Vendimi më i fundit i Greqisë është të heqë rezervën për vulën apostile me Shqiperinë, gjë që i mundëson çdo shtetasi shqiptar kursimin minimal të 30 eurove për çdo dokument që i nevojitet.
Ky vendim është përshëndetur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila shprehet se “Ky vendim i qeverisë greke përbën një angazhim të përmbushur në kuadër të dialogut dypalësh Shqipëri-Greqi për çështjet e mbetura pezull prej një kohe të gjatë”.
Sipas MEPJ, vetëm gjatë vitit 2017, kostot e qytetarëve shqiptarë,si rrjedhojë e aplikimit të vulës apostile nga autoritetet greke, kanë kapur vlerën e 6.7 milionë euro.
Ky vendim i qeverisë greke duket se është produkt i ardhur nga dialogu i zhvilluar mes saj dhe Shqipërisë, si dhe nga angazhimi për të cuar në një nivel më të lartë marrëdhënien strategjike mes dy vendeve .
Vula apostile, sic ka bërë me dije Ministri Bushati, është një nga pikat e diskutuara në shportën e cështjeve të përditshmërisë, e cila mesa duket ka marrë dakortësinë e palës greke më dt 26 shkurt të këtij viti.
Por, çfarë është vula apostile?
Vula Apostile është një regjim për legalizimin e dokumenteve. Ajo ul ndjeshëm jo vetëm një pjesë të madhe të kostos së një legalizimi, por edhe burokracitë për kryerjen e këtij veprimi.
Tashmë eviton detyrimin e qytetarit ta paraqesë këtë dokument edhe në Ambasadën përkatëse, që të njihet nga autoritetet në atë vend. Me fillimin e regjimit të vulës apostile, dokumenti bëhet i njohur për 82 vende anëtare të kësaj Konvente.
Efekti financiar me regjimin e vulës Apostile do bëjë të mundur uljen në mënyrë drastike të kostos së dokumentave të kërkuar, pra; nga 30 euro që paguhet aktualisht, do paguhet vetëm 200 lekë të reja.
Heqja e rezervës për vulën Apostile, hap rrugën edhe për lëshimin e certifikatave, por lëshimi i tyre bëhet me marrëveshje ose në bazë të reciprocitetit.
Në total, përpunohen rreth 210 mijë dokumenta në vit, me destinacion Greqinë, që po të shumëzohen me 32 euro, i kursehen xhepave të qytetarëve miliona euro.
Ky artikull është i disponueshëm dhe në italisht