Shqipëri, të përkthehen, të interpretojnë, të hapin ekspozita.

Kulturat pasurojnë njëra-tjetrën, nuk duhet të mohojnë njëra-tjetrën. Përsa i përket asaj që tha gazetari Caiazza, ne e ruajmë traditën dhe kemi dhe shkrimtarë të lidhur me mitet, që e ushqejnë veprën e tyre me vepra të lashta dhe të reja. Por ne jetojmë dhe në të tashmen, që e bëjmë dhe na bën. E rëndësishme është për sa më bukur.

Kjo interviste eshte e disponueshme dhe ne italisht

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version