Shqipëria e Veriut: bujtina, gra dhe emancipim

Në Koman, në Shqipërinë e veriut, Ermira drejton një bujtinë të vogël. Me gra të tjera, ka krijuar një grup që i jep vlerë prodhimeve vendore në restorante dhe në struktura të tjera mikpritëse në fshat

Ermira në ballkonin e bujtinës së saj në Koman - Ivo Danchev

Kjo intervistë është përgatitur në italisht nga Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa, me autor Francesco Martino

Ju drejtoni një bujtinë në Koman. Cilat janë mundësitë turistike në këtë zonë të Shqipërisë?

Vitet e fundit në Koman ka pasur një rritje të numrit të turistëve, sidomos të turistëve që kërkojnë një përvojë të ndryshme nga të tjerat.

Kemi një ofertë që përmbledh agroturizmin, traditat, por edhe turizmin historik dhe kulturor, duke pasur parasysh që këtu ndodhet kështjella Dalmaca, qëndra kryesore e kulturës së Komanit, që është zhvilluar në këtë zonë midis viteve 550 dhe 700 pas Krishtit.

Kemi vënë re që mungojnë strukturat e përshtatshme për të pritur mysafirë dhe për t’u ofruar atyre një qëndrim pak më të gjatë, me një program më të dendur. Kështu që – me një grup grash dhe me ndihmën e programit Women – kemi menduar që të krijojmë struktura që ofrojnë më shumë shërbime, e midis këtyre edhe një guesthouse.

Sa i vështirë është bashkëpunimi mes grave në një vendi si Komani?

Ka një bashkëpunim shumë të mirë. Në këto zona ne gratë punojmë për familjen gjatë gjithë ditës, shpesh herë nuk është e mundur të kesh një interes tjetër apo aktivitete ekonomike që – nëse menaxhohen direkt nga një grua – ndodhin vetëm brenda familjes. Në këtë kontekst, bashkëpunimi mes grave është pra një mundësi e rëndësishme, të cilën mendoj se kemi qenë në gjendje ta shfrytëzojmë.

Çfarë do të thotë të emancipohesh për një grua që jeton në Shqipërinë e sotme?

Për mua emancipimi fillon nga arsimimi a, më saktë, kjo është ajo që unë kam dashur për veten time. Shkollimi të jep mundësi shumë të rëndësishme emancipimi. Një element i dytë, më i rëndësishëm, është edhe puna, domethënë që puna e një gruaje të vlerësohet edhe me rrogën. Në përgjithësi, kjo mungon për gratë shqiptare.

Nga përvoja ime personale, gratë në Shqipëri, dhe sigurisht edhe në Koman, punojnë shumë, por nuk paguhen. Mendoj se emancipimi i grave këtu, si kudo tjetër në vend, kryhet nga momenti kur ka pavarësi ekonomike. Kjo është edhe arsyeja pse ne kemi krijuar një projekt që parashikon që çdo grua në grupin tonë të kujdeset për struktura të caktuara (p.sh. shtëpi për mysafirë, baxho të vogla, restorante). Kështu, puna e çdo gruaje i garanton edhe rrogë, e i garanton edhe mirënjohje në familje.

Pra, krijimi i mundësive ekonomike për gratë është hapi i parë, mbase edhe hapi kryesor, për të ndryshuar situatën?

Mendoj se po. Duke arritur pavarësinë ekonomike, gratë e kuptojnë vlerën e tyre. Në Shqipëri, në përgjithësi, gratë kanë një perceptim shumë të ulët për veten e tyre, dhe kjo ndihet më shumë në zonat rurale dhe në malësi. Pavarësia ekonomike, pra, është e rëndësishme para së gjithash për vetë gratë, në mënyrë që ata të kuptojnë, edhe nëpërmjet rrogës, sa i madh kontributi japin për familjet e tyre. Për më tepër, duke qenë në gjendje të kenë të ardhura ekonomike, mund të bëjnë diçka më shumë për veten ose për fëmijët e tyre. Besoj se e gjithë kjo mund të ndihmojë në një mirëqenie më të madhe sociale, si për gratë ashtu edhe për familjet.

Po burrat shqiptarë, a janë të gatshëm të pranojnë një rol më të pavarur, më të lirë për gratë e tyre?

Në përgjithësi, mentaliteti i burrave ka ndryshuar, është më i hapur dhe shumë janë më të gatshëm të pranojnë një rol të ndryshëm për gratë. Ndoshta nuk e përkrahin ende idenë që një grua duhet të jetë e pavarur, por nuk e mohojnë këtë pavarësi pasi kjo është marrë. Është një pikënisje e mirë.

A ka një mundësi konkrete që një vend si Koman të mbetet i gjallë në dhjetë, njëzet vjet? A ka jetë ekonomike, zhvillim, të ardhme, fëmijë?

Ka disa aspekte që janë në gjendje të promovojnë përmirësime në Koman. Edhe falë prezencës së një hidrocentrali, besoj se ka shanse të mira që njerëzit të mos largohen prej këtej. As Shkodra nuk është larg dhe shumë të rinj mund të studiojnë atje dhe pastaj të kthehen dhe të bëjnë disa gjëra këtu, ashtu si kam bërë edhe unë. Dhe disa prej tyre e bëjnë tashmë këtë gjë. Nga ky këndvështrim, unë mendoj se ka shumë ndryshim në krahasim me vitet e kaluara. Unë, për shembull, kurrë nuk do të mendoja që të isha këtu sot dhe të bëja këtë intervistë, apo që të ndërtoja një guest house, apo që dikush do bënte investime në këtë fushë.

Nëse kemi një vizion për të ardhmen, nëse komunikojmë në mënyrë efikase atë që mund të ofrojë fshati apo zona jonë, unë mendoj se ka mundësi të mira për zhvillimin e ardhshëm. Edhe sepse Koman dhendet në një pikë strategjike në rrugën drejt Valbonës, e cila vitet e fundit ka tërhequr gjithnjë e më shumë turistë. Synimi ynë është që Koman të mos jetë vetëm një pikë kalimi mes qyteteve, por që turistët të qëndrojnë këtu për një ose dy ditë.

Këtu sigurisht që nuk mund të ofrojmë qëndrime luksoze, por ofrojmë të gjitha avantazhet e agriturizmit. Kush na viziton na kërkon ushqim të mirë, ushqim lokal, i cili ka aromat e tokës tonë. Dhe pastaj ata duan të shohin rrobat tradicionale, të shikojnë si mbillen farat, si punohet toka. Të gjitha gjëra që nuk mund të gjenden në qytet.

A mund ta imagjinojmë pas disa vitesh një Koman të zhvilluar, plot jetë dhe me një kryebashkiake femër?

Po fluturojmë shumë lart. Gjatë rrugës për të ardhur këtu, duket qartë që, ndryshe nga fshatrat e tjerë, këtu ka vende ku punohet dhe investohet për një të ardhme, edhe turistike. Shpresoj se do të jetë e tillë. Për sa i përket një gruaje kryebashkiake, më duket pak më e vështirë që të imagjinohet.

Ju jeni një person plot iniciativë, e arsimuar, mbase do jeni ju kryebashkiaku i parë grua.

Nuk më intereson politika.

Pse duket kaq e vështirë të kesh një kryetar gruaje?

Ne jetojmë në një shoqëri ku ka ende kufizime.

E zëmë se duhet t’i shpjegoni shkurtimisht një turisti që nuk e ka parë kurrë Koman pse ja vlen që të vijë këtu …

Shpesh përpiqem t’i bëj reklamë Komanin, edhe mes miqve të mi. Nuk e di nëse i kam gjetur dot fjalët e duhura. Koman është një vend që ofron shumë bukuri natyrore. Nuk e kemi krijuar ne, na e ka dhënë Zoti dhe i jemi mirënjohës. Pastaj, sigurisht, këtu është Kalaja e Dalmacës për të cilën folëm: ia vlen të vish në Koman edhe vetëm për këtë.

Pastaj këtu mund të zbuloni se si mbillen patatet, si bëhet vera. E dimë që Italia është shumë e njohur për verën, por këtu ne përdorim një metodë tjetër prodhimi, edhe kjo mund të ketë interes. Plus, ka një ushqim shumë të mirë. Sigurisht, Shqipëria mbetet një vend disi i vështirë nga pikëpamja sociale, për shkak të mentalitetit dhe tranzicionit politik që kemi kaluar: por jemi njerëz mikpritës. Kush do na vizitojë, do e kuptojë menjëherë këtë fakt.

Projekti

Vëmendje për fatin e shumë familjeve, zhvillimit lokal, peizazhit, çështjeve të zhvillimit ekonomik. Këto janë, në përmbledhje, elementët kryesorë të Aleancës për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Shqipërinë e Veriut.

Programi ka filluar më 4 korrik 2017 në Pukë dhe në 7 korrik në shkollën profesionale të Bushat-Vau i Dejës.

Projekti trevjeçar, nisur më 4 korrik në Pukë, promovohet nga dy OJQ italiane – Reggio Terzo Mondo (RTM ) dhe Cooperazione per lo sviluppo paesi emergenti (COSPE ) – me mbështetjen e Agjensisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).

Shiko dosjen dedikuar Shqipërisë Veriore

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version