Këto ditë, më saktë që nga data 9 mars, po qarkullon në internet lajmi se shqipja do të mësohet në shkollat italiane. Ministri shqiptar i arsimit, ashtu si edhe disa politikanë të tjerë, kanë përshëndetur këtë lajme si shumë pozitiv. “Ministri Tafaj thekson se ky vendim është shumë i rëndësishëm për integrimin e fëmijëve dhe të rinjve të familjeve të komunitetit shqiptar në Itali.
Mësimi i gjuhës shqipe në shkollat itlaliane do të këtë një ndikim pozitiv jo vetëm në zotërimin e gjuhës dhe kulturës amtare dhe gjithë programit mësimor në shkolla, çka do të rrisë shanset e të rinjve, brezi i dytë i emigracionit shqiptar në Itali, për karrierë dhe punësim.” – websiti i Ministrisë së Arsimit
“Përveç mësimit në kurse e shkolla, mbrojtja e gjuhëve lokale ofron mundësi për t’u përdorur në gjyqësi dhe programe kulturore dhe stacione prestigjioze mediatike. Komuniteti shqiptar në Itali është më i madhi në shoqërinë italiane. Numërohen rreth 420 mijë shqiptarë të regjistruar” – nënvizon gazeta MAPO, e kështu me radhë shumë gazeta të tjera.
Lajmi nuk është i vërtetë, ose më saktë, është keqkuptuar nga mediat dhe istitucionet shqiptare. Le të shpjegojmë në mënyrë më të hollësishme se çfarë ka ndodhur. Qeveria italiane ,në mbledhjen e saj të datës 9 mars, ndër të tjerash ka ratifikuar dhe Kartën Europiane për gjuhët rajonore dhe minoritare (Carta europea delle lingue regionali e minoritarie).
Kjo konventë është e vitit 1992 dhe e kanë nënshkruar e ratifikuar shumë vende të Këshillit të Europës. Në Itali ky ratifikim nuk sjell shumë të reja, duke qenë që vendi është pajisur me një ligj efikas mbi të njëjtën temë qysh në vitin 1999.
Në atë ligj, bëhet një listë me gjuhët minoritare të njohura dhe të mbrojtura nga shteti, ndër të cilave edhe shqipja ( e nënkuptuar si gjuha e arbëreshëve që jetojnë në pjesë të ndryshme të Italisë).
Ratifikimi në fjalë pra, ka vetëm një vlerë formale dhe nuk ndryshon pothuajse asnjë gjë në praktikë, duke qenë se aktualisht gjuhët minoritare, përfshi dhe shqipen e komunitetit arbëresh, përdoren në shkolla, tabela rrugore, etj etj.
Me shumë mundësi, mediat dhe istitucionet shqiptare, kanë përkthyer tekstualisht agjensitë e shtypit dhe komunikatën për shtyp të qeverisë italiane, pa e thelluar pak më tepër informacionin ose pa u përpjekur të komunikojnë me departamentin e minoriteteve në qeverinë italiane.
Kjo ka krijuar një informacion jo korrekt ndër komunitetit shqiptar (post 1991) që jeton në Itali, duke i lënë të kuptojnë se së shpejti do jetë e mundur të mësohet dhe shqip në shkollat publike anembanë Italisë.
Mjaftoi një telefonatë në departamentin e minoriteteve të qeverisë italiane, për të pasur një sqarim shumë të hollësishëm.